Sytë e botës së futbollit kthehen nga Mynihu, aty ku sonte në mbrëmje më në fund fillon Kampionatin Evropian UEFA 2024, me kombin mikpritës Gjermaninë që do të përballet me Skocinë në “Allianz Arena”.
Ndër favoritët për të shkuar deri në fund, Gjermania duket se ka gjetur njëfarë stabiliteti nën drejtimin e trajnerit Julian Nagelsmann, pasi ka bërë së bashku një ecuri të pamposhtur prej katër ndeshjesh.
Sfida hapëse, ajo ndërmjet Gjermanisë dhe Skocisë nis nga ora 21:00, ndërsa pjesë e këtij grupi janë edhe Zvicra dhe Hungaria, transmeton KP.
Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.
Në maj të vitit 2005, gjatë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë 58 ministrat e shëndetësisë nga e gjithë bota bënë një deklaratë unanime për përkushtimin dhe mbështetjen ndaj dhurimit vullnetar të gjakut.
Nëpërmjet Rezolutës WHA58.13, ata caktuan Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut si një ngjarje vjetore që do të mbahet çdo vit më 14 qershor.
Rezoluta u kërkon shteteve anëtare të zbatojnë dhe mbështesin programe gjaku të organizuara mirë, të koordinuara në nivel kombëtar dhe të qëndrueshme me mbikëqyrjen e duhur rregullatore, në mënyrë që të mund të mblidhet mjaftueshëm gjak i sigurt për të përmbushur nevojat e pacientëve.
Slogani i këtij viti përkujton momentin historik të 20-vjetorit dhe ndikimin e thellë të dhurimit të gjakut në jetën e pacientëve dhe dhuruesve. Fushata shërben si një mundësi për të shprehur mirënjohjen ndaj plazmës së gjakut dhe donatorëve të trombociteve në botë për dhurimet e tyre jetëshpëtuese.
Për më tepër, ai bën thirrje për veprim, duke motivuar më shumë individë që t’i bashkohen lëvizjes globale të dhurimit të gjakut.
Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.
Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike.
Ditën e sotme parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në orët e mëngjesit të kemi depërtimin e frontit të ftohtë, i cili do të sjellë destabilizim të motit.
Nën këto kushte, gjatë kësaj periudhe kohore, do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Dita do të vijojë me diell dhe vranësira, me tendenca që më vonë gjatë ditës vranësirat të tërhiqen në pjesën më të madhe të vendit.
Përndryshe, nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë reshje të izoluar në zona të caktuara.
Era do fryjë kryesisht nga kuadrati i veriperëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, me minimale që do të lëvizin prej 12 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 26°C.
I akuzuari në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovicit, Rade Basara, ka hequr dorë nga dhënia e mbrojtjes, një ditë pasi kishte filluar të deklarohet para trupit gjykues.
Seanca ishte ndërprerë, pasi avokati Dejan Vasiq, i cili mbron Dragisha Markoviqin kishte dërguar praktikantin e zyrës së tij, ta zëvendësojë.
Për këtë ai është dënuar nga gjykata të enjten me 350 euro meqë e pranoi gabimin.
“I nderuar gjykatës, unë dje e kam bërë një gabim. Unë kam menduar që vepra penale është e dënueshme deri në 5 vite dhe praktikanti im ka mundur të më zëvendësojë. Por, unë e pranoj që ai nuk ka mundur të më zëvendësojë në seancën e djeshme dhe është ekskluzivisht gabimi im që seanca dje ka dështu. Unë do të pranoj vendimin e gjykatës pa asnjë lloj ankese”, tha Vasiq.
Trupi gjykues shqiptoi vërejtje edhe ndaj avokatit të Silvana Arsoviqit, Musa Damati, për shkak të vonesës. Ndërkohë, Rade Basara i cili kishte filluar të mërkurën deklarimin rreth ngjarjes, tha se nuk mund të vazhdojë për arsye shëndetësore, për çka avokati paraqiti edhe raporte mjekësore.
“Dje nuk jam ndier mirë dhe mjeku më tha se për shkak të tensionit të gjakut dhe aritmisë. 3-4 muajt e fundit kisha probleme me zemër dhe nga ky moment do të mbrohem në heshtje, sepse nuk jam në gjendje që ta përcjell këtë proces”, tha Basara.
Prokuroria ngriti si çështje nëse Basara mund të ketë pasur presion për ta ndryshuar vendimin.
“I nderuar gjykatës, unë i kam 66 vjet, për mua më e rëndësishme është shëndeti im, nuk ka pasur asnjë presion mbi mua”, tha Basara.
Duke u thirrur edhe në Kodin e Procedurës penale, avokati Tomë Gashi dha sqarime tutje rreth vendimit të klientit të tij.
Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit do të vazhdojë javën e ardhshme me fjalën përfundimtare.
Graçanica mund të mos jetë më komunë e banuar me shumicë serbe. Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, burimet i thanë ATV-së se nga procesi i regjistrimit të popullsisë, do të dalin më shumë shqiptarë sesa serbë.
Agjencia e Statistikave e Kosovës ishte e heshtur sa iu përket shifrave, teksa rezultatet preliminare i ka paralajmëruar vetëm për 12 korrik.
Sidoqoftë, Igor Jovanoviq, regjistrues nga Llapnasella, pretendon se 50% e komunitetit serb ka mbetur pa iu nënshtruar procesit të regjistrimit. Ai ankohet për numrin e vogël të personelit.
“Sa i përket tërë komunës së Graçanicës, fillimisht ne na mungonte numri adekuat i regjistruesve, pra s’kishim mjaftueshëm dhe brenda afatit të caktuar ishte e pamundur për ne të përfundojmë qarkun e tërë të regjistrimit. Prisnim nga ASK-ja që ta zgjasë afatin, por nuk ndodhi dhe në fund ASK-ja deklaroi se në komunën e Graçanicës u regjistruan 90 për qind e banorëve. Unë u them me shumë përgjegjësi gjë të cilën e di edhe ASK-ja që kjo nuk është e vërtetë. Le të dalin me rezultate dhe e shohin sepse me përgjegjësi u them më shumë se 50 për qind nuk janë regjistruar meqë nuk kishim mjaftueshëm anketues”, tha Jovanoviq.
Ndërkohë Branimir Stojanovic, banor i Graçanicës, thotë se në lagjen e tij regjistruesit as nuk kanë ardhur fare.
“Organizimi për procesin e regjistrimit të banorëve në Graçanicë ishte shumë i dobët, ndodhi që një numër i madh i banorëve serbë nuk u vizituan fare nga regjistruesit e ASK-së. Në lagjen time ku unë banoj dhe në fqinjësi nuk erdhi askush. Pastaj unë kam shkuar personalisht në zyrë për t’u regjistruar dhe teknikisht kjo ishte e pamundur, sepse imagjinoni nëse 2, 3 apo 5 mijë njerëz nga Graçanica do të shkonin aty të regjistrohen. Madje vetëm 1 anketues fliste serbisht, andaj them se organizimi ishte shumë i dobët. Them se të dhënat e regjistrimit nuk do të jenë të sakta dhe nuk do ta dëshmojë gjendjen në terren”, tha Stojanovic.
Statistikat që pritet të publikohen në mes të korrikut, sipas Kenan Gashit nga organizata AVONET mund të ndikojnë edhe në proceset politike në këtë komunë.
Ndryshe, Komuna e Graçanicës e cila ka sipërfaqe prej rreth 120 km2 me 17 zona kadastrale, kufizohet me Prishtinën, Lipjanin dhe Fushë-Kosovën.
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 ka numëruar mbi 10 mijë banorë. 7000 prej tyre ishin serbë, ndërkaq 2400 shqiptarë.
Mbledhjen e qeverisë, kreu i saj e nisi me urim për ditën e çlirimit, teksa falënderoi krejt ata që ndihmuan vendin. E më pas prezantoi disa prej të arriturave gjatë këtyre vjetëve.
Por s’la pa e lavdëruar pak edhe qeverinë e tij.
Në përpjekje për të ndërtuar të ardhme më të mirë, e për t’i adresuar dhimbjet e së kaluarës, tha se po miratojnë strategjinë për drejtësi tradicionale.
Detaje rreth asaj çfarë përmban strategjia, dha ministrja e Drejtësisë Albulena
Haxhiu.
Në mbledhjen e 208-të të saj, qeveria miratoi edhe disa projektligje, por njëri që po pritet tash e një kohë, ai për kodin civil, ende nuk është gati.
Qeveria në mes tjerash ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programin të saj raketor.
Mërgimtarët që këtë verë do ta përdorin transportin rrugor për të ardhur në Kosovë, procedurat kufitare do t’i kalojnë më lehtë.
Qeveria kësaj radhe po ua paguan tërësisht policën e sigurimit.
Atyre u mbetet që në platforma online, ta shkarkojnë dokumentin para se ta marrin rrugën për vendlindje.
“Duke pasur parasysh që një policë e tillë kufitare, sidomos kur kemi fluks gjatë muajve korrik dhe gusht krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë dhjetëra orësh që bëjnë mërgimtarët, në momentin kur arrijnë në pika kufitare prapë do të ketë vonesa në mënyrë që të nxjerrin policën kufitare, ideja është që kësaj radhe ta bëjmë përmes qasjes online”, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Përveç kësaj, të enjten, qeveria ndau edhe tre milionë euro, në kuadër të masës për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa.
Kjo i lehtëson procedurat për mërgimtarët që duan të hapin biznes në Kosovë.
“Një biznes nëse në të kaluarën për të marrë një milion euro kredi iu është kërku nga banka që të ofrojë 2 milion euro asete, prona të paluajtshme, kësaj radhe me këtë dritare do të mundësohet që kërkesa për siguri nga banka të jenë dukshëm më të vogla dhe të llogaritet kryesisht vetëm pjesëmarrja e ekuitetit, ndërsa pjesa tjetër që financohet do të garantohet nga kjo dritare”, tha Murati.
Veçse kjo më shumë po shihet si fushatë politike.
“Pa dyshim që ky është një vendim politik, sipas vendimeve, qeveria ka filluar me fushatë zgjedhore. Kjo shumë për diasporën nuk është shumë domethënëse, nuk është diçka që ndikon tek ata për me pasë ndonjë lehtësim”, tha Fidan Qerimi, ekonomist.
Dallimi i vendimit të sivjetmë me herët e kaluara është se tash kosovarët e diasporës nuk kanë nevojë që fillimisht të paguajnë për policën, e më pas qeveria t’i rimbursojë ata. Vetë ministri Hekuran Murati e pranoi se kjo nuk kishte funksionuar, meqë, sipas tij, logjistikisht ishte e papërshtatshme.
Kur kalon këndej, hapat i ngadalëson por e shton vëmendjen. Banesën ku u lind e u rrit, e sheh kështu nga largësia tash e 25 vjet.
“Këtu kemi lindur të shtatë fëmijët… katër vëllezërit e tri motrat. Këtu i kemi kujtimet më të mira”, tha Shyqri Çeliku.
Shyqri Çeliku, bashkë me familje u largua nga prona e tij e cila ndodhet në atë që sot është Mitrovicë e Veriut, në kohën e luftës, pa e ditur se nuk do të kthehet më aty.
“Në ‘99 u dashtë me dalë, sepse nuk e ndijshim veten të sigurt”, tha Çeliku.
Por, kur lufta përfundoi, prona ishte uzurpuar.
“Në fillim nëse më kish thënë dikush që nuk do të kthehem as pas 25 vjetësh, isha çmend. Por, gjithmonë shpresa”, shtoi Çeliku.
Shyqëriu megjithatë ka edhe pak shpresë që prona të cilën e trashëgoi nga babai do t’i kthehet.
Agjencia për Krahasimin dhe Identifikimin e Pronës, vazhdon t’i urdhërojë uzurpatorët që t’i lirojnë banesat, kryesisht në pjesën e veriut të Mitrovicës.
Së fundmi, një njoftim që të lirojë banesën e uzurpuar ia dërgoi një personi.
Në kërkesë thuhet se banesa duhet liruar para 20 qershorit.
“Ka filluar të lirohen pronat, por qytetarët duhet të kërkojnë për pronat e tyre”, tha Skender Sadiku, asamblist.
Por nëse vendimi nuk zbatohet, banesa lirohet fizikisht, me asistim të policisë.
Megjithatë, edhe nëse arrihet një vendim i tillë, familja Çeliku e ka të vështirë të kthehet në lagjen ku dikur jetonte e lumtur.
“Siguria nuk bëhet në lagje, siguria bëhet në shtet”, tha Çeliku.
“Unë nuk jam në gjendje me menaxhu këtë banesë, sepse situata është shumë e brishtë. Nuk e kam këtu afër asnjë shqiptar. Qysh me u kthy, nuk është e sigurt”, shtoi Çeliku.
Andaj, derisa të ndodhë rikthimi, banesën që nuk e gëzoi në liri, Çeliku mund ta zotërojë veç në këtë pikturë.
Rreth tre mijë nxënës të klasave të 12-ta kanë mbetur jashtë listës së provimit të maturës.
Afati për aplikim në platformën e-Kosova është mbyllur të enjten, pasi u shty dy herë paraprakisht.
Disa prej maturantëve janë ankuar se nuk kanë mundur të aplikojnë, e të tjerë mësohet se nuk kanë qenë të interesuar t’i nënshtrohen provimit.
Pavarësisht se i pranojnë telashet gjatë procesit, në Ministrinë e Arsimit nuk planifikojnë afat shtesë për aplikim. Kjo do të thotë se tre mijë nxënës tashmë nuk do të kenë të drejtë t’i nënshtrohen testit.
“Kemi pasur probleme të ndryshme, kemi pasur rastin kur për nxënësit kanë apliku prindërit, e u dashtë me apliku përsëri. Por për nxënësit që nuk kanë apliku, për ta nuk do të ketë afat shtesë. Nëse nuk e paraqet nuk do të munden me hy në maturë”, tha Fatmir Elezi nga Ministria e Arsimit.
Këtë e quan të padrejtë, njohësja e arsimit Salie Osmankaq, ngase ua mohon të drejtën për arsim të lartë.
“Shkelje e drejtave të këtyre nxënësve se detyrimisht ata që mbesin jashtë mbesin për afatin tjetër e që do të mund t’ju kushtojë edhe me regjistrimin në shkollimin e lartë universitar”, tha Osmankaq.
Ndërkaq, njohësi tjetër, Rinor Qehaja, kërkon që ministria të ketë mirëkuptim për këta nxënës dhe t’i lejojë ata të hyjnë në provim të maturës.
“Pasojat e kësaj është pamundësi për regjistrimin në shkollimin universitar. Ministria duhet të jetë fleksibil sikurse ka qenë me shtyrje të afatit, dhe të mirëkuptojë këtë grup të maturantëve që nuk kanë arritë me aplikua në test”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.
Për 24 ditë aplikuan 18.829 nxënës, të cilët do t’i nënshtrohen testit të maturës të shtunën e 22 qershorit.