ATV

Author: ATVLive

  • Limaj: Kurti arnoi projektet e qeverive të kaluara

    Limaj: Kurti arnoi projektet e qeverive të kaluara

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Opozita parlamentare vazhdon të ketë qasje të ndryshme sa i përket shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron favor ndaj kryeministrit Albin Kurti, votën pro shpërndarjes së Kuvendit, si hap i parë.

    Deputetja e këtij subjekti opozitar, Hykmete Bajrami, thotë se Kurti duhet të japë dorëheqje.

    “Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës…”, tha Bajrami.

    Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritika për opozitën që, sipas tij, nuk kanë qëndrim të përbashkët për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje të reja.

    Sipas tij, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike, është më afër për këtë çështje me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

    “Tashmë kryeministri Kurti aktualisht është më i interesuar që të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, që është më e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë qëndrim…”, tha Ymeri.

    Nisma Socialdemokrate aktualisht nuk është pjesë e Kuvendit, por synon pushtetin në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i së parës, Fatmir Limaj, konsideron se kryeministri Kurti nuk ka asnjë projekt të vetin, këtë mandat.

    “Me atë që kam parë unë nuk ka asnjë gjë që ka lëvizur, përveç harnimit të projekteve të mbetura që dikur ata i kanë sharë”, tha Limaj.

    Të hënën, kryeministri Kurti takoi në darkë krytarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin patën qëndrime të përafërta se duhet shpërndarë kuvendi, që të shkohet në zgjedhje. Një propozim të tillë, PDK mund ta bëjë në parlament, javën që po vjen.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sekiraqa ende në kërkim policor

    Sekiraqa ende në kërkim policor

    Përgatiti: Armand Hoti

    Policia e Kosovës, nga e shtuna mori urdhër që ta ndalojnë Enver Sekiraqën, kudo që e shohin.

    Por, i akuzuari për nxitje në vrasjen e Policit Triumf Riza në vitin 2007, ende nuk ka rënë në duart e autoriteteve të rendit.

    Vendimi i Gjykatës së Apelit për ta paraburgosur Sekiraqën, nuk u ekzekutua, meqë Policia e Kosovës, nuk e gjeti atë në shtëpi as gjatë së premtes dhe të shtunën.

    Avokatja mbrojtëse e Enverit, Kosovare Kelmendi, thotë se nuk di gjë për vend ndodhjen e klientit të saj. Megjithatë, Kelmendi thekson se ai nuk është arratisur.

    “Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta pres në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje”, tha Kosovare KELEMNDI, avokate e Enver Sekiraqës.

    Avokati Valdet Hoxha, thotë se nëse verifikohet se Sekiraqa është arratisur, atëherë kjo do të bartë pasoja ligjore për të akuzuarin.

    “Nëse i njëjti ka qenë duke u mbrotjur në liri, pra nuk e ka pasur të kufizuar lirinë e lëvizjes, ndërsa nëse konfirmohet se i njëjti është arratisur, atëherë natyrisht që ai mendoj duhet t’i ketë menduar pasojat juridike dhe favoret ligjore në fazat e mëvonshme në vuatje të dënimit nëse aktgjykimi bëhet i plotëfuqishëm”, tha Hoxha.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kritikoi gjyqësorin të shtunën, për mostrajtim të çështjes me profesionalizëm.

    Pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit, kishte vendosur ta kthente Sekiraqën në paraburgim, pasi Themelorja më 3 maj ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.

    Në po këtë datë, Enver Sekiraqa, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje kundër dezinformimit

    Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje kundër dezinformimit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është hapi thelbësor që Kosova duhet ta ndërmarrë për të avancuar në rrugën drejt institucioneve europiane dhe euro-atlantike.

    Këtë qëndrim e bëri të qartë Nënsekretarja për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elizabeth Allen, pak minuta pasi me presidenten Vjosa Osmani nënshkruan një marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

    “Ne, po ashtu, folëm për çështjen kritike të rrugës së europiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Ritheksova se mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve europiane dhe euro-atlantike kur gëzojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë. E di që kjo çështje është e rëndësisë së madhe për ju presidente Osmani. Diskutuam hapin thelbësor të Kosovës në rrugën euro-atlantike, lëvizjen përpara për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha Allen.

    Këtë temë nuk përmendi fare presidentja, e cila e vlerësoi të përjetshme aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës’, tha Osmani.

    Ajo u përqendrua te rëndësia e marrëveshjes, e cila i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e informacionit.

    “Fatkeqësisht, as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme, të cilat sa vijnë dhe shtohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon, nëpërmjet satelitit të saj – Serbisë. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por edhe paraqet rrezik aktiv për destablizimin e rajonit tonë. Rusia, në këtë mënyrë, po përpiqet të shtrijë ndikim, duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës, me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-në”, tha Osmani.

    Pasi theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj popullit të Kosovës si kurrë më parë, nënsekretarja Allen tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është kyçe.

    “Memorandumi sinjalizon angazhimin e SHBA-së dhe Kosovës për të zhvilluar një qasje të përbashkët, për të kuptuar më mirë dezinformimin nga jashtë dhe për të ndërtuar mekanizma të konsultuar për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve”, tha Allen.

    Në takimin me kryeministrin Albin Kurti, zyrtarja e lartë amerikane theksoi se Kosova i përket BE-së dhe NATO-s, por përmendi nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjeve të dialogut me Serbinë.

    Në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti foli për rëndësinë që zbatimi të mos jetë i kushtëzua, ndërsa shprehu shqetësimin për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia.

    Praprakisht, Allen vizitoi edhe kampin ushtarak amerikan “Nothing Hill” në Leposaviq, ndërsa e vëzhgoi veriun e vendit edhe nga qielli.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përfundon takimi i prindërve dhe Thaçin në Hagë, flet babai: “Po na merr malli, n’Kosovë e kanë venin e jo këtu”

    Përfundon takimi i prindërve dhe Thaçin në Hagë, flet babai: “Po na merr malli, n’Kosovë e kanë venin e jo këtu”

    Ka përfunduar vizita e prindërve të ish-presidentit Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Babai dhe nëna e Thaçit ishin sot për vizitë tek ai, pas dy vitesh kur e kishin takuar për herë të parë që nga dorëheqja dhe dërgimi i tij në Hagë.

    Pas daljes nga Njësia e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara, babai i ish-presidentit Thaçi u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij.

    “Jemi të lumtun që na u dha rasti me ardh, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës. Pa marrë parasysh që u kanë i nxanun me punë të shtetit, Hashimi gjithë ka gjetë kohë edhe ka ardh me na pa në Brojë. Se na pleq, i kemi ba do vjet, mezi po himë e po dalim në kamë tona. Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, ka thënë babai i ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi.

    Ndryshe, vizita e parë dhe e vetme e prindërve të Thaçit në Hagë ishte më 8 qershor 2022. Pas kësaj periudhe të gjatë që nuk e kishin parë djalin e tyre, Haxhi Thaçi dhe Hyra Thaçi që po i afrohen moshës 90-vjeçare, sot sërish kanë marrë rrugën e largët nga Kosova drejt Hagës për t’u takuar dhe çmallur me djalin e tyre.

    Nën masa të rrepta të sigurisë dhe me kufizime të shumta, Thaçi ishte lejuar në vitin e kaluar që t’i vizitonte dy prindërit e tij për disa orë në Kosovë, pas përkeqësimit të gjendjes së nënës së tij, e cila siç u pa edhe nga pamjet e sotme, me vështirësi të shumta edhe arrin të ec me këmbët e saj.

    Pasnesër, më 21 maj, është një prej seancave më të rëndësishme të procesit gjyqësor në rastin ‘Thaçi dhe tjerët’, ku pritet të rishqyrtohet edhe kohëzgjatja e gjykimit dhe numri i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

  • Fenomeni “Halo” në qiellin e Zagrebit

    Fenomeni “Halo” në qiellin e Zagrebit

    Qytetarët e kryeqytetit të Kroacisë kanë qenë sot dëshmitarë të një fenomeni të rrallë optik në qiell të quajtur Halo.

    Ky fenomen ndodh kur rrezet e Diellit ose Hënës depërtojnë në një shtresë të hollë resh të mbushura me kristale akulli ose vesë në atmosferën e Tokës.

    “Halo” kënaq vëzhguesit me bukurinë e tij unike dhe njihet më së shumti për pamjen e tij rreth Diellit.

    Mund të jetë i plotë ose i pjesshëm, ku pjesa e brendshme shpesh ka një ngjyrë të kuqërremtë, ndërsa ana e jashtme merr nuanca të kaltra.

  • Digjet një kontejner në Prishtinë, policia në kërkim të autorëve

    Digjet një kontejner në Prishtinë, policia në kërkim të autorëve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot është djegur një kontejner i mbeturinave.

    Në njoftim thuhet se falë reagimit të qytetarëve është parandaluar djegia edhe e konejnerëve të tjerë.

    Tutje theksohet se policia është në kërkim të autorëve.

    “Ju lutemi qytetarë, keni kujdes mos i digjni kontejnerët”, thuhet në apelin e Komunës.

  • Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Mehmet Bylykbashi

    Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Mehmet Bylykbashi

    Ka vdekur ditën e shtunë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mehmet Bylykbashi.

    Më parë, i ndjeri kishte kërkuar ndihmë edhe për shërim.

    Ndërsa lajmin për vdekjen e Bylkykbashit e kanë dhënë miq e familjarë.

  • Nëna dhe babai i Thaçit marrin sërish rrugën e largët nga Kosova në Holandë për t’u çmallur me djalin e tyre

    Nëna dhe babai i Thaçit marrin sërish rrugën e largët nga Kosova në Holandë për t’u çmallur me djalin e tyre

    as një periudhe të gjatë që nuk e kishin parë djalin e tyre, prindërit e ish-presidentit Thaçi sërish kanë marrë rrugën e largët nga Kosova drejt Hagës për ta takuar dhe për t’u çmallur me të.

    Nëna dhe babai i ish-presidentit Thaçi sapo janë futur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

    Siç mësohet, ata do të qëndrojnë brenda deri në orën 16:00.

    Siç shihet, nëna e ish-presidentit ka vështirësi edhe për të ecur për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës së shtyrë.

    Vizita e vetme dhe e fundit e prindërve të Thaçit në Hagë ishte më 8 qershor 2022.

    Pas kësaj vizite, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, Thaçi ishte lejuar që të vinte në Burojë nën përcjellje të rreptë të personelit të sigurisë së Dhomave të Specializuara, por siç ishte raportuar, ai ishte lejuar të takonte vetëm dy prindërit dhe askënd tjetër.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, si ish-krerë të UÇK-së, po mbahen në paraburgim prej 5 nëntorit 2020.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre po vazhdon të jetë jotransparent dhe tejet i ngadalshëm.

    Më 21 maj është paralajmëruar një seancë, ku pritet të rishikohet koha dhe numri i dëshmitarëve të prokurorisë, e cila kishte kërkuar që t’i përfundojë dëshmitarët e saj deri në prill të vitit 2025.

  • Hovenier: Marrëveshja me Kosovën kundër manipulimit të informacionit, një hap i rëndësishëm

    Hovenier: Marrëveshja me Kosovën kundër manipulimit të informacionit, një hap i rëndësishëm

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka komentuar nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes së mirëkuptimit mes ShBA-ve dhe Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

    Hovenier në një postim në “X” ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm.

    “I nderuar që isha dëshmitar i nënshkrimit të një kuadri bashkëpunimi ndërmjet Nënsekretares së Shtetit, Liz Allen dhe Presidentes Vjosa Osmani për adresimin dhe kundërshtimin e manipulimit të informacionit nga jashtë.

    Ky është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të informacionit të saktë globalisht dhe ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm informativ në Kosovë”, ka shkruar Hovenier.

  • Durrësi hap sezonin turistik

    Durrësi hap sezonin turistik

    Durrësi çeli mbrëmjen e së shtunës zyrtarisht sezonin turistik, por kushtet atmosferike nuk lejuan mbarëvajtjen e koncertit “Vala”, i parashikuar për t’u mbajtur në shëtitoren “Taulantia”.

    Rrebeshi i shiut që përfshiu Durrësin për disa minuta, shkaktoi anulimin e aktivitetit ku të pranishmit të mbledhur për të festuar mundën të shijojnë vetëm pak minuta nga koncerti i planifikuar.

    Koncerti i së shtunës i paraprin një serie aktivitetesh të larmishme, që do të mbahen në ditët në vijim nën kujdesin e Bashkisë Durrës.

    Durrësi synon edhe këtë vit të jetë kryeqyteti i turizmit në Shqipëri dhe të tejkalojë shifrën prej 1.5 milionë turistë që u regjistruan sezonin e kaluar veror.