ATV

Author: ATVLive

  • Moti për këtë të dielë

    Moti për këtë të dielë

    Për të dielën parashikohet të mbajë mot diell dhe vranësira, ku kohë pas kohe dhe lokalisht pritet të ketë rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh. Reshjet më të përqëndruara parashihet të jenë në Rrafshin e Dukagjinit. Ka mundësi të ketë breshër të vogël.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-35 km/h. Në zona të caktuara mund të ketë vrullshmëri të erës deri në 50 km/h!

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 11 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 23°C. /MeteoKosova/

  • Gruaja në Gjilan dyshohet se u dhunua dhe u grabit nga dy persona të maskuar

    Gruaja në Gjilan dyshohet se u dhunua dhe u grabit nga dy persona të maskuar

    Policia ka njoftuar se një nënë me djalin e saj, derisa ishin duke ecur rrugës, janë sulmuar fizikisht nga dy të maskuar.

    Të dyshuarit ia kanë marrë arin dhe paratë që kishte viktima e cila pastaj dyshohet se është dhunuar.
    Të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të mitur të viktimës. I njëjti ka pranuar edhe tretman mjekësor.

    “GRABITJE&DHUNIM – Gjilan 25.05.2024 – 00:40. Është raportuar se dy viktimat një femër dhe djali i saj i mitur, deri sa ishin duke ecur rrugës janë sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur të maskuar. Të dyshuarit kanë arritur që me forcë të marrin nga viktima stoli ari që kishte si dhe një shumë parash dhe njëkohësit dyshohet se të njëjtit e kanë dhunuar, ndërsa ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti nën hetime.”

  • Egla Ceno shpallet fituese e ‘Big Brother VIP Albania 3’

    Egla Ceno shpallet fituese e ‘Big Brother VIP Albania 3’

    Për herë të parë në një edicion VIP, një grua fiton çmimin e madh të “Big Brother”.

    Në një natë magjike, plot surpriza dhe emocione dhe një garë të fortë mes pesë finalistëve, Egla Ceno rrëmbeu çmimin e madh prej 100 mijë eurosh! Aktorja ia doli në garën përballë Julian Dedës, Romeo Veshajt, Heidi Bacit dhe Meriton Mjekiqit.

    Në një finale maratonë, me një transmetim live mbi 6 orë, të pestë banorët rikujtuan eksperiencën e tyre në reality shoë, ndërkohë që u surprizuan nga “Vëllai i Madh”, duke dhuruar emocione të forta për publikun.

    Edicioni i tretë i “Big Brother VIP Albania” ka kaluar çdo parashikim audience, për shkak të garës shumë të fortë mes 5 finalistëve. /tch

  • 25 vjet burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen në Bon Vivant

    25 vjet burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen në Bon Vivant

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë lokal në qendër të Prishtinës, më 13 tetor të vitit 2014, ishte vrarë rojtari Rrahman Uka.

    Të dyshuar për këtë vepër ishin Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi, ndaj të cilëve rasti është kthyer disa herë në rigjykim.

    Të premten për të katërtën herë, Gjykata e Shkallës së Parë, sërish i shpalli ata fajtorë, me 25 vjet burgim së bashku, për kryerjen e veprës penale vrasje në bashkëkryerje.

    “Masar Gërdovci shpallet fajtor dhe dënohet me 18 vjet për veprën e vrasjes në bashkëkryerje. Sherif Krasniqi për vrasje në bashkëkryerje dënohet me 7 vjet burgim”, tha kryetari i trupit gjykues, Avni Sylaj.

    Të akuzuarit nuk ishin të pranishëm që ta dëgjojnë vendimin e trupit gjykues, derisa avokatët mbrojtës, u shprehën të pakënaqur me dënimin e shqiptuar.

    “Lënda është rikualifikuar, por vendimi është i njëjtë. Lënda kot po kthehet në rigjykim”, tha Naim Rudari, avokat i Masar Gëdovcit.

    “Nuk është vërtetuar se i mbrojturi im e ka shkrepur armën. Vendimin do ta apelojmë”, tha Haxhi Millaku, avokat i Sherif Krasniqit.

    Dy herët e para, lënda ishte gjykuar në drejtim të veprës penale për vrasje të rëndë. Në rigjykimin e tretë, lënda ishte rikualifikuar në “vrasje”, dhe të akuzuarit ishin dënuar po ashtu me 24 vjet burgim së bashku.

  • As një javë shtesë nuk mjaftoi që serbët e veriut të regjistrohen

    As një javë shtesë nuk mjaftoi që serbët e veriut të regjistrohen

    Përgatiti: Arton Hamiti

    As afati shtesë prej njëjavësh nuk ishte i mjaftueshëm që qytetarët e komunitetit serb të katër komunave veriore t’i nënshtrohen procesit për regjistrimin e popullsisë.

    Procesi u bojkotua nga komuniteti shumicë edhe në komunën e Zveçanit, për çka kryetari Ilir Peci nuk është aspak i kënaqur.

    “Sa ka qenë afati i rregullt, ka pasur një numër shumë të vogël të qytetarëve serbë, mund të them që nëse krahasohet me 10 mijë banorë sa llogaritet t’i ketë Zveçani, janë regjistruar vetëm 6 prej tyre. Javën e fundit ua kemi mundësuar regjistrimin edhe këtu në objektin e komunës. Numri është rritur, por jo me një përqindje të madhe, nuk është numër aspak i kënaqur”, tha Peci.

    Procesit të regjistrimit të popullsisë nuk i janë përgjigjur qytetarët e komunitetit serb në Zubin Potok.

    “Mund të them që përgjigja e qytetarëve karshi këtij procesi ka qenë shumë e vogël, s’po them që ka qenë zero, mirëpo ka individë, mos të themi që ka pasur dhjetëra ose qindra që janë ardhë me këtë afat shtesë”, tha kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.

    Dy kryetarët shqiptarë thonë se fajin për bojkotimin e procesit nga pjesa dërrmuese e qytetarëve e ka shteti serb.

    “Sigurisht, këtu ka ndërhy politika serbe dhe besoj që përfundimisht kjo është arsyeja. Janë largu edhe anketuesit serbë, kanë qenë 13 prej tyre”, tha kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

    “Si duket akoma po është një ndikim i fortë i mekanizmave të Serbisë të themi te një pjesë e qytetarëve. Natyrisht thirrjes për bojkot po i përgjigjet një pjesë e madhe e qytetarëve”, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.

    Më 5 prill, kur filloi regjistrimi, Lista Serbe kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Serbët nuk morën pjesë as në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, në vitin 2011.

  • Edhe në rigjykim, Krivaqa e Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Edhe në rigjykim, Krivaqa e Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për dallim nga paraqitja e parë në gjykatë më 14 korrik 2022, Dardan Krivaqa në seancën fillestare të rigjykimit nuk mbrohej nga jeleku anti-plumb.
    Madje, nga refuzimi total në paraqitjen e parë të tij para gjykatësit, para dy vjetëve, për t’u deklaruar, tani Krivaqa tha se ndihet i pafajshëm ndaj akuzave për dhunim dhe vrasje.

    I pafajshëm për akuzën e dhunimit dhe ndihmë në vrasje u deklarua edhe Arbër Sejdiu.

    Ndërkaq, duke e vlerësuar aktakuzën hipotetike, avokati mbrojtës i Kirvaqës tha se prokurorisë vërtet i mungojnë provat.

    Madje, avokati kërkoi ekzaminim special psikiatrik për të akuzuarin e parë Kirvaqën, që do të mbulojë periudhën që nga mosha 11-vjeçare e deri në ditën e vrasjes së Marigona Osmanit, me arsyetim se edhe ai ishte viktimë e dhunës seksuale dhe tentoi të vetëvritej.

    Në nisje të procesit të rigjykimit u vendos që dëshmitarët të mos thirren në gjykatë, por vetëm të lexohen dëshmitë e tyre, ndërkaq pritet të ftohen ekspertë të rinj të mjekësisë ligjore.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, më 4 gusht 2023, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasje. Edhe Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

  • Katër qytetarë nga Kosova arrestohen në Shqipëri për trafikim të armëve

    Katër qytetarë nga Kosova arrestohen në Shqipëri për trafikim të armëve

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Katër kosovarë përfunduan në pranga të policisë shqiptare në një aksion të së premtes.

    Siç njoftoi policia e Shqipërisë, ata dyshoheshin për kontrabandë me armë.

    Gjatë operacionit të titulluar “transportuesi 2” u sekuestruan 10 armë zjarri të llojit pistoletë, municion luftarak, 1 automjet dhe 5 telefona.

    Policia e Shtetit tha se gjatë operacionit, në vend-parkimin e një terminali të autobusëve në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit B.K., 28-vjeçar, B.Sh., 20-vjeçar, E.Th., 25-vjeçar dhe M.K., 20-vjeçar, të gjithë banues në Kosovë.

    Sipas autoriteteve, i dyshuari me inicialet B.K., shtetas i Kosovës, në autobusin që po drejtohej nga E.TH., kishte futur një çantë brenda së cilës u gjet armatimi.

    Më pas, B. K., në bashkëpunim me M.K., kanë përcjellë nga pas autobusin që po i bartte këto mjete.

    Siç njoftoi policia shqiptare, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro.

    Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.

    Rasti tanimë ka kaluar në prokurori.

  • Plani për lagjen “Kalabria”, banorët e opozita të revoltuar me kryetarin

    Plani për lagjen “Kalabria”, banorët e opozita të revoltuar me kryetarin

    Përgatiti: Sara Shehu

    Banorët e lagjes Kalabria kanë protestuar para Komunës së Prishtinës. Ata kërkuan që plani rregullues për lagje të futej sot në rend të ditës.

    Plani rregullues për këtë lagje parasheh transformimin urban të saj dhe rritjen e numrit të ndërtimeve të larta, derisa e kishte propozuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Por, sipas banorëve, plani nuk është publik dhe duan diskutim.

    “Është stërzgjatur si plan duhet të jenë transparent kryetari duhet të na tregojë planin e tij”, thotë një banor.

    “Nuk duhet të fshihen planet për lagjen duhet të jemi në dijeni edhe ne”, thotë një tjetër banor.

    Pas protestës, derisa Kuvendi i Prishtinës u mblodh për seancë, në të morën pjesë edhe banorët e Kalabrisë të përkrahur nga opozita. Të gjithë kërkuan nga kryetari Rama të mbajë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje, si dhe publikimin e planit.

    “Po tentohet të ju shitet mjegull juve qytetarë, njësoj sikur neve, na është premtuar se plani i votuar në vitin 2021 duhej anuluar, si shkak i vendimit të Ministrisë dhe do të kthehej me ndërrime pas 6 muajsh, sot pas dy viteve nuk është plani as para jush as para Kuvendit. Na është dërguar me materiale të paqasshme, nuk e di pse po i fshehin dokumentet. Prishtina po trajtohet si zonë betonizimit dhe koeficiente për grupe të caktuara. Nga rrena dhe mashtrimi kanë shkuar deri në arrestim të qytetarëve”, thotë asambleisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri.

    “Ka ra koha e sharmit tënd, nuk të shitet më. Nuk i ki as gjysmën e asamblistëve tu. Qikaq seriozisht e merr ti Kalabrinë. Po vazhdon me majtë fjalime politike, ti as politikë nuk dinë me bë. Ti s’je tu ju bë zgjidhje, je tu folë për një projekt në hava, e nuk e dimë ku është ai program. Po folë për koeficienta, po ti e ke majtë 2 vjet, sepse ke bo pazare, kur tu kanë prishë pazaret aty tash të sulmojnë krejt”, tha asambleisti i LV-së, Gëzim Sveçla.

    Megjithatë, Rama shprehu gatishmëri që një seancë e jashtëzakonshme për këtë çështje të mbahet javën e ardhshme.

    “Prej fjalimeve e politikëbërje që po ndodh në këtë asamble, ne si kabinet po punojmë shumë. Jemi të gatshëm dhe mund ta bëjmë seancën e jashtëzakonshme javën tjetër me një pikë, atë të Kalabrisë, meqë nuk është futur në këtë seancë. Unë nuk e kam mendjen të bëjë politikë. Asnjëherë nuk u është cenuar ndërtimtarëve ta zhvillojnë Kalabrinë. Është mbrojtur e drejta e banorëve për të mos u betonizuar. Për këtë arsye e kemi analizuar, kemi diskutuar me qytetarët, vazhdojmë të diskutojmë. Po i mashtroni ju me politika, ne po punojmë, nuk ka pasur ndryshime të mëdha se sa sot, e kemi një plan e vizion, e ju e sabotoni tu i rrejtë njerëzit, kur bëhemi bashkë për të mira, tokën e Komunës i duhet unaza dhe qeveria nuk e financon e ju bëni politika, s’dini tjetër veç me fol e na bëjmë”, tha Rama.

    Për planin e lagjes Kalabria në Kuvendin e Prishtinës u diskutua edhe më 8 maj, derisa edhe atëherë banorët kishin hyrë në sallë dhe kërcënuan se “do ta djegin Kuvendin” nëse nuk kalon në seancën e thirrur për sot.

    Lidhur me këtë, kryetari i Prishtinës ka mohuar gjatë ditës se është kërcënuar pasi Policia në raportin 24 orësh, kishte njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për kërcënim ndaj Ramës dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal.

  • Shtyhet debati në Kuvend për qeverinë Kurti

    Shtyhet debati në Kuvend për qeverinë Kurti

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancë erdhi, por kryeministrit Albin Kurti nuk iu desh të qëndrojë gjatë në sallë. Fare pak deputetë iu përgjigjën ftesës së AAK-së për të marrë pjesë në seancën në të cilën do të diskutohej rreth tre vjetëve të qeverisjes Kurti.

    Pas dakordimit të grupeve parlamentare u vendos që seanca të shtyhet.

    “Vërtetë nuk do të ishte mirë që kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm. Është papërgjegjësi me pritë shumë gjatë, kështu që pritëm boll”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Megjithatë, një ballafaqim i kryeministrit Kurti me opozitën, sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, do të ndodhë.

    “Ka vetëm vonim, se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrit me opozitën me gjitha këto tema. Debati do të ndodhë nuk ka qysh ikë, është i protokolluar në kryesi dhe kurdo që të jetë ai debat do të jetë ballafaqimi i të vërtetës dhe i një super-mashtrimi që ka ndodhur tash e tri vjet e gjysmë”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, PDK-ja tha se do ta përkrahë rezolutën e AAK-së në të cilën kërkohet dorëheqja e kryeministrit. Por, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë jo më larg se 30 maj.

    “E humbasim mundësinë që qytetarët t’iu drejtohen kutive të votimit më datën 30 qershor apo 7 korrik, pra kjo është dita e fundit dhe ne nuk do t’i ndalim përpjekjet. Nuk jemi të interesuar të kemi shou të asaj dite kur do të përplasemi me fjalime për çështje të ndryshme politike, që tri vjet e gjysmë ne e kemi pasur ballafaqimin me këtë Qeveri dhe përtej shout mediatik që mund të prodhojë një seancë, përtej një cirku që mund të krijojë mendoj që më e rëndësishme është me i prodhu numrin e votave të mjaftueshme që janë 80 deputetë”, tha Tahiri.

    Qeveria aktuale ishte betuar në mars të 2021-tës dhe tashmë ka hyrë në vitin e fundit të mandatit. Ndërsa, thirrja e kësaj seance u bë derisa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    “Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit ku për debat të tri vjet qeverisje ka aq pak deputetë në sallë e lëre më të mendohet për një situatë, e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë, përderisa nuk janë kryer të gjitha pikat, ka shumë pak pika të patrajtuara, por gjithashtu jemi në dinamikën dhe ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Pas vendimit për shtyrje të seancës datë e re për mbajtjen e saj nuk u caktua, por të hënën do të mbahet takim i kryesisë së Kuvendit, me ç’rast caktohet seanca e ardhshme dhe pikat e rendit.

  • Strategjia e energjisë, sfiduese por e domosdoshme për Kosovën

    Strategjia e energjisë, sfiduese por e domosdoshme për Kosovën

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Më shumë punë është kërkuar nga Kosova, për Strategjinë e Energjisë nëse vendi dëshiron të afrohet edhe më shumë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Në tryezën e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Strategjia e Energjisë dhe rruga drejt se ardhmes energjetike të Kosovës”, mes tjerash u theksua edhe për politikat energjetike dhe harmonizimin e tyre me standarde evropiane.

    “Institucionet e Kosovës e kanë miratuar strategjinë e energjisë të Republikës së Kosovës për 2022/31 me synimin e adresimit të furnizimit energjetik dhe sfidat që kanë të bëjnë me politikat energjetike dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane”, tha Leonora Kryeziu nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

    Gjatë prezantimit të “Strategjisë së Energjisë së Kosovës 2022-2031”, u tha se rruga drejt kësaj ka dy anët e medaljes.

    “Kjo do të jetë sfiduese, por njëkohësisht është e domosdoshme për Kosovën…”, tha ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezo.

    Ndërsa, Anita Baraliu, ekonomiste e hulumtuese shkencore, tha se kjo strategji kërkon përkushtim maksimal për disa arsye.

    “Strategjia e Energjisë përbëhet nga 5 objektiva kryesore, ato janë mjete të formuluara dhe tregojnë një progres të madh, në krahasim me Strategjitë e mëparshme”, tha Baraliu.

    “Strategjia e Energjisë së Kosovës 2022-2031”, është miratuar më 8 mars të vitit të kaluar.