Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është raportuar për një kërcënim me bombë.
Lajmin për KP e ka konfirmuar zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtaret dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë te angazhuar ne kryerjen e detyrave te tyre”, ka thënë Gara.
Ndërkohë, kërcënim të njëjtë pati edhe pak ditë më parë, por që pas kontrollit doli se kërcënimi ishte i rremë.
Ushtria izraelite urdhëroi një evakuim masiv të palestinezëve nga pjesa më e madhe e Khan Younis, një shenjë se trupat ka të ngjarë të nisin një sulm të ri tokësor në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës.
Urdhri thotë se Khan Younis do të jetë objektivi në sulmet e përsëritura të Izraelit në Gaza, që kanë nisur gati nëntë muaj më parë. Pjesa më e madhe e Khan Younis ishte shkatërruar tashmë në një sulm të gjatë në fillim të këtij viti, por një numër i madh palestinezësh janë kthyer që atëherë për t’i shpëtuar një sulmi tjetër izraelit në zonën më jugore të Rafahut të Gazës.
Forcat izraelite luftuan për javë të tëra në Khan Younis në fillim të këtij viti dhe u tërhoqën, duke pretenduar se kishin shkatërruar batalionet e Hamasit në qytet. Një evakuim dhe shpërthim i luftimeve në zonën Khan Younis mund të pengojë më tej qasjen e palestinezëve në ujin e pijshëm.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti për vizitë në Kiev, për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për paqen evropiane me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi Kovacx në X.
Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Orban është një kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën. Ai është, po ashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj.
Instituti Albanologjik i Prishtinës ka mbajtur të martën mbledhje komemorative në nderim të shkrimtarit, Ismail Kadare i cili vdiq të hënën, raporton EO.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, ka thënë se me vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar Kadare nuk ka humbur vetëm letërsia shqiptare por edhe letërsia botërore.
“Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, ka thënë ai.
Profesor Emin Kabashi, ka thënë se vdekja e tij i jep shpresë jetës dhe sipas tij, ky shekull është shekulli i Kadaresë.
“Një vdekje që i jep shpresë jetës. Ismail Kadare bëri dy profeci, paralajmëroi kthimin e dinjitetit të një letërsie dhe të kulturës shqiptare dhe paralajmëroi që ky shekull është shekulli i tij. Mund të thuhet lirisht se ky shekull është shekulli i Ismal Kadares për kulturën dhe artin shqiptar dhe botëror”, ka thënë ai.
Profesor Arben Hoxha, tha se vdekja e shkrimtarit Kadare e ka tronditur ndjenjën njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes kulturore.
“Dhembja për ikjen fizike të shkrimtarit ton Ismail Kadare sot e ka tronditur ndjenjën tonë njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes sonë kulturore. Shkrimtarët e mëdhenj janë luftëtaret dhe negociuesit me të dinjitetshëm me metafiziken e ekzistencës sonë, ata negociojnë e përplasë me të kufijshmen për të pakufishmen, për të përhershmen e ekzistencës se qenies njerëzore”, ka thënë ai.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të jetë e pranishme në ceremoninë e varrimit të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, mëson Ekonomia Online.
Qeveria ka shpallur 2 dhe 3 korrikun ditë zie në nderim të Ismail Kadaresë. Shkrimtari i madh dhe kolosi i letrave shqipe u shua mëngjesin e kësaj të hëne në QSUT, ku ishte dërguar me urgjencë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, homazhet dhe ceremonia do zhvillohen të mërkurën, 3 korrik, te Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit nga ora 09.00 deri 11.00 dhe nga ora 11.30 deri 12.30.
Bëhet me dije se ceremonia do të kryhet nga institucionet shtetërore, konkretisht nga Kryeministria. Aktualisht trupi i Kadaresë ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet.
Dhjetëra banorë të fshatit Shipitullë të Obiliqit, kanë protestuar të martën para zyrës së Korporatës Energjetike të Kosovës lidhur me shpronësimet e tokave që i ka kryer KEK-u, raporton EO.
Kryesuesi i fshatit, Musli Mjeku ka deklaruar për media se nuk janë ardhur me dhunë e as për ta sulmuar dikë.
Sipas tij, që një muaj e gjysmë nuk kanë përgjigje nga zyrtarët e KEK-ut.
“Ne nuk jemi ardh me dhunë, nuk jemi ardh me bë kurrgjë. Nuk jemi ardh me sulmu askënd, vetëm për të treguar që e kemi një kërkesë të kamotshme. I kishim lut dikush nga KEK-u të del me na dhënë një përgjigje, pse që një muaj e gjysmë nuk na ka dhënë përgjigje. Me të 24-tin kemi bërë kërkesë, nuk kemi përgjigje as pozitive as negative por te dimë nga të shkojmë. Për në fshatin Shipitullë e dinë edhe bota se kanë marr informata. Ju kisha lut le të pranon dikush të flet ndonjë zyrtarë i KEK-ut”, tha Mjeku
Qytetari Shemsi Mjeku, u shpreh i shqetësuar sepse sipas tij, fshati Shipitullë është bërë e pa banueshme.
“Kërkesa jonë e vetme është me na me shpronësu tokat të kryera për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës. Nuk ka kush që jeton në atë vend, në atë ajër të ndotur, ujë nuk ka në momentin kur gërmon uji ndotet kushte për jetesë nuk ka. Kërkesa jonë është vetëm me na shpronsu ato toka, presim përgjigje pozitive”, u shpreh ai.
Ankesa pat edhe qytetari Halil Mjeku, krijohet shumë zhurmë dhe pluhur nga KEK-u dhe se rrugët janë bërë të pa kalueshme për shkak të mungesës së distancës ndaj shtëpive dhe kësaj korporate.
“Jemi dalë sepse kemi shqetësimin e tokave te cilat po përdorët për KEK-un, kemi zhurmë, pluhur. KEK-u i ka shkel rregullat civile që me mbajt distancën në mes shtëpive përndryshe e kanë shpronësu krejt tokat nuk kemi as ku me kalu. Na e kanë mbyll rrugën jo vetëm neve por të gjithëve që kalojnë nga Obiliqi. Kemi mbet si oazë”, tha ai.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim kryeparlamentaren e Republikës së Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič, raporton EO.
Zupančič po qëndron në Kosovë e cila gjatë ditës së djeshme ka mbajtur takim me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Me këtë të fundit kanë mbajtur edhe një konferencë për media.
Eksperti balistikës Lutfi Raci, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, tha se gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë të armës-pushkës automatike ASH-78, e cila shihet edhe në video-incizimin e të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj.
Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj po akuzohen se më 26 nëntor 2021, të shtyrë nga hakmarrja e paskurpullt, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre fëmijë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas ekspertit Raci, konstatimet që në kanë arritur nga ekspertiza, kanë qenë se tri gëzhojat kishin qenë të shkrepura prej një arme të vetme.
Në bazë të karakteristikave klasore, ai tha se ato kanë qenë të shkrepura nga një pushkë automatike e llojit ASH-78 e prodhuar në Shqipëri, e cila është një variant i pushkës automatike AH-47.
Foto: Imazhet e paraqitura në seancë nga Prokuroria, pjesë e ekspertizës balistike për krahasimin e karakteristikave të pushkës së ekspozuar në video-incizim.
“Kanë qenë edhe disa xhaketa apo fragmente, në mesin tyre 4 xhaketa të dëmtuara. Dëshmitë me shifra A#1.3 A#2.2, B#7.1, dhe D#13, në bazë të karakteristikave klasore dhe individuale ato janë shkrepur apo qitur prej një arme të gjatë me tytë prej 4 palë të vijaskave me besueshmëri pushkë- automatike ASH-78 variant i pushkës AH-47”, tha eksperti.
Sipas tij, këto dëshmi kanë qenë të krahasueshme dhe të identifikueshme se prej sa armëve janë shkrepur. Tha se në mesin e dëshmive ka pasur edhe dëshmi tjera, por të cilat nuk kanë pasur elemente apo karakteristika të krahasueshme.
Raci tha se bazuar në të gjeturat, krahasimet dhe metodat që i kanë përdorur, kanë ardhur në përfundim se gëzhoja, fragmentet, xhaketa, bërthama dhe pjesë të tjera të ekzaminimit, i takojnë kalibrit të fishekëvë 7.62x39mm.
“Karakterikat krahasore që janë gjilpërat goditëse, shenjat e jashtëqitësit, sipërfaqja e gojzës dhe disa karakteristikat tjera. Ne themi se me besueshmëri në këto dëshmi janë shkrepur prej këtij lloji të armës, por jo armës së saktë, sepse nuk e dimë sepse arma nuk është sjellë si provë për krahasim”, tha eksperti balistik Raci.
Ai shtoi se objekt ekzaminimi ishin qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe një pistoletë.
Dëshmitë me shifër C#1 dhe B#1, tha se ishin dy fishekë të kalibrit 7.62x39mm, pastaj si dëshmi të kalibrit të njëjtë ishin dëshmitë me shifër H#1, që ishin 123 fishekë të kalibrit të njëjtë 7.62x39mm. Në mesin e këtyre fishëkeve të dëshmisë H#1, tha se kishte qenë një fishek i therur në kapsolën ndezëse nga gjilpëra goditëse e armës.
Dëshmi tjera tha se ishin 20 fishekë të kalibrit 7.62x39mm dhe 12 fishekë të kalibrit 7.62.x39mm, i cili lloj municioni tha se përdoret për pushkët automatike AK-47 dhe variantet e saja, si dhe armët tjera të cilat e përdorin këtë municion, po ashtu dëshmi tjetër kishte qenë një pistoletë.
Lidhur me fishekun e therur, ai tha se iu takon dëshmive, të municionit të gjetur në shtëpinë e të akuzuarve, ku në bazë të shenjave tha se i takon prodhuesit Paliqan të Shqipërisë dhe përveç kalibrit nuk ka asnjë lidhshmëri me gëzhojat e vendit të ngjarjes.
Ai tha se nuk kanë mundur të vijnë në përfundim se a është therur ai fishek apo jo nga arma e njëjtë që i ka shkrepur tri gëzhojat në vendin e ngjarjes.
“Kanë munguar karakteristikat klasore që fisheku nuk ka qenë i shkrepur, pa u shkrepur karakteristikat klasore apo individuale nuk mbesin në gëzhojë, në këtë rast që është therë fisheku kanë qenë karakteristikat e dobëta dhe me to nuk ka mundur ta identifikojë se fisheku është ther nga e njëjta gjilpërë goditëse e armës që i ka shtypur tri gëzhojat e vendit të ngjarjës”, tha Raci.
Sipas një fotografie të paraqitur nga ana e Prokurorisë, e cila është gjetur në telefonin e të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, eksperti tha se ajo është pushkë automatike ASH-78, variant i pushkës AK-47.
Foto: Imazhi i të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj shkëputur nga video-incizimi i marrë nga telefoni i tij.
Kjo lloj arme tha se është e prodhuesit Poliqan, Republika e Shqipërisë, kalibri i saj është 7.62x39mm, dhe tha se kjo armë funksionon në bazë të shtypjes së gazrave në formë të shtytjes apo qitjes.
“Krahasimin e kemi bërë pasi që kemi pasur në video-incizimin dhe ne i kemi bërë forografitë, i kemi nxjerrë nga video-incizimi dhe e kemi krahasuar me një armë me karakteristikat e njëjta, e cila del se bëhet fjalë me pushkën automatike ASH-78 në bazë të këtyre elementeve si në fotografi”, tha eksperti Raci.
Në fund, prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësit e të akuzuarve, kishin propozime për dëgjimin e dëshmitarëve tjerë, të cilët mbrojtja pretendon se do të paraqesin alibinë e ditës në të cilën ka ndodhur ngjarja kritike.
Për këto, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, tha se do të vendosin në seancën e nesërme për shkak të kalimit të orarit të rregullt të punës.
Paraprakaisht, eksperti Raci tha se për objekt ekspertimi në ekspertizën e tyre kanë qenë tri gëzohja të kalibirit 7.62x39mm, disa bërthama, xhaketa, pjesë të fragmentuara të xhaketave.
Ai tha se kanë punuar me metodën e ekzaminimit fizik, klasifikimit dhe identifikimit të plumbave, ndërsa edhe për gëzhojat gjithashtu tha se është përdorur metoda për ekzaiminim fizik, klasifikimit dhe identifikimit të tyre.
Raci tha se u përdorën mikroskopët krahasue dhe stero krahasues, si dhe sistemi ibis e përputhja digjita;e për provat materiale të cilat ishin për ekzaminim për ta shikuar se a janë shkrepur nga një armë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).
385 persona janë pickuar nga rriqrat në Malishevë, sipas raportit pesëmujor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Këtë e ka bërë të ditur Komuna e Malishevës përmes një njoftimi për media, ku mes të tjerash thuhet se asnjë nga të pickuarit nuk është i hospitalizuar.
Sipas Komunës, meritë e menaxhimit të mirë të situatës është puna e ekipeve mjekësore si dhe sektorëve të bujqësisë dhe emergjencave.
“Një menaxhim i mirë u përkushtohet punës dhe ekipeve mjekësore të cilët mbajtën ligjërata të drejtpërdrejta me nxënës të shkollave dhe kjo padyshim ka ndikuar në informimin e tyre. Po ashtu angazhim në këtë drejtim kanë dhënë edhe sektorët e bujqësisë dhe të emergjencave të cilët dolën në terrene fushore, ku bënë spërkatjen e hapësirave publike. Këta janë faktorë që mbrojtën banorët që punojnë në fusha nga pickimet e rriqrave. Këshilla profesionale nga anëtarët e komitetit është se situata me ethet hemorragjike nga rriqrat nuk është tejkaluar tërësisht, prandaj edhe kërkohet përkujdesje nga të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave të mbrojtjes nga rriqrat, sidomos në këta muajt e vapës dhe punës në fusha”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.
Stuhi të fuqishme të shoqëruara me shi e breshër të madh kanë përfshirë të hënën Ballkanin.
Stuhia e fortë goditi fillimisht në Slloveni, duke kaluar më pas në Kroaci e duke mbërritur edhe në Serbi e Bosnjë.
Në lindje të Kroacisë, stuhia goditi më së shumti zonën e Boshnjakut, Zhupanjës dhe Vinkovcit. Stuhia shkuli pemët, dëmtoi çatitë dhe makinat. Pati më shumë se 200 telefonata për ndihmë në Zagreb dhe përreth.
Siç njoftuan meteorologët, ajo mbërriti nga perëndimi dhe stuhia lëvizi shpejt dhe krijoi kaos të vërtetë në disa qarqe.
Stuhia më e fortë u ndje në Zurpanje, e cila, së bashku me erën e fortë dhe shiun e dendur, u shoqërua edhe me breshër të madh.
Në disa pamje të publikuara, shihet se nuk ka shtëpi të cilës nuk i janë dëmtuar tjegullat e muret.
Situatë e ngjashme ishte edhe në Serbi e Slloveni.
Reshjet e mëdha të shiut të shoqëruara edhe me breshër kanë prekur pjesët perëndimore të Vojvodinës dhe Serbinë perëndimore. Në pjesën më të madhe të vendit, është aktivizuar niveli më i lartë i paralajmërimit – alarmi i kuq i motit.
Në disa rajone ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.