ATV

Author: ATVLive

  • New York Times: NATO po konsideron dërgimin e ushtarakëve në Ukrainë

    New York Times: NATO po konsideron dërgimin e ushtarakëve në Ukrainë

    Disa aleatë të SHBA-së brenda NATO-s po konsiderojnë dërgimin e ushtarakëve në Ukrainë për të trajnuar forcat e saj të armatosura, ka raportuar New York Times.

    Disa kontraktorë ushtarakë amerikanë janë tashmë në terren për të riparuar sistemet e armëve të furnizuara nga SHBA. Duke u përballur me mungesën e trupave, qeveria në Kiev i ka kërkuar SHBA-së dhe NATO-s që të “ndihmojnë në trajnimin e 150,000 rekrutëve të rinj” brenda Ukrainës, në mënyrë që ata të mund të dërgohen në front më shpejt, sipas gazetës amerikane.

    Masa “do të ishte një tjetër mjegullim i vijës së kuqe të mëparshme” dhe mund të tërheqë SHBA-në dhe BE-në “më drejtpërdrejt në luftë”, vuri në dukje NYT.

    Edhe pse Shtëpia e Bardhë e ka kundërshtuar publikisht dërgimin e instruktorëve, kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit mendon se kjo është e pashmangshme. “Ne do të arrijmë atje përfundimisht, me kalimin e kohës,” u tha gazetarëve gjenerali Charles Q. Brown Jr. të enjten, ndërsa udhëtonte për në Bruksel.

    Një problem me vendosjen e instruktorëve të NATO-s në Ukrainë do të ishte nevoja për të zhvendosur mbrojtjen ajrore tashmë të pakët larg nga fusha e betejës në mënyrë që t’i mbronte ata nga sulmet ajrore dhe raketore ruse, sipas artikullit.

    Sipas gazetës, SHBA do të jetë e detyruar të mbrojë çdo instruktor të NATO-s brenda Ukrainës nga sulmi, “duke e tërhequr potencialisht Amerikën në luftë”.

    Presidenti francez Emmanuel Macron ngriti për herë të parë çështjen e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë në shkurt, si një ide që nuk duhet përjashtuar. Estonia dhe Lituania që atëherë kanë shprehur mbështetje për dërgimin e instruktorëve ose të trupave mbështetëse, për të liruar ushtarët ukrainas për detyrë luftarake.
    Shtëpia e Bardhë është “e bindur” se nuk do të vendosë trupat amerikane në terren në Ukrainë – përfshirë instruktorët – dhe u ka kërkuar aleatëve të NATO-s që të mos e bëjnë këtë, tha një zyrtar anonim i Shtëpisë së Bardhë për New York Times.

    Ndërkohë, Britania, Franca dhe Gjermania po punojnë për një plan për të dërguar kontraktorë për të ruajtur armët në zonën e luftimit, ka zbuluar gazeta amerikane.

    Megjithëse SHBA-ja i ka ndaluar kontraktorët e mbrojtjes që të shkojnë në Ukrainë, “një numër i vogël tashmë është lejuar, nën autoritetin e Departamentit të Shtetit, për të punuar në sisteme specifike të armëve si mbrojtja ajrore Patriot”, vuri në dukje artikulli.

  • U vesh me uniformë me emblema të Serbisë, arrestohet burri nga Leposaviqi

    U vesh me uniformë me emblema të Serbisë, arrestohet burri nga Leposaviqi

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në fshatin Tresava të Leposaviqit pasi gjatë ditës së djeshme pati të veshur uniformë në të cilën kishte të vendosura emblema të Serbisë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se lidhur me rastin, pas konsultimit me prokurorin dhe gjyqtarin për kundërvajtje, është vendosur që uniforma të konfiskohet.

    Ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    “EKSPOZIM I MATERIALIT TË TURPSHËM DHE OFENDUES- Fsh. Tresava, Leposaviq 18.05.2024 – 10:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që është hasur – takuar i veshur me uniformë në të cilën kishte të vendosura emblema të Serbisë. Lidhur me rastin, pas konsultimit me prokurorin dhe gjyqtarin për kundërvajtje, është vendosur që uniforma të konfiskohet, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.”

  • Nënsekretarja Allen mbërrin në Presidencë, nis takimin me Osmanin

    Nënsekretarja Allen mbërrin në Presidencë, nis takimin me Osmanin

    Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen, ka mbërritur në Presidencë, raporton Ekonomia Online.

    Allen është pritur nga presidentja Osmani.

    Ato do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

  • Usyk shpallet kampion i padiskutueshëm i botës në boks, e mposht Tyson Furyn

    Usyk shpallet kampion i padiskutueshëm i botës në boks, e mposht Tyson Furyn

    Oleksandr Usyk është kampioni i padiskutueshëm i botës në boks në kategorinë e rëndë.

    Boksieri ukrainas e mundi britanikun Fury pas 12 raundeve.

    Ishte një vendim i ndarë dhe i ngushtë që vendosi për fituesin nga gjyqtarët.

    Ishte raundi i tetë ai që bëri diferencën, me Usyk që ishte gati ta nokautonte Furyn.

    Tani, Usyk ka të gjithë titujt në pronësi në kategorinë e rëndë.

  • Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes, dy marrëveshje ndërkombëtare nuk i morën votat e nevojshme.

    Njëra nga marrëveshjet që nuk kaloi në Kuvend, ishte ajo ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, për zhvillim ndërkombëtar për programin “Financat publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, në vlerë prej 40 milionë euro.

    Mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, hap hendek të madh në ekonomi, derisa, sipas tij, faji është i Qeverisë që nuk komunikoi me partitë opozitare, për ta votuar atë.

    “Si reflekton kjo përballë faktorit ndërkombëtar, si e ndiejnë veten donatorët që kanë qenë pjesë dhe sponsorizues të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë, dhe të refuzohet një ndihmë e tillë kur Kosova ka nevojë për ndihmë në çdo pore, në rini, shëndetësi, ekonomi e të tjerë, vërtet është një njollë për Kosovën dhe me këtë qasje i largojmë mbështetësit, të cilët do t’i kërkojmë por do të jetë vonë”, tha Gërxhaliu.

    Megjithatë, një marrëveshje e tillë ka mundësi që sërish të shkojë për votim në Kuvend, nëse ekziston vullneti që të bëhet rinegocimi mes Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, që të bëhen ndryshimet që opozita po i kërkon.

    “ky rinegocim do të bënte rishikimin e vërejtjeve të dhëna nga deputetët proces ky i cili do të arrinte në një marrëveshje të re, që do të arrinin në kuvend dhe do të kërkonin edhe një herë vullnetin aprovues të deputetëve. Nëse nuk ka një procedurë të tillë marrëveshjet nuk mund të kthehen edhe njëherë, sepse e kanë marrë përgjigjen e deputetëve të kuvendit me përmbajtjen ekzistuese”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Kur ministri i financave, Hekuran Murati, kishte prezantuar këtë marrëveshje, pati thënë që përmes saj synohet të mbështeten prioritetet e qeverisë që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.

    Mirëpo, opozita kishte kërkuar që kjo marrëveshje të lidhej me ndonjë projekt konkret kapital, të rinegociohej e më pas të sillej për votim në Kuvend.

  • Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me 65 vota për, deputetët e miratuan në lexim të parë Projektligjin për të Drejtat Pronësore për Shtetasit e Huaj.

    Nëse ai e kalon edhe fazën tjetër dhe bëhet ligj, më së shumti pritet t’u shërbejë qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët do të kenë mundësi të bëhen titullarë të pronave, njësoj si çdo qytetar i Kosovës.

    Kështu, ndryshimet ligjore konsiderohen të mirëseardhura në Luginë.

    “Padyshim se është në vazhdën e ndryshimeve pozitive, duke ua siguruar të drejtën e plotë që të ndihen qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Nëse e shikojmë nga ana individuale, projektligji është mirë që është aprovuar, madje është me vonesë, sepse shumë shqiptarë të Luginës kanë blerë prona, por nuk kanë mundur t’i bartin në emrin e vet”, tha Nexhat Beluli tha Spektri TV.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas shoqërisë civile, e ka edhe një tjetër anë të medaljes.

    “Nëse e shohim në aspektin nacional, veprimi nuk është i mirë sepse përshpejton shpërnguljen dhe zbrazjen e Luginës me shqiptarë, sepse do të nguten të blejnë prona në Kosovë duke i braktisur ato në Preshevë”, tha Beluli.

    Por kështu nuk mendon kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Shqiptarët e Luginës nëse i kanë këto të drejta në Republikën e Kosovës, nuk d.m.th. se do të shpërngulen masivisht, por ata do kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa.

    Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë 61 mijë shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

  • Mbeturina e kundërmim në mbikalimin në Fushë-Kosovë

    Mbeturina e kundërmim në mbikalimin në Fushë-Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Mbikalimi në afërsi të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, shfrytëzohet minimalisht nga qytetarët.

    Mbeturinat e shumta dhe kundërmimi, janë disa nga arsyet që shtyjnë që banorët të mos e shfrytëzojnë atë.

    “Ky mbikalim asnjëherë nuk është mbajtur i pastër nga përgjegjësit e nga komuna. Në Fushë Kosovë në përgjithësi nuk ka mirëmbajtje të mirë, ka shumë papastërti, andaj për këtë arsye nuk e përdori këtë mbikalim”, thotë një qytetar.

    “Është e tmerrshme pasi që ky mbikalim përmban shumë mbeturina dhe është jo i pastër, ka erë të keqe, lë për të dëshiruar”, tha një tjetër qytetar.

    Në këtë mbikalim, po ashtu, ka edhe mbishkrime e grafite banale.

    Në lidhje me këtë situatë, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Fushë-Kosovë thotë për ATV-në, se përgjegjëse për mirëmbajtjen e mbikalimit është Ministria e Infrastrukturës.

    “Mirëmbajtja e rrugës M9 me të gjitha pjesët përcjellëse aty është nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës, përveç rrethi dhe pjesës nga rrethi nëpër qytet të vjetër e deri te stacioni i trenit ku janë kompetencë e Komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Fushë-Kosovës.

    Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje në Ministrinë përkatëse në lidhje me këtë çështje, mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka pasur përgjigje.

    Sidoqoftë, ky projekt është realizuar ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës, në bashkëpunim me Fondin e Zhvillimit të Komunitetit dhe Bankën Botërore, i cili ka kushtuar afro 104 mijë euro. Pas përfundimit të tij, përgjegjësia për mirëmbajtjen e tij ka kaluar nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës.

  • Lansohet platforma “E-Komunat”, synohen shërbime më të mira për qytetarët

    Lansohet platforma “E-Komunat”, synohen shërbime më të mira për qytetarët

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet publike komunale, përmes platformës shtetërore “E-Kosova”, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të premten lansoi platformën “E-Komunat”.

    Sipas kryeministrit Albin Kurti, përmes kësaj strategjie qytetarët do të marrin shërbime më të mira dhe do të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre.

    “E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm digjitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.

    Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shtoi se përmes kësaj platforme do të rritet interaksioni mes qytetarëve dhe organeve komunale.

    “Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunalë, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime të tjera”, tha Krasniqi.

    Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës “E-Komunat” morën pjesë edhe kryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut. Por, të pranishëm nuk ishin shumica e kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës.

  • Kosova, jashtë agjendës në KiE

    Kosova, jashtë agjendës në KiE

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga sot, Kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për gjashtë muajt e ardhshëm e mori Lituania.

    Në deklaratën e miratuar nga ky Komitet, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, Kosova nuk përmendet asnjëherë.

    Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, u deklarua Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, Ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit.

    “Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda Presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Ndaj Komiteti i Ministrave tashmë ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, ka thënë Hasler.

    Aplikimi i Kosovës kishte kaluar në Asamble Parlamentare dhe duhej vetëm edhe votimi në Komitet të Ministrave për pranim në Këshill të Evropës.
    Shtetet që përkrahën Kosovën në këtë proces kishin një kërkesë të qartë – dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Në një përpjekje të minutave të fundit, Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dje nënshkroi një letër, ku u zotua se Kosova do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese një projekt-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, deri në fund të majit.

    Ky hap edhe hapat e tjerë, siç ishte takimi i Kryeministrit Kurti me nënkryetarët e komunave të veriut, u cilësuan të pamjaftueshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës nga Presidenti i Francës, Kancelari i Gjermanisë dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Italisë.

    Kështu, vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministrja Gërvalla u tërhoq nga zotimi që vetë e pranoi dhe nënshkroi.

    Ajo pohoi se zotimi që e bëri dje ka humbur tashmë relevancë dhe se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës e mbështetën fushatën e Serbisë dhe u vunë në anën e padrejtësive.

    “Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, tha Gërvalla.

    Presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk ka qenë e konsultuar për zotimin që Qeveria e dhe dje dhe e tërhoqi sot, përdori gjuhë më diplomatike dhe shprehu bindjen se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm çështje kohe.

    “Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka thënë Osmani.

    Këshilli i Evropës është organizata më serioze ndërkombëtare ku Kosova ka pasur gjasa të pranohet viteve të fundit. Që nga viti 2021, Kosova nuk ka asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në organizata financiare ose politike ndërkombëtare.

  • Deri të premten pasdite, Prishtina ka të regjistruar rreth 250 mijë banorë

    Deri të premten pasdite, Prishtina ka të regjistruar rreth 250 mijë banorë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Rreth 50 mijë banorë më shumë rezulton t’i ketë Prishtina tani, sesa 13 vjet më parë kur u bë regjistrimi i popullsisë.

    Kështu të paktën bëhet e ditur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në ditën e fundit të procesit të regjistrimit, ku figurojnë të regjistruar rreth 250 mijë qytetarë.

    Mirëpo, shifra aktuale befasoi udhëheqësinë e Komunës së Prishtinës, pasi ajo priti numër më të lartë të banorëve.

    “Kemi pritë që numri i banorëve të jetë më i madh, sepse ne jemi këtu çdo ditë edhe e shohim çfarë numri të makinave, të mbeturinave edhe sa numër të banorëve kemi në përgjithësi, andaj pritjet kanë qenë më të larta. Një gjë që ka ndodhë është se shumë prej rezidentëve që jetojnë në Prishtinë gjatë javës e shkojnë në vikend në vendlindje, janë regjistruar në vendlindje dhe ky është një gabim”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Të njëjtin mendim ka edhe demografi Besim Gllopeni, teksa shton se këtu ka ndikuar edhe ikja e qytetarëve në vendet perëndimore.

    “Shumica e qytetarëve që vijnë nga komunat e tjera akoma nuk janë regjistruar si qytetarë të Prishtinës dhe kjo natyrisht që ka efekte shumëdimensionale, si për qytetarët ashtu edhe për institucionin. Prishtina sillet rreth 250 mijë banorë, kjo edhe për faktin që numri i popullsisë gjithmonë po shkon duke rënë për shkak të faktorëve mekanikë që janë migrimet”, tha Gllopeni.

    Sidoqoftë, nga komuna thonë se do të penalizohen përsëri, veçanërisht tek ndarja e buxhetit për komuna.

    “Penalizimi në fakt është me miliona euro, kështu që ke edhe arsimtar sa mundemi me angazhu, edhe mjek edhe punëtor të ndërmarrjeve publike e administratës të gjitha na varen nga regjistrimi i popullsisë”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Sipas regjistrimit të 2011-tës, Prishtina kishte 198.897 banorë të regjistruar.