ATV

Author: ATVLive

  • KMDLNj reagon për arrestimin e Tefik Mehmetit, e quan revanshizëm të Serbisë

    KMDLNj reagon për arrestimin e Tefik Mehmetit, e quan revanshizëm të Serbisë

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ) ka reaguar ndaj arrestimit të Tefik Mehmetit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar, ditë më parë, raporton EO.

    Mehmeti u ndalua ditë më parë nga policia serbe nën dyshimin se me 19 qershor 1999 në autodhën Gjilan-Kamenicë ka ndaluar tre policë serbë, si ushtar i UÇK-së.

    “Rasti i është dorëzuar Prokurorisë për krime lufte të Serbisë. Pas arrestimit ishte një reagim kryesisht politik i institucioneve të Kosovës ndonëse deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i informuar qytetarët e Kosovës për rrezikun e të kaluarit nëpër Serbi për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës, në çfarëdo forme. Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë korale, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet MPJD, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

    Sipas KMDLNj-së, qytetarët shqiptarë që po arrestohen nuk kanë asnjë mundësi të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut, as nga Kosova e as nga Serbia, prandaj mungojnë informatat për trajtimin e tyre dhe realizimin e të drejtave të njeriut, si persona të privuar nga liria.

    “Gjithashtu, kanë probleme për sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore. Në anën tjetër, shtetasit e Serbisë që mbahen në qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese vizitohen pa asnjë pengesë nga autoritetet kosovare dhe trajtimi i tyre është 100% në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për persona të privuar nga liria. Duhet të krijohet një mundësi që shtetasit kosovarë që aktualisht janë në burgjet e Serbisë të vizitohen nga monitorues të pavarur sikur që edhe shtetasit e Serbisë që mbahen në burgjet e Kosovës, gjithashtu të vizitohen nga monitorues të pavarur. Në të kundërtën gjithmonë do të krijohet një mundësi dhe hapësirë për spekulime nga pozita e përfitimit politik. Serbia po e shfrytëzon arrestimin shtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb, të dyshuar për krime lufte për të arrestuar dhe keqtrajtuar shqiptarë të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi”, thuhet me tutje në reagim.

    KMDLNj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi dhe të shfrytëzojnë rrugët tjera, sepse Serbia ka mundësi të pakufishme të sajojë prova për kriminalizimin e tyre.

    “Në rrethanat aktuale, asnjë shqiptar që udhëton nëpër Serbi nuk ka siguri se nuk do të keqtrajtohet, gjobitet apo privohet nga liria. Pastaj, ndonëse nuk kanë kryer asnjë vepër penale, duhet të shpenzojnë dhjetëra e dhjetëra mijëra euro për ta rifituar lirinë apo për ta paguar dorëzaninë”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.

  • ​Forumi Ekonomik Kosovë -Turqi, Kurti: Fokus, forcimi i bashkëpunimit për investime

    ​Forumi Ekonomik Kosovë -Turqi, Kurti: Fokus, forcimi i bashkëpunimit për investime

    Për herë të parë po mbahet Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili po zhvillohet në Stamboll. Ky forum mbledh bashkë biznese nga Kosova dhe Turqia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të mundësive për investime. Fillimit të ngjarjes i parapriu një takim bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Tregtisë të Turqisë, Omer Bolat.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke nënvizuar dhe rolin që do ketë ky forum në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

    “Lidhjet tona janë vendosur në një trajektore gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik, me investimet turke të gatshme për të luajtur një rol jetik në zhvillimin e Kosovës. Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë tregtinë, mbrojtjen, teknologjinë dhe industrinë e lehtë. Këtu me ne sot janë dhjetëra kompani të suksesshme nga Kosova, si dhe përfaqësues të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Shoqatës së Përpunimit të Drurit në Kosovë dhe Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve, duke demonstruar potencialin dhe perspektivat investuese që ofron Kosova për investitorët turq”, citohet Kurti në komunikatë.

    Më tej, ai trajtoi dhe zhvillimin e progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit, e ku në vijim u fokusua në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimin proaktiv të tre grupeve të sektorit privat, agrikulturë, industritë dhe sektori i teknologjisë.

    “Kosova krenohet me ekonominë demokratike, të sigurt, të qëndrueshme dhe me treg të hapur, të mbështetur nga partneritetet me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe shumë vende të tjera anembanë botës. E njohur për përparimet e saj në sundimin e ligjit, të drejtat politike, liritë civile dhe demokracinë zgjedhore, Kosova është njohur si vendi më demokratik në Ballkan. Prandaj, Kosova paraqet një destinacion ideal për bizneset turke që kërkojnë të rindërtojnë njësitë e tyre prodhuese në një vend të orientuar kah vlerave demokratike dhe stabilitetit ekonomik”, thotë ai.

    Më pas forumi vijoi me dy panele të diskutimit, njëri mbi mundësitë e investimeve në infrastrukturë, ku si panelistë ishin zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ndërkaq, paneli i dytë, i përbërë nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zëvendësministri i Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj.

  • UEFA publikon formacionin më të mirë të Ligës së Kampionëve

    UEFA publikon formacionin më të mirë të Ligës së Kampionëve

    Real Madridi fitoi titullin e kampionit të Evropës në një finale emocionuese kundër Borussia Dortmundit (2-0), duke e bërë kështu trofeun e 15-të të kësaj gare.

    UEFA të hënën e ka publikuar formacionin e vitit të Ligës së Kampionëve.

  • Pas lajmeve për ndarjen nga Ben Affleck, Jennifer Lopez anullon turneun e saj, zbulohet arsyeja

    Pas lajmeve për ndarjen nga Ben Affleck, Jennifer Lopez anullon turneun e saj, zbulohet arsyeja

    Aktorja dhe këngëtarja e njohur Jennifer Lopez ka anuluar turneun e saj “Live Nation”, mes lajmeve për ndarjen nga bashkëshorti Ben Affleck.

    “Jennifer po merr pushim për të qenë me fëmijët e saj, familjen dhe miqtë e ngushtë,” deklaruan organizatorët e turneut për mediat e huaja.

    Turneu ishte menduar të fillonte më 26 qershor në Orlando, Florida dhe të përfundonte në Hjuston më 31 gusht, ndërsa përsa i përket biletave të shitura organizatorët njoftuan se fansave do iu rikthehen të gjitha paratë.

    Një reagim ka ardhur edhe nga vetë këngëtarja në faqen e saj zyrtare OntheJlo duke iu kërkuar ndjekës fansave të saj për vendimin e papritur.

    Jennifer Lopez dhe Ben prej kohësh janë në qendër të vëmendjes së medias rozë, për shkak të lajmeve se dyshja po pëson një krizë në marrëdhënie.

    Ndonëse çifti ka vendosur që të heshtë në lidhje me këto lajme, një nga të afërmit e tyre tha se Jennifer dhe Affleck duan të kalojnë pak kohë të ndarë, për të parë nëse kjo marrëdhënie është e duhura për të dy.

    “Ata duan të qëndrojnë vetëm për një kohë, për të kuptuar nëse kjo marrëdhënie është e duhura për të dy”, tha burimi për US Weekly.

    Ai shpjegoi gjithashtu se stili i jetesës që secili prej tyre ka zgjedhur nuk përputhet me atë të tjetrit, ndërsa Ben Affleck thuhet se është i “presionuar” nga kërkesat e përditshme të gruas së tij.

    Jennifer Lopez, megjithatë, nuk duket aq e prirur për t’u fokusuar në problemet në marrëdhënien e tyre tani, pasi ajo është e zënë me fillimin e turneut të saj.

    “Ajo është shumë e fokusuar në punën e saj. Detyrimet e saj profesionale gjatë kësaj periudhe janë shtuar”, tha burimi, duke përfunduar.

    Çifti që u martua në vitin 2022, pasi u ribashkuan pas shumë vitesh, tregon se dalëngadalë po i drejtohen sërish drejt divorcit. E ndërsa arsyeja që çoi në ndarjen e tyre atëherë ishte ekspozimi i marrëdhënies së tyre para publikut dhe paparacëve.

  • Dyshohet për helmimin e disa qenve në Prishtinë, Policia në vendin e ngjarjes

    Dyshohet për helmimin e disa qenve në Prishtinë, Policia në vendin e ngjarjes

    Një rast mjaftë i ndjeshëm raportohet të ketë ndodhur në Prishtinë.

    Sipas informacioneve të Lajmi.net theksohet se disa qenë janë helmuar.

    Ngjarja raportohet të ketë ndodhur tek pjesa e njohur si “4 Llullat”.

    Në vendin e ngjarjes tashmë kanë arritur edhe ekipet e Policisë së Kosovës.

    Në lidhje me këtë ngjarje reagime të shumta ka nisur të ketë edhe nga Organizatat për Mbrojtjen e Kafshëve.

    Ende nuk dihet se si ka ardhur deri tek kjo situatë që supozohet të jetë helmim, apo se si janë helmuar qentë në fjalë.

  • Vdesin nënë e bijë në një aksident komunikacioni në rrugën Dragash-Prizren

    Vdesin nënë e bijë në një aksident komunikacioni në rrugën Dragash-Prizren

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Dragash- Prizren

    Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se në këtë aksident ka vdekur një grua dhe vajza e saj e mitur.

    Aksidenti me fatalitet ka ndodhur pak momente më parë, dhe deri në publikimin e këtij lajmi, policia nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare.

  • Deputetja e VV-së: Përveç institucioneve, edhe shoqëria duhet të angazhohet që të përkujdesemi për viktimat e dhunës seksuale

    Deputetja e VV-së: Përveç institucioneve, edhe shoqëria duhet të angazhohet që të përkujdesemi për viktimat e dhunës seksuale

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se i kanë kërkuar Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, që të ketë vëmendje për gjendjen emocionale të grave të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton EO.

    Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ka thënë për Ekonomia Online se një barrë e madhe sa i përket kësaj, i mbetet edhe shoqërisë kosovare që të kontribuojë në këtë aspekt.

    “Është shumë e rëndësishme se përveç atyre kritereve formale që janë të domosdoshme, pra të ketë vazhdimisht vëmendje Komisioni për gjendjen emocionale të viktimës. Kjo është edhe kërkesa jonë, si Komision dhe sigurisht se këtë e kemi diskutuar në të gjitha takimet, mirëpo edhe në anën tjetër edhe ne si shoqëri mendoj që duhet të angazhohemi më shumë në këtë drejtim. Ne folëm edhe për mundësinë që në si institucione të marrim më shumë përgjegjësi dhe të angazhohemi më shumë, më saktë ne si Komision edhe njëherë shprehëm gadishmërinë që të bashkëpunojmë dhe të angazhohemi në mënyrë që të përkujdesemi për këtë kategori”, tha Fejza për EO.

    Deputetja e Vetëvendosjes shtoi se kanë vazhdimisht takime me organizata të cilat punojnë me këto kategori dhe diskutojnë në hollësi për procesin që të zbatohet si duhet.

    “Ne si Komision për të Drejtat e Njeriut, kemi pas takim edhe me organizatat të cilat janë edhe të licencuara, mirëpo edhe me ato që nuk janë të licencuara dhe që punojnë me këto kategori. Bashkë edhe me Komisionin kemi diskutuar në hollësi për procesin i cili ndodh qoftë intervistimit qoftë faza e dorëzimit të dokumenteve, qoftë i gjithë procesi”, tha ajo.

    Një shtytje të madhe që i jepet Komisionit në trajtimin e këtyre rasteve më në detaje dhe në përgjithësi është edhe miratimi i protokollit.

    “Që atëherë kur kemi pas këtë takim, akoma nuk ka qenë i miratuar protokolli, mirëpo tani që është i miratuar protokolli ne insistojmë që ai të zbatohet në përpikshmëri dhe sigurisht së thirrja kërkesa dhe obligimi në fakt përveç thirrjes dhe kërkesës tonë obligimi i Komisionit është që të jenë maksimalisht të kujdesshëm për gjendjen emocionale dhe nga raportimi që kemi marrë ata e kanë parasysh këtë element dhe sigurisht çfarëdo shqetësimi që ne e kemi si deputetë normalisht se e adresojmë tek ta dhe kërkojmë përgjigje dhe informim se qysh ka shku procesi”, tha ajo për Ekonomia Online.

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, të hënën diskutoi me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, rreth numrit të aplikimeve për përfitimin e statusit të personit të dhunuar gjatë luftës.

    Sipas kryetares së këtij Komisioni, Leonora Selmani, deri me tani janë dorëzuar 2 mijë e 83 aplikime, prej tyre 1650 janë pranuar.

  • Opozita thotë se dallimet në mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti janë të dukshme

    Opozita thotë se dallimet në mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti janë të dukshme

    Opozita në vend, e sheh si shpërfaqje të dallimeve që gjithmonë kanë ekzistuar, përplasjen ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, pasi këta të fundit nuk e kontaktuan fare Osmanin kur dërguan letrën në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Sipas tyre, tyre këto dallime tregojnë që ka probleme serioze të funksionimit të shtetit.

    Dallimet ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, opozita i sheh si shpërfaqje të dallimeve që këto institucione kanë ndërmjet vete. Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një prononcim për Radio Kosovën ka thënë se për të janë të habitshme dallimet ndërmjet presidentes dhe ministrisë së Jashtme, pasi siç thotë ai, kompetencat e politikës së Jashtme bien të Presidenca. Ndërkaq, Haziri ka thënë se mosdakordimi institucional, tregon që shteti ka probleme serioze.

    “Ka qenë obligim që Kuvendi dhe Qeveria të koordinohen, në mënyrë që letra e zotimeve që presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri e kanë bërë të jetë një letër më e fuqishme si garanci, si siguri që kanë për t’i zbatuar obligimet, por ndodhi e kundërta. Kjo tregon qartë se ka probleme serioze në kuptim të funksionimit të shtetit dhe shumica prej tyre e kanë Republikën e Kosovës të përkohshme, fatkeqësisht”, ka deklaruar Haziri.

    Sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës, Time Kadrijaj, deri më tani presidentja ka qenë e heshtur edhe përballë gabimeve që sipas saj, i ka bërë kryeministri Albin Kurdi, ndërkaq, ka thënë se reagimet e saj të fundit janë të befasishme.

    “Edhe pse kryeministri Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme, është deshtë presidentja që t’i evidentojë ato të bëma të kryeministrit, por megjithatë ka qëndruar e heshtur dhe tani befasisht po del që po e kundërshton. Do të thotë u shpërfaqen dallimet ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë”, ka deklaruar Kadrijaj.

    Radio Kosova ka tentuar të marrë edhe opinionin e Partisë Demokratike të Kosovës për sa i përket përplasjeve ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë, mirëpo PDK-ja nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

  • Slobodna Dalmacija: Kjo video tregon më së miri se në çfarë është kthyer Serbia

    Slobodna Dalmacija: Kjo video tregon më së miri se në çfarë është kthyer Serbia

    “Nëse mendoni se keni parë gjithçka në jetën tuaj… Dhe më pas vjen kjo video. Një grua e manipuluar dukshëm nga mediat e Vuçiqit, merr ujin e shenjtë dhe bekon billbordet me imazhin e tij. Po, kjo është Serbia sot”, shkruan Slobodna Dalmacija.

    Një grua e varfër mendon se ai është një shpëtimtar, ndërsa Serbia normale ka frikë për të ardhmen e saj për shkak të një diktatori që ka skllavëruar të gjitha mediat dhe po e shtyn vendin nga BE-ja dhe po e shtyn vendin në duart e Kinës dhe Rusisë, shkruan Slobodna Dalmacija.

    “BE-ja, siç thonë analistët, nuk i përshtatet atij, sepse ai do të duhej të futte ligje të shumta në legjislacionin e tij që do ta pengonin atë dhe shokët e tij nga kryerja e grabitjes,” thotë Slobodna Dlamacija.

    @levaobala1970 Država ispranih mozgova🇰🇵🇰🇵🇰🇵🇰🇵🇰🇵🇰🇵🥪🥪🥪🥪🥪. #srbija #sns #vucic #serbia #fyp #foryou ♬ original sound – Lud Na Biber

  • Arrestohet në Shqipëri kosovari që akuzohet për vjedhje në Belgjikë, do të ekstradohet

    Arrestohet në Shqipëri kosovari që akuzohet për vjedhje në Belgjikë, do të ekstradohet

    Policia në Shqipëri ka njoftuar se në aeroportin e Tiranës ka arrestuar një 35-vjeçar kosovar, i cili ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritete belge për veprën penale “vjedhje me dhunë”.

    I arrestuari thuhet se është D.R., banues në Kosovë.

    “I akuzuar nga autoritetet belge, për vjedhje me dhunë, ndalohet në dalje, me qëllim ekstradimin në Belgjikë, 35-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të RSH-së dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional ‘Sundimi i ligjit’, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Gate’, gjatë të cilit shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas ndaluan në dalje, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: D. R., 35 vjeç, banues në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi thuhet se autoritetet belge i kishin caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “vjedhja me dhunë”.

    Sipas njoftimit të Policisë janë duke vazhduar procedurat për ekstradimin tij në Belgjikë.