ATV

Author: ATVLive

  • Shqyrtohet raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës

    Shqyrtohet raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të mblidhet sot.

    Anëtarët e këtij komisioni do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

    Ky komision po ashtu do t’i formojë grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.

    Sipas njoftimit të zyrës për informim të Kuvendit të Kosovës në rendë ditë, ndër të tjera, pra janë edhe: “Formimi i grupeve të punës për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë; Shqyrtimi i Raportit vjetor i Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) për vitin 2023”.

  • Osmani e uron presidenten e parë grua në Meksikë: Shpresoj për një mundësi bashkëpunimi të zgjeruar mes vendeve tona

    Osmani e uron presidenten e parë grua në Meksikë: Shpresoj për një mundësi bashkëpunimi të zgjeruar mes vendeve tona

    Claudia Sheinbaum, shkencëtare për klimën dhe kolege e afërt e presidentit popullor në largim, Andres Manuel Lopez Obrador, i fitoi një shumicë dërrmuese votash zgjedhjet, duke u bërë presidentja e parë grua e Meksikës.

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka uruar presidenten e sapozgjedhur duke shpresuar se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim me Kosovën.

    “Urime Presidentes së zgjedhur në zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Meksikës. Në një botë që përballet me shumë sfida, është frymëzuese të shohësh më shumë gra që marrin role udhëheqëse. Shpresoj se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim të zgjeruar mes vendeve tona”, ka shkruar Osmani.

  • Jasharaj: Kurti do mbahet mend si armik i sindikatave

    Jasharaj: Kurti do mbahet mend si armik i sindikatave

    Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tha se Qeveria e Kosovës bën çdo luftë ta shkatërrojë SBASHK-un dhe se Kryeministri Albin Kurti do të mbahet mend si armik i sindikatave.

    “Le t’i bëjë edhe 30 lufta. SBASHK-u do të jetojë se ka jetu në vite të tmerrshme në vitet ’90-ta. Aty e kemi na fillin e unitetit dhe këto vitet e pasluftës që kemi ra në shoshë e në sitë. Ne nuk e kemi pas të lehtë as në kohën e Ramush Haradinajt, kemi ba një grevë tri-javore. Por, asnjë sulm publik nga Qeveria madje as nga Facebook nuk e kemi pas. Në këtë Qeveri, shaj Qeveria, mëshoi Qeveria, nxiti Facebook-at dhe unë po them që Kurti për mua dhe SBASHK-un do të mbahet mend si armik, si luftëtar kundër sindikatave në Kosovë”, tha Jasharaj.

    Në “Tempus”, Jasharaj tha se ata dhe sindikatat tjera më të vogla po goditen vazhdimisht. Ndërsa, goditje të rëndë e cilësoi obligimin për regjistrimin e sindikalistëve në platformën e-Kosova.

    “Jemi goditur edhe ne, po goditen rëndë e goxha vështirë që të mbesin në këmbët e tyre iu ka ndodhur sindikatave numerikisht më të vogla. Ato buxhetin e kanë pasur të akumuluar shumë pak ngase edhe hyrjet e tyre buxhetore kanë qenë shumë modeste, e kur janë ndërprerë ato me aq pak para nuk kanë mundur me mbajtë as një zyre”, tha Jasharaj.

    Ai tha se fati i SBASHK-ut ka qenë që kishin numër të konsideruar të anëtarëve.

    “Para këtij sulmi të zotëri Muratit ne kemi pasur 26 mijë anëtarë, të gjithë e kanë pagu kuotën e cila te na me statut është 05 në pagën bazë dhe kjo krijonte goxha buxhet dhe për inat të Muratit e publikisht e kemi thënë se edhe po të na ndodhte 7 vite të mos kishim asnjë të hyrë nga kuota, ne do t’i mbanim të gjitha aktivitetet edhe me pushimet në deti edhe të gjitha”, tha Jasharaj.

    Kryetari i SBASHK-ut thotë se kishin kujdes me buxhet dhe po ashtu kishin buxhet të akumuluar, pasi kishin anëtarë shumë dhe e paguan kuotën.

    Pavarësisht të gjithave, ai tha se kishin arritur ta krijonin një buxhet që është i mirë për rrethanat në të cilat është Kosova.

    “Murati duke e parë këtë dhe madje kemi pas rastësisht një takim te Murati me sponsorizimin e kryetarit të kolegut që është i Doganave sepse ata i kanë marrëdhëniet më të mira sepse shteti ynë i ka sytë në Dogana dhe e bëri hatri i atij. Ata u ankuan çka na bëri me këtë, ai e tha, i plasi pak barku, ‘këqyreni pak SBASHK-un’ se ai gjithmonë ka këqyrë pak me një sy te tjerët, me dy sy te na. Dhe çka ndodh e keqja tjetër, goditja tjetër që s’mund ta quaj ndryshe veç pafytyrësi, se kur e pa që po mbërrijnë na me kthy numrin sepse është besimi tash e kanë bërë një stil tjetër, një pjesë goxha të madhe diku 1 mijë anëtarëve që neve na i bijnë vërtetimet nga e-Kosova që janë regjistruar, që në lista të pagave ju shënohet, nuk ndalen në Thesar. Domethënë ne jemi të goditur edhe me një goditje tjetër”, tha Jasharaj.

    Jasharaj tha se tani janë mbi 19 mijë anëtarë, ndërsa thekson se nuk ka tërheqje përveç në rastet e pensionistëve që largohen nga listat. Ai tha se pret që ky numër të rritet.

    I njëjti shtoi se e-Kosova nuk i pranon mësimdhënësit që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Sot Dita Botërore e Sportit dhe Ambientit, parashihen aktivitete

    Sot Dita Botërore e Sportit dhe Ambientit, parashihen aktivitete

    Sot është Dita Ndërkombëtare e Sportit dhe Ambientit.

    Në nderim të kësaj dite, Komiteti Olimpik i Kosovës do të organizojë aktivitete sportive në ambientet e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë.

    Ndërkaq, më vonë, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, do ta bëjnë mbjelljen e pemës olimpike 2024.

  • FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. FMN vlerëson po ashtu se ekonomia e Kosovës vazhdon të performojë mirë, përkundër një mjedisi sfidues.

    “GDP reale, rritja u moderua në 3.3 për qind në vitin 2023 mes kërkesës së jashtme të frenuar dhe parashikohet të përshpejtohen në 3.8 për qind në vitin 2024, e nxitur nga kërkesa e brendshme. Inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm, duke arritur në 2 për qind nga viti në vit në tremujorin e parë të 2024”, thuhet në njoftimin e FMN-së për Kosovën.

    Më tej thuhet se politikat fiskale, me një deficit të përgjithshëm fiskal prej 0.2 për qind të PBB-së në vitin 2023, duke reflektuar të forte mbledhjen e taksave. Sipas këtij institucioni, deficiti i përgjithshëm parashikohet të zgjerohet në rreth 1½ për qind të PBB-së në vitin 2024.

    Bo Li, zëvendës drejtor Menaxhues dhe ushtruesi i detyrës së Kryesuesit të Bordit, ka deklaruar se autoritetet e Kosovës vazhdojnë të avancojnë programin e tyre ekonomik dhe strukturor.

    “Fuqizimi i mëtejshëm i menaxhimit të investimeve publike mbetet kyç”, thuhet në deklaratën e tij. Po ashtu thuhet se vlerësimi i parë kreditor sovran i Kosovës është një zhvillim pozitiv që mund të ndihmojë në tërheqjen e investitorëve të rinj të huaj.

  • Kurti viziton kompaninë e dronëve Bayraktar

    Kurti viziton kompaninë e dronëve Bayraktar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e vazhdon vizitën e tij në Turqi, derisa po vazhdon dhe takimet me krerë të shtetit atje.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i ekzekutivit ka ndarë pamje nga takimi me vëllëzërit Bayraktar, Haluk dhe Selçuk, ku ka shkruar se është mirëpritur në ambientet e kompanisë ‘Baykar”, për të cilën tha se është pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit.

    “Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeministri Kurti.

    Postimi i plotë:

    Baykar është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë.

    Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

    Aty pashë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma.

  • Bella dhe Gigi Hadid dhurojnë 1 milion dollarë për të ndihmuar Gazën

    Bella dhe Gigi Hadid dhurojnë 1 milion dollarë për të ndihmuar Gazën

    Motrat e famshme supermodele Bella dhe Gigi Hadid, me origjinë palestinezo-holandeze, kanë dhuruar një milion dollarë për organizatat humanitare që ofrojnë ndihmë për fëmijët dhe familjet e prekura nga konflikti në Gaza, njoftoi përfaqësuesi i tyre.

    Organizatat që marrin paratë janë “Heal Palestine”, “Palestine Children’s Relief Fund”, World Central Kitchen dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNRWA), raporton BBC.

    Shërbimi Publik Britanik raporton se babai i motrave është manjati palestinez i pasurive të paluajtshme Muhammad Anwar Hadid dhe se ato kanë shprehur më parë mbështetje për njerëzit e prekur nga konflikti.

    Në maj, Bella Hadid njoftoi në Instagram se ndihej “e shkatërruar nga viktimat palestineze dhe mungesa e ndjeshmërisë nga qeveritë botërore ndaj tyre”.

    Donacionet pasojnë një seri fotografish të Bella Hadid në Festivalin e Filmit në Kanë muajin e kaluar, ku ajo u shfaq në tapetin e kuq me një fustan të kuq dhe të bardhë – një veshje tradicionale arabe e lidhur me kulturën palestineze, sipas BBC.

  • Mbahet mbledhje komemorative për aktivistin e të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Mbahet mbledhje komemorative për aktivistin e të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Ish-kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe avokuesi për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci ka vdekur në moshën 68-vjeçare.
    Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur mbledhje komemorative për nder të Vatovcit.

    Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë gjatë mbledhjes tha se ky qytetet ka humbur një aktivist të pashoq.

    “Qyteti i Vushtrrisë humbi një aktivist të pashoq që gjithë jetën u angazhua për avancimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Puna e tij, do ta bëjë që emri i tij do të përmendet gjithherë me krenari” – tha kryetari Idrizi.

    Siç ka njoftuar, djali i Agim Vatovcit, Egëzon Vatovci, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 03.06.2024.

  • Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë

    Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka folur për forcimin e sundimit të ligjit dhe përgatitjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, por ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë pa ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Pas një takimi me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi në përputhje me standardet e KiE, Rohde tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në KiE sa më parë.

    “Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Europës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, shkroi Rohde në “X”.

  • Filluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian, votimet e para në Estoni

    Filluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian, votimet e para në Estoni

    Zgjedhjet për Parlamentin Evropian nisën me votim online në Estoni, nga ora 9 e mëngjesit, ndërsa prej mesditës votimi filloi edhe duke shkuar personalisht në qendrat e votimit, shkruan Politico dhe thekson se deri në orën 11:30 kanë votuar rreth 5.000 votues, transmeton Paparaci.

    Ditët zyrtare të zgjedhjeve janë 6-9 qershor, ku qytetarët në shumicën e shteteve anëtare votojnë të dielën, më 9 qershor.

    Fillimi i votimit në Estoni nuk ishte pa probleme, pasi disa shfletues (Browser) bllokuan aplikacionin e nevojshëm për votim.

    Partia Atdheu e ish-ministrit të jashtëm Urmas Reinsalu ka udhëhequr në sondazhet e opinionit publik gjatë gjashtë muajve të fundit, duke kundërshtuar masat e “politikës së gjelbër” dhe duke kërkuar mbikëqyrje më të madhe të ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore që lidh Baltikun me Poloninë.