ATV

Author: ATVLive

  • Krizë te Italia pas eliminimit nga Euro 2024

    Krizë te Italia pas eliminimit nga Euro 2024

    Raporte të shumta në Itali pretendojnë se shefi i delegacionit të Italisë, Gigi Buffon, ka kërkuar të takohet me drejtuesit e Federatës Italian të Futbollit (FIGC( për të diskutuar të ardhmen e tij me kombëtaren dhe planet e tyre afatgjata dhe kjo vjen pak dit pas eliminimit të Italisë nga Euro 2024.

    Kishte raporte se ish-portieri kishte vendosur të jepte dorëheqje, por sipas “Sky Sport Italia” dhe “Tuttosport”, kjo ende nuk ka ndodhur. Në fakt, Buffon ka kërkuar një takim me shefat e FIGC për të diskutuar planet afatgjata dhe pozicionin e tij brenda projektit, përcjellë KosovaPress.

    Trajneri Luciano Spalletti emëroi Buffon si shef të delegacionit të Italisë në shtator 2023. Sipas raportimeve, Buffon dëshiron të sigurojë që të ketë kushte për të vazhduar projektin pas një eliminimi kaq zhgënjyes nga kampionati evropian.

    Sipas “Tuttosport”, Spalletti gjithashtu mund të përfshihet në bisedime me fituesin e Kupës së Botës 2006.

    As presidenti i FIGC-së Gabriele Gravina dhe as trajneri Spalletti nuk dhanë dorëheqje pas daljes së Italisë nga EURO 2024, por Gravina shpalli zgjedhjet e Federatës për 4 nëntor 2024.

  • ​Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut diskutohet në konferencën shkencore të Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    ​Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut diskutohet në konferencën shkencore të Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë organizuar konferencën shkencore “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024.

    Muharrem Shabani, i cili lexoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut theksoi se kuvendi i atëhershëm u mbajt në kushte të jashtëzakonshme e nën rrethimin e shërbimeve sekrete serbe.

    “Gjendja në Kosovë në ato vite ishte tepër e rëndë. Me 23 mars 1989, në mënyrë të dhunshme ishte sulmuar ajo autonomi. Prandaj edhe ky kuvend që u mbajt më vonë u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, nën rrethimin e forcave serbe dhe shërbimeve sekrete. U paraprin shumë ngjarjeve të rënda, burgosje të intelektualëve, vrasje, kthimin e shumë ushtarëve në arkivole, helmime masovike te shkollave të mesme”, tha ai.

    Në këtë konferencë shkencore, ai shtoi se Deklarata Kushtetuese ishte pikënisje për kushtetutën dhe referendumin.

    Për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator 1990, foli Ismet Salihu, i cili tha se gjatë muajit korrik e gusht kanë punuar në hartimin e këtij akti.

    “Qëllimi kryesor i Serbisë ishte suspendimi i autonomisë së Kosovës. Suspendimi i autonomisë nxiti demonstrata në mbarë Kosovën”, theksoi ai.

  • Kraja: Ditë zie për letërsinë, por edhe çaste të mburrjes e krenarisë – rrugë të mbarë për në amshim, mik i çmuar

    Kraja: Ditë zie për letërsinë, por edhe çaste të mburrjes e krenarisë – rrugë të mbarë për në amshim, mik i çmuar

    Kryetari i Akademisë së Shekncave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja tha se sot është ditë zie, por edhe çaste krenarie.

    Me rastin e vdekjes së Ismail Kadaresë, Kraja publikoi një fotografi me shkrimtarin, duke shkruar: “Sot është ditë zie për letërsinë, por janë edhe çaste të mburrjes dhe krënarisë”.

    “Rrugë të mbarë për në amshim, mik i çmuar!”, shkroi Kraja.

    Kadare vdiq sot në moshën 88-vjeçare, pas një arresti kardio-respirator.

  • Policia ia publikon foton një personi, dyshohet që vodhi paratë e bamirësisë në Rahovec

    Policia ia publikon foton një personi, dyshohet që vodhi paratë e bamirësisë në Rahovec

    Policia në Gjakovë, ka publikuar fotografinë e një personi që dyshohet të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes në Rahovec dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët.

    Sipas Policisë, i dyshuari ka vjedhur paratë e bamirësisë në një barnatore në qytetin e Rahovecit.

    “Me datën 30.03.2024, në Stacionin Policor në Rahovec është raportuar rasti i vjedhjes së një kutie qelqi me para të destinuara për bamirësi, në një barnatore në qytetin e Rahovecit. Policia menjëherë ka filluar me veprime hetimore, me ç’rast edhe janë siguruar fotografi të personit të dyshuar.

    Deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i tij, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore.

    Andaj, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët: kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë)” – thuhet në njoftim.

  • Fejzullahu: Përkundër hezitimit nga serbët, besojmë se deri në fund të vitit do t’i nënshkruajnë kontratën me Elektroseverin

    Fejzullahu: Përkundër hezitimit nga serbët, besojmë se deri në fund të vitit do t’i nënshkruajnë kontratën me Elektroseverin

    Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se qytetarët serb në veri të vendit ende janë duke hezituar që t’i nënshkruajnë kontratat me kompaninë serbe, Elektrosever, raporton EO.

    Fejzullahu është optimist se deri në fund të këtij viti, qytetarët serb do t’i përgjigjen këtij obligimi. Ndërsa, ka treguar edhe nga cilat tregje merret energjia gjë që është e kontraktuar nga Serbia. Ai ka thënë se kompania serbe, Elektrosever është duke kryer detyrimet në raport me KEDS-in dhe duke i paguar tarifat ZRrE-së.

    “E kemi thënë edhe më herët se trendi nuk është si më thënë te pritjet tona. Kemi trend pozitiv në fakt një pjesë e madhe e konsumatorëve kanë nënshkruar kontratat me Elektroseverin por është mirë me u ritheksu se Elektroseveri është duke kryer detyrimet në raport me KEDS-in apo duke paguar tarifat nga ana e ZRrE-së sa i përket tarifave të shfrytëzimit të rrjetit të ASSh-së gjithashtu edhe tarifat e KOST-it apo tarifat e OST-së dhe OT-së që për ne si ZRrE konsiderojmë që është një hap tutje, një numër i madh i konsumatorëve ende janë duke rezistuar ose nuk janë duke i nënshkruar kontratat siç është e paraparë me legjislacioni në fuqi mirëpo pritjet tona janë që deri në fund të këtij viti edhe ata konsumatorë do fillojnë t’i nënshkruajnë kontratat me Elektroseverin dhe shpresojmë që nga viti i ardhshëm edhe ajo pjesë do të jetë 100 për qind si pjesa tjetër e Kosovës”.

    “Ne e dimë se 100 për qind e asaj energjisë merret nga tregjet në regjion konkretisht shumica e informatave se energjia merret nga ana e tregut të Serbisë sipas të dhënave që i kemi e gjithë energjia kalohet pothuajse jo e gjitha përmes Malit të Zi dhe Kosovës, pra kjo energji është blerë dhe kontraktuar në tregun e Serbisë”, ka thënë Fejzullahu.

  • Të martën në Bruksel takimi i kryenegociatorëve, Stano tregon prioritetet

    Të martën në Bruksel takimi i kryenegociatorëve, Stano tregon prioritetet

    Një takim tjetër në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të zhvillohet të martën në Bruksel.

    Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili theksoi në një paraqitje për gazetarë se prioriteti dhe agjenda e takimit përcaktohet nga “urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja palëve”.

    “Mund të konfirmoj se nesër do të ketë një takim në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në nivelin e negociatorëve kryesorë, siç u njoftua nga përfaqësuesi i lartë i (BE për politikë të jashtme dhe politikë të sigurisë Josep Borrell) të mërkurën e javës së kaluar dhe prioriteti dhe agjenda përcaktohet nga urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

  • Zyrapi: Rexhep Selimi dhe Sokol Bashota kanë qenë në Drejtorinë Operative të Shtabit të UÇK-së

    Zyrapi: Rexhep Selimi dhe Sokol Bashota kanë qenë në Drejtorinë Operative të Shtabit të UÇK-së

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi tha se detyrën për të shkuar në Zonën e Drenicës e mori nga Sokol Bashota dhe Rexhep Selimi, të cilët sipas tij kanë qenë në Drejtorinë Operative të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Fillimisht, iu prezantua një intervistë e tij e dhënë më herët, në të cilën kishte thënë se Rexhep Selimi e kishte ngarkuar Zyrapin me detyrën për të dhënë këshillime në zonën operative të Drenicës

    “Po e saktë është. Edhe Sokol Bashota edhe Rexhep Selimi, dytë kanë qenë në Drejtorinë Operative. Kështu që mua më kujtohet se edhe në kohën, të parën kur kam dalë me e vizitu Drenicën ka qenë Sokol Bashota, pastaj me Rexhep Selimin”, tha dëshmitari.

    Zyrapi theksoi se gjatë qershorit apo korrikut 1998 ka qenë në Llapushnik dhe se herën e parë tha se ka qenë me Rexhep Selimin, me komandantin e njësisë lokale, si dhe me Fatmir Limajn.

    Më pas, për një dokument i cili iu prezantua dëshmitarit, pati kundërshtime mbrojtja e të akuzuarve me pretendimet se nuk kishte vulë, datë dhe nënshkrim. Sipas mbrojtjes, është problematike besueshmëria e dokumentit, e që për këtë arsye duhet kundërshtuar.

    Pas këtij dokumenti, u prezantua një tjetër, në të cilin sipas prokurores Clare Laëson ishin vendime për bashkimin e dy njësive të një zone operative. Kurse, Zyrapi tha i se i njeh emrat që përmendeshin në atë dokument.

    Gjithashtu, u prezantua edhe një dokument tjetër, në të cilin thuhej se ishte bërë kërkesë për tabela të veturave të UÇK-së.

    “E di që ka pas tabela qe janë përdorë me shenjta të UÇK-së, po për Policinë Ushtarake në veçanti nuk e di. Nuk po më kujtohet”, tha Zyrapi, në përgjigje të prokurores Laëson se a kishin makinat e UÇK-së dhe Policia Ushtarake targa të veçanta.

    Zyrapi ka nisur dëshminë e tij të premten/ Betimi për Drejtësi

  • ​Konjufca: Të gjitha instancat shtetërore duhet t’i përmbahen kushteve të Kurtit në dialog

    ​Konjufca: Të gjitha instancat shtetërore duhet t’i përmbahen kushteve të Kurtit në dialog

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se të gjitha instancat shtetërore duhet t’i përmbahen të kushteve të kryeministrit Albin Kurti për dialogun. Kryeparlamentari nënvizoi se pa u dënuar kryerësit e sulmit terrorist në Banjskë s’mund të ketë paqe në rajon, derisa vuri në pah se qindra persona po përgatiten në Serbi për një sulm të sërishëm në Kosovë.

    Konjufca pas takimit me homologen e saj nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq, tha se institucionet e Kosovës janë të përgatitura të përballen me çfarëdo sulmi apo provokimi që vjen nga Serbia. Në anën tjetër, kryeparlamentarja sllovene tha se çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes dialogut, përndryshe mund të ndodhin gjëra sikurse në Ukrainë. Krahas kësaj, ajo theksoi nevojën që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, ndërkaq shtoi se ndërmjetësi i dialogut duhet të jetë nga një vend që njeh sovranitetin e të dy vendeve.

    “E para le të flasim për atë që është quajtur mosndëshkimi i marrëveshjes nga Serbia. Pikërisht për shkak të saj Serbia ka marrë pozicionin që nuk i zbaton klauzolat e kësaj marrëveshje që ne kemi arrit në Bruksel…Serbia mbi bazën e mosndëshkimit nuk po e zbaton atë. Zotëri Kurti fillimisht ka kërkuar që të sqarohet më së pari nënshkrimi. E dyta çështja e kryekriminelit Radoiçiq që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ai ndodhet i lirë në Serbi dhe vepra po trajtohet nga shteti serb gati më i lehtë sikurse me pas bërë shkelje të trafikut… Dhe e treta, letra që ish kryeministrja Bërnabiq i ka dërguar institucioneve evropiane duke e zhvlerësuar marrëveshjen që është arritur në Bruksel…Çdo instancë pas qeverisë dhe formulimit të këtyre kushteve duhet të mbajë atë qëndrim”, tha ai.

    Përkushtim të palëve në dialog kërkoi kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq,

    “(Njohja reciproke)Kjo mund të ndihmojë nëse të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën dhe të ketë reciprocitet në njohjen e tyre. Vendet fqinje mund të përpiqen që të ndikojnë këtu, ne dëshirojmë që të shohim se ndikimi ynë do të jetë pozitiv në këtë drejtim. Mendoj se kjo(njohja reciproke) do të ishte shumë e mirëseardhur për të dy vendet… Dyja vendet do të ketë vështirësi për të zgjidhur këtë pa ndihmën e të tjerëve, disa nga vendet kyçe të Bashkimit Evropian do t’iu ndihmojnë në këtë aspekt. Është e rëndësishme gjithashtu se vendet e treta të njohin sovranitetin e të dy vendeve, pasi të dyja vendet janë të njëjtin nivel. Nëse kemi vende të treta që nuk e njohin Kosovën atëherë kjo është e vështirë”, theksoi Zupançiq.

    Duke konsideruar të domosdoshme që përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë të dalin para drejtësisë kosovare, Konjufca tha se ka informacione të sakta se edhe një grup tjetër po përgatitet për sulm ndaj vendit.

    “Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe për paqe në rajon pa u dënuar dhe u vënë para drejtësisë kryesitë e këtij krimi (sulmit terrorist në Banjskë) dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese…21:23 Institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup tjetër prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në serbi, po ushtrojnë, po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund të përjetojmë. Por ne jemi gjithmonë të përgatitur dhe institucionet tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë që të përballen me çfarëdo që na vjen ose sulm ose provokim nga ana e Serbisë”, tha Konjufca.

    Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq, tha se është e domosdoshme që çështjet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen përmes dialogut, pasi përndryshe mund të ndodh sikurse lufta në Ukrainë.

    “Vendimet e njëanshme nga ana e Serbisë që të zgjedhin se cilat klauzola të marrëveshjes të zbatojnë dhe cilat jo nuk shihen në sy të mirë nga komuniteti ndërkombëtarë, kur ne duhet t’i respektojmë të drejtat e të gjitha kombeve që jetojnë këtu. Si politikan neve na pëlqen që të flasim shumë për dialogun, ndonjëherë mund të duket si klishe, por nëse nuk i zgjidhim çështje përmes dialogut, atëherë mund të shohim gjëra të këqija sikurse në Ukrainë. Pasi nuk i kushtojmë vëmendje situatave të cilat mund të qojnë tek lufta. E kuptoj frustrimin në Kosovë, ne kemi marrëveshje të cilat nuk janë implementuar, sulmin terrorist ku ka marrë përgjegjësinë e plotë një person por nuk është i dënuar për këtë. Ka frustrim të madh është e kuptueshme dhe qartë. Dua të shoh që autoritetet e Serbisë të ndryshojnë këndvështrimin dhe të jenë më të hapur në bisedime”, tha ajo.

    Në lidhje me rastin e Banjskës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se reagimi i zyrës së Borrell se Kosova s’ka dërguar asnjë raport ishte shokuese, pasi institucionet e vendit e kanë njoftuar BE-në për të gjitha detajet e sulmit të Banjskës.

    “Në këtë rast unë kam parë se ata nuk është se kanë vepruar sipas standardeve më të larta evropiane. Preferencat e tyre private dhe individuale kanë pasur ndikim të madh në mënyrën sesi e kanë formësuar ata dialogun. Njëra prej konsekuencave më të mëdha të kësaj qasje ka qenë favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë dhe vendosja e Kosovës në një pozicion të pafavorshëm….Reagimi i fundit që e pati zyra e BE-së dhe departamentit të Borrellit ishte shokuese që thoshte se Kosova s’ka dërguar asgjë për sulmin e Banjskës. Përkundrazi BE-ja dhe zyra e Borrellit i ka të gjitha detajet deri në hollësinë e fundit se çka ka qenë sulmi i Banjskës dhe si është kryer”, theksoi ajo.

    Krahas këtyre, të dy homologët shprehën vullnetin për thellim të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

    Në vizitën e saj në Kosovë, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq u prit në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani./kp

  • ZRrE ia aprovon ALPEX-it kërkesën për tarifa shtesë

    ZRrE ia aprovon ALPEX-it kërkesën për tarifa shtesë

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) të hënën ka miratuar kërkesën për Listën e Tarifave ALPEX sh.a për zonën e ofertimit të Republikës së Kosovës, si Operator i Emëruar i Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) që ndërlidhen me Tregun Ndërditorë, raporton EO.

    Eksperti për tarifa dhe çështje rregullative, Muharrem Gashi, tha se ALPEX ka disa kërkesa për aktivitetin ditor.

    “ALPEX ka disa kërkesa për aktivitetin ditor me shtu edhe tarifën ditore, shtimin e tarifës variabile për tregun ditorë, shtimin e tarifës të lirimit për tregun ditorë”, tha ai.

    Tutje, shtoi se kanë edhe dy kërkesa tjera.

    “Me ndryshu emërtimin e tarifës vjetore dhe provimit, me u bë pagesë njëherë nga tarifa vjetore që është në zbatim. ALPEX, ka volume të vogla tregtimi”, tha ai.

    Aty u tha se ky vendim nuk ka ndikim tek tarifat e konsumatorëve.

  • ​Francë-Belgjikë, formacionet e mundshme

    ​Francë-Belgjikë, formacionet e mundshme

    Do të zhvillohet një ndeshje e kategorisë së rëndë sonte me fillim nga ora 18:10 ndërmjet Francës dhe Belgjikës në “Merkur Spiel-Arena” në Düsseldorf, me të dy këto kombëtare që synojnë kalimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

    Trajneri i Francës Didier Deschamps nuk ka probleme të mëdha me listën për t’u marrë përpara ndeshjes së raundit të 16-të. Trajneri i Francës ka në dispozicion të gjithë skuadrën e tij. Sulmuesi Kylian Mbappe, luajti 90 minutat e plota kundër Polonisë dhe është i gatshëm edhe për sot.

    Ja formacionet e mundshme:

    Franca: (4-2-3-1) Maignan, Kounde, Saliba, Upamecano, Hernandez, Kante, Tchouameni, Dembele, Griezmann, Rabiot, Mbappe

    Belgjika: Casteels, Castagne, Faes, Vertonghen, Theate, Tielemans, Onana, Doku, De Bruyne, Carrasco, Lukaku.