Më 30 maj 1989 në Podujevë ishte organizuar një demonstratë kundër regjimit serb.
Atë ditë në Kosovë po qëndronte për një vizitë një grup diplomatësh nga Evropa dhe pikërisht në këtë ditë e ashtuquajtur “Çeta e Llapit” doli me uniforma ushtarake nëpër rrugët e Podujevës.
Në një përleshje të armatosur vritet Ali Ajeti ndërkaq plagosen disa tjerë.
Ali Ajeti u lind në fshatin Sfeçël të Podujevës dhe nga viti 1984-1988 ishte në burg.
Pas daljes nga burgu, Ali Ajeti dhe disa tjerë vendosën të formojnë grupin që u quajt “Çeta e Llapit”, shkruan KosovaPress.
30 maji i çdo viti shënon Ditën Botërore të Sklerozës Multiple.
Në vitin 2009 Federata Ndërkombëtare e Sklerozës Multiple e ka filluar shënimin e kësaj date.
Falë kampanjave dhe aktiviteteve për nder të kësaj dite janë vetëdijësuar mijëra njerëz anë e mbanë botës.
Më shumë se 2.3 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me këtë sëmundje.
Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë, ndjenja e të qenit të pirë (shtangur), dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shiriti ngjyrë portokalli shfaq mbështetjen për njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje. /KP/
Të mërkurën, zyrtarë të Policisë së Kosovës vazhduan aksionin në njërën nga filialet e Bankës Postare Kursimore, në veri të vendit.
Meqë të hënën e 20 majit nuk arritën të hapnin një kasafortë në mungesë të çelësit, atë e bënë këtë të mërkurë.
Aty u sekuestruan rreth 90 mijë euro në valuta të ndryshme.
Në njërin nga 6 lokacionet që tashmë i kemi bastisë, ka mbetë një sef (kasafortë) pa u kontrollu, sepse nuk e kemi pasë çelësin. Sot e kemi marrë çelësin dhe e kemi kontrollu edhe këtë sef. Nuk ka zhvillim të ri të situatës, por vetëm jemi marrë me një vend që tashmë e kemi nën kontroll”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.
Gjatë hapjes së kasafortës, veç policisë, të pranishëm ishin edhe zyrtarë të EULEX-it derisa aksioni përfundoi pa ndonjë incident.
Pas përfundimit të fazës tranzitore për rregulloren për operacione me para të gatshme, e cila parasheh vetëm përdorimin e euros në tërë territorin e Kosovës, policia ndërmori aksioni e parë më 20 maj që rezultoi me mbylljen e 6 filialeve të Bankës Postare Kursimore në katër komunat veriore.
Veç saj u sekuestruan edhe rreth 2.5 milionë euro, derisa institucionet janë duke kryer hetime nën dyshimet për shpëlarje parash.
Në këso forme, kryeministri Albin Kurti i zhvillon bisedat në distancë me politikanë ndërkombëtarë.
Të njëjtën metodë komunikimi përmes teknologjisë, presidentja Vjosa Osmani po konsideron se do të mundë ta kishte përdorur Kurti, apo ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për t’u konsultuar për idenë e dërgimit të letrës në Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur ajo ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes letrës dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kryediplomatja Gërvalla zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit.
Presidentja pohoi se kjo i prish punën dhe përpjekjet e bëra që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit.
“Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha Osmani.
Disa orë para këtij deklarimi, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk ka qenë mungesë e vullnetit të Qeverisë dhe MPJ-së të koordinohet me Presidencën, por ka ndikuar distanca.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri”, tha Konjufca.
Por, presidentja shtroi një dilemë, si letra e Gërvallës ra në duar të personave jozyrtarë, para institucioneve të shtetit.
“Në qoftë se tema paska qenë te mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter”, tha Osmani.
Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, Ministrja Gërvalla, një ditë më vonë, pohoi se letra ku ajo është zotuar për dërgim në Gjykatë Kushtetuese të projekt statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thjesht nuk ka më relevancë.
Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga përleshja me protestuesit serbë, më 29 maj të vitit të kaluar.
Por fare pak nga serbët që sulmuan zyrtarët e KFOR-it janë arrestuar.
Nga 10 sa u ndaluan si të dyshuar për sulm, vetëm 4 u dënuan, teksa edhe ata lirinë e blenë me para.
Nën akuzat për huliganizëm, një ditë pas sulmit ishin arrestuar Sinisha Jevtic e Ivan Sekulic, ndaj të cilëve, në gusht të atij viti, Gjykata Themelore kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, dënim ky që u ishte zëvendësuar me gjobë prej 16 mijë eurosh për të dy dhe dëbim nga Kosova për 3 vjet.
Gjashtë muaj më pas, në shkurt të këtij viti, për pjesëmarrje në protestë e sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Gjykata Themelore kishte dënuar me nga gjashtë muaj burg edhe Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, dënim ky që Petroviqit iu zëvendësua me gjobë prej 6 mijë eurosh, ndërsa Obrenoviqit i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim.
Si organizator i asaj proteste, ishte identifikuar Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe nga atëherë vazhdon të jetë në paraburgim.
Mirëpo, dënimet e ekzekutuara deri më tani, për juristin Ardian Bajraktari, janë të vogla.
“Kemi një numër të vogël të atyre që ballafaqohen me procese gjyqësore, përkatësisht ka aktakuza të ngritura e një numër edhe më të vogël të atyre që kanë marrë verdikte, përkatësisht dënime e që janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Prokuroria speciale nuk tregoi të mërkurën, nëse është ngritur ndonjë aktakuzë edhe ndaj të arrestuarve të tjerë nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it e ndaj gazetarëve.
Sulmeve të 29 majit, që vazhduan edhe në ditët në vijim, kryesisht ndaj ekipeve të mediave, iu parapriu zgjedhja e kryetarëve të rinj shqiptarë, në katër komunat veriore.
Serbët fillimisht bojkotuan qetësisht procesin zgjedhor, por u revoltuan në ditën kur kryetarët e zgjedhur filluan punën në objektet e komunave.
Protesta e serbëve vazhdoi me muaj, teksa për aq kohë, objektet zyrtare u ruajtën nga KFOR-i, derisa dy nga kryetarët, ai i Zveçanit dhe Zubin-Potokut, funksionin e ushtruan nga zyra alternative.
Për sulmin ndaj tyre, një vit pas reagoi edhe misioni i NATO-s, teksa kërkoi që personat që sulmuan pjesëtarët e saj në Zveçan, të mbahen përgjegjës.
Gati një vit pasi bleu 100 biçikleta në vlerë të 274 mijë eurove, komuna e Prishtinës ka nisur punën për montimin e parkingjeve, ku do të vendosen ato.
Përveç Rrugës B, lokacione të tjera ku do të vendosen nga 10 biçikleta janë Sheshi “Zahir Pajaziti”, lagjja e konvikteve, bulevardi “Bill Clinton”, Stacioni i Autobusëve, Parku i Taukbahçes, lagjja Ulpiana dhe në afërsi të shkollës së mjekësisë “Ali Sokoli”.
Sipas Komunës, biçikletat që do të hyjnë në përdorim në fund të muajit qershor, do të jenë me pagesë për qytetarët.
“Përdorimi i tyre do të jetë me pagesë, fillimisht duhet të bëhet hapja e llogarisë në aplikacion që do të kushtojë 5 euro e të cilat mund të shfrytëzohen, si dhe 50 centë do të kushtojë një orë përdorimi, ndërkaq koha e përdorimit nuk do të jetë e limituar. Për biçikletat është paraparë edhe një lloj sigurimi në kuptimin e kontrollit, andaj do të ketë GPS solar që mundëson përcjelljen e tyre përmes kompjuterit dhe menaxhimi qoftë i parkingjeve, por edhe i biçikletave do të bëhet nga ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, kurse pronësia mbetet e komunës”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Qytetarët e mirëpresin projektin e komunës, pasi thonë se përdorimi i biçikletave është në dobi të tyre.
“Është një plan i qëlluar i komunës pasi që biçikletat publike është mirë të përdoren. Krijimi i parkingjeve është më e duhura”, thotë Hala Osmani, qytetare.
“Unë edhe pse nuk i përdori me të vërtetë është dashur të ketë biçikleta të tilla. Edhe pse mendoj se nuk ka mjaftueshëm hapësirë në kryeqytet, por gjithsesi është e nevojshme të ketë për transport publik biçikleta të tilla”, thotë një tjetër qytetar.
Komuna e Prishtinës i bleu 100 biçikletat në korrik të vitit të kaluar, por gjatë kësaj kohe, ato qëndruan të papërdorura në njërin prej parkingjeve të kryeqytetit.
Sipas kontratës, vlera e një biçiklete ishte 2.744 euro.
Nga 2020-ta, Prishtina është pa zyrë të informimit për turistët e huaj e vendorë.
Vizitorët e kryeqytetit të vetmen mënyrë orientimi e kanë përmes aplikacioneve online, ngase edhe ato pak pika orientuese që ishin të vendosura nëpër rrugë u dëmtuan.
Me qëllim të orientimit më të lehtë, një vit më parë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, Komuna e Prishtinës pati prezantuar projektin e kioskës informative, e cila, sipas saj, do të hapej në janar të 2024-ës. Por as në muajin e pestë, në vendin ku është caktuar lokacioni nuk ka asnjë shenjë të punimeve.
Në mungesë të kësaj zyre informuese, turistët e huaj po e kanë të vështirë ta shëtisin dhe t’i vizitojnë pikat kryesore turistike të kryeqytetit.
“Të vetmen mënyrë orientimi e kam përmes aplikacioneve online, por as ato nuk ofrojnë mjaftueshëm informacione. Sikur të kishte një pikë informuese do të ishte më e lehtë për mua, sepse do të kisha mundësi t’i marr të gjitha informacionet në një vend”, thotë një turiste nga Japonia.
Ndërtimin dhe funksionalizimin e një pike informuese, po e shohin të domosdoshme edhe nga Unioni i Turizmit të Kosovës.
“Vera po vjen, aktivitete të shumta do të ketë, do të ishte mirë që komuna me i përfundua punimet për kioskën informuese, që turistët, qoftë nga diaspora apo të huaj, të informohen e të orientohen nëpër Prishtinë”, tha Baki Hoti, kryetar i unionit të turizmit.
Por nga komuna e Prishtinës gjatë të mërkurës nuk kanë treguar se në cilën fazë është projekti për ndërtimin e kioskës informative.
Megjithatë, ATV-ja merr vesh se lokacioni i kioskës informative për turistë do të jetë në vendin e njëjtë ku ishte e vjetra, në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të jetë 72 metra katrorë.
Në vitin 2018, Komuna e Prishtinës, nga një projekt i përbashkët me një kompani zvicerane, kishte hapur një zyrë informimi, por ajo u mbyll dy vjet më pas.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, një zyrë informuese e kishte edhe në vitin 2013, gjatë kohës kur kryeqyteti udhëhiqej nga Isa Musafa. Ajo funksionoi vetëm tetë muaj, për shkak të mospërkrahjes nga pushteti lokal.
Plot pesë kandidatë shqiptarë garojnë për kryetar të komunës së Preshevës, në zgjedhjet lokale në Serbi, që planifikohen të mbahen këtë të diel. Ndërsa, për atë të Bujanocit katër shqiptarë të tjerë po ashtu.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që mbështetje politike të ofrojë veç për kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik: Ardita Sinanin në garën për Preshevën dhe për Ragmi Mustafin në garën për Bujanocin.
Derisa për ta Kryeministria po organizon edhe takime në Prishtinë, kundërkandidatët e tjerë shqiptarë në Luginë, shprehen të pakënaqur me qasjen e Qeverisë.
Sipas Nagip Arifit, nga Partia Demokratike, që është kandidat për kryetar të Bujanocin, animi i kryeministrit mund të shkaktojë përçarje të shqiptarëve.
“Kryeministri i Kosovës Albin kurti është duke e bërë një gabim, sepse është dashur t’u bëjë ftesë shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë, të votojnë për kandidatin më të mirë, por kurrsesi të bëjë thirrje për kandidatët e një subjekti, sepse mund të ndikojë në përçarjen e shqiptarëve në komunën e Bujanocit dhe më gjerë”, tha Arifi.
Në të njëjtën linjë të mendimit, është edhe Visar Memeti, kandidat për Preshevën nga Alternativa për Ndryshim.
“Duke e ditur që Lugina është e lidhur shumë emocionalisht me Kosovën, qasja e kryeministrit Kurti, për përkrahje të një subjekti politik, duke e ditur se garojnë 7 subjekte shqiptare, është e dëmshme, duke e ditur që ne kemi nevojë për unifikim, duke i ditur problemet që i kemi këtu”, tha Memeti.
Zgjedhjet lokale në Serbi do të zhvillohen të dielën e 2 qershorit. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, në këtë shtet jetojnë 61 mijë shqiptarë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Shpërndarja e Kuvendit, si opsion për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, më nuk është e mundur.
Derisa thekson se është i befasuar me vendimin e LDK-së dhe AAK-së, që të mos e përkrahin thirrjen e PDK-së, për koordinim në lidhje me këtë proces, Krasniqi thotë se veprimi i tyre nuk mund të arsyetohet, duke shtuar se këto dy parti mbase nuk janë të gatshme për zgjedhje.
“E kam të vështirë të kuptoj dhe të arsyetoj opozitën se si Qeveria thotë hajde shkojmë në zgjedhje e opozita thotë rrini deri në fund të mandatit”, tha Krasniqi.
Krasniqi, po ashtu, tha se kjo ishte e vetmja mundësi e artë, që Qeverisë Kurti t’i ndërpritet mandati dhe ka mohuar një koalicion të mundshëm mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes.
Për moskonsensusin e partive opozitare, gjatë të mërkurës foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Partia Demokratike e Kosovës kishte thënë se 30 maji do të ishte data e fundit për ta shpërndarë Kuvendin, që më pas zgjedhjet të mbahen më 30 qershor, ose 7 korrik.
Mirëpo, kundër shpërndarjes së Kuvendit kanë qenë vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto që insistuan në dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Radhët e gjata të pacientëve për konsulta mjekësore vazhdojnë të shkaktojnë tollovi në korridoret e Ambulancave Specialistike të Qendrës Klinike Universitare Kosovës.
Megjithatë, brenda një muaji në këtë ambulancë realizohen rreth 3000 shërbime mjekësore.
“Ka raste që hyjnë me të njohshëm, pra kur pacienti hyn pa rend nga stafi mjekësor, megjithatë është normale pasi që ne jemi kosovar. Por këto pritje të gjata duhen të largohen, duhet t’i shkurtojnë. Normal që po ikin edhe mjekët se as paga mjaftueshëm s’ka”, thotë një pacient.
“Ndodh që nuk respektohet orari i punës, por në të gjitha institucionet duhet të respektohet diçka që marrim përsipër. Por ja që edhe këtu ndodh edhe kjo”, thotë tjetër një pacient.
Lidhur me situatën, Drejtoria e ShSKUK-së, nëpërmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se kërkesat për të marrë shërbime mjekësore janë të mëdha. Por sqarime nuk u dhanë rreth dyshimeve se rregullat e punës shkelen nga vetë punëtorët shëndetësorë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme terciare në vend, është e mbingarkuar sa u përket kërkesave për të marrë shërbime ambulantore specialistike mjekësore. Në të gjitha ambulancat specialistike ka vizita nga pacientë të ndryshëm të qyteteve të Kosovës, andaj ekziston edhe mbingarkesa”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së ShSKUK-së.
Caktimi i terminit në Ambulancat Specialistike bëhet për 16 klinika, përmes pranisë fizike të pacientëve. Kurse në ambulancën specialistike të Otorinolaringologjisë dhe të Oftalmologjisë mund të bëhen me telefon, por sipas pacientëve metoda nuk është efikase.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: