ATV

Author: ATVLive

  • Lideri suprem i Iranit ka zbuluar se kush do të jetë president i përkohshëm i shtetit

    Lideri suprem i Iranit ka zbuluar se kush do të jetë president i përkohshëm i shtetit

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka shpallur pesë ditë zie pas rrëzimit të helikopterit që vrau presidentin Ebrahim Raisi, ministrin e Jashtëm dhe shtatë persona të tjerë.

    Në një mesazh të transmetuar nga agjencitë shtetërore të lajmeve të Iranit, Khamenei shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe konfirmoi se zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Mokhber tani do ta drejtojë presidencën.

    “Ai është i obliguar të arrijë dakordim me drejtuesit e autoriteteve legjislative dhe gjyqësore për zgjedhjen e një presidenti të ri brenda maksimumi pesëdhjetë ditësh”.

    Ali Bagheri Kani, i cili udhëhoqi delegacionet iraniane përmes negociatave indirekte me Shtetet e Bashkuara për çështjet bërthamore dhe shkëmbimin e të burgosurve, u zgjodh si ushtrues i detyrës së ministrit të jashtëm pas vdekjes së Hossein Amir-Abdollahian, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

  • Gjykata e Hagës kërkon urdhër arrest për Benjamin Netanyahu dhe liderin e Hamasit, Yahya Sinwar

    Gjykata e Hagës kërkon urdhër arrest për Benjamin Netanyahu dhe liderin e Hamasit, Yahya Sinwar

    Gjykata Ndërkombëtare Penale po kërkon urdhër-arrest për liderin e Hamasit, Yahya Sinwar dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me sulmin e 7 tetorit në Izrael dhe luftën në Gaza.

    Kryeprokurori Khan tha se ICC po kërkon gjithashtu urdhër për ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe dy liderë të tjerë të lartë të Hamasit.

    Urdhëresat kundër politikanëve izraelitë janë hera e parë që ICC i ka vënë në shënjestër..

    Khan tha se akuzat kundër Sinwar, Haniyeh dhe al-Masri përfshinin “shfarosje, vrasje, pengmarrje, përdhunim dhe sulm seksual”.

    “Bota u trondit më 7 tetor kur njerëzit u nxorën nga dhomat e tyre të gjumit, nga shtëpitë e tyre në Izrael”, tha Khan për Amanpour, duke shtuar se “njerëzit vuajtën jashtëzakonisht shumë”.

    Akuzat kundër Netanyahut dhe Gallantit përfshijnë “shkaktimin e shfarosjes, nxitjen e urisë si metodë lufte, duke përfshirë mohimin e furnizimeve me ndihmë humanitare, shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në konflikt”, tha Khan.

    Kur dolën raporte muajin e kaluar se kryeprokurori i GJNP-së po shqyrtonte një veprim të tillë, Netanyahu tha se çdo urdhër arresti i ICC-së kundër zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe ushtrisë izraelite “do të ishte një neveri e përmasave historike” dhe se Izraeli “ka një sistem të pavarur ligjor që heton me rigorozitet të gjitha shkeljet e ligjit”.

    Kur u pyet nga Amanpour në lidhje me komentet e bëra nga Netanyahu, Khan tha: “Askush nuk është mbi ligjin”.

    Ai tha se nëse Izraeli nuk pajtohet me ICC-në, “ata janë të lirë, pavarësisht nga kundërshtimet e tyre ndaj juridiksionit, ta kundërshtojnë atë para gjyqtarëve të gjykatës dhe unë i këshilloj ta bëjnë këtë.”

  • ​Tahiri: Kurti të japë dorëheqje, nuk e përkrahim iniciativën për shpërndarje të Kuvendit

    ​Tahiri: Kurti të japë dorëheqje, nuk e përkrahim iniciativën për shpërndarje të Kuvendit

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka nënvizuar sërish se nuk do të përkrahin iniciativën për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    Ai tha se e vetmja formë për shkuarjen e zgjedhjeve të parakohshme duhet të jetë përmes dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti.

    Ai tha se më debatin e së premtes për tri vjet qeverisje të Kurtit do të shpalosin edhe një mocion për shkarkimin e tij.

  • Tahiri: 30 maji është data e fundit kur duhet të shpërndahet Kuvendi

    Tahiri: 30 maji është data e fundit kur duhet të shpërndahet Kuvendi

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se janë në komunikim intensiv me dy partitë opozitare, LDK dhe AAK që të përkrahin mocionin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se 30 maji është data e fundit për shpërndarjen e legjislaturës së tetë, rrjedhimisht mbajtjen e zgjedhjeve në fund të muajt qershor ose fillim të korrikut.

    Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë s’ka kuptim, pasi vendi veçse hynë në kalendarin e zgjedhjeve të rregullta.

  • Të enjten seancë për votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, s’ka kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit

    Të enjten seancë për votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, s’ka kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet seancë e re, ku në rend dite do të jenë votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton EO.

    Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Kusari-Lila ka thënë se seancë e re do të mbahet edhe seanca e re plenare.

    “Të enjten do të mbahet vazhdimi i seancës, ku do të jenë votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërsa të premten do të mbahet seancë e re plenare. Nuk ka pasur kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.

  • Hapet edicioni i tetë i “Prishtina International Theater Festival”

    Hapet edicioni i tetë i “Prishtina International Theater Festival”

    Sot fillon edicioni i 8-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Edicioni i 8-të i festivalit “PITF 2024” do të mbahet nga 20 maji, duke filluar nga ora 20:00 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 26 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival, këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Bosnje dhe Hercegovinës, me shfaqjen “Muhammad Ali, një dhe i vetmi” të regjisorit Dino Mustafić.

    Drejtoresha artistike e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

    Në konferencën për media foli edhe regjisori boshnjak e shfaqjes “Muhammad Ali, një dhe i vetmi”, Dino Mustafić, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.

    Ai tha se teksti i kësaj shfaqje, është një ndër tekstet më së miri të shkruara në Bosnjë për një shfaqje.

    “Sipas mendimit tim, për shfaqjen që do të jepet sonte ka një nga tekstet më së miri të shkruara në Bosnjë. Bëhet fjalë për diçka që ne i themi identitet me të cilin lindim, qysh na shikojnë të tjerët dhe bëjnë paragjykime rreth neve. Ne, identitetin nuk e zgjedhim, por me atë lindim. Gjithashtu, këtu bëhet fjalë edhe për lindjen, rritjen dhe lidhjen mes djalit dhe prindit, familjes dhe dashurisë”, tha Mustafić.

    Në fjalën e tij, i përmendi edhe problemin me vizat mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, ku u bëri thirrje qeverive të të dyja vendeve që kjo të rregullohet.

    “Unë e kam bërë edhe një shfaqje në lidhje me këtë temë edhe kam qenë në Prishtinë me atë shfaqje. Prej asaj, asgjë nuk ka ndryshuar dhe në mes të Bosnjës dhe Kosovës është komunikimi artistik më i komplikuari. Edhe pse kjo është çështje politike, por për ne nga rrethi artistik është edhe pyetje njerëzore. Për ne ka shumë rëndësi që me artistët nga Kosova të mbajmë një lidhje më të drejt për drejtë. Kështu që, me këtë rast, edhe një herë i falënderoj ekipin organizativ të festivalit që për një kohë të shkurtër nga ka siguruar vizat që të marrim pjesë në këtë festival”, tha Mustafić.

    Edicioni i 8-të i festivalit “PITF 2024” do të mbahet nga 20 maji dhe do të vazhdojë deri më 26 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.

    Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “The Feral Womxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean, duke filluar nga ora 19:00.

    Më shumë detaje rreth festivalit PITF 2024 i gjeni në videon më poshtë:

  • Kushti i Lajçakut për mbajtjen e takimit të radhës me Kosovës dhe Serbisë për dinarin

    Kushti i Lajçakut për mbajtjen e takimit të radhës me Kosovës dhe Serbisë për dinarin

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur gatishmëri që të pres në takim përsëri kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë serb, Petar Petkoviq për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. Herën e fundit, nuk pati rezultate takimi mes tyre ndërsa afati kalimtar për dinarin tashmë ka kaluar.

    I dërguar BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm që të pres në takim kryenegociatorët për punën e dinarit.

    Ai ka thënë kushti kryesor për këtë takim është që palët të tregojnë gatishmëri për të arritur marrëveshje.

    “Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”.

    “Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje.” – ka shkruar Lajçak.

  • Osmani: Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës

    Osmani: Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës

    Presidentja Osmani priti në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.

    “Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me Emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës.

    Më tej, Presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese.

    “Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave”, thuhet në njoftim.

    Të dy bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dy shtetet.

  • Arsyetimi i Apelit kur vendosi ta kthej Enver Sekiraqen në paraburgim

    Arsyetimi i Apelit kur vendosi ta kthej Enver Sekiraqen në paraburgim

    Fakti se Enver Sekiraqa kishte qenë në arrati pas ditës kritike kur ishte vrarë polici Triumf Riza dhe dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë rrisin rrezikun që ai të ikte prape, ishin dy arsyet se pse Gjykata e Apelit më 15 maj 2024, kishte vendosur që Sekiraqes t’i caktoj masën e paraburgimit.

    Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj 2024 të akuzuarin Sekiraqa e kishte lënë të mbrohet në liri, ndonëse e kishte dënuar më 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Por, pas vendimit të Apelit më 18 maj 2024 Enver Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim por ka arritur të arratiset. Policia të njëjtin nuk e kishte gjetur në shtëpi.

    Ankesën kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e kishte arsyetuar duke thënë se gjykata e shkallës së parë pas shpalljes se të pandehur fajtor nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, vendin ku është kryer, mënyrën e kryerjes, pasojat e shkaktuara me humbjen e një personi zyrtar,

    “Meqenëse gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin për veprën penale duke shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 25 viteve, sipas prokurorisë është dashur që të caktohet masa e paraburgimit deri aktgjykimi të marrë formën e prerë”, citohet të këtë thënë në ankesë prokuroria.

    Përgjigje në ankesë kishte parashtruar avokati Besnik Berisha, duke kërkuar që të hidhet poshtë ankesa si e palejuar.

    Në gjetjet e Apelit thuhej se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye mjaftueshme peshën e mos vazhdimit të masës së arrestit shtëpiak dhe ka nuk ka vepruar drejtë kur të pandehurit i është caktuar mbrojta në liri.

    “Kolegji ka parasysh se në rrethanat e këtij rasti që rrjedhe se vepra penale është e rëndë dhe se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës se parë është i lartë këto dy rrethana e ngritin lartë rrezikun e arratisjes se të pandehurit po që se i njëjti lihet për tu mbrojtur në liri”, thuhej në arsyetim.

    Tutje, Apeli kishte vlerësuar se rreziku evidentohet edhe nga shkresat e lëndës ku pas ngjarjes ditën kritike i pandehuri kishte qëndruar në arrati për një kohë të gjatë dhe duke pas parasysh dënimin ai mund të arratiset serish.

    Veç tjerash në vendim thuhej se gjykata ka pas parasysh që i pandehuri kishte respektuar masat paraprake dhe nuk ka pasur shkelje, por tani pas shpalljes se aktgjykimit mund të shfaqen pengesa.

    I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

  • Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raporton EO.

    Në këtë mbledhje pritet të bëhet miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të kryesisë.

    Në rend dite ndër të tjera është edhe “Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024”, në të cilën pritet votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    Në rend dite, gjithashtu, janë edhe pikat e papërfunduara nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 16 maj 2024, propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës, si dhe ajo e shqyrtimit të propozimeve dhe të kërkesave.