ATV

Author: ATVLive

  • Zv.kryeministri: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

    Zv.kryeministri: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Është bërë një vit, prej kur Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

    Për largimin e tyre, tashmë është përpiluar raporti i cili është në duart e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, i cili pritet që në javën e ardhshme t’i dërgohet shteteve anëtare të BE-së.

    Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka sinjale pozitive që Kosovës do t’i largohen masat ndëshkuese.

    “Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara të komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që ai do të dërgohet për aprovim në këshill, gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit, me sa e di unë, është pozitive dhe në të do të rekomandohet heqja e masave”, tha Bislimi.

    Mirëpo, ndryshe nga Bislimi, thotë se ka informacione kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane.

    “Unë kom informacione të tjera që masat do të vazhdojnë dhe për neve normalisht është shqetësuese nëse vazhdojnë ato masa”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

    Deklarata e Krasniqit më pas nxiti debat në mbledhjen e këtij komisioni.

    “Kot ju thoni atje nëpër zyra është mirë që t’i hiqen masat Kosovës, në qoftë se për çdo ditë nëpër televizione thoni kjo qeveri i ka merituar këto masa”, tha Krasniqi.

    Ndërsa, pas mbledhjes së Komisionit, Bislimi është deklaruar rreth draft-statutit të Asociacionit.

    Derisa tha se atë nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, shtoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Ka pasur kërkesa që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Evropian dhe të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e draftit, i cili nuk përbën faktikisht as draft as dokument, sepse nuk ka as nënshkrim e as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë që ky është draft i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte të cilat nuk kanë autorësi e as pronësi në Gjykatën Kushtetuese, por dialogu është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Bislimi.

    Po ashtu, sipas tij, pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, po pengojnë që vendi të marrë statusin kandidat të BE-së, ani pse tha se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet e tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi vendi që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.

  • “Liria është më e çmuar se jeta”, ish-gazetari i BBC-së i emocionuar kujton intervistën me Fehmi Lladrovcin

    “Liria është më e çmuar se jeta”, ish-gazetari i BBC-së i emocionuar kujton intervistën me Fehmi Lladrovcin

    Ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV, i emocionuar ka rikthyer memorien nga intervista me heroin kombëtar, Fehmi Lladrovci.

    Ai tha se pas kësaj interviste, ishte një moment i rëndësishëm që bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se kjo luftë ishte e vërtetë.

    “Mundësia që të bënim intervistë me Fehmi Lladrovcin ishte ndoshta pjesa më e rëndësishme që e bëmë atëherë. Andaj jam i emocionuar që të kthehem 25 vjet pas dhe të kaloj kohë me familjen e tij dhe zbulova që e keni bërë një bluzë me imazhin e tij tani është njëfarë bluze e futbollit dhe pamja ishte marrë nga intervista jonë dhe me këtë sloganin “Liria është më e çmuar se jeta” e cila po ashtu del nga intervista e jonë. Sidoqoftë ky ishte moment shumë i rëndësishëm kur edhe bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që kjo është luftë e vërtetë”, tha Loyn.

    Ai thas e Fehmi Ladrovci e dinte që liria është më e çmuar se jeta.

    “Unë kam mbuluar luftëra edhe në pjesë të tjera të botës dhe kam kaluar shumë kohë duke folur me forcat guerile në Kashmir, madje edhe Irlandën Veriore kur kishte konflikt dhe e di që është e vështirë për individët të veshin uniformën qoftë edhe atë të rregullt kundrejt forcave të mëdha, ushtrive të mëdha siç ishte ajo e Serbisë me artileri, helikopterë dhe armë që i pamë më vonë këtu në Kosovë, tanke e të tjera dhe e merrni një AK47 dhe uniformën dhe e di që ai e dinte në këtë pikë që liria është më e çmuar se jeta sepse vet dalja në publik nënkuptonte se ai po e rrezikonte jetën e tij. Dhe siç e dimë ai e bashkëshortja e tij ishin cak dhe u sulmuan nga serbët më vonë atë vit”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ish-gazetari i BBC-së që e bëri botën t’i kthejë sytë kah Kosova, rrëfen se si ishte të ecje rrugëve të Prishtinës 25 vite më parë

    Ish-gazetari i BBC-së që e bëri botën t’i kthejë sytë kah Kosova, rrëfen se si ishte të ecje rrugëve të Prishtinës 25 vite më parë

    Të ecësh rrugëve të Prishtinës ishte të ecje në një vend krejtësisht tjetër. Kështu deklaroi ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV.

    Ai tha se Kosova gjatë vitit 1998 ishte vërtet e mjerë dhe ishte e qartë se populli po përjetonte represion.

    “Unë erdha këtu në dimër dhe qëndrova në hotelin e emëruar gabimisht “Grand” (i madh) me ushqim të tmerrshëm dhe në atë kohë aty ekzistonte një persekutim pasiv të them ashtu i gazetarëve, me raste edhe aktiv meqë një ditë kishim dalë herët në mëngjes dhe të gjitha veturat që ne gazetarët i përdornim ishin dëmtuar. Por, problemi me të cilin ballafaqoheshim ne si gazetarë ndërkombëtarë dhe këtë e kam kuptuar shpejt, nuk ishin asgjë nuk krahasoheshin me problemet me të cilat përballej popullsia shqiptare e cila në atë kohë deri në vitin 1999 jetonte në një botë paralele. Një prej raporteve që kishim bërë ishte ajo që trajtonte sistemin paralel të shëndetësisë, mjekët që nuk paguheshin, lindja e fëmijëve në katet e larta të shtëpive private, andaj them ishte vend shumë i mjerë”, tha Loyn.

    Ndërsa tani pas 25 viteve, ai thotë se njerëzit këtu janë duke jetuar jetën normale të evropianëve.

    “Kur ecja nëpër këto rrugë të gjera në Prishtinë me zona të industrializuara dhe shumë njerëz të rinj të cilët mbase as nuk e mbajnë në mend luftën por mund të shkojnë në Prekaz për të parë atë monument të jashtëzakonshëm që është krijuar ku unë qëndrova gjatë kësaj jave por përndryshe janë duke jetuar jetën normale të evropianëve dhe kam biseduar me të rinjtë këtu të cilët thoshin se duan të jetojnë si amerikanë apo britanikë, gjermanë e francezë dhe ky është aspirimi i të rinjve në një vend që është krejtësisht ndryshe. Por më pas shkova në Drenicë ku drekuam me kryetarin Ramiz Lladrovci, vëllain e të cilit e kisha intervistuar para shumë vjetësh, dhe pashë që edhe politikbërja ka ndryshuar shumë, ishte thjesht vend ndryshe”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv

  • Konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, me folës më eminentë botërorë të fushës së mediave

    Konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, me folës më eminentë botërorë të fushës së mediave

    Të premten nga ora 11:00 në Kolegjin AAB do të mbahet konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv, e titulluar “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe inteligjencës artificiale.”

    Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, në emisionin A LIVE në ATV, tha se kjo konferencë, ashtu si edhe konferencat e tjera të organizuara nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, janë zakonisht konferenca ndërkombëtare që trajtojnë një bosht tematik të përqendruar, trajtojnë fenomene shumë aktuale ku diskutuesit dhe pjesëmarrësit janë global.

    “Cilësia e konferencës në radhë të parë varet nga fokusimi ose përqendrimi i një teme të cilën e trajton konferenca, natyra e konferencës. AAB-ja që nga 2015-ta, është shndërruar në një strumbullar në Ballkanin Perëndimor i studimeve në Media dhe Komunikime. Konferenca të cilat ne i kemi realizuar, i kemi realizuar me partnerë evropianë dhe folësit kryesorë kanë qenë gjithmonë folës më eminentë ndërkombëtarë”, tha Saliu.

    Ai përmendi se folësit kryesor në këtë konferencë janë nga personalitetet më të rëndësishme në fushën e komunikimeve në mbarë botën.

    “Kësaj radhe, ne kemi njërin nga studiuesit më eminent në botë që është Mark Deuze, është profesori i Universitetit të Amsterdamit, drejtues i Departamentit për Studime Pasdiplomike. Deuze është nga Universiteti i cili rangohet i pari në botë nga fusha e mediave dhe komunikimeve, sipas listës Shangai dhe është i vetmi bashkautor për teoritë e komunikimeve, bashkë me studiuesin e famshëm që ne teoritë e komunikimeve i nisim me McQuailin, që atëherë është i vetmi bashkautor që ka bashkëpunuar me McQuailin për teoritë e komunikimeve. Folësi i dytë kryesor është profesori polak, Lukasz Tomczyk. Tomczyk është shpallur ë vitin e kaluar, studiuesi më me ndikim në botë, dy përqindëshi më me ndikim në botë dhe do trajtojë një temë shumë interesante që ne përditshëm e ndeshim në jetën tonë, “fake news-i”, thashethemet e nxënësve, e studentëve në raport me arsimtarët, me institucionin që ne e dimë që “fake news-i” tashmë është një dukuri e mediave sociale dhe këndvështrimi i tij është nga aspekti pedagogjik”, tha Saliu.

    Prorektori Salihu tregoi se edhe abstraktet e prezantuesve në këtë konferencë tani më gjenden online në uebfaqen e Koegjit AAB, cilësia e të cilave është në të njëjtin nivel me universitete vërtetë shumë prestigjioze.

    “Shumica prej tyre janë doktorë të studimeve mediatike, kemi profesionistë, ndërsa e veçanta është se kemi dy panele nga studentët e nivelit master të Kolegjit AAB dhe një panel nga studentët e nivelit master të Universitetit të Tiranës, me që i kemi edhe partnerë”, tregoi ai.

    Sipas prorektorit Saliu, Kolegji AAB është e përqendruar në konferenca shkencore vetëm në fushën e medias, andaj edhe emrat më eminentë në botë për këtë fushë kanë pranuar të marrin pjesë në këtë konferencë.

    “Folësit kryesor janë njerëzit kryesor, përfaqësues të cilët kanë vlerësuar institucionin tonë, historinë e organizimit të konferencave të Kolegjit AAB, praktikisht Fakultetit të Komunikimit Masiv, pra e kanë vlerësuar thirrjen. Shkruarja e një thirrje për konferencë shkencore e përqendruar, e fokusuar, është një studim më vete, e tjetër është ajo që mund të shihni që qarkullojnë nëpër rajon, po edhe në Kosovë, Konferencë Shkencore nga ku të them unë, nga biologjia, qeliza, deri në astronomi. Jo, ne i kemi vetëm për komunikime, studime mediatike dhe fushat që ndërlidhen me këtë. Prandaj edhe kanë pranuar këta mysafirë, këta folës kryesorë, që nesër të flasin për ne”, tha Saliu. /atvlive.tv

  • Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale.

    Minisrti i Mbrojtjes Ejup Maqedonci njofton se sot në Bruksel me Ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën.

    Sipas tij Kosova u bë shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që Kosova e ka dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake.

    “Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdoj të qëndroj krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka shkruar Maqedonci në faqen zyrtare të tij në Facebook.

  • Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët, raporton EO.

    Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të enjten.

    “Ky vendim ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën tonë, e cila parasheh mbulimin e polisës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës për kohën sa qëndrojnë këtu”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

  • Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është të dielën me 16 qershor 2024. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    “Manifestimi fillon në orën 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbaj Hetem ef. Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34, të cilit do t’i prijë Burhan ef. Hashani- kryeimam i Këshillit të BI-së së Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbaj Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 16 qershor 2024, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

  • Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media është pyetur edhe mbi ligjin për Kodin Civil, i cili mes tjerash, lejon martesat mes gjinive të njëjta.

    Haxhiu ka bërë me dije që nuk janë të sigurtë që ligji mund të kalojë, dhe se për këtë arsye, nuk po procedohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.

    “Kodi Civil është një nga zotimet apo punët të cilat ne i kemi adresuar, por që ende nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Qeveria konsideron që është i rëndëishëm. Adreson institute të reja që nuk adresohet, është në interest ë të gjithë qytetarëve, avancon të drejtat e njeriut, prandaj e konsiderojmë të rëndësishëm.” – ka thënë ajo.

    Haxhiu mes tjerash ka shtuar se nuk kanë hequr dorë nga dokumenti, dhe se obligim për kalimin e tij, ka edhe opozita.

    “Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Prandaj, do ta procedojmë në momentin kur kemi siguri që Kodi Civil kalon, në këtë drejtim nuk është obligim veç i mazhorancën, por edhe i opozitës që të marrin pjesë në votim, ta shprehin vullnetin e tyre me votë, për, kundër ose abstenim. Çka na ndodhë me këtë opozitë, edhe përkundër faktit që hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë ligjë, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente. I ftoj që të marrin pjesë në votim, por natyrisht përgjegjësia na bie neve, dhe kemi qenë në komunikim me deputetët e grupit parlamentar, por ende nuk jemi të sigurtë që nuk i kemi votat. Do ta procedojmë në momentin që i kemi ato.” – u shpreh ajo.

    Kujtojmë se Kodi Civil po dështon të votohet në Kuvendin e Kosovës tash e dy vite. Një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur publikisht kundër tij.

  • ​Caktohet gjyqtari i ndeshjes Shqipëri-Itali

    ​Caktohet gjyqtari i ndeshjes Shqipëri-Itali

    Gjerman Felix Zwayer do të jetë arbitri i ndeshjes të së shtunës mes Italisë dhe Shqipërisë që do të luhet në Dortmund. Këtë sezon ai ka arbitruar 18 ndeshje të Bundesligës dhe 4 ndeshje të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë ndeshjen e parë të fazës së 16-të të ndeshjes mes Napolit dhe Barcelonës që përfundoi 1-1.

    Ai gjithashtu drejtoi një tjetër skuadër italiane, Romën, në ndeshjen e dytë të 1/16-tës së Europa League në Brighton, përcjellë KP.

    Ballafaqimi ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 21:00.

  • Kosova sanksione ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse

    Kosova sanksione ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse

    Qeveria e Kosovës të enjten, në mbledhje, ka miratuar pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe pakon e re të sanksioneve kundër Federatës Ruse.

    Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, ka thënë se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e aleatët e tjerë.

    “Pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, gjegjësisht ndaj personave dhe subjekteve të përfshira në aktivitetet e raketave bërthamore dhe balistike dhe personave dhe etniteteve që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, ka thënë Gashi.