ATV

Author: ATVLive

  • ​Rama uron kosovarët për ditën e çlirimit, falënderon përkrahësit e PS në 33 vjetorin e lindjes

    ​Rama uron kosovarët për ditën e çlirimit, falënderon përkrahësit e PS në 33 vjetorin e lindjes

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka shprehur falënderim e mirënjohje për simpatizantët e Partisë Socialiste në 33 vjetorin e lindjes së saj.

    Ndër të tjera Rama ka uruar edhe popullin e Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Mirëmëngjes me një përqafim çdonjërit prej 93 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste në këtë 33 vjetor të lindjes së saj, si edhe me një falënderim plot mirënjohje për simpatizantët e zgjedhësit që e kanë bërë partinë tonë forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore, si edhe gjithashtu me një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

    25 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

  • Clintoni kujton 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Osmani e falënderon

    Clintoni kujton 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Osmani e falënderon

    Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton i cili pati rolin kyç në ndërhyrjen e NATO-së për të ndal gjenocidin në Kosovë, ka kujtuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë.

    Clinton ka publikuar një video në platformën “X” në të cilën flet për ndërhyrjen e NATO-së, ndërsa ka kujtuar 25 vjet paqe në Kosovë.

    “Sot po falënderoj për 25 vjet paqe në Kosovë”, ka shkruar Clinton.

    Këtë postim e ka shpërndarë edhe presidentja Vjosa Osmani.

    ““…dhe Republika e Kosovës ju falënderon, zoti President, që e keni bërë të mundur këtë paqe”, ka shkruar ajo në Tëitter”, ka shkruar Osmani.

  • Hajdari: Roli i Avokatit të Popullit të mos involvohet në procedura gjyqësore

    Hajdari: Roli i Avokatit të Popullit të mos involvohet në procedura gjyqësore

    Zëvendësavokati i Popullit të Kosovës, Niman Hajdari, ka thënë për EO se numri i ankesave nga qytetarët ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të parashtruara te Avokati i Popullit janë një numër shumë i vogël, mirëpo pavarësisht kësaj ankesat e qytetarëve janë proceduar tutje për shqyrtim nga institucionet ligjore.

    “Sipas ligjit aktual, ne jemi palë të cilës qytetarët mund të ia drejtojnë ankesën e tyre kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, numri i ankesave të parashtruara te avokati i popullit është i vogël, megjithatë ne çdo rast sa herë që kemi pranuar ankesa nga qytetarët ashtu siç parasheh ligji ne menjëherë i kemi proceduar tutje për shqyrtim të metejm të autoritetet kompetente qofshin ato gjykata apo prokurori ose KGJK ose KPK”, ka thënë Hajdari.

    Ndërsa në ndryshim plotësimin e ligjit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, Hajdari tha se roli i Avokatit të Popullit, të mos involvohet në procedura gjyqësore për të cilat ligji ia parasheh të mos ndërhyjë.

    “Roli i avokatit të popullit në këtë ligj, në këto procedime të jetë në pajtim me ekspertizën e dhënë nga mekanizmat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Europës por edhe të Komisionit të Venedikut në mënyrë që Avokati i Popullit të mos involvohet në procedura të cilat nuk janë në pajtim me natyrën e funksionimit të institucioneve e sidomos në procedura gjyqësore për të cilat vetë ligji për Avokatin e Popullit parasheh se Avokati i Popullit mund të ndërhyjë vetëm në një rast jo të ndërhyjë në kuptimin e pengimit të procedurës apo vlerësimit të procedurave në Gjykatë”, u shpreh ai.

    Hajdari shtoi se Avokati i Popullit përmes raportit vjetor e njofton Kuvendin për rrjedhën e punës së sistemi gjyqësor në total.

    “Në raste kur ka zvarritje të dukshme për trajtimin e një çështje gjyqësore dhe rasti tjetër është kur avokati i popullit nëpërmjet raportit vjetor ose raporteve tjera e njofton Kuvendin e Republikës për mbarëvajtjen dhe mbarë funksionomin e sistemit gjyqësor në përgjithësi, por pa u futur në raste konkrete”, u shpreh Hajdari.

  • Moti sot me diell, temperaturat deri në 33°C

    Moti sot me diell, temperaturat deri në 33°C

    Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku kryesisht në veri të vendit pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Si pasojë e pluhurit Saharian, në ato zona ku ka të reshura do të jenë të përziera me baltë.

    Era do fryjë nga kuadrati i perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 16-58 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 33°C.

  • Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rolin e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, udhëheqës i së cilës ishte Adem Demaçi.

    “Zyra e Adem Demaçit në Prishtinë ka qenë përfaqësuese legjitime nën okupim në Prishtinë, politike e UÇK-së. Kanë qenë raporte ditore, kanë qenë njerëz këshilltarë të zotit Demaçi, me mua personalisht rutinë ditore kemi pasur kontakte dhe kemi koordinuar atë që është dashur me qenë e koordinuar. Normalisht që ne nuk kemi pasur pse t’i informojmë këshilltarët apo dikë në zyrë, jashtë strukturave operative të ushtrisë, për numrin, saktësinë e armëve e këto, por ka pasur shumë elemente që ne kemi biseduar dhe e kanë kryer punën e tyre me sukses të mirë”, tha Mustafa.

    Ai tregoi se gjatë asaj kohe, kishte pasur kontakte edhe me Albin Kurtin, i cili ishte Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.
    Mustafa thotë se me Kurtin kanë pasur kontakte edhe përmes telefonit, por edhe kontakte të drejtpërdrejta.

    “Nuk do t’i shpjegoj më tutje, por e di që ka qenë zyrtarisht element i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra ka qenë udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, baci Adem Demaçi ka qenë drejtor i kësaj drejtorie. Ne e kemi numëruar si instrument tonin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi këmbyer ato punë që është dashur të këmbehen me ata. Unë personalisht kam pasur fatin të bashkëpunoj më shumë nga njerëzit e Adem Demaçit, duke shkuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm bashkë me ta”, tha Mustafa. /atvlive.tv

  • Anulohet vizita e Bernard Kouchner në Kosovë

    Anulohet vizita e Bernard Kouchner në Kosovë

    Komuna e Prishtinës njoftoi se vizita e Bernard Kouchnerit në Kosovë është anuluar.

    Në komunikatën për media u tha të hënën se vizita është anuluar “për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner”.

    “Ju njoftojmë se vizita e Dr. Bernard Kouchner në Kosovë, dhe të gjitha ngjarjet e planifikuara për datën 11 qershor 2024 janë anuluar. Vizita është anuluar për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner. Posa të ricaktohet data e vizitës do t’ju informojmë në kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.

  • 10 muaj kohë për listën e barnave, MSH-ja e anuloi

    10 muaj kohë për listën e barnave, MSH-ja e anuloi

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Afro 10 muaj iu deshën Ministrisë së Shëndetësisë që ta formulojë listën e çmimeve të barnave, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për produkte medicinale.

    Por e gjithë puna e Komisionit për çmimet e produkteve që u angazhua për këtë, u hodh poshtë nga Ministria e Shëndetësisë e cila e anuloi atë.

    Për tërë këta muaj dështim, një ish-ministër i shëndetësisë thotë se dikush duhet të japë llogari.

    “Ministria, qeveria, ministri i shëndetësisë të ndikuar nga interesat e mafias farmaceutike kanë dështuar në realizimin ligjor të vendosjes së pragut, ose nivelimit të çmimit të barnave. E para ka dështuar në implementim të ligjit duke shkelur afatet dhe e dyta duke krijuar një komision që ka ndjekur të njëjtën vijë të interesit”, tha Armend Zemaj, ish-Ministër i Shëndetësisë.

    Me listën preliminare që ishte propozuar, qytetarët do të paguanin njësoj, por shumë më shtrenjtë se çmimet aktuale, andaj tash gjithçka do të nisë nga fillimi.

    “Gjithçka duhet të rishikohet sepse ajo çfarë është parë, është parë me shumë shkelje dhe mbrojtje e interesave klienteliste dhe të cilat do ta rëndonin edhe më shumë koston dhe xhepin e varfër të pacientit dhe qytetarit”, tha Zemaj.

    Kësisoj qytetarët do të vazhdojnë edhe për një kohë që për barnat e njëjta të paguajnë çmime të ndryshme nëpër barnatore.

    Disa prej tyre nuk pajtohen me çmimet që shiten.

    Ndryshe, ligji për produktet medicinale, që ndër të tjera nivelon dhe çmimin e barnave, ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar.

  • Akuzoi se keqtrajtoi civilë gjatë luftës, Caslav Joliq shpallet fajtor

    Akuzoi se keqtrajtoi civilë gjatë luftës, Caslav Joliq shpallet fajtor

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga Komuna e Istogut, Nexhmedin Curri të hënën erdhi në Gjykatën e Prishtinës.

    Por, nga aty tha se doli i lehtësuar që 25 vjet pas luftës drejtësia u bë, ndonëse sipas tij, jo mjaftueshëm, kur dëgjoi se Casllav Jolliq u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit.

    Trupi gjykues i kryesuar nga Musa Kongjeli, ia shqiptoi Jolliqit tetë vjet burgim.

    Ata i falën besimin edhe dëshmisë së Currit, i cili sipas aktakuzës u keqtrajtua fizikisht nga Jolliq.

    Gjykata e shkallës së parë në arsyetim ndër të tjera përmendi edhe dëshminë e të dëmtuarve të tjerë në këtë rast, Zef Malësisë dhe Naim Feratit.

    Por, mbrojtja është shprehur e befasuar me këtë aktgjykim, pasi pretendon se nuk ka prova bindëse për fajësinë e Jolliqit.

    Sipas aktakuzës, Jolliq nga janar i 1998-s deri më 21 qershor të 1999-s, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë keqtrajtoi, rrahu e torturoi civilë në komunën e Istogut.

    Ai ishte arrestuar në qershor të 2022-s, ndërsa gjykimi kishte nisur në dhjetor të po të njëjtit vit.

    Gjatë procesit u dëgjuan dhjetë dëshmitarë, 8 të PSRK-së, dhe dy të mbrojtjes, përfshirë të dyshuarin për krime lufte, Momir Pantiq.

    Pantiq, sipas Prokurorisë, kishte hedhur poshtë teorinë e mbrojtjes se Caslavi nuk kishte qenë polic rezervë i forcave serbe.

  • Anulimi i listës për çmimin e barnave, reagojnë deputetët

    Anulimi i listës për çmimin e barnave, reagojnë deputetët

    Përgatiti: Sara Shehu

    Vendimi i listës për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale, i cili para tri javëve hyri në fuqi me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, e që javën e shkuar u anulua nga po kjo ministri, ka nxitur reagime në komisionin për shëndetësi e mirëqenie sociale.

    Anëtarët e Komisionit pretendojnë se anulimi është bërë për interesa personale financiare.

    “Është dashur të ishte prezent ministri i shëndetësisë e sidomos pas reagimeve. Ka diçka më shumë, se anulimi i një vendimi duhet të sqarohet, nuk duhet të kaloj në heshtje kjo. Kemi një vendim që miratohet lista dhe një tjetër anulohet. Ai ishte i vetmi që e ka miratu edhe e anuloi”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    “Kemi analizuar listën e çmimeve, kemi qenë vërtet të zhgënjyer, sepse ka pasë rritje të çmimeve në produkte prej 50% deri në 300% për disa produkte nga kjo listë zyrtare. Përmes këtij ligji është dashur të zbriten çmimet si p.sh. për aspirin vetëm janë rritë çmimet. Ministri ka anulu diçka që vetë e ka miratu. Ka konflikt interesi”, tha deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

    Sipas anëtarit tjetër të komisionit, nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka pasur mangësi në hartimin e këtij ligji.

    “Ka pasur hezitime për këtë ligj se rregullon tavanin e çmimeve, por jo ne se kemi pasur asnjëherë të qartë. Ky ligj është shoqëruar me debate të shumta. Në komision për këtë ligj ka pasur ndryshime në pozita ndërrime, pra a keni pasur presion politik”, tha Dreshaj.

    Nga ana tjetër, Virtyte Krasniqi, nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tha se duhet sërish të rishikohet lista e çmimeve të barnave.

    “Derisa është funksionalizu komisioni janë ba ndërrime të shumta për shkak të orareve të ndryshme që i bojmë. Ky komision nuk paguhet, ka pasë problem se komisioni nuk paguhet është punë shumë e rëndë edhe pse profesionale. Listat zyrtare nuk mund të jenë gjithmonë publike. Duhet me ditë çmimet a janë me TVSH, apo pa TVSH, nuk mundemi veç thjesht me vendosë çmime”, tha Krasniqi.

    Lidhur me këtë akt normativ, i cili ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna, ATV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë për arsyet e anulimit të tij, por deri në këto momente nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.

  • Dhuratat për Tony Blair, Kristal i nëntokës e çelës i Prishtinës

    Dhuratat për Tony Blair, Kristal i nëntokës e çelës i Prishtinës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Siç e do tradita e nisur nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, pasardhësja e tij, Vjosa Osmani, i dhuroi një gur kristali ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair.

    Kjo dhuratë, iu dha Blairit në shenjë mirënjohje për angazhimin e tij direkt për një Kosovë të lirë.

    “Ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave, ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që përcaktuan kapitujt më të lavdishëm të historisë. Më lejoni të ju falënderoj përzemërsisht që jeni me ne në 25 vjetorin e çlirimit, në mënyrë që ta shihni edhe ju mirënjohjen e qytetarëve që kanë për ju”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ndërkaq, duke thënë se emocionohet sa herë që vjen në Kosovë, ish-kryeministri Blair falënderoi qytetarët për vendosmërinë që të shohin vendin e tyre çdo ditë e më mirë.

    “Është emocion i madh për mua të jem sërish në Kosovë. Dua të falënderoj popullin e Kosovës për përcaktimin e tyre 25 vite më parë dhe për vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shohin të mirën, çlirimin e para 25 viteve”, tha Blair.

    Duarthatë, Blair nuk doli as nga zyra e Kryetarit të Prishtinës.

    Përparim Rama ish-kryeministrit të Britanisë, ia dhuroi çmimin “Çelësi i Qytetit”.

    Madje, në një seancë të posaçme, Tony Blair u shpall edhe “Qytetar Nderi”.

    Gjatë të hënës, ish-kryeministri britanik është takuar me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderët e partive opozitare.

    Ndërkohë, në Ferizaj, për nder të rolit të tij për Kosovën, do të zbulohet shtatorja e tij.