Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën në Doha se Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimit për armëpushim në Gazë dhe se disa prej tyre mund të merren në konsideratë.
Por ai shtoi se “disa nga propozimet e Hamasit shkojnë përtej asaj që grupi kishte pranuar më parë në bisedimet për një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë”.
“Ne jemi të vendosur që të përpiqemi të kapërcejmë hendekun me Hamasin”, tha zoti Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Katarit Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, pas një takimi me të.
Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se nëse Hamasi vazhdon të kundërshtojë përpjekjet për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, kjo do të tregojë qartë se “ata kanë zgjedhur vazhdimin e luftës në Gazë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se edhe këtë verë patrullimi i policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të vazhdojë duke filluar nga data një korrik.
Sipas tij, këto patrullime do të jenë në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Patrullimet do të fillojnë me dijen time prej 1 korrikut, qysh tash bashkëpunimi i Policisë i dy vendeve është shumë i mirë. Patrullimet, patjetër që do të ndihmojnë ata të jenë më efikas dhe të iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve”, tha ministri.
Sveçla, shtoi se me shtetin shqiptar po punohet shumë që të ju lehtësohet jeta qytetarëve dhe te rritet niveli i sigurisë, meqenëse tha ministri, me Shqipërinë nuk janë raporte vetëm zyrtare por edhe raporte ndër personale.
“Ju po e shifni se ne nuk kemi vetëm raporte zyrtare, kemi edhe raporte shumë të mira ndër personale. Me ministrin Balla po punojmë shumë, të dyja palët, qoftë në ministri, qoftë në polici të dy vendeve që të ua lehtësojmë jetën qytetarëve por në të njëjtën kohë edhe të rrisim nivelin e sigurisë për të dyja vendet”, tha Sveçla për Ekonomia Online, pas vizitës së djeshme në pikën kufitare në Vërmicë, ku përcjellën nga afër bashkë me ministrin e brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, zhvillimet rreth zbatimit të marrëveshjes për heqjen e kontrollit kufitar për shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë.
Kujtojmë se patrullimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë filluar para gjashtë viteve. Që nga viti 2018, këto patrullime kryhen në pikën kufitare në Vërmicë.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një vdekje në Hajvali të Prishtinës, ku një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën.
Në raportin policor thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, e rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.
Nuk janë dhënë shumë detaje lidhur me rastin.
“Është pranuar informata për një person pa shenja jete. Rastit i janë përgjigjur njësitë relevante policore. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin policor.
Një person është goditur për vdekje me traktor në Rahovec, pasditen e së mërkurës.
Siç njofton policia “raportohet se i dyshuari mashkull kosovar duke lëvizur mbrapa me traktor, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore”.
Viktima pasi ka arritur në spitalin e Gjakovës ka ndërruar jetë, ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.
“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet tutje në njoftimin policor.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën kanë arrestuar një të dyshuar të përfshirë në rastin e grabitjes në Vushtrri.
Mbi dyshime të bazuara dhe provave të siguruara me datën 12.06.2024, hetuesit rajonal, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë edhe një person të dyshuar.
Personi i dyshuar A. Ll., 20 vjeçar, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit në fjalë ju është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, njofton policia.
Kujtojmë se dy javë më parë në një fshat të Vushtrrisë kishte ndodhur një grabitje në një pompë derivatesh.
Policia menjëherë kishte arritur të identifikonte të dyshuarit dhe kishte arrestuar M.M 19 vjeçar.
Për herë të parë në historinë e Jugosllavisë dhe republikave që e pasuan atë, një burrë shteti i bëri homazhe Jozef Stalinit. Gjatë vizitës së delegacionit shtetëror në Moskë, ministri dhe nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, vendosi kurorë lulesh në varrin e tij në Sheshin e Luleve. Çfarë lloj mesazhi dërgon ai?
Lider i aftë, bartës i modernizimit dhe reformave, luftëtar kundër fashizmit, por edhe diktator i njohur për “spastrime të mëdha”, gulag, miliona viktima.
“Një nga diktatorët më brutalë”
Sipas vlerësimeve të ndryshme, nga 10 deri në më shumë se 20 milionë njerëz vdiqën nën sundimin e tij. Miliona gjithashtu u deportuan ose u zhvendosën.
Bashkimi i Rinisë Komuniste të Jugosllavisë i tha N1 se, duke pasur parasysh modernizimin e Bashkimit Sovjetik dhe luftën antifashiste, një person si Stalini meriton çdo nder. Por ata dyshojnë në përputhjen e Vulin me socializmin.
“Fakti është se, pavarësisht dallimeve të shumta, si Rajhu i Tretë i Hitlerit ashtu edhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit ishin shtete totalitare. Stalini, përmes terrorit dhe përmes miliona ndjekjeve penale të njerëzve, vrasjeve, spastrimeve, persekutimeve… në fakt krijoi atë që historianët e quajnë “perandori kampi”, një sistem tiranie, frike, një sistem totalitar kontrolli të plotë,” thotë historiani Milivoj Beshlin për N1.
“Ne jemi pjesërisht trashëgimtarët e vërtetë dhe simbolikë të shtetit dhe shoqërisë jugosllave, të gjithë ne në këtë fushë”. Është një lloj akti i tradhtisë së lartë, sepse Stalini është personalisht përgjegjës për qindra vdekje të ushtarëve dhe rojeve kufitare jugosllave në kufirin me Bashkimin Sovjetik që nga viti 1948”, tha historiani.
Dy motive të Vulin
Por edhe për shkak të armiqësisë së theksuar ndaj Jugosllavisë më vonë, si dhe anëve të errëta të rolit të tij historik, shton Beshlin, zyrtarët nuk e kanë festuar kurrë Stalinin deri më tani.
“Vulin mund të kishte pasur dy motive, një, lavdërimin e Stalinit për trajtimin e kundërshtarëve politikë për shkak të asaj mizorie, dhe së dyti, se ai thjesht donte të tregonte edhe një herë poltergjeizmin dhe nënshtrimin e tij ndaj regjimit të Putinit”, thotë historiani.
Përveç vizitës në varrin e Stalinit, Vulin u takua me kreun e ushtrisë dhe policisë ruse. Ndër të tjera, ai është nën sanksionet amerikane për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe është marrës i Urdhrit të Shërbimit Informativ Rus.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PD) Ivan Vukoviq tha se ka informacione të besueshme se janë duke u zhvilluar përgatitjet për kandidaturën e Milo Gjukanoviqit për zëvendëssekretar të përgjithshëm të NATO-s.
Deri më tani, nëntë anëtarë të Aleancës, përfshirë Turqinë, qëndrojnë prapa kësaj nisme, saktësoi Vukoviq.
“Këtë informacion e kam marrë falë portalit turk. U pyeta dhe pyeta një mikun tim nga Stambolli, i cili është mjaft i pozicionuar dhe ka lidhje të mira në lidershipin politik turk. Më tha se është e vërtetë dhe se po punojnë për këtë. E kuptova që Turqia është një nga vendet anëtare të aleancës së NATO-s që e mbështet, duhet patjetër të kërkojmë mendimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të vendeve të tjera të NATO-s, por do të jetë që aty ku ka tym të ketë zjarr”, tha Vukoviq në një paraqitje të ftuar në lidhjen radiofonike të Anetena, M.
Vukoviq beson se do të ishte e pazakontë që ky informacion të kalonte pa antifushatën e mediave tabloidike pro-serbe dhe proruse. Ai shton se fushata e fortë dhe e vazhdueshme negative shumëvjeçare e vështirëson punën e DPS-së. “Do të ishte e pazakontë për ne nëse nuk do të ishte kështu… Pra, ju funksiononi në një sistem ku çdo ditë jeni të inkriminuar nga dhjetë parti të ndryshme, bëhet shpifje individuale dhe kolektive, fushata më e ndyrë e mundshme e insinuatës… Ne janë në atë masë sa, po të doja të bëja shaka, mësova se do të ishte e pazakontë të zgjoheshe një mëngjes dhe të kuptosh se kjo është e kaluara jonë e shëmtuar, se nuk ka më tabloide, se nuk ka më kuazi portale se jemi bërë shoqëri normale” – tha Vukoviq.
Qytetarët që e shfrytëzojnë autostradën “Arbën Xhaferi”, i gëzohen kësaj shenje paralajmëruese, meqë kanë nevojë për pushim ose furnizim me karburant.
Megjithatë, shpejt dëshpërohen meqë hapësirat e destinuara për pushimore përgjatë autostradës Prishtinë – Hani i Elezit janë të thata.
Hapësirat janë boshe edhe përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”, ndonëse u përurua para 11 vjetëve. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes telefonit tha se aktualisht janë duke e analizuar projektin meqë në të njëjtën kohë mendohet të rregullohet edhe çështja e pagesave për autostradat.
“Çështja është se duhet të merret një vendim politik e pastaj të procedohet për të Komiteti për Partneritetit Publiko-Privat. Duhet me pa sepse në të njëjtën kohë duhet të rregullohen edhe çështjet e pagesave dhe këto pushimoret. Jemi duke menduar se çfarë projekti, sepse kur të fillojmë me procedurë mos me e realizu vetëm si një kërkesë të thjeshtë. Ka disa ide të cilat po diskutohen që me qenë diçka më e bukur e jo diçka të zakonshme”, tha Durmishi.
Paraprakisht, nga Ministria e Infrastrukturës kishin thënë se përgjatë autostradave 6 dhe 7 synohet ndërtimi i 12 stacioneve të shërbimit në 6 lokacione të përcaktuara me projekt, nga një në secilën anë.
Sidoqoftë, ekspertët e komunikacionit, pushimoret përgjatë rrugëve të tipit të mbyllur, i konsiderojnë shumë të nevojshme.
“Po ndalemi në rrafshin individual, ne e kemi frekuentu disa herë këtë rrugë dhe unë personalisht kam pasur kërkesa sidomos nga fëmijët për tualet ose ndonjë shërbim tjetër dhe ka qenë bukur e vështirë të menaxhohet ajo situatë”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
Sipas Bekim Ahmetit, ndërtimi i këtyre pushimoreve mund të sjellë edhe përfitime ekonomike.
“Duhet të mendohet edhe përfitimi ekonomik. Aty ndalen shumë njerëz, pastaj shoferët e kamionëve që e përdorin Kosovën si transit. Ka përfitime ekonomike nga ndërtimi i pushimoreve”, tha Ahmeti.
Ndryshe, autostrada Prishtinë-Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.
Kjo autostradë ishte inauguruar më 2019. Ndërkohë, ajo që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro.
Shkrepjet e aparatit në momente të ndryshme gjatë luftës, dokumentojnë rolin dhe përkushtimin e shumë grave për liri.
Disa prej fotografive, të bëra nga autorë të ndryshëm u mblodhën dhe u ekspozuan të mërkurën në muret e shkollës së arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj.
Në ekspozitën “Gratë në rrugën e Lirisë”, u vlerësua lart kontributi i vajzave dhe grave, gjatë luftës.
“Heroinat e gjalla kanë vendosë sigurinë në Kosovë. Kontributi i vajzave ka qenë pjesë e të gjitha lëvizjeve për liri”. Gruaja ju ka përkrah gjithmonë në këto lëvizje patriotike. Kosova ka grua të modelit luftarak”, tha Florie Osmani, majore në FSK.
Sipas organizatores së këtij aktiviteti, Pranvera Sylejmani, ngjarjet si këto që kujtojnë historinë e popullit duhet të jenë më të shpeshta, e jo vetëm në përvjetorë.
“Këto ekspozita po mbështeten nga institucionet dhe vizitorët pasi që ato kanë kuptim tejet të madh me një domethënie të madhe. Kjo ekspozitë ngërthen në vete elemente të mbështetjes për gratë që kontribuuan në luftën e fundit në Kosovë. Këto ekspozita duhet të mbështeten çdo herë e jo të kujtohen rrallë”, tha Sylejmani.
Në këtë ekspozitë morën pjesë, zyrtarë të komunës së Ferizaj, familjarë të dëshmorëve dhe artistë të ndryshëm.
Gati 3 dekada më parë, për shumëkë liria mendohej vetëm si “dritë në fund të tunelit”.
Mirëpo, kur shpresat pothuajse kishin mbaruar për të qenë të lirë, më 12 qershor të vitit 1999, aleatët e NATO-s sulmuan caqet serbe në Kosovë, duke çliruar kështu vendin nga okupimi serb.
Prej atëherë, çdo 12 qershor, liderë e qytetarë të Kosovës shprehin mirënjohje për intervenimin e NATO-s.
Njësoj ishte edhe të mërkurën, që u festua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.
Aktivitetet për këtë ditë filluan që në mëngjes, e vazhduan më pas me parakalimin e trupave të forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë.
Të ndarë në regjimente e kokën lart, 1500 ushtarë e policë u nisën nga sheshi “George Bush”, drejt sheshit “Skënderbeu”.
Për lirinë që Kosova gëzon, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë, foli ish-sekretari i NATO-s, George Robertson, i cili po ashtu ngriti një paralele për luftën në Kosovë me atë çka po ndodh në Ukrainë.
“Pas 78 ditë të bombardimeve, ne e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO-ja hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha Robertson.
Falënderues për UÇK-në e të lumtur për ushtrinë e re e policinë profesionale, u shprehën edhe krerët e shtetit.
UÇK-ja ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës, gratë dhe burrat trima morën armën për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Por udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm, ne u mbështetëm nga aleatët tanë”, tha Osmani.
“Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit”, tha Kurti.
Në Kosovë, për 25-vjetorin e çlirimit nuk mungoi as William Walker.
“Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, tha Walker.
Që arriti ta përjetojë lirinë, i lumtur u shpreh edhe Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes më meritore që dha gjithçka për liri.
“Më i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës, është derdhur gjak, por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Jashari.
Të emocionuar e krenarë me Ushtrinë dhe Policinë u shprehën edhe qytetarët.
Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kanë vazhduar deri në orët e mbrëmjes së të mërkurës.