ATV

Author: ATVLive

  • Përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, i vrarë gjatë luftës nga forcat serbe

    Përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, i vrarë gjatë luftës nga forcat serbe

    Në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, është përuruar skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leutrimit shtatëvjeçar që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës.

    “Në këtë datë në shënojmë dy momente të rëndësishme: ditën e çlirimit të Skenderajt dhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë. Pa mbështetjen e shteteve mike, Kosovës vështirë do t’i vinte liria që ka pritur me shekuj. Kjo pjesë e sheshit të qytetit tonë nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leutrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. Pyetja e vetme që shtrohet më adresën e është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si 7 vjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjëroj mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.

    Profesor Nusret Pllana, fjalimin e tij e filloi duke i përshëndetur të pranishmit me fjalinë e tij të njohur “Ju flet Kosova e lirë.

    Ai pati kritika për zyrtarët qeveritar pasi nuk kanë ngritur një obelisk për të përkujtuar të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës.

    “Drenica djep dhe buka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj jo rastësisht krimet e para kundër popullit shqiptarë janë bërë në Qirez, Likoshan, dhe Prekaz. Qëndresa ishte buka dhe uji i çdo qytetari i kësaj treve heroike. Askujt tjetër nuk i ka hije 25-vjetori i çlirimit se sa Drenicës”, ka thënë ai

    Në emër të familjes Ahmeti, foli Milaimi, i cili kërkoi që të ndërtohet një obelisk që përkujton të gjithë fëmijët e vrarë. Ai nuk la pa përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    “Dhembjes së Leotrimit sot i shtohet edhe më shumë mungesa e çlirimtarëve, e bashkëluftëtareve të Malushit (babait të tij) që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Sa e sa Leotrima të tjera anë e mbanë Kosovës ranë që ne sot të gëzojmë e festojmë me dhimbje e krenari. Sot Leotrimi po kthehet në qytetin e tij të lindjes si një shembull i ndërgjegjes botërore të dhimbjes shekullore të shqiptarëve”, u shpreh ai.

  • ​Bindja e Kurtit për fitore absolute në zgjedhje, kërkohet unifikim i partive opozitare

    ​Bindja e Kurtit për fitore absolute në zgjedhje, kërkohet unifikim i partive opozitare

    Pas deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti se janë të bindur se në vitin 2025 do t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, analistët politikë e konsiderojnë të domosdoshme përafrimin e partive opozitare për t’iu kundërvënë kreut qeveritar.

    Sipas tyre, nëse opozita s’ka një kauzë të përbashkët kundër partisë në pushtet, atëherë kryeministri aktual, Albin Kurti do të dëshmohet sërish si një lider i pakontestueshëm dhe opozita do të ketë rezultat të dobët zgjedhor. Megjithatë ka edhe dyshime që tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK do të gjejnë gjuhë të përbashkët për të garuar si një front opozitarë.

    Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se është e pakuptueshme sesi liderët opozitarë nuk po arrijnë së paku formalisht dhe në pika të gjera të arrijnë një dakordim që si front i përbashkët opozitarë ta kundërshtojnë kryeministrin Kurti.

    “(Përafrimi opozitarë) Kjo është absolutisht e domosdoshme të ndodh, pasi partitë opozitare e kanë kundërshtar kryesor kryeministrin Kurti dhe Vetëvendosjen. Një parti që ka më shumë se 50 për qind të votave. Me dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje do të krijohet më shumë hapësirë për përfitime opozitare elektorale. Ndërsa nëse kjo nuk ndodh atëherë kryeministri Kurti do të dëshmohet sërish si një liderë i pakontestueshëm dhe kjo do të dëmtojë kauzën edhe ashtu të cenuar opozitare dhe do të ketë ndikime negative në rezultatin e tyre zgjedhore. Është krejtësisht e pakuptueshme sesi liderët opozitarë nuk arrijnë së paku formalisht dhe pika të gjera të arrijnë një dakordim në mënyrë si një front i përbashkët të kundërshtojnë Kurtin në çështjet kryesore dhe pastaj natyrisht t’i theksojnë dallime ideologjike dhe partiake që i kanë”, thotë Muhaxhiri.

    Megjithëse e konsideron të nevojshme unifikimin e opozitës, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se në bazë të gjendjes në teren ka përafrim më të madh të PDK-së me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

    Sipas tij, LDK-ja është e vendosur për të qëndruar edhe një mandat në opozitë, mirëpo me kushtin që të fitoi sërish Prishtinën në zgjedhjet lokale. Ndërkaq sa i përket AAK-së, Sadiku deklaron se partia e Ramush Haradinajt s’ka marrë asnjë premtim nga LVV-ja se do të marrë në koalicion.

    “Si i kemi pa aktivitetet e fundit afrimet (e LVV-së) kanë qenë më të mëdha me Partinë Demokratike të Kosovës. Gatishmëria ka qenë më e madhe për shkak të problemeve të brendshme që i ka PDK-ja që të hyjë në një qeveri të ardhshme me Vetëvendosjen. Kurse LDK-ja si duket është e vendosur që të jetë edhe një mandat në opozitë dhe të mundohet të ruaj Prishtinën me çdo kusht. Ndërsa sa i përket AAK-së ata nuk kanë qenë të gatshëm të hyjnë në zgjedhje se nuk kanë pasur asnjë premtim nga LVV-ja që do të marrin në koalicion. Arsyeja për të hyrë në zgjedhje për ta ka qenë vetëm për të konfirmuar edhe një herë Ramush Haradinajn si kryetar të Aleancës, gjë e cila ka qenë e pamjaftueshme për ta”, thekson Sadiku.

    Lideri i LVV-së, Albin Kurti, në tubimin e djeshëm me strukturat e partisë, duke aluduar në fitimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale tha se LVV-ja vitin e ardhshëm duhet të fitoj kampionatin dhe kupën.

    “Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosjes, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë ato pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike, dhe të gjithë po shohim me shumë kënaqësi Shqipërinë tonë që i urojmë fitore në Gjermani, më lejoni ta marr një shembull nga futbolli edhe për zgjedhjet që do të jenë në vitin 2025. Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen “Ballkan”-in e Suharekës. Le ta fitojë Vetëvendosje në 2025, edhe kampionatin edhe kupën. Kjo kërkon të jemi të gatshëm dhe të përshtatshëm, të guximshëm dhe të disiplinuar, për lojë ekipore, por edhe për shkëlqim individual”, tha Kurti.

    Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të mbahen mes muajve janar-shkurt të vitit 2025, ndërkaq zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen në vjeshtën e po të njëjtit vit.

  • Thaçit dhe Veselit iu vazhdohet paraburgimi

    Thaçit dhe Veselit iu vazhdohet paraburgimi

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

    Kryetari i trupit gjykues e ka obliguar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që dorëzimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit për dy të akuzuarit, t’i paraqes jo më vonë se 25 korriku 2024.

    “Për arsyet e përmendura më lart, Paneli urdhëron këtu: (a) Vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi; dhe (b) Urdhëron Prokurorin Special të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76…. Për arsyet e përmendura më lart, Paneli këtu: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli; dhe b) URDHËRON ZPS-në të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Veseli jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në dispozitivin e dy vendimeve për Thaçin e Veselin.

    Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi ndaj tyre mbetet proporcional dhe i arsyeshëm duke iu referuar edhe gjetjeve të mëparshme të trupit gjykues.

  • “TKZ” dalim ne njoftim para ndeshjes Kroaci-Shqipëri

    “TKZ” dalim ne njoftim para ndeshjes Kroaci-Shqipëri

    Rrugëtimin në Kampionatin Evropian të futbollit Shqipëria do ta vazhdojë nesër me sfidën kundër Kroacisë në kuadër të grupit B. Një ditë para ndeshjes, grupi i tifozëve “Tifozët Kuq e Zi” kanë dal me një njoftim duke bërë të ditur se tifozët do të takohen në “Jan-Fedder-Promenade” përball stacionit të U-Bahn Baumëall.

    Atmosfera para ndeshjes do të fillojë që në orën 09:00 dhe marshimi për në stadium në grup do të bëhet në ora 11:45 nga po i njëjti vend.

    Ja njoftimi i plotë:

    Të dashur anëtarë,

    Rrugëtimi i Kombëtares tonë në Kampionatin Europian EURO2024 ka nisur me një paraqitje mjaft dinjitoze duke na dhuruar emocione të papërshkrueshme në përballjen me kampionët të fuqi, Italinë.

    Të mërkurën aventura jonë vazhdon me qytetin e Hamburgut, aty ku djemtë tanë do të kenë përballjen e radhës kundër Kroacisë.

    Ju njoftojmë që vendtakimi i TKZ-së përpara ndeshjes do të jetë në “Jan-Fedder-Promenade” përball stacionit të U-Bahn Baumëall, në adresën:

    https://maps.app.goo.gl/MnuGGBqAaM769Uvs6?g_st=ic

    Atmosfera para ndeshjes do të fillojë që në orën 09:00 dhe marshimi për në stadium në grup do të bëhet në ora 11:45 nga po i njëjti vend.

    Rrugëtimi që do të ndjekim:

    Nisemi nga vendtakimi “Jan-Fedder-Promenade”

    Marshim deri te stacioni Landungsbrücken.

    Marrim S-bahn S1 me drejtim Ëedel dhe zbresim ne Othmanschen.

    Nga stacioni Othmanschen ⁠marrim shuttle bus që na dërgon deri në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg” në adresën “Sylvesterallee 7, 22525“

    E përjetshme Shqipëria

  • Lansohet projekti E-Twinning, mundësohet bashkëpunimi me sistemet arsimore në 40 shtete të Evropës

    Lansohet projekti E-Twinning, mundësohet bashkëpunimi me sistemet arsimore në 40 shtete të Evropës

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen kanë bërë lansimin e projektit e-Twinning, që i mundëson sistemit arsimor në Kosovë, të bashkëpunojë me sistemet arsimore në 40 shtete të Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke thënë se përmes këtij projekti, bëhet promovimi i mësimit të bazuar në projekte dhe qytetarinë digjitale duke mundësuar të zhvillohen aftësitë digjitale në gjeneratat e reja.

    “Jemi bashkë për të lansuar zyrtarisht projektin E-Twinning, pasi që këtë vit jemi bashkuar komunitetit të E-twinning, platformë kjo online që mundëson bashkëpunimin e mësuesve, nxënësve dhe stafit të shkollave nga vende të ndryshme dhe Kosova për herë të parë po bëhet pjesë e platformës me më shumë së 40 shteteve të cilat tashmë kanë qasje por edhe mundësi të bashkëpunimit. kjo është bërë e mundur përmes bashkëpunimit të MASHTI-t si bashkfinancuese me Komisionin Evropian duke ofruar mundësi për bashkëpunim me shkollat e 40 shteteve”, tha Nagavci.

    Ajo ka falënderuar të gjithë zyrtarët e BE-së, të cilat ndihmuan në punën e përbashkët që të ofrojnë mundësi për shkollat e Kosovës.

    “Po e fillojmë për herë të parë në Kosovë që këto mundësi që ofrohen në programin Erasmus+ ti zhvillojmë edhe në arsimin parauniversitar në të gjitha nivelet. që nga viti 2015 Erasmus ka qenë programi më i madh evropian i cili ka hapur dyert për mundësi të panumërta në fushën e bashkëpunimit në mes të institucioneve tona, organizata ndërkombëtare dhe vendore në arsimin e lartë dhe profesional e tani po e krijon këtë mundësi edhe për arsimin parauniversitar. Kosova është me fat që është pjesë e këtyre skemave por njëkohësiht edhe evropianët e rinj të Kosovës, djem vajzat tona e meritojnë te jenë në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre evropianët e vendeve të ndryshme për të bashkëpunuar, ndarë dijet por edhe rezultatet, para pak muajve bashkë me zotin Madsen në këtë sallë i prezantuam arritjet e programit Erasmus+ në Kosovë me fokus përfshirjen sociale e cila është pjesë e pandashme e projekteve tona qeveritare dhe në atë kohë prezantuam që sivjet numri i përfituesve nga Kosova është më i arrituri ndonjëherë sikurse edhe përfitimet e shndërrua në aspektin financiar”, theksoi ajo.

    Nga fillimi i këtij viti Kosova i është bashkuar projektit të E-twining përmes projektit të zyrës mbështetëse kombëtare për E-twinning në Kosovë.

    E përfaqësuesi i zyrës së BE në Kosovë Johannes Madsen, shprehu kënaqësinë e tij për inaugurimin e një projekti te tillë në Kosovë, sikurse E-twinnig.

    “E konsideroj këtë iniciativë si gurthemel shumë të rëndësishëm për rrugëtimin e afrimit të shkollave të BE-së dhe do i pasuroj përvojat edukative të mësimdhënësve. Programi është financuar nga erasmus plus në bashkëpunim më MASHTI-n. Ky program ofron platfromë digjitale për stafin për të bashkëpunuar me shkollat e vendeve evropiane duke i ndarë edhe përvojat e tyre në rrugëtim. E-twinnig përdorë pushtetin e teknologjisë për t’i ndërlidh”, tha ai.

    Të pranishëm në këtë lansim ishin edhe Përfaqësues të departamenteve komunale të arsimit.

  • Daçiq acarohet në Kurtin: Po kërkon legjitimitet që serbët të pajtohen me mendimin e tij për Asociacionin

    Daçiq acarohet në Kurtin: Po kërkon legjitimitet që serbët të pajtohen me mendimin e tij për Asociacionin

    Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po kërkon që serbët e Kosovës të pajtohen me atë që ai thotë, dhe sipas tij kjo të bëhet legjitime.

    Ky koment i tij erdhi ndërsa po flitej për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Daçiq tha se, po të mos ishte Franca, ai vendim do të kishte kaluar.

    ”Sepse ishte Franca ajo që tha se nuk do të jepte pëlqimin për anëtarësim derisa të shohin hapat që do të tregojnë qartë se Këshilli i Europa do të formohet”.

    I pyetur nëse rezoluta për Srebrenicën është një dënim për Serbinë, Daçiq i tha TV Pink se asnjë nga fuqitë e mëdha nuk është kurrë e kënaqur, transmeton klankosova.

    “Perëndimi nuk është i kënaqur me vizitën e presidentit kinez Xi Jinping, por edhe pse Serbia nuk vendosi sanksione ndaj tyre, rusët nuk janë plotësisht të kënaqur me parimet e Beogradit në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës”.

    ”’Të gjithë kanë pritshmëri të caktuara, por çfarë ju tha për dënimin, nëse dikush dëshiron ta tërheqë Serbinë, po vepron në të kundërtën, po na detyrojnë gjithnjë e më shumë në krahët e Rusisë, Kinës dhe të tjerëve”.

  • Rifillon puna në katër repartet e rinovuara në Gjinekologji

    Rifillon puna në katër repartet e rinovuara në Gjinekologji

    Rreth 5.5 milionë euro janë investuar në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të Kosovës. Prej kësaj vlere, mbi 3 milionë janë për fertelizimin e asistuar mjekësor, ndërsa 2.4 milionë euro për mjekësinë fetale.

    Në përurimin e klinikës së rinovuar, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se investimet e realizuara në këtë klinikë janë të mëdha. Duke shtuar se kjo klinikë ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë krahasim me 10 vite më parë.

    “Një investim të jashtëzakonshëm që ka transformuar rrënjësisht këtë klinikë. Bëhet fjalë për 5.5 milionë euro përafërsisht që janë investuar këtu, me ç’rast mbi 3 milionë euro janë për fertelizimin e asistuar mjekësor, ndërkaq rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe për aminiciontezen. Dikur kanë qenë shtatë apo tetë gra në një dhomë, ndërkohë që tualeti ka qenë në një skaj të korridorit e përbashkët, tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare dhe banjo. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekeve dhe i infermiereve është maksimal. Përafërsisht dhjetë vjetëve, unë e kam pasur gruan time që pat lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyn këtu në spital dhe në Kliniken Gjinekologjike nuk mund të dallosh që je në Prishtinë nëse e krahasojmë me kohen para një dekade në vendin e njëjtë. Tash gjysma e këtyre investimeve prej mbi 3 milionë euro tek fertelizimi janë për infrastrukturë e gjysma për pajisje dhe ën të njëjtën kohë jemi me fat që nenat lehona dhe foshnjat e fëmijët në përgjithësi kanë klinikë më të mirë gjinekologjike si asnjëherë më parë pikërisht kur po marrin shtesat për fëmijë e lehona. Mbi 55 mijë lehona marrin mbështetje financiare dhe mbi 400 mijë fëmijë në Republikën e Kosovës për herë të parë me qeverinë aktuale që paraqet edhe një dëshmi të kompletuar se nëna dhe fëmija, shëndeti i saj dhe fëmijës janë në fokus të qeverisë sonë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar më shumë detaje për këtë investim.

    “I lumtur që sot po fillojnë katër repartet më të rëndësishme të rinovuara në Klinikën e Gjinekologjisë. Në këto reparte janë instaluar edhe njësit e tjera të cilat do të ndihmojnë në sistemin informativ shëndetësor, do të ketë digjitalizim të radhëve, do të këtë procese të digjitalozuara në proces. Dhe gjithë kjo përveç kushteve të jashtëzakonshme që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë, edhe punëtorët do ta kenë shumë më lehët që të bëjnë punën e tyre dhe natyrisht sot edhe patëm falënderim nga ta, jo vetëm për shkak të kushteve por edhe për shkak të rrjedhjes së pacientëve dhe mënyrës më të dinjitetshme të trajtimit të grave në klinikë”, tha Vitia.

  • Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

    Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha më 18 qershor se beson që festivali “Mirëdita, dobar dan” që pritet të mbahet në fund të qershorit në Beograd, duhet të anulohet.

    Festivali organizohet që prej vitit 2014 dhe ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

    Daçiq tha se ngjarja nuk po organizohet “në hapësirën shtetërore” dhe se nuk mund të thotë në këtë moment se çfarë do të marrë përsipër shteti.

    “Policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të jashtme, kurse kur bëhet fjalë për tubime në ambiente të mbyllura ne nuk kemi asnjë rol. Mendoj se në përgjithësi është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe apelojmë që të anulohet e gjithë ngjarja”, tha ai në televizionin Pink.

    Festivali prezanton për publikun skenën kulturore dhe sociale të Kosovës dhe këtë vit organizohet nga 27 deri më 29 qershor.

    Më herët, organizatorët e festivalit njoftuan se programi këtë vit do të modifikohet në mënyrë që të mos ketë ngjarje publike kur në Serbi festohet Vidovdani – më 28 qershor.

    Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, deklaroi më 15 qershor se administrata e qytetit nuk do të japë asnjë lloj miratimi për mbajtjen e këtij festivali, ndërsa organizatorët i akuzoi se “ia kanë futur gishtin në sy shtetit serb” pasi “Mirëdita” po mbahet në Vidovdan.

    Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

    Në të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se mbajtja e festivalit të kulturës së Kosovës në Vidovdan është “fyerje të cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.

    “Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, tha Vulin.

    Sipas njoftimeve të organizatorëve, edicioni këtë vit “do të përfaqësojë një ndërthurje të artit, skenës bashkëkohore kulturore, por edhe inicimin e çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në kohë që paraqesin një sfidë të madhe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”.

    Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.

    Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë në vitin 2021.

    Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. /REL

  • Vuçiq në takim me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, kërkon sërish themelimin e Asociacionit

    Vuçiq në takim me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, kërkon sërish themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar edhe njëherë si nevojë urgjente, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këtë Vuçiq, e tha pas një takimi që ka zhvilluar me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença.

    ”Në këtë pikë, posaçërisht theksova nevojën për formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe dhe përmbushjen e përpiktë të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit, të cilën Prishtina e ka shmangur për më shumë se dhjetë vjet”, ka shkruar Vuçiq ndërsa i është anuar Jançait për veprime të njëanshme të Kosovës.

    Madje ai ka përmendur edhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që sipas tij ka rëndësi jetike zbatimi.

    ”Theksova rëndësinë kritike të respektimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe rolin kyç të UNMIK-ut në përputhje me mandatin që i është besuar këtij misioni me qëllim të ruajtjes së paqes, por edhe të mbrojtjes së të drejtave të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë, në të cilat, si më parë, ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme”, theksoi ai.

  • Kurti i reagon BE-së për masat: Nuk spekuloj për spekulimet

    Kurti i reagon BE-së për masat: Nuk spekuloj për spekulimet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është përgjigjur lidhur me deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të cilët i kanë quajtur spekulime lajmet lidhur me heqjen e masave të vendosura për Kosovën.

    “Nuk mendoj që duhet të spekuloj për spekulimet”, ka thënë Kurti.

    Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.