Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ministrja e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad, është drejtuar tek ndërtesa e Qeverisë për takim me kryeministrin Albin Kurti, raporton EO.
Edhe në këtë takim, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një serb në pikën kufitare në Vërmicë, pasi i njëjti kishte futur para në dokumentet, duke tentuar t’i jap ryshfet zyrtarëve policor.
Rasti është cilësuar si “Dhënie e ryshfetit”
“Është arrestuar i dyshuari mashkull serb pasi i njëjti gjersa ishte duke drejtuar automjetin për transport të udhëtarëve (autobus), në momentin kur i kishte dhënë dokumentet zyrtarëve policor kishte futur në dokumente para duke thënë se ato para ishin për zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad, raporton Ekonomia Online.
Nga ky takim, gazetarët janë lejuar të marrin pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.
Radha është e gjatë, por produkte ka për të gjithë.
Për më tepër, të gjithë këta artikuj ushqimorë e higjienik janë falas, për familjet me asistencë sociale në kryeqytet.
Dyqani social, që u hap dy javë më parë në lagjen Pejton të Prishtinës, ofron pako në baza mujore për qytetarët në nevojë.
“Më në fund të gjithë ata që janë në skemën sociale në komunën e Prishtinës, kemi menduar që sado pak tua lehtësojmë barrën e furnizimit me ushqim e produkte higjienike…”, tha drejtoresha për Punë Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.
Për hapjen e dyqanit bamirës, komuna bashkëpunoi me shoqatën “Bereqeti”.
Drejtori i saj, Behxhet Ajvazi, thotë se mund ta bëjnë edhe transportin e produkteve, nëse familjet në nevojë nuk kanë mundësi të vijnë për t’i marrë.
“E dimë që ka plot raste që nuk mund të vijnë këtu apo që janë në karroca, andaj jemi ndier të obliguar të ofrojmë mundësi furnizimi kështu duke siguruar transportin edhe për ata…”, tha Ajvazi.
Dyqani, kryesisht është i furnizuar me produkte vendore.
“Kemi menduar që të fillojmë me produkte vendore për t’iu lënë hapësirë edhe atyre për të kontribuuar dhe për ti reklamuar produktet tona, që të kontribuojnë edhe fabrikat vendore…”, tha Sahiti.
Dyqanin e furnizojnë komuna dhe shoqata “Bereqeti”, mirëpo këto thonë se mund të kontribuojnë edhe prodhuesit vendorë dhe qytetarët që kanë vullnet për t’u ndihmuar nevojtarëve.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Ministria e Kulturës po synon ta rrisë kompetencën e inspektoratit të trashëgimisë kulturore. Ajo ka hartuar projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me të cilin parashihet themelimi i Agjencisë Ekzekutive për këtë sektor.
Detyrë e saj do të jetë inspektimi në mënyrë të pavarur për asetet e trashëgimisë kulturore, të bëjë vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
Po ashtu, urdhëron ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre.
Gjithashtu, do ta ketë drejtorin ekzekutiv, si dhe degët nëpër komunat e mëdha.
Ky projektligj, sipas njohësit të fushës, Valon Xhabali, do t’i ndihmojë ruajtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore.
“Po shihet që ka qëllimin e mirë sepse do të rritet numri i inspektorëve që do të vendosen në qendrat e mëdha, kjo na jep me besuar që me punësimin e inspektorëve nëpër qendra të trashëgimisë për secilin qytet nga një inspektor shtesë, edhe punimet e projekti që do të realizohet do të ketë më shumë monitorim dhe degradimi do të jetë më i vogël”, tha Xhabali.
Xhabali, thotë se MKRS-ja, është vonuar që të merë këtë vendim.
“qëllimi jonë është të mbrohet trashëgimia kulturore, e me këtë mendoj që është gjest i mirë, a është i vonuar? Po është i vonuar, por shpresojmë që tash e tutje trashëgimia do të merr vëmendje më të madhe”, tha Xhabali.
Agjencia ka mundësinë të ofrojë edhe rekomandime për institucionet shtetërore, për ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin dhe konservimin e trashëgimisë kulturore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Deputetët e Kuvendit do ta kenë mundësinë që së shpejti të votojnë pro ose kundër Ligjit për Kripto-valutat.
Siç merr vesh ATV-ja, ligji, pas kalimit në komisionin për ekonomi në fillim të muajit maj, pritet të hyjë në rendin e ditës në seancën e radhës.
Miratimi i një ligji të tillë po mirëpritet nga ekspertë të monedhave virtuale, por edhe ekonomistë, pasi, sipas tyre, ai pjesërisht mund edhe t’i mbrojë qytetarët nga skemat piramidale.
“Ka me pasë shumë benefite. Mashtrimet kanë me mujtë me u luftu edhe me u parandalu në masë të madhe. Kur ka legjislacion gjenden mashtruesit”, tha Labinot Sylejmani, ekspert i kriptovalutave.
“Është e mirëseardhur. I krijon disa rregulla për funksionimin brenda këtij biznesi. Është impakt edhe ekonomik. Këto transaksione bëhen të ligjshme”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.
Megjithatë, vonesat konsiderohen së kanë ndikuar negativisht, posaçërisht në aspektin e prodhimit.
“Është mirë që është ndërmarrë hapi, edhe pse është vonë, posaçërisht në aspektin e prodhimit të kripto-valutave, që ka mujtë me qenë profitabil, të cilat kanë mujtë me qenë të mira për disa familje edhe për disa familje, por edhe për shtetin nëse ishin tatuar”, tha Sylejmani.
“Vonesat në këtë ligj shkaktojnë impakt negativ në të hyrat e shtetit. Kanë ndodhur deri tash pa një rregull të caktuar nga shteti”, tha Qerimi.
Nismën për hartimin e një ligji të kripto-valutave e kishte ndërmarrë Kuvendi i Kosovës në verë të vitit 2021.
Vetëm në vitin 2023, Policia kishte konfiskuar më shumë se 1500 pajisje që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e të gjithave shkonte mbi 250 mijë euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
4.6 milionë euro i shpenzoi ndërmarrja “Trepça”, për t’i mbuluar shpenzimet e veta në tre muajt e parë të vitit aktual.
Gjiganti i dikurshëm metalurgjik, për këtë periudhë, arriti të gjenerojë vetëm 1.2 milion euro përmes shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut.
Rrjedhimisht, “Trepçës” i duheshin edhe 3.6 milionë euro, në mënyrë që të mbuloheshin të gjitha shpenzimet.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, tregon se këtë shumë ndërmarrjes ia siguroi Qeveria.
“Për tremujorin e parë të këtij viti, të hyrat e gjithëmbarshme nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut në “Trepçë” janë 1 milion e 240 mijë euro. Një milion e 605 mijë euro janë shpenzimet mujore, që i bie 4.8 milion shpenzim, një milion e 200, tre milion e 600 mijë nga kanë ardhur? Normalisht që prej Qeverisë”, tha Kurti.
Kryeshefi Kurti inkurajon punonjësit e ndërmarrjes, të angazhohen më tepër për rritje të prodhimit.
Ndërkohë, ish-menaxheri i “Trepçës”, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, kundërshton një praktikë të tillë të subvencionimit.
Megjithatë, ai përmend nevojën e reformave në ndërmarrje.
“Definitivisht “Trepça” duhet të rikonstruktohet, të menaxhohet profesionalisht dhe në mënyrë profesionale. Në “Trepçë” duhet të investohet dhe nuk guxojmë të jemi kështu indiferent siç është kjo qeveri”, tha Shala.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, “Trepça” është bërë barrë për buxhetin e shtetit.
“Definitivisht duhet të kemi një qasje pak më ndryshe, është koha kur duhet të kemi një grup të ekspertëve, të cilët duhet të vendosin se a ia vlen në këtë mënyrë të vazhdohet më tutje, në veçanti kur në botë ka aq shumë kriza dhe aq shumë luftëra dhe çmimet e metaleve janë ndoshta në rritjen më të madhe viteve të fundit”, tha Gërxhaliu.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, sa Kurti ka qeverisur vendin, “Trepçës” iu janë dhënë mbi 30 milionë euro në formë subvencioni.
Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, janë shfrytëzuar për mbulimin e shpenzimeve operative.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Ministria e Infrastrukturës nënshkroi memorandum bashkëpunimi në vlerë gjysmë milioni, me komunën e Novobërdës për disa projekte infrastrukturore.
Por, lista e projekteve për të cilat u ndanë këto para, sipas zyrtarëve komunalë nuk shkoi nga komuna, por nga zyrat e lëvizjes Vetëvendosje në Novobërdë.
Sipas nënkryetarit Bajrush Ymeri, kjo ministri asnjëherë nuk iu është përgjigjur kërkesave të tyre për plane infrastrukturore, tash e 3 vjet qeverisje.
“Kjo listë ka shku nga zyra e lëvizjes Vetëvendosje pa konsultime paraprake me komunën. Pra kërkesat tona, planet tona nuk janë marrë parasysh, por janë marrë parasysh kërkesat e Vetëvendosjes”, tha Ymeri.
Madje, edhe këto projekte nuk kanë shpresë që do të realizohen së shpejti, meqë shumica e parave do t’u jepen në dy vitet e ardhshme.
Sipas marrëveshjes, gjatë këtij viti Ministria do t’i financojë projektet vetëm me 92 mijë euro.
“Në marrëveshjen e mirëkuptimit që e kemi nënshkruar, shkruan se nga shuma totale prej 500 mijë eurosh do të ndahen vetëm 50 mijë për këtë vit, dhe pjesa tjetër për dy vitet e ardhshme pra 2025 dhe 2026”, tha Ymeri.
Njohës të qeverisjes lokale thonë se planifikimet e gjata rrezikojnë projektet.
“Nënshkrimi i memorandumeve për më shumë se një vit, respektivisht për një periudhë që kap edhe qeverisjen tjetër, pra qeverinë që mund të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, pra është padrejtësi ku qeveria e re do të ngarkohej me zbatimin e këtyre memorandumeve. Realisht çfarë ndodh në praktikë me qeverisjen e re këto memorandume mbesin të pazbatuara ose ridestinohen, apo riorganizohet dhënia e këtyre mjeteve nga niveli qendror”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.
Sidoqoftë, nga Ministria e Infrastrukturës nuk treguan nëse lista e projekteve ka shkuar nga zyrat e Vetëvendosjes te ta, megjithatë nga Vetëvendosja në Novobërdë e mohuan të kenë ndikuar në përzgjedhje.
Memorandumi parasheh rregullimin e 10 rrugëve nëpër 10 fshatra të Novobërdës si dhe ndërtimin e dy urave.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
25 vjet më parë ndodhi masakra në burgun e Dubravës, që njihet si njëra ndër më të mëdhatë të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.
Për pesë ditë radhazi, brenda burgut u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë.
Pak ditë para datës 19 maj, forcat serbe kishin filluar që të burgosurit që ishin në burgjet e tjera t’i sillnin në burgun e Dubravës, që të realizonin siç thuhet planin, për ta kryer masakrën.
“Është një datë ku përzihen ndjenja e krenarisë dhe dhimbjes, ishte e organizuar të ndodh diçka e tillë, se që nga prill kishin filluar t’i grumbullimi i të burgosurve nga burgjet e tjera në burgun e Dubravës. Që të realizohet më lehtë skenari, që e realizuan me datë 19,20,21,22, 23 dhe 24”, tha Bislim Zogaj, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
I mbijetuari i masakrës, Bislim Zogaj, kujton tmerrin që e përjetoi, derisa i shihte shokët e tij, disa të vrarë e të tjerë të plagosur.
“Pata fatin që të kisha njohuri profesionale, dhe më duhej të vrapoja që t’iu jepja ndihmë të plagosurve, dhe në mesin e të plagosurve e të vrarëve, ka pas shumë që I kam njohur, e aq ma tepër disa që I kanë pasur plagët më të mëdha që ishte e pamundur t’i shpëtoja, e ishin castet më të rënda që nuk ja dëshiroj askujt t’i përjetojë”, tha Zogaj.
Derisa thotë se dihen iniciatorët, Zogaj pret ende të ngrihet një aktakuzë për këtë masakër.
“Është për të ardhur keq që nuk ka aktakuzë, ndaj atyre që kanë bërë këtë masakër. Edhe nëse nuk dihet fajtori kryesor që e ka ngre gishtin për ta bërë këtë masakër organizatorët dihen, ngase burgu ka qenë nën administrimin e ministrisë së drejtësisë së Serbisë, dhe besoj se nëse do të fillonte zingjiri nga ministria deri te drejtori I burgut do të diheshin edhe gardianët që kanë gjuajtur në drejtim të të burgosurve”, tha Zogaj.
Brenda burgut, gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër. Ndërsa vitin e kaluar rrëfimet e të mbijetuarve u botuan në librin “Tmerri ka emër”.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: