ATV

Author: ATVLive

  • Mbahet konferenca e fundit për media e PITF2024, sonte jepet shfaqja “Bloody Moon” nga Mali i Zi

    Mbahet konferenca e fundit për media e PITF2024, sonte jepet shfaqja “Bloody Moon” nga Mali i Zi

    Sonte do jetë nata e fundit e Prishtina International Theater Festival, e cila sjell shfaqjen “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.

    Për këtë shfaqje është mbajtur sot konferenca për media, ku ishin të pranishme aktoret Sanja Vujisić dhe Kristina Obradović, bashkë me drejtoreshën artistike Vesna Vujošević Labović.

    Ato shprehën përshtypjet për festivalin në përgjithësi, ku thanë se janë tepër të lumtura që po marrin pjesë në këtë organizim.

    Shfaqja “Bloody Moon” do luhet sonte nga ora 19:00 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ndërsa menjëherë pas saj do ndahen çmimet për këtë edicion të PITF.

  • Hamasi lëshon sulm me raketa drejt zonës së Tel Avivit

    Hamasi lëshon sulm me raketa drejt zonës së Tel Avivit

    Hamasi thotë se ka lëshuar raketa drejt zonës së Tel Avivit në Izraelin qendror për herë të parë në gati katër muaj.

    Të paktën tetë raketa u lëshuan nga zona Rafah në Gazën jugore dhe disa u kapën, thotë ushtria izraelite.

    Ushtria izraelite po kryen një operacion ushtarak në Rafah. Nuk raportohet për të lënduar.

    Sirenat e raketave u dëgjuan në qytete dhe qyteza të tjera, duke përfshirë Herzliya dhe Petah Tikva.

  • Kostoja e kultivimit: Bujqit e Kosovës ndiejnë peshën e taksës

    Kostoja e kultivimit: Bujqit e Kosovës ndiejnë peshën e taksës

    “Është e papërballueshme. Na duhen lehtësira e jo ngarkesa të tilla financiare”, thotë bujku Valon Vehapi.

    Prej vitesh, ai kultivon mbi 150 hektarë tokë me prodhime të ndryshme bujqësore në komunën e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës.

    Por, nisur nga ky vit, ka edhe kosto shtesë: pagesën e tatimit për tokën bujqësore.

    Kjo taksë ka nisur të aplikohet në bazë të Ligjit për Tatim në Pronën e Paluajtshme, i cili është ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2023.

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës siguron se disa bujq do të kenë lehtësime, por nga organizatat që i mbështesin bujqit, thonë se taksa do t’i dëmtojë dhe do t’i demotivojë ata për të punuar tokat.

    E pyetur nga REL-i se si është duke shkuar procesi i pagesës – afati për të cilën përfundon më 30 shtator – kjo ministri nuk u përgjigj.

    Me ligj, ata që nuk e paguajnë tatimin, ndëshkohen me gjobë prej 10% të vlerës së tatimit të papaguar.

    Sa është tatimi për tokat bujqësore?

    Tatimi për tokat bujqësore përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës – përkatësisht çmimi për metër katror – me normën tatimore.

    Në përgjigjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhënë Radios Evropa e Lirë, thuhet se “norma tatimore për vitin 2024 ndryshon nëpër komuna nga 0.10% deri në 0.15% – varësisht zonës, kategorisë së tokës dhe vlerës së tregut”.

    Vehapi, mbi 140 hektarë të tokave që i shfrytëzon, i ka me qira dhe për ta paguan nga 80 deri në 300 euro për hektar, varësisht vlerës së pronës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se pronarët e tokave ia kanë dorëzuar atij faturat e tatimit.

    “Nga një faturë i kam paguar 70 euro për një hektar. Faturat e tjera kanë qenë me vlera më të ulëta”, thotë Vehapi.

    Tatimi i demotivon bujqit

    Bashkim Zejnullahu, udhëheqës i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se hapësira e tokës së punueshme në Kosovë edhe ashtu është e pamjaftueshme – taksa, sipas tij, do t’i shtyjë buqit të heqin dorë nga punimi i tokës.

    Nga kulmi i inflacionit në vitin 2022 e këndej, bujqit janë përballur me sfida të vazhdueshme, që kanë nisur me shtrenjtimin e naftës dhe të produkteve të tjera për prodhim dhe kanë vazhduar me mungesën gjithnjë e më të madhe të punëtorëve.

    Në veprimtarinë e tyre shpesh kanë luajtur rol edhe kushtet klimatike, që i kanë zvogëluar të korrat.

    Qeveria e Kosovës, nga viti 2022, ndan subvencione për bujqit, por ata, prapëseprapë, nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve të Kosovës, sidomos për grurë.

    Zejnullahu pret që, sivjet, të ketë edhe më pak prodhime të grurit dhe çmimet e këtij produkti të jenë më të larta.

    Ai nuk është kundër tatimit, por thotë se “nuk është dashur të ngarkohet bujku që e punon tokën, por ai që nuk e punon”.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë.

    Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.

    Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore.

    Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullatës për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Evropian.

    Prodhimi vendor i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë, kurse nevojiten mbi 410 mijë tonë.

    Saktësisht një vit më parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për reduktim të sipërfaqes së tokës së punuar në Rahovec – komunë ku, sipas të dhënave zyrtare, afro 65 për qind e popullatës e sigurojnë ekzistencën nga aktivitetet bujqësore.

    Afrim Limani, drejtor për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se tatimi në toka bujqësore ka nisur të paguhet, por “jo në masë”.

    Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, thotë se tatimi për tokat bujqësore është dashur të shtyhet derisa të ketë një qëndrueshmëri në këtë sektor.

    “…sepse kjo më pas ndikon me import marramendës, pasi fermerët përballen me konkurrencë të fuqishme, nëse nuk i mbështet dikasteri përkatës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës konfirmon se ka nisur të pranojë tashmë disa ankesa nga bujqit.

    “Kjo nuk është në rregull”, thotë udhëheqësi i kësaj shoqate, Tahir Tahiri, duke shtuar se, së shpejti, do të mbahet mbledhja e kryesisë së sindikatave dhe ankesat e bujqve do të adresohen tek autoritetet përgjegjëse.

    Duke e paraqitur si një lloj lehtësimi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se tokat bujqësore në vlerë deri në 50 mijë euro, nuk do t’i nënshtrohen tatimit në pronë.

    “Fermeri vendos vetë se cilën njësi bujqësore që arrin vlerën deri në 50 mijë euro, dëshiron ta lirojë nga tatimi. Kërkesa për lirim bëhet në komunën përkatëse, ku gjendet parcela”, sqaron ministria.

    Vehapi, i cili kultivon kryesisht grurë, thotë se kjo është e pamjaftueshme, pasi, siç shprehet, çdo hektar toke që e punon në komunën e tij, llogaritet mbi 50 mijë euro.

    Derisa fushata e korrje-shirjeve pritet të nisë në më pak se dy muaj, Vehapi thotë se është duke u hamendur nëse, vitin e ardhshëm, do të vazhdojë ta mbjellë sipërfaqen e njëjtë të tokës, apo do ta zvogëlojë atë. /Radio Evropa e Lirë

  • Real Madridi shpallet klubi më i pasur në botë, ja sa miliardë është vlera e tij

    Real Madridi shpallet klubi më i pasur në botë, ja sa miliardë është vlera e tij

    Për të tretin vit radhazi, Reali i Madridit është klubi i futbollit më i vlefshëm në botë, sipas revistës prestigjioze “Forbes”.

    Reali ka një vlerë prej 6.6 miliardë dollarësh, duke ia kaluar për pak Manchester United (6.55 miliardë), por duke ruajtur fronin që ka mbrojtur që nga viti 2022.

    “Forbes” thekson në raportin vjetor se Reali i Madridit ka shënuar një rritje prej 9% në vlerën e klubit në krahasim me vitin e kaluar dhe, përveç kësaj, thekson se është skuadra që ka gjeneruar më shumë të ardhura (873 milionë dollarë, shifër kjo që, duke filluar nga këtë verë, ajo aspiron të kalojë 1 miliard euro me të ardhurat shtesë që do të ofrojnë evenimentet e ndryshme në “Santiago Bernabéu)”.

    Medalja e argjendtë vazhdon të shkojë te United, i dështuar në këtë sezon sportiv, por një kolos për sa i përket markës botërore.

    Pavarësisht situatës së tyre aktuale, shumë larg Champions League, stema e “Djajve” vazhdon të lëvizë miliona.

    Manchesteri pasohet nga skuadra e Barcelonës me 5,6 miliardë dollarë.

  • Sonte ne “The Elite Way” konfrontime të forta, por edhe do të qeshni pafund

    Sonte ne “The Elite Way” konfrontime të forta, por edhe do të qeshni pafund

    The Elite Way sjell në një studio figura të profileve të ndryshme duke i transmetuar në një dimension krejt tjeter para shikuesve të ATV-së.

    Diellza Kolgeci, Teuta Krasniqi, Albatros Rexhaj, Faruk Statovci e Uki Latifi janë protagonistët e kësaj jave në emisionin The Elite Way.

    Në tema dhe diskutime madje në konfrontime mendimesh e në lojëra krejt jashtë natyrës së mysafirëve, do të mund të shijoni mbrëmjen e vikendit nga ora 21:30 në ATV.

  • 26 vjet nga Beteja e Pashtrikut, Bulliqi: Kujtojmë me krenari djemtë dhe vajzat mbi të cilët qëndrojnë themelet e lirisë

    26 vjet nga Beteja e Pashtrikut, Bulliqi: Kujtojmë me krenari djemtë dhe vajzat mbi të cilët qëndrojnë themelet e lirisë

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka përkujtuar Betejën e Pashtrikut, në 26-vjetorin e shënimit të saj.

    Bulliqi u shpreh se përkujtohen me krenari 36 të rënët, që mbi ta qëndrojnë fuqishëm themelet e lirisë.

    “Sot në 26 vjetorin e Betejës së Pashtrikut, isha në vendngjarje për të nderuar dëshmorët dhe luftëtarët e kësaj beteje”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

    “Në betejën e Pashtrikut kanë rënë dëshmorë 36 ushtarë të UÇK-së, kjo betejë është edhe njëra prej betejave më të përgjakshme njëkohësisht më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    “Përkujtojmë me krenari heroizmin e djemve dhe vajzave mbi të cilët qëndrojnë fuqishëm themelet e lirisë e shtetësisë sonë”.

    “Lavdi dëshmorëve të Betejës së Pashtrikut! Lavdi dhe nderime të përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit!”.

  • U dyshua për kanosje, arrestohet dhe suspendohet nga puna një polic në Gjakovë

    U dyshua për kanosje, arrestohet dhe suspendohet nga puna një polic në Gjakovë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një polic në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “kanosje”.

    Sipas njoftimit të Inspektoriatit policor arrestimi i tij ka ndodhur të shtunën.

    “Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje rreth orës 19:00 nga Policia e Kosovës në Gjakovë se një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) është i përfshirë si i dyshuar në një rast të kanosjes.

    Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK shton se pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.

    “Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Një vit nga marrja e detyrës nga kryetarët e komunave në veri, LVV lavdëron arritjet dhe kritikon analistët

    Një vit nga marrja e detyrës nga kryetarët e komunave në veri, LVV lavdëron arritjet dhe kritikon analistët

    Sot është bërë një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat.

    Lëvizja Vetëvendosje përmes një video thekson se pavarësisht sulmeve të grupeve të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi, institucionet e Kosovës ngadhënjyen.

    “Sot bëhen një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat. Grupe të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi bën sulme të përditshme ndaj Policisë, gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it me qëllim pengimin e punës së kryetarëve në këto komuna dhe luftimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, institucionet e Republikës të vendosura ngadhënjyen”, thuhet në reagim.

    LVV gjithashtu ka kritikuar edhe analistët, të cilët kishin bërë disa komente në atë kohë.

    “Në anën tjetër, asokohe në shumë studio televizive, nga shumë zëra ngjallej frikë, panik e dorëzim. Por, fotografia e sotme në veri të vendit është përgjigja më e mirë për ata zëra”,theksohet në postimin e bërë nga LVV.

  • Rama takohet sot me shqiptarët e Italisë: Po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë

    Rama takohet sot me shqiptarët e Italisë: Po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë

    Kryeministri Edi Rama është nisur mëngjesin e sotëm në drejtim të Italisë, në kuadër të turit në diasporë.

    Takimin e parë me shqiptarët e diasporës Rama e bëri disa ditë më parë me shqiptarët e Athinës, ndërsa sot radhën e kanë shqiptarët e Italisë.

    Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, kryeministri thotë se po niset nga Rinasi për në Itali “për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë.”

    “MIRËMËNGJES dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

  • Në Sofje vazhdon mbledhja e AP-së të NATO-s, Kosova nesër në agjendë

    Në Sofje vazhdon mbledhja e AP-së të NATO-s, Kosova nesër në agjendë

    Në Sofje të Bullgarisë edhe sot, për të dytën ditë më radhë, vazhdon mbledhja e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, ku në agjendë është edhe Kosova. Të hënën në rend të ditës pritet të jetë edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

    Zyrtarisht Asambleja e Përgjithshme të NATO-s ka nisur punimet të shtunën me tri komisione.

    Në Komisionin për Mbrojtje e Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-së është diskutuar edhe rreth situatës së përgjithshme në Kosovë, e në veçanti lidhur me sulmin terrorist të grupeve paramilitare të udhëhequra nga Milan Radoiçiq.

    Në raportin e gjerë të paraqitur nga ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lancaster, i cili është raportues për Ballkanin Perëndimor është përfshirë edhe raportimi i organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, në të cilën theksohet se KFOR-i e negociojë tërheqjen e grupit paramilitarë serbë.