ATV

Author: ATVLive

  • ​Shqipëria nis punën për sfidën ndaj Spanjës

    ​Shqipëria nis punën për sfidën ndaj Spanjës

    Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë në kampin bazë stërvitor të kuqezinjve në Kaiserau pas sfidës me Kroacinë, që u luajt në stadiumin e Hamburgut.

    Skuadra iu drejtua fushës në orën 12:00 të enjten me grupin të ndarë në dy pjesë, duke nisur zyrtarisht edhe përgatitjet për ndeshjen e fundit në grupin B ndaj Spanjës.

    Lojtarët që ishin titullarë ndaj Kroacisë kryen stërvitje të lehtë dhe pa ngarkesa, mes palestrës dhe fushës, ndërsa lojtarët që nuk u aktivizuan ose luajtën pak minuta bënë stërvitje me ngarkesë të plotë.

    Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike.

    Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grupin B në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” ndaj Spanjës më datë 24 mars në stadiumin e Dusseldorfit, në ora 21:00.

  • Mbi 19 mijë nxënës aplikojnë për testin e maturës, 500 prej tyre u refuzohet e drejta e nënshtrimit në këtë afat

    Mbi 19 mijë nxënës aplikojnë për testin e maturës, 500 prej tyre u refuzohet e drejta e nënshtrimit në këtë afat

    19 mijë e 200 nxënës kanë aplikuar për t’iu nënshtruar testit të maturës, i cili mbahet të shtunën më 22 qershor, raporton EO.

    Drejtori i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij testi.

    “Procedura e aplikimit ka përfunduar, maturantët kanë aplikuar nga 27 maji deri më 12 qershor. Maturantët që nuk pasur mundësi të aplikojnë online, për shkaqe teknike ditën e martë, shkollat na i kanë dërguar listat e tyre maturantëve dhe i kemi futur në listë edhe ata për të hyrë në testin e maturës. Në aplikacionin online kanë aplikuar diku 19 mijë e 200 nxënës, ku 18 mijë e 600 prej tyre kanë marrë konfirmim pozitiv për maturë, kurse rreth 500 maturantëve u është refuzuar aplikimi për shkak të mos-drejtës së nënshtrimit në këtë afat”, ka thënë Elezi.

    Ai thotë se aplikacioni ka qenë i lehtë për përdorim, mirëpo disa nxënës kanë pasur probleme me llogaritjen e e-Kosova, pasi i kanë hapur më herët dhe i kanë harruar ose email adresën ose nuk iu ka funksionuar numri i telefonit dhe nuk kanë mundur të aplikojnë.

    “Një numër i vogël prej tyre diku 300 nxënës që i kanë marrë aplikacionet më vonë, ka pasur raste kur edhe dje kanë ardhur në zyrë dhe kur kemi konfirmuar se nuk kanë mundur t aplikojnë për shkaqe teknike edhe ata nxënës”, shtoi ai.

    Ai tha se nuk ka informacione nëse ka pasur ndonjë ankesë rreth aplikimit, pasi edhe ata që nuk kanë mundur të aplikojnë, listat i kanë dorëzuar shkollat dhe janë futur në platformën e-Kosova.

    Elezi bëri të ditur se rezultatet e testit që mbahet me 22 qershor, do të publikohen në fund të qershorit.

    “Tash jemi në fazën finale të përgatitjes, kemi caktuar në koordinim me komunat administrator të testit, janë të sistemuar në qendrat e testimit, kemi pasur trajnime me komisioner të testimeve dhe mendojmë se ketë vit rrjedha e tekstit do të shkojë normale ngase edhe nxënësit të themi në qendrat e sistemit mundësinë e kopjimit do jetë shumë i vogël”, tha Elezi për EO.

    Elezi foli edhe për testet e viteve të kaluara ku kishte shumë kopjime nga nxënësit, pasi testi kishte dalë në rrjetet sociale.

    “Testet, siç e dini në organizimin e viteve të kaluara ne i kemi publikuar teste te vitit të kaluar në web faqet e MASHTI-t, do të thotë testi i viti të kaluar është në adresë të Ministrisë, mirëpo nëse mendoni se testi del gjatë kohës së testimit, e dimë që viteve të kaluara me të filluar testimi në ora 9 kemi pasur publikime të disa pjesëve të testit, mirëpo ndikimi tek maturantët ka qenë minimal ose fare, ka pasur nxënës që ka arrit me përdorë telefonin, ta fotografoj dhe publikoj testin në rrejte sociale, mirëpo ndikimi tek tjerët ka qenë thuajse minimal”, u shpreh ai.

    Elezi tha se nxënësit kur kanë aplikuar në e-Kosova, u është shkuar mesazhi me me rregullat e testit, ku nuk lejohet telefoni, sepse do të përballen me pasojat e largimit nga testi.

    Ai i ka sugjeruar nxënësit që të mos marrin fare telefona me vete, pasi nuk do të lejohen t’i përdorin.

  • Mblidhen sot tre komisione të Kuvendit

    Mblidhen sot tre komisione të Kuvendit

    Dy komisione të Kuvendit do të mblidhen sot për të mbajtur mbledhjet e radhës.

    Komisioni Hetimor Parlamentar mblidhet për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024. Në rend dite është përzgjedhja e ekspertëve.

    Ndërkaq komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    Gjatë ditës do të konstituohet Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të RTK-së.

  • Temperaturat për ditën e sotme

    Temperaturat për ditën e sotme

    Në ditën e parë të verës astronomike, të premten do të vazhdoj vala e nxehtësisë me temperatura edhe më të larta deri në 36C e 37C.

    Do të ketë intervale më të gjata me diell, megjithëse kalojnë kohë pas kohe vranësira të larta. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga jugperëndimi 2-5m/s. Minimalet zbresin në 18C e 20C, njofton Prishtina Weather.

    Më shumë vranësira shfaqen orëve të pasdites të shtunën, ku në pjesë të vendit mund të shoqërohen edhe me ndonjë rrebesh shiu. Temperaturat arrijnë pikën më kulminante të kësaj vale nxehtësie, deri në 37C e 39C. Nga dita e diel po pritet të kemi mot më të paqëndrueshëm, me zhvillime të rrebesheve dhe bubullimave në pjesë të vendit, që në raste mund të marrin veçori edhe të stuhive me reshje të dendura shiu dhe breshër duke shkuar nga dita e hënë. Temperaturat maksimale pësojnë një rënie të lehtë në fillim të javës së ardhshme, në 30C e 32C.

  • Euro 2024/ Ndeshjet e ditës së sotme

    Euro 2024/ Ndeshjet e ditës së sotme

    Kampionati Evropian i futbollit do të vazhdojë rrjedhën e tij edhe me tri ndeshjet të tjera sot në kuadër të fazës së grupeve. Nga ora 15:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” do të ndeshen Sllovakia dhe Ukrainë në kuadër të grupit E.

    Sllovakia e fitoi ndeshjen e parë kundër Belgjikës, kurse Ukraina pësoi disfatë nga Rumania, raporton KosovaPress.

    Më tutje, nga ora 18:00 stadiumin “Olympiastadion” në Berlin pret duelin ndërmjet Polonisë dhe Austrisë në grupin D. Këto dy skuadra do të kërkojnë fitoren e parë në këtë grup pasi u mposhtën nga Holanda, përkatësisht Franca.

    Ndeshja e fundit e ditës së sotme do të jetë ajo ndërmjet Holandës dhe Francës, dy skuadrat liderë të grupit D dhe fituesi i këtij ballafaqimi do ta siguronte kualifimin në fazën tjetër.

  • 25 vjet nga demilitarizimi i UÇK-së, ja marrëveshja

    25 vjet nga demilitarizimi i UÇK-së, ja marrëveshja

    Sot mbushen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, ku janë përfshirë në detaje fazat e dorëzimit të armëve, mbajtjes së uniformave, kalimin e një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike, etj.

    Në marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

    E gjithë kjo fazë ka pasur një periudhë 90 ditësh pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999 është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç ishte paraparë në këtë marrëveshje, por si forcë reaguese në rast të katastrofave natyrore.

    Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje figurojnë: Hashim Thaçi në pozitën e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku në pozitën e shefit të shtabit të UÇK-së dhe është pranuar nga gjenerallejtënant, Mike Jackson, komandant i KFOR-it .

    Më poshtë po e publikojmë tekstin e plotë të marrëveshjes të arritur më 21 qershor 1999.

    Teksti i plotë i dokumentit:

    PËR DEMILITARIZI MIN E UÇK-së

    Të dielën në mbrëmje është nënshkruar teksti i dokumentit të demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nënshkruar nga Kryekomandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çeku dhe komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënanti Mike Jackson. Në vazhdim është teksti i plotë i këtij dokumenti.

    a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.

    UÇK-ja, ka në plan që të punojë në përputhshmëri me kushtet e parashikuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë kontekst që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e UÇK-së, gjatë krizës së Kosovës dhe në bazë të kësaj të marrë në konsideratë se:

    a) Të pranojë se derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj, janë në proces të transformimit, është e zotuar që të propozojë pjesëtarë aktuale individual që të marrin pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.

    b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik e cila do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

    Iniciativa e demilitarizimit të UÇK-së

    Kjo iniciativë mundëson armëpushim të UÇK-së, mos angazhim të tyre në zonat e konfliktit, demilitarizim subsekuent dhe ri-integrim në shoqërinë civile në përputhje me kushtet e Rezolutës së KS të OKB-së 1244 dhe duke marrë parasysh obligimet e marra në Rambuje dhe zotimet publike të delegacionit shqiptar në Rambuje.

    UÇK-ja merr iniciativë, që të heqë dorë nga përdorimi i forcës, që t’i përmbushë direktivat e Komandantit të forcës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (COMKFOR) dhe që në mënyrë paqësore t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e kësaj iniciative.

    UÇK-ja pajtohet që prania Ndërkombëtare e Sigurisë (KFOR) dhe prania ndërkombëtare civile, të vazhdojnë të vendosen e të operojnë pa pengesë brenda në Kosovë dhe që KFOR-i ka autorizim që të ndërmarrë të gjitha aksionet e domosdoshme, për të vendosur dhe mbajtur ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që përndryshe ta kryejë misionin e saj.

    UÇK-ja pajtohet, që t’i përmbushë të gjitha obligimet e kësaj iniciative dhe që të sigurojë, që me efekt të menjëhershëm të gjitha forcat e UÇK-së në Kosovë dhe në shtetet fqinje, do t’i vështrojnë provizionet e kësaj iniciative, do të përmbahet nga të gjitha aktet armiqësore dhe provokuese, qëllimet armiqësore dhe do t’i ngrijnë të gjitha lëvizjet ushtarake, qoftë përgjatë kufijve ndërkombëtarë, apo përgjatë atij midis Kosovës dhe pjesëve të tjera të RFJ-së, apo aksione të tjera, që nuk shkojnë në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

    UÇK-ja në Kosovë, pajtohet që të zotohet publikisht, se do të demilitarizohet në përputhje me paragrafët 22 dhe 23, se do të përmbahet nga aktivitetet që do të mund ta rrezikonin sigurinë e personelit ndërkombëtar qeveritar dhe joqeveritar, përfshirë KFOR-in dhe se do të lehtësojë vendosjen dhe operacionet e KFOR-it.

    Për qëllimet e kësaj iniciative, pikat në vazhdim do të kenë këto kuptime:

    a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.

    b) “Forcat e RFJ”-së përfshijnë tërë personelin e RFJ-së dhe të Republikës së Serbisë dhe organizatat me mundësi militare. Kjo përfshinë ushtrinë e rregullt dhe forcat detare, grupet e armatosura civile, grupet paramilitare, forcat ajrore, gardat kombëtare, policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, policinë ushtarake, shërbimet e inteligjencës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë speciale, lokale dhe antiterroriste dhe çdo grup apo individ që konsiderohet i tillë nga Komandanti i KFOR-it.

    c) Zona Tokësore e Sigurisë (ZTS) është përcaktuar si një zonë 5 kilometrash që zgjatet jashtë territorit të Kosovës, në vazhdim të territorit të RFJ-së. Kjo përfshin terrenin brenda atyre 5 kilometrave.

    d) Armët e ndaluara janë të gjitha armët e kalibrit 12.7 mm e mbi, çdo armë antitank apo antiajrorë, granatat, minat apo eksplozivët dhe armët me flurudhë të gjatë.

    Qëllimet e kësaj iniciative janë këto:

    a) Vendosja e një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive.

    b) Sigurimi për të ndihmuar dhe autorizuar KFOR-in, për të ndërmarrë një aksion të tillë dhe në veçanti për të autorizuar KFOR-in, për të ndërmarrë aksione të tilla, përfshirë edhe përdorimin e forcës së domosdoshme, në përputhje me rregullat e KFOR-it, për të siguruar realizimin e kësaj iniciative dhe mbrojtjen e KFOR-it dhe për t’i kontribuar një ambienti të sigurt për praninë ndërkombëtare, civile, implementuese dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, agjencitë si dhe organizatat joqeveritare dhe popullsinë civile.

    Aksionet e UÇK-së, do të jenë në përputhje me këtë iniciativë.

    Komandanti i KFOR-it në përputhje, në bazë të nevojës, me administratorin civil të përkohshëm, do të jetë autoriteti më i lartë, pavarësisht nga interpretimet e kësaj iniciative dhe aspektet e sigurisë të marrëveshjes paqësore që e përkrah. Përcaktimet e tij do të kenë të bëjnë me të gjitha palët dhe personat.

    Ndalja e armiqësive

    Menjëherë pas nënshkrimit, UÇK-ja pajtohet që të veprojë në përputhje me këtë iniciativë dhe me direktivat e COMKFOR-it. Të gjitha forcave që nuk bashkëpunojnë në bazë të kësaj iniciative apo me direktivat e COMKFOR-it, do t’u pamundësohet aksioni ushtarak, siç do të përcaktohet nga COMKFOR-i.

    Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj iniciative, të gjitha aktet armiqësore të UÇK-së do të pushojnë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së merr përsipër që të japë instruksione të sakta dhe të qarta për të gjitha njësitet dhe personelin që është nën komandën e tij, për të siguruar që kontakti me forcat e RFJ-së të pamundësohet dhe për të përmbushur të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje. Ai do t’i shpall vendimet e tij menjëherë pas nënshkrimit përfundimtar të kësaj iniciative, e cila do të transmetohet përmes të gjitha kanaleve të domosdoshme që d o të ndihmojnë që instruksionet për përmbajtjen e iniciativës t’i arrijnë të gjitha forcat nën komandën e tij dhe të kuptohen nga opinioni në përgjithësi.

    UÇK-ja ndërmerr dhe pajtohet në veçanti:

    a) t’i ndërpresë qitjet nga të gjitha armët dhe shpërthimet e mjeteve shpërthyese.

    b) të mos vendosë barriera apo postëroja, mina, as të mos vendosë karakoll vështruese apo pengesa protektive.

    c) shkatërrimi i ndërtesave, mjeteve ndihmëse apo i strukturave nuk është i lejueshëm. Ajo nuk do të angazhohet në asnjë aktivitet që të bëjë me ushtrinë, sigurinë apo aktivitetet stërvitëse, përfshirë operacionet ajrore, ato tokësore në apo mbi Kosovë apo në ZTS, pa miratim paraprak të COMKFOR-it.

    d) të mos sulmojë, arrestojë apo marrë në pyetje asnjë civil në Kosovë, as të mos sulmojnë, konfiskojnë apo shkelin pronën e civilëve në Kosovë.

    UÇK-ja pajtohet që të mos kryejë kundërsulme, reprezalje apo ndonjë aksion unilateral si përgjigje ndaj RKSOKB 1244 dhe marrëveshjeve të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën. Kjo në asnjë mënyrë nuk e mohon të drejtën për vetëmbrojtje.

    UÇK-ja pajtohet që të mos ndërhyjë ndaj personelit të RFJ-së, që do të kthehet në Kosovë për të kryer detyra të veçanta, me autorizim dhe nën drejtim të COMKFOR-it.

    Përveç me miratim të COMKFOR-it, UÇK-ja pajtohet që personeli i saj të mos mbaj armë të asnjë lloji:

    a) Dy kilometra nga rajonet ku janë të vendosur UJ-ja apo MPB-ja

    b) Dy kilometra nga rrugët kryesore apo në qytetet e shënuara në apendiksin A

    c) Dy kilometra nga kufijtë e Kosovës

    d) Në asnjë rajon, për të cilin kërkon COMKFOR-i

    Brenda katër ditësh të nënshkrimit të kësaj iniciative:

    a) UÇK-ja do t’i mbyll të gjitha pozitat luftarake, fortifikimet dhe postërojat nëpër rrugë dhe do të shënojë minat dhe minat e befasisë që i ka vendosur vetë.

    b) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të raportojë me shkrim lidhur me kërkesat e sipërpërmendura, te COMKFOR-i dhe do të vazhdojë që çdo javë detajisht të shkruajë raporte deri në përfundim të demilitarizimit.

    Aktivitetet e kufirit

    Menjëherë UÇK-ja, do t’i ndërpresë lëvizjet e personave të armatosur nëpër shtetet fqinje. Të gjitha lëvizjet e personave të armatosur në Kosovë do të bëhen me miratim paraprak të COMKFOR-it

    Monitorimi dhe ndërprerja e armiqësive

    Autorizim për t’u marrë me pikat e kësaj iniciative i ka COMKFOR-i. Ai do të monitorojë, mbajë dhe nëse është e domosdoshme edhe të detyrojë me forcë ndërprerjen e armiqësive.

    UÇK-ja pajtohet që të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe administratën e përkohshme civile në Kosovë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të sigurojë që të ndërmerren aksione të duhura për t’u marrë me pika të kësaj iniciative, nga ana e forcave të tij me direktiva të COMKFOR-it.

    Elementet e KFOR-it, do të zgjedhën për të mbajtur kontakte me UÇK-në dhe do të vendosen në strukturat e saj komanduese dhe bazat.

    KFOR-i do të vendosë kontroll të duhur në vendkalimet e caktuara me Shqipërinë dhe IRJM-në.

    Komisioni i Përbashkët i Implementimit (KPI)

    Një KPI do të vendoset në Prishtinë brenda katër ditësh, pas nënshkrimit të iniciativës. KPI-ja do të udhëhiqet nga COMKFOR-i dhe do të përbëjë edhe komandantë të lartë të KFOR-it dhe UÇK-së si dhe një përfaqësues të administratës civile ndërkombëtare në Kosovë.

    KPI-ja do të takohet aq shpesh, sa të jetë e domosdoshme me COMKFOR-in gjatë implementimit të iniciativës. Ajo mund të thirret pa lajmërim paraprak dhe përfaqësimi i UÇK-së pritet në nivel dhe rang të kryesuesit të KFOR-it. Funksionet e saj do të jenë:

    a) Sigurimi i bashkëpunimit me aranzhimet për të cilat është arritur pajtimi për siguri dhe aktivitete të të gjitha forcave;

    b) Hetimet e pikave aktuale apo të kërcënuara të kësaj iniciative;

    c) Detyra të tilla të tjera të cilat do t’i përcaktojë COMKFOR-i, me qëllim të mbajtjes së ndërprerjes së armiqësive.

    Demilitarizimi dhe transformimi

    UÇK-ja do t’i ndjekë procedurat e vendosura nga COMKFOR-i për demilitarizim fazë-fazë, transformim dhe monitorim të UÇK-së në Kosovë dhe për rregullore të tjera të aktiviteteve të tyre. Ata nuk do të ushtrojnë as organizojnë parakalime pa autorizim të COMKFOR-it.

    UÇK-ja pajtohet me orarin e më poshtëm që fillon me nënshkrimin e kësaj iniciative:

    a) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do të vendosë depo të sigurta të armëve, të cilat do të regjistrohen së bashku dhe të verifikohen nga KFOR-i.

    b) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do të pastrojë pozicionet e minave të saj dhe minave të befasisë, do t’i braktisë pozitat luftarake dhe do të transferohet në vende për të cilat pajtohet me COMKFOR-in dhe KPI-në. Pas kësaj, vetëm personel i autorizuar nga COMKFOR-i dhe zyrtarët e lartë të UÇK-së, me personelin e tyre të afërm mbrojtës, numri i të cilëve nuk do ta kalojë treshin, e që mbajnë vetëm armë brezi, do të lejohen që të dalin jashtë këtyre vendeve të caktuara.

    c) Shtatë ditë më pas, armë të vogla automatiku që nuk janë vendosur në depot e regjistruara, mund të mbahen vetëm brenda vendeve të autorizuara.

    d) Pas 29 ditësh, mbajtja e çfarëdo arme me tytë të gjatë, e që nuk është pushkë automatike, do të jetë çështje e COMKFOR-it.

    e) Brenda 30 ditësh, subjekt i aranzhimeve të COMKFOR-it në rast nevoje, i gjithë personeli i UÇK-së me origjinë jo lokale, pavarësisht nga ajo se a janë legalisht në Kosovë, përfshirë këshilltarët, luftëtarët e lirisë, stërvitësit, vullnetarët dhe personeli nga shtetet fqinje dhe shtetet e tjera do të tërhiqen nga Kosova.

    f) Këto janë aranzhimet për kontroll armësh:

    (1) Brenda 30 ditësh, UÇK-ja do të vendosë në depot e regjistruara të armëve të gjitha armët e ndaluara, me përjashtim të armëve të vogla automatike. 30 për qind të numrit të përgjithshëm të këtyre armëve, po ashtu, do të vendosen në depo. Municioni për armët e tjera do të tërhiqet dhe do të vendoset në vende të caktuara nga COMKFOR-i, veçmas nga vendet e caktuara.

    (2) Ditën e 30-të, do të jetë e ndaluar për personelin e UÇK-së, që të mbajë armë të ndaluara, me përjashtim të armëve automatike, në vendet e caktuara dhe do të jetë e ndaluar që të mbahen armë me tytë të gjatë. Armët e tilla do të konfiskohen nga KFOR-i.

    (3) Brenda 30 ditësh, edhe 30 për qind të armëve të vogla automatike, duke dhënë kështu numrin prej 60 për qind të asaj që ka UÇK-ja, do të vendoset nëpër depot e regjistruara të armëve.

    (4) Brenda 90 ditësh të gjitha armët automatike do të vendosen në depot e regjistruara të armëve. Pas kësaj, mbajtja e tyre nga pjesëtarët e UÇK-së, do të jetë i ndaluar dhe armët e tilla do të konfiskohen nga KFOR-i.

    g) Prej 30 deri 90 ditë, depot e armatimit do të jenë nën kontroll të përbashkët të UÇK-së dhe KFOR-it në bazë të procedurave të aprovuara nga COMKFOR në KPI. Pas 90 ditëve KFOR do të marrë kontrollin e plotë të atyre depove.

    h) Brenda 90 ditësh të gjitha forcat e UÇK-së, do të kenë kompletuar proceset për demilitarizimin e tyre dhe do të pushojnë së veshuri uniformat e tyre ushtarake dhe shenjat e UÇK-së.

    i) Brenda 90 ditësh Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të konfirmojë përmbushjen e kërkesave të parashtruara dhe do t‘ia dorëzojë me shkrim atë COMKFOR-IT.

    Provizionet e kësaj iniciative do të hyjnë në fuqi me efekt imediat të nënshkrimit të tij, nga ana e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës.

    UÇK-ja, ka në plan që të punojë në përputhshmëri me kushtet e parashikuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë kontekst që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e UÇK-së, gjatë krizës së Kosovës dhe në bazë të kësaj të marrë në konsideratë se:

    a) Të pranojë se derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj, janë në proces të transformimit, është e zotuar që të propozojë pjesëtarë aktuale individual që të marrin pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.

    b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik e cila do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë para sysh Marrëveshjen në Rambuje.

    Kjo iniciativë është shkruar në gjuhën angleze dhe shqipe dhe nëse ka dyshime në të kuptuarit drejt të tekstit versioni në gjuhën angleze ka precedencë.

    Ofruar nga Hashim Thaçi,

    Kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

    Pranuar nga gjenerallejtënant Mike Jackson,

    Komandant i KFOR-it

    21 qershor 1999

    Rrugët:

    1) Pejë-Llapushnik-Prishtinë

    2) Kufi-Gjakovë-Klinë

    3) Kufi-Prizren-Suharekë-Prishtinë

    4) Gjakovë-Rahovec-Llapushnik-Prishtinë

    5) Pejë-Gjakovë-Prizren-Ferizaj-Kufi

    6) Kufi-Ferizaj-Prishtinë-Podujevë-Kufi

    7) Prishtinë-Mitrovicë-Kufi

    8) Mitrovicë-Rakosh-Pejë

    9) Pejë-Kufiri me Malin e Zi(nëpërmjet Rozhajës)

    10) Prishtinë-Lisicë-Kufiri me Serbinë

    11) Prishtinë-Gjilan-Ferizaj

    12) Gjilan-Tërnoc i Madh-Kufiri me Serbinë;

    13) Prizren-Doganoviqi.

  • Akuzohej për manipulim me vota, ish-deputeti i LDK-së Shkumbin Gashi lirohet nga akuza

    Akuzohej për manipulim me vota, ish-deputeti i LDK-së Shkumbin Gashi lirohet nga akuza

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkumbin Gashi, e vëzhguesi nga radhët e LDK-së, Sylë Balaj, janë liruar nga akuza për manipulim me vota në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

    Gjykata Themelore e Prishtinës e dha verdiktin në këtë rast të enjten, duke theksuar se gjatë gjykimit nuk është provuar fajësia e tyre.

    Më 4 prill të këtij viti, gjykata kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor me arsyetimin se duhet të verifikohet koha e shkrepjes së dy fotografive në të cilën pretendohej se shiheshin të akuzuarit dhe se duhej të dëgjohej përfaqësuesi i KQZ-së, gjë që edhe ndodhi.

    Në fotografitë që janë kontestuar nga mbrojtja, Prokuroria Speciale kishte pretenduar se shihet i akuzuari Balaj bashkë me katër të dënuar duke plotësuar vota.

    Por ekspertiza e Agjencisë Forenzike sipas mbrojtjes sqaroi saktë kohën e shkrepjes së fotografive.

    Sipas PSRK-së, ish-deputeti Gashi dhe Balaj abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit.

    Përveç tyre, në këtë rast akuzoheshin edhe Kastriot Balaj, Shpetim Shala, Milot e Dardan Blakaj, të cilët e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim me kusht.

  • Alarm i rremë për mjetin shpërthyes në rrugën për në Gërmi

    Alarm i rremë për mjetin shpërthyes në rrugën për në Gërmi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një pajisje e veturës e lënë në këtë vend, afër rrugës për në parkun e Gërmisë, i alarmoi disa persona, pasi menduan se është mjet shpërthyes.

    Ata i njoftuan forcat e rendit, të cilët me disa njësi erdhën dhe e bllokuan perimetrin rreth mjetit të dyshimtë.

    Rruga u bllokua për rreth një orë.

    Gjithë ky mobilizim, i bëri kureshtarë qytetarët.

    Mirëpo, pas veprimeve operative nga ekipet policore, rezultoi të ishte alarm të rremë.

    “Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes. Bëhet fjalë për një pajisje të veturës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Prapa kamerës, qytetarët thanë se gjatë viteve të fundit, disa herë ka pasur alarme të rreme për mjete shpërthyese, andaj u shprehën të shqetësuar për këto lloj raportimesh.

    Sidoqoftë, pas përfundimit të ekzaminimit, rruga është liruar për qarkullim.

  • I akuzuar për krime kundër njerëzimit në Irak e në Siri, i mohon akuzat

    I akuzuar për krime kundër njerëzimit në Irak e në Siri, i mohon akuzat

    Përgatiti: Nora Luta

    Murat Dernjani, ish-pjesëtar i organizatës terroriste Shteti Islamik, nuk e ka pranuar fajësinë rreth akuzave për krime kundër njerëzimit ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe në Irak.

    Prokuroria Speciale e ngarkon Dernjanin edhe për dhunë seksuale, e sipas aktakuzës viktimat kanë qenë të mitura, dhe për këtë procesi gjyqësor në Gjykatën e Prishtinës, po zhvillohet i mbyllur për publikun.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, veprat penale u kryen gjatë konfliktit në Siri dhe në Irak, gjatë viteve 2014-2017. PSRK-ja gjatë hetimeve për Dernjanin, bashkëpunoi edhe me autoritetet e disa shteteve, sikurse Gjermania e Franca.

    Pesë nga të mbijetuarat, sipas gjykatës, pritet të dëshmojnë në gjykimin ndaj Dernjanit, i cili ndodhet në paraburgim. Ndërkohë, këtë të enjte u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas asaj fillestare që ishte zhvilluar më 29 prill.

    Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me çështjen penale për të pandehurin M.D, seanca e shqyrtimit fillestar është mbajtur me datë 29.04.2024, në orën 09:30.

    Seanca fillestare në këtë çështje penale është mbajtur e mbyllur për publikun, në bazë të nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale. I pandehuri M.D. nuk e ka pranuar fajësinë dhe konform rregullave të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka udhëzuar mbrojtësin dhe të pandehurin për kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kërkesën e kundërshtimit të provave në afat prej 30 ditësh. Në këtë çështje penale janë të propozuar të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve, pesë të dëmtuara/ viktima. Sot, me datë 20 qershor 2024, nga orën 09:30, ka filluar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale.

    Ish-pjesëtari i ISIS-it ishte dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, pasi më 9 janar të vitit 2019, e kishte pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grupe terroriste.

    Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale se gjatë 2013-s kishte udhëtuar drejt Turqisë, duke marrë me vete gruan dhe djalin e tij, me qëllim që t’i bashkohej ISIS-it.

  • Javën tjetër, parlamenti spanjoll debaton rreth pavarësisë së Kosovës

    Javën tjetër, parlamenti spanjoll debaton rreth pavarësisë së Kosovës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Javën e ardhshme deputetët spanjollë mund të diskutojnë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ky diskutim u vendos pas kërkesës së parashtruar nga grupi parlamentar i partisë katalonase Junts, e cila kërkon nga Qeveria spanjolle ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

    Spanja është vetëm një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Megjithatë, në janar të këtij viti pasi liberalizimi i vizave brenda zonës Schengen hyri në fuqi për Kosovën, Madridi njohu pasaportën.

    Konsideruar këtë, njohës të politikës së jashtme vlerësojnë se qëndrimi i Spanjës mund të ndryshojë.

    “Mos-njohja e Kosovës nga Spanja u konvenon politikave ruse destabilizuese në Ballkan. Spanja me dëshirë apo pa dëshirë do të shtyhet rreth njohjes së Kosovës, për ta stabilizuar dhe për t’i dhënë BE-së fuqi… Këta janë këta indikatorë të themi që në një periudhë afatmesme”, tha Dritëro Arifi, profesor.

    Por edhe nëse Spanja ndryshon qëndrim ndaj Kosovës, njohja e shtetit megjithatë vlerësohet që s’do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

    “Disa veprime me pjesëmarrje të organizimeve që Kosova ishte pjesë e organizimeve të Spanjës, edhe kjo iniciativë edhe pse e një partie të vogël janë indikacione që Spanja mund ta njohë Kosovën në të ardhmen…”, tha Fidan Ukaj, analist.

    Arsyeja kryesore që Spanja nuk e njeh Kosovën, sipas njohësve, lidhet me qëndrimin e Madridit karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet.

    Ky rajon në vitin 2017 organizoi referendumin për pavarësi, të cilit Madridi iu përgjigj me dhunë dhe ndjekje penale të organizatorëve. Njëri prej tyre ishte Carles Puigdemont, kryetari i partisë Junts, i cili u strehua në Belgjikë ku mori azilin politik.

    Ai u kthye në Spanjë vetëm pasi kryeministri aktual, Pedro Sanchez, vendosi t’i amnistojë të gjithë të përfshirët në referendum, në këmbim të përkrahjes së partive katalonase në formimin e qeverisë së tij pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme vitin e shkuar.