ATV

Author: ATVLive

  • Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert tha se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

    Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik.

    “Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, tha Jan Kickert.

    Ai gjithashtu shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore.

    Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

    “Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë dhe ne kemi pasur zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha diplomati austriak, duke mohuar se ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë më 1998.

    Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

    Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjeronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

    “Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998 mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre…”, tha ai raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

    “Kjo ka qenë përvoja kur jemi takuar për herë të parë në Malishevë. Kur kemi kaluar nga rruga kryesore tek një pikë kontrolli që ishte qartësisht e mbajtur nga individë që nuk ishin të trajnuar apo të stërvitur. Ishin njerëz të armatosur thjesht”, tha ai.

  • ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se duke filluar nga data 1 qershor 2024, do të bllokohet për qarkullimin e automjete një pjesë e segmentit të rrugës nacionale N2, Kaçanik- Hani i Elezit.

    Bllokimi i këtij segmenti sipas njoftimit bëhet për arsye të zhvillimit të punimeve në hekurudhë – pjesa jugore e hekurudhës 10 Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

    Nëpër autoudhën “Arbën Xhaferi” do të mund të qarkullojnë automjetet e rënda që kalojnë transit në Kaçanik.

    Ndërsa, automjetet tjera thuhet se mund ta shfrytëzojnë bajpasin e ndërtuar në rrugën “Agim Bajrami” ku përjashtohen mjetet e rënda.

    Ky vendim i cili hyn në fuqi nga sot, do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e radhës.

  • Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar të martën me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Presidenca ka thënë përmes një komunikate për media, se Osmani i ka thënë të dërguarit gjerman se Kosova ka nevojë të vazhdueshme për mbështetjen gjermane teksa e forcon pozitën në skenën ndërkombëtare, duke përmendur Këshillin e Evropën, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

    Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

    Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.

    Zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se ka biseduar me zyrtarin gjerman për zbatimin e marrëveshjeve që kanë dalë prej Procesit të Berlinit.

    Ai e ka përmendur në veçanti nevojën për zbatimin e marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, para mbajtjes së samitit të këtij viti.

    Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në të ardhmen. /REL

  • Një këmbësore goditet nga vetura në lagjen Ulpiana në Prishtinë

    Një këmbësore goditet nga vetura në lagjen Ulpiana në Prishtinë

    Një këmbësore është goditur nga një veturë në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

    Siç mund të shini në videot e siguruara nga ATV, në vendngjarje kanë dalë policia si dhe autoambulanca dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor.

    Ende nuk dihet gjendja e saj shëndetësore.

  • Spanja: Situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës

    Spanja: Situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës

    Spanja i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se situata e Kosovës me shtetin palestinez është krejtësisht ndryshe, teksa ka përsëritur se nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës.

    Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian – bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë – që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

    Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet.

    Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.

    “Situata në Palestinë është ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk prek në integritetin territorial të Izraelit, pasi ai territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas saj, vendimi i marrë më 28 maj, për të njohur zyrtarisht shtetësinë e Palestinës, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë detyruese, pasi të miratohen.

    Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja është diskutuar në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 27 maj në Bruksel.

    Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë pikë ka pasur grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.

    Derisa Gjermania ka qenë “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.

    Në linjë me Spanjën, shtetësinë palestineze e ka njohur të martën edhe Norvegjia.

    Irlanda do të veprojë njëjtë, më vonë gjatë ditës.

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë në mëngjes se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

    Ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.

  • Kurti pret ambasadorin dhe përfaqësues tjerë të ambasadës britanike në kuadër të një projekti për rekrutim

    Kurti pret ambasadorin dhe përfaqësues tjerë të ambasadës britanike në kuadër të një projekti për rekrutim

    Kryeministri i Kosovës, sot ka pritur ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, bashkë me përfaqësues të ambasadës në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë.

    “Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në hapësirat e Ballkonit të Hapur ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me përfaqësues të Ambasadës Britanike në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.”

    “Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti theksoi suksesin e projektit të rekrutimit në Kosovë, teksa shtoi se kanë një rrugë të gjatë përpara për të ndërtuar një sistem rekrutimi bazuar në meritokraci në sektorin publik. Ai shtoi se rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, i bazuar në meritë dhe profesional është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.”

    Kurti ka folur edhe për “rëndësinë e eliminimit të hendekut gjinor”.

    “Një nga arritjet më të mëdha që nga viti 2021 është se 40% e profesionistëve të emëruar janë gra, duke ndihmuar në eliminimin e hendekut gjinor dhe thyerjen e tavanit e xhamit për gratë—një prioritet i lartë ky për qeverinë tonë. Projekti ka gjeneruar gjithashtu metoda të shumta për të kultivuar një kulturë respekti për aftësinë dhe ekselencën brenda institucioneve tona. Një shembull kryesor është “Harta e Procesit,” një manual gjithëpërfshirës që përshkruan praktikat më të mira të rekrutimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret tona”, tha Kurti.

    Në fund, Kurti i falënderoi përfaqësuesit e projektit dhe ambasadën britanike për kontributin e përkrahjen e tyre si dhe bëri thirrje për më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe meritokraci në procese të ngjashme, për një të ardhme më të ndritur për Kosovën.

  • Stoltenberg: NATO ka rritur ‘vigjilencën’ pas akteve ruse të sabotazhit në disa vende

    Stoltenberg: NATO ka rritur ‘vigjilencën’ pas akteve ruse të sabotazhit në disa vende

    Një varg operacionesh të dyshuara si sabotuese kohët e fundit në vendet aleate e kanë ngritur aleancën ushtarake në gatishmëri.

    NATO e ka rritur “vigjilencën” e saj mes një rritje të “aktivitetit të shërbimit sekret rus” në vendet e saj anëtare, pranoi të martën Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg.

    I pyetur për sabotimet e fundit të dyshuara si ruse dhe tentativat për zjarrvënie në magazina, qendra tregtare dhe magazina në të gjithë vendet e BE dhe NATO, Stoltenberg u përmbajt nga vendosja e drejtpërdrejtë e përgjegjësisë mbi Kremlinin.

    Por ai tregoi qartë se aleanca po i monitoronte ngjarjet dhe nënvizoi rëndësinë e hetimeve penale në nivel kombëtar.

    “Ne kemi parë rritje të aktivitetit të shërbimit sekret rus në të gjithë aleancën, prandaj kemi rritur vigjilencën tonë, kemi shërbimet tona që po monitorojnë nga afër se çfarë po bëjnë rusët,” tha Stoltenberg, i cili do të japë dorëheqjen në tetor pas një dekade në timonin e NATO.

    “Është e rëndësishme që edhe kombet të ndërmarrin veprime (me) arrestimet dhe proceset ligjore që kanë filluar tani në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani, në Poloni dhe në vende të tjera,” shtoi ai.

    “Ne duhet të jemi gati dhe duhet të shkëmbejmë informacionet sekrete (…) për t’iu kundërvënë këtyre llojeve të ndryshme të akteve hibride që synojnë të minojnë aftësinë e aleatëve të NATO-s për të ofruar mbështetje për Ukrainën.”

    Gjatë fundjavës, një raport i New York Times që citon zyrtarë të sigurisë së SHBA dhe aleatëve pretendoi se disa nga sulmet hibride të fundit – veçanërisht tentativat për zjarrvënie – në Evropë ishin vepër e GRU, krahut të inteligjencës ushtarake të Moskës.

    Incidentet përfshijnë përpjekjet e fundit për zjarrvënie në vende anembanë Polonisë, të cilat çuan në arrestimin e nëntë individëve nën dyshimin për sabotim rus të martën e kaluar.

    Duke folur për transmetuesin polak TVN24 javën e kaluar, kryeministri polak Donald Tusk tha se të dyshuarit – shtetas ukrainas, bjellorusë dhe polakë – ishin “angazhuar drejtpërdrejt në emër të shërbimeve ruse në akte sabotazhi në Poloni”, duke përfshirë sulmin fizik, zjarrvënien dhe tentativë për zjarrvënie.

    Tusk tha se sulmet përfshinin një përpjekje për t’i vënë zjarrin një fabrike bojërash në qytetin perëndimor polak të Wroclaw, si dhe incidente të tjera të fundit në Lituani, Letoni dhe potencialisht Suedi.

    Një zjarrvënie e fundit në një magazinë të Ikea në Lituani tani dyshohet se është e lidhur me operacionet e Kremlinit.

  • Beqa: Ndërmjetësimi i lëndës ndaj Bislimit e deputetëve të PDK-së, s’lidhet me mundësinë e koalicionit

    Beqa: Ndërmjetësimi i lëndës ndaj Bislimit e deputetëve të PDK-së, s’lidhet me mundësinë e koalicionit

    Kalimi i lëndës në ndërmjetësim për përleshjen e ndodhur më 13 korrik në vitin 2023 në Kuvendin e Kosovës ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ndërlidhet me një koalicion të mundshëm për zgjedhjet e reja. Kështu ka thënë për EO, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

    Beqa, i cili është i përfshirë në këtë sulm, ka deklaruar se ky propozim ka ardhur nga gjykatësi i rastit, Eroll Gashi dhe se kjo është pranuar nga të gjitha palët.

    “Është procedurë ligjore, na ka informuar gjyqtari i cili ka udhëheqë këtë lëndë, na ka informua me drejtat që i kemi si të akuzuar dhe si të dëmtuar për të gjitha palët dhe ka qenë një dakordim i të gjitha palëve me ia dhënë një shans që të shkohet me ndërmjetësim dhe është mjet ligjor dhe nuk e di çka ka këtu të keqe, kjo ka qenë propozim dhe pajtim i të gjithë palëve në procedure”, u shpreh Beqa.

    Deputeti i PDK-së, ka mohuar kategorikisht se ky rast ndërlidhet me një koalicion të mundshëm me partinë në pushtet. Thekson se kjo parti është e gatshme për zgjedhje, ndërsa kryeministër e sheh kandidatin e tyre, Bedri Hamzën.

    “Nuk ka të bëjë me koalicion ne përkundrazi mendojmë që Kosovës i vyen një Qeveri e re, një kryeministër i ri, i vyen Bedri Hamza kryeministër dhe mendoj që Kosovës u duhen zgjedhje është në interes të qytetarëve. Si Parti Demokratike jemi gati tani për atë arsye edhe kemi pranuar data të zgjedhjeve por nuk po shihet që janë gati partitë tjera përfshirë edhe mazhorancën”, theksoi Beqa.

  • Gërvalla: Serbia përbën rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

    Gërvalla: Serbia përbën rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka takuar homologen e saj në Kanada, Melanie Joly e falënderoi këtë të fundit për mbështetjen që vendi i saj i ka dhënë vendit tonë.

    Në komunikatën e MPJD-së thuhet se Gërvalla e ka njoftuar Jolyn për situatën politike në vend, atë të sigurisë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, që siç i tha Gërvalla sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

    “Ministret Gërvalla dhe Joly diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat”, thuhet në njoftim.

    Në shënim të 25-vjetorit të pranimit të refugjatëve nga Kosova dhe 15-vjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, me qëllim të fuqizimit të miqësisë dhe përparimit të projekteve me interes të përbashkët, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Kanada ka zhvilluar takim me Ministren e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly.

    Gjatë këtij takimi, e shoqëruar edhe nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, pasi e falënderoi për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e saj, Ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, e cila sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore.

    Ministret Gërvalla dhe Joly diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat.

    Në fund të takimit, Ministrja Gërvalla i dhuroi Ministres Joly pullën postare që simbolizon 15-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën.

  • Kurti takohet me Sarrazin në Rezidencën e Rohdes, flasin për Procesin e Berlinit

    Kurti takohet me Sarrazin në Rezidencën e Rohdes, flasin për Procesin e Berlinit

    Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në mëngjes me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

    Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e Sarrazin kanë folur për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.

    “Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Kurti theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor

    “Për kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal, kryeministri e falënderoi z. Sarrazin. Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në fund të njoftimit.