ATV

Author: ATVLive

  • OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Zvarritje të seancave, numër të madh të atyre joproduktive, mangësi e mungesë resursesh, janë vetëm disa prej gjetjeve të Misionit të OSBE-së mbi monitorimin e proceseve gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Këto rezultate dalin nga monitorimi i 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit që Misioni ka monitoruar në periudhën nga viti 2021 deri 2024.

    Gjithashtu, raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur edhe shkallë të lartë të lirimit nga aktakuza, derisa ka mungesë të besimit në institucionet e drejtësisë.

    “Në Kosovë ekipi ynë i monitorimit dhe gjykimeve ka monitoruar drejtpërsëdrejti 52 çështje, ku janë përfshirë gjithsej 670 seanca dëgjimore në periudhën ndërmjet korrikut 2021 dhe marsin 2024. Ishin 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 14 raste të krimit të organizuar. Raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur, po ashtu, edhe në shkallë të lartë të lirimit nga akuzat”, tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

    Kritika për sistemin e drejtësisë pati edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili tha se Kosova vazhdon të përballet me stërzgjatjen e rasteve gjyqësore.

    Drejtësia e vonuar është drejtësi e vonuar, Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që përfshin të gjithë sistemin e drejtësisë në Kosovë, gjykata, këshillin gjyqësor, këshillin prokurorial, pra të gjitha palët dhe inkurajoj këto institucione që të zbatojnë rekomandimet e renditura në këtë raport”, tha Szunyog.

    Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur rekomandimet e raportit, teksa shtoi se në programin e qeverisë 2021-2025, objektivë strategjike është luftimi i krimit dhe korrupsionit.

    “Meqë edhe objektivi i këtij raporti ka qenë që të vlerësohet efektiviteti i reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht dhe rekomandimet janë në kompetencë të adresimit dhe përmbushjes nga ana e institucioneve përgjegjëse, pra të sistemit të drejtësisë, më lejoni të shpreh gatishmërinë por edhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim në të gjitha fushat brenda kompetencave tona adresimin e këtyre rekomandimeve”, tha Haxhiu.

    Sidoqoftë, raporti përmbante edhe pika pozitive në lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç është miratimi i strategjisë dhe miratimi i planit për luftimin e korrupsionit 2020-2024.

  • Kryetaret e komunave takojnë presidenten

    Kryetaret e komunave takojnë presidenten

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pas fjalimeve hyrëse që u lejuan të xhiroheshin, për tri orë, me dyer të mbyllura, presidentja Vjosa Osmani diskutoi me disa prej kryetarëve të komunave.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, Osmani tha se në fokus ishte mundësia e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës në baza gjinore, si dhe për mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta.

    “Falënderoj të gjithë kryetarët për zotimin e përbashkët i cili u miratua sot unanimisht që të bashkëpunojmë në mënyrë që ta eliminojmë dhunën në baza gjinore, të bashkëpunojmë që të ofrojmë sa më shumë shërbime dhe përkrahje për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha Osmani.

    Por, për ta bërë këtë, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, Ligji për Financat Lokale, duhet të ndryshohet e plotësohet.

    “Është çështja e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Financat Lokale, nga e cila do të derivojë edhe granti specifik për çështjet sociale dhe çështjet familjare, që është adresë pikërisht e trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën, sepse pikërisht këto çështje janë adresë e një gjysmë përgjegjësie të Qendrave për Punë Sociale. Nuk mund të ketë adresim por edhe përgjigje adekuate pa sigurim të buxhetit shtesë dhe pa miratimin e këtij ligji”, tha Aliu.

    Kërkesa e kryetarëve për më shumë financa, u mbështet nga e para e shtetit.

    “Natyrisht që për realizimin e shumë prej tyre, shumë prej këtyre zotimeve, nënkupton edhe buxhet shtesë dhe natyrisht që i përkrah komunat në këtë kërkesë të tyre, edhe për sa i përket stafit në qendrat për punë sociale por edhe për aspektetë tjera që kanë të bëjnë me pavarësimin financiar të viktimave të dhunës”, tha Osmani.

    Temë tjetër gjatë diskutimeve, u tha të ketë qenë edhe bashkëpunimi ndërinstitucional për promovimin e turizmit në Kosovë.

  • “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian zgjedhjet e brendshme këtë javë, dhe periudha deri në finalizimin e ndryshimeve në përbërje, nuk e pengojnë punën e Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    Pa treguar nëse do të ketë zgjatje të mandatit, përtej gushtit, zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh tha se emisari Lajcak do të vijojë punën zakonshëm.

    “Aktualisht mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun z. Lajçak është aktiv, dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kështu që, ai është plotësisht i angazhuar në ndërveprime me partnerët, si në rajon, në BE dhe në skenën ndërkombëtare, duke u përpjekur që t’i çojë gjërat përpara dhe t’i ndihmojë palët në zgjidhjen e çështjeve një nga një, me prioritet zbatimin urgjent të së ashtuquajturës Marrëveshja e Ohrit”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Por, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri, nuk tregoi nëse do të ketë takim të ri në Bruksel, lidhur me ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së te komuniteti serb, para datës kur ata supozohet të marrin pagesat e radhës nga Serbia.

    “Ne njoftojmë për çdo takim që lidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sipas rrethanave. Në këtë moment, nuk kemi ndonjë njoftim për të kuptuar”, tha Stano.
    Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar, pritet që Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, javën e ardhshme, t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së raportin lidhur me heqjen eventuale të masave ndaj Kosovës.

    Finalizimi i raportit, me vlerësime dhe rekomandime, ishte vonuar për shkak të aksionit të 20 Majit, në katër komunat në veri, për mbylljen e filialeve të Bankës Kursimore Postare të Serbisë dhe konfiskimin e miliona dinarëve dhe eurove.

    Si rrjedhojë dokumenti nuk ishte gati për takimin Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së më 27 Maj. Ministrat e Jashtëm të unionin mblidhen sërish më 24 Qershor.

  • “Përgjigjja është libri”, nis edicioni i 24 i panairit të librit

    “Përgjigjja është libri”, nis edicioni i 24 i panairit të librit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Për pesë ditë radhazi, Pallati i Rinisë në Kryeqytet do të jetë vendtakim për shumë dashamirë të librit.

    Edicioni i 24-t i Panairit të Librit nisi të mërkurën, me moton “Përgjigjja është libri”.

    Sivjet marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, me mbi dy mijë tituj.

    Organizatorët sivjet i presin rreth 40 mijë vizitorë.

    “Sot puna e netëve të vona e redaktorëve e mundi i madh i botuesve është materializuar në mjetin magjik të quajtur libër afrohet te lexuesi”, tha kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli.

    Ky organizim tradicional, u cilësua si nga më të bukurit në Kosovën e pasluftës.

    “Ne pas pak ditësh e festojmë 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë, ndërsa 24 vjet panairi i librit një përkushtim i jashtëzakonshëm edhe po besoj që titujt e rinj që i janë shtuar tregut të librit në vendin tonë, janë një mundësi shtesë jo vetëm sa është panairi i hapur por edhe për lexuesin që të kenë mundësi të reja dhe të lexojnë edhe autorë të vendit, por edhe të njohur nga bota të përkthyer”, tha Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës.

    “Është një mundësi për të mbështetur talentet e rinj ta shfrytëzojmë këtë moment për të lexuar më shumë dhe ndarë njohuritë tona”, tha drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi.

    Edhe sivjet, sikur në 21 edicione radhazi, vend në panair zunë edhe botimet akademike të shtëpisë botuese të Kolegjit AAB, me rreth 120 tituj.

    Për vizitë këtu erdhi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, që ndau dedikime për librin e tij “Ora e Kosovës”, që prezantohet në tezgën e AAB-së.

    “Shtëpia botuese këtë vit ka 120 tituj librash, 80 prej tyre i kemi të ekspozuara…”, tha Urim Sallauka, përfaqësues i Shtëpisë Botuese të Kolegjit AAB.

    I ftuari i nderit i këtij edicioni ishte shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots.

    Panairi i Librit organizohet në bashkëpunim nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

  • Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Sallat e kolegjit më të madh jopublik në vend u mbushën plot me maturantë nga e gjithë Kosova.

    Këta maturantë pritet të tregojnë rezultate më të mira në provimin shtetëror të maturës, falë kurseve falas që organizoi Kolegji AAB.

    Këta nxënës që tashmë kanë përfunduar klasën e 12-të, mësime morën për Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Matematikë.

    Me po kaq rëndësi të madhe organizimin e kurseve po e shohin edhe vetë studentët e ardhshëm, që pas pak ditësh do t’i nënshtrohen testit të maturës.

    Këtë vit numri i nxënësve pjesëmarrës do të jetë mbi dy mijë.

    Kurset përgatitore për maturantët, po mbahen edhe në degët e tjera të kolegjit AAB, në Ferizaj e në Gjakovë.

  • Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për Prokurorinë Speciale nuk ka asnjë dyshim që Caslav Joliq është fajtor për krime lufte në Komunën e Istogut.

    Të mërkurën gjatë fjalës përfundimtare, PSRK-ja ndër të tjera vuri theksin te dëshmitë e të dëmtuarve në këtë rast, Zef Malësia, Nexhmedin Curraj e Naim Ferati.

    Gjendja faktike e prezantuar gjatë gjykimit që u zhvillua në Gjykatën e Prishtinës, sipas PSRK-së, tregon qartë se ish-polici serb kreu krimet për të cilat akuzohet.

    Morina, duke marrë shembull standardet e vendosura nga Tribunali i Hagës, shprehu bindjen se lëndimet që i morën, sipas tij, të dëmtuarit nga i akuzuari janë të rënda.

    Sipas Morinës, teoria e mbrojtjes gjatë këtij gjykimi bie në kundërshtim me provat.

    Por mbrojtja e cila pretendon në pafajësinë e Jolliqit, vuri në dyshim kredibilitetin e të dëmtuarve, çka nxiti edhe reagimin e Prokurorisë.

    Jolliq, gjykimi ndaj të cilit nisi në dhjetor të 2022, akuzohet se gjatë periudhës janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në Komunën e Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer krime lufte, duke rrahur, e keqtrajtuar civilë shqiptarë.

  • Sabri Fejzullahu publikon këngën e re “Dashni”

    Sabri Fejzullahu publikon këngën e re “Dashni”

    Legjenda e muzikës shqipe, Sabri Fejzullahu ka lansuar projektin e ri muzikor.

    Kënga i është dedikuar të gjithë çifteve që do ta kurorëzojnë dashurinë me martesë.

    “Dashni” është lansuar me një videoklip dhe të plotë mund ta dëgjoni në linkun më poshtë.

    Kujtojmë që Sabriu është njëri nga këngëtarët më të kërkuar nga publiku.

  • Renovimi i QMF-së në “Kalabri”, pacientët drejtohen në atë të “Dardanisë”

    Renovimi i QMF-së në “Kalabri”, pacientët drejtohen në atë të “Dardanisë”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në nëntor të 2023-tës, me vendim të Komunës së Prishtinës, filluan renovimet në disa Qendra të Mjekësisë Familjare.

    Ndërkaq, brenda kësaj jave, renovimet kanë filluar edhe në QMF-në e Lagjes “Kalabria”.

    Shërbimet mjekësore, banorët e këtyre dy lagjeve po i marrin në QMF-në në Dardani. Mirëpo, sipas tyre, stafi mjekësor nuk po i merr shpeshherë parasysh.
    “Pak më herët isha në QMF në Dardani për një shërbim mjekësor, por më kthyen mbrapa, pasi punëtorët më thonë se nuk munden të më ofrojnë shërbime pasi që nuk jam banor i Dardanisë, domethënë shkova kot, e këtu shumë keq që është mbyllur QMF-ja vetëm për renovime, sepse këtu ka fëmijë të sëmurë, të moshuar”, tha Armend Metaj, pacient.

    “Në QMF në Dardani isha po nuk kishte as staf mjekësor, pra mjekët nuk ishin aty për të na ofruar shërbime mjekësore, i njëjti hall ka qenë edhe në Kalabri”, tha Muhamet Metaj, pacient.

    Mirëpo, ankesat e pacientëve prapa kamerave i kanë mohuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani.

    Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, e ka konfirmuar për ATV-në, se ekziston marrëveshja me punëtorët shëndetësorë në QMF të Dardanisë, që derisa të përfundojnë renovimet në objektin në Kalabri, banorët të trajtohen aty.

    Sidoqoftë, sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Prishtinës ka një kontratë 3-vjeçare me një kompani private për të realizuar renovime në të gjitha Njësitë e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

  • Osmani kërkon nga komunat kontribut më të madh për eleminimin e dhunës mbi baza gjinore

    Osmani kërkon nga komunat kontribut më të madh për eleminimin e dhunës mbi baza gjinore

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga komunat e Kosovëë të japin kontribut më të madh për të eleminuar dhunën mbi baza gjinore.

    Vjosa Osmani në takim me Këshillin e Kryetarëve të Asociaionit të Komunave tha se është e domosdoshme që viktimat e dhunës mbi baza gjinore të jenë të përkrahura nga niveli lokal.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se parkrah kërkesën e komunave për buxhet shtesë që të rritet siguria në qendrat për punë social.

    Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, kritikoi qeverinë për mungesë bashkëpunimi, pasi tha se kërkesat e tyre nuk po trajtohen.

    Pas fjalimeve hyrëse takimi i presidentes Osmani me kryetarët po vazhdon i mbyullur për media.

  • LDK dhe PSHDK arrijnë marrëveshje, do të garojnë me një listë zgjedhore

    LDK dhe PSHDK arrijnë marrëveshje, do të garojnë me një listë zgjedhore

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të garimit me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës për garën e ardhshme për zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka theksuar se ky bashkëpunim është i zgjatur për 34 vitet e kaluara dhe frytet e një bashkëpunim të tillë lidhen me të gjitha arritjet historike të popullit të Kosovës për këto tre dekada e gjysmë.

    “Sot së bashku me bashkëpunëtorët e LDK-së e nënshkruam marrëveshjen e garimit të përbashkët mes LDK-së dhe PSHDK-së në garën e ardhshme për zgjedhje parlamentare në Republikën e Kosovës. Ndjehemi të gjithë mirë, sepse është një ditë e veçantë për LDK-në, por edhe për bashkimin e madh të spektrit të djathtë brenda listës zgjedhore së LDK-së. Për bashkim është natyror, është autokton, origjinal i LDK-së, është një bashkëpunim i zgjatur për 34 vitet e kaluara dhe frytet e një bashkëpunim të tillë lidhen me gjitha arritjet historike të popullit të Kosovës për këto tre dekada e gjysmë”, tha Abdixhiku.

    I lumtur me këtë bashkëpunim është shprehur edhe kryetari i PShDK-së, Zef Morina, i cili ka thënë se për këtë parti sot është ditë feste. Ndërsa ka shtuar se presin fitore në zgjedhjet e ardhshme.

    “Sot veç e vazhduam bashkëpunimin me LDK-në, bashkëpunim i cili është qe 30 vite. Ka filluar me presidentin Rugova dhe po vazhdon me kryetarin Abdixhiku. Për PShDK-në është një festë sot, sepse do të jetë një ringritje për demokristianët, dhe PShDK dhe LDK si parti të djathta duhet të ecin bashkë përpara, fitore e jona gjithsesi do të jetë e arritshme me LDK-në, shpresojmë të kemi fitore”, ka thënë Morina.