ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Ismail Kadare ishte gjigant i letrave shqipe

    Krasniqi: Ismail Kadare ishte gjigant i letrave shqipe

    Për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare ka shkruar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Krasniqi, ka thënë se Ismail Kadare ishte gjigant i letrave shqipe.

    Sipas tij, Kadare ishte më shumë se një shkrimtar.

    “Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore. Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë”, ka shkruar Krasniqi.

    Postimi i tij i plotë:

    Lamtumirë, Gjenerali i letrave shqipe!

    Gjatë jetës, ndonjëherë mendojmë se disa nga personalitetet të cilat na kanë frymëzuar dhe që me veprimtarinë e tyre jemi rritur e formësuar – do t’i kemi pranë përgjithmonë. Megjithatë, ja që vdekja është e pamëshirshme dhe troket në derën e secilit – edhe të gjigantëve.

    Ismail Kadare, me një stil krejt të veçantë dhe origjinal, ishte një gjigant i letrave shqipe. Një personalitet dhe një zë i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor.

    Kadareja, mendja brilante pas veprave të përjetshme si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer” dhe dhjetëra veprave të tjera, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë botën letrare.

    Shkronjat dhe fjalët e tij thurën mozaikun e ndërlikuar të shqiptarëve, duke sjellë në jetë betejat tona, triumfet tona dhe shpirtin tonë të palëkundur.

    Megjithatë, duke na e thyer edhe korrikun, Gjeneralin e letrave shqipe vdekja na e mori vetëm fizikisht. Ai, nëpërmjet rrëfimeve dhe veprave që la mbrapa, ka kapërcyer hendekun e kohës dhe fizikes, duke i takuar barasvlefshëm dhe përjetësisht të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë.

    Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore.

    Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë.

    Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë. 🌹

  • ​Kadeti i FSK-së diplomon në Akademinë e Mbrojtjes kroate

    ​Kadeti i FSK-së diplomon në Akademinë e Mbrojtjes kroate

    Kadeti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Shaban Shehu ka diplomuar në Akademinë e Mbrojtjes kroate.

    Kjo, është bërë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të FSK-së, në rrjetin social Facebook.

    Shehu, do të vazhdojë edhe studimin master në Kroaci, kurse pas përfundimit do t`i bashkohet Forcës së Sigurisë së Kosovë

    “Kadet Shaban Shehu pas katër vite studimi në Akademinë e Mbrojtjes kroate ka përfunduar me sukses të shkëlqyer akademinë dhe ka marr gradën nëntoger, dhe për shkak të rezultateve të larta gjatë studimit ai do të vazhdoi edhe studimin master, pas përfundimit do t`i bashkohet Forcës së Sigurisë së Kosovë për të dhënë kontributin e tij në ngritjen dhe avancimin dhe për të shpërndarë njohurit tek ushtarakët e FSK-së”, thuhet në njoftim.

  • De la Fuente mesazh Gjermaninë: Ju e dini me kë do të përballeni

    De la Fuente mesazh Gjermaninë: Ju e dini me kë do të përballeni

    Spanja fitoi me dominim të plotë në ndeshjen kundër Gjeorgjisë të cilën e mposhti me rezultat 4-1, derisa në çerekfinale do të ballafaqohet me Gjermaninë.

    Para ndeshjes me Gjermaninë, trajneri i Spanjës, De La Fuente ka thënë se skuadra e tij është më e mira në këtë evropian.

    “Ne kemi shumë besim dhe një ekip me talent, cilësi dhe përkushtim. Të jesh i bindur për aftësinë tënde është shumë e rëndësishme. Nuk dua të ofendoj askënd, por ne kemi ekipin më të mirë në këtë turne”, tha De la Fuente.

    “Gjermania është një ekip fantastik, ata kanë disa nga lojtarët më të mirë në botë dhe janë shumë të organizuar, shumë të disiplinuar. Por ata do të përballen me një ekip shumë të ngjashëm me ta, shumë të përkushtuar, shumë mirë të organizuar, të vështirë për t’u kapërcyer, të uritur me shumë ambicie. E di që është gjëja e zakonshme të thuhet, por në futboll, janë detajet e vogla që do të vendosin ndeshjen dhe çfarë do të ndodhë në fund”, shtoi ai.

  • Rasti i abortit të paligjshëm: Nëna dyshohet se e ndihmoi vajzën në vrasjen e foshnjës, e hodhën në tualet

    Rasti i abortit të paligjshëm: Nëna dyshohet se e ndihmoi vajzën në vrasjen e foshnjës, e hodhën në tualet

    Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sinjali ka mësuar me burime se dy të arrestuarat janë nënë e bijë, të cilat po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tronditës.

    Burimet kanë bërë me dije se vajza 19-vjeçare në bashkëkryerje me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë derisa ka qenë rreth 7-muajshe – dyshohen se e kanë hedhur në tualet.

    Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Klankosova.tv ku kanë kërkuar ndalimin e të dyjave grave.

  • Regjistruesit protestojnë para ASK-së, ankohen se nuk u respektua kontrata

    Regjistruesit protestojnë para ASK-së, ankohen se nuk u respektua kontrata

    Dhjetëra regjistrues të angazhuar në procesin e regjistrimit të popullsisë, kanë protestuar të hënën para Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilët shprehën ankesat e tyre rreth pagesave për periudhën e angazhimit për punën në terren, raporton EO.

    Ata pretendojnë që ASK-ja nuk e respektoi kontratën me ta, ndërsa përfaqësuesit e protestuesve zhvilluan edhe një takim me përfaqësuesit të ASK, të cilët ju premtuam se do të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

    Përfaqësuesja e protestuesve, Lirie Aliu, ka thënë janë të pa kënaqur me pagë që u janë dalë dhe se sipas saj janë 200 regjistrues që kanë pasur problemin e tillë.

    Ajo ka thënë se ne takim me përfaqësues të ASK-së u është premtuar se do të zgjidhin këtë problem, teksa kanë paralajmëruar edhe protesta tjera nëse nuk gjejnë zgjidhje.

    “Arsyeja pse sot jemi këtu është se jemi të pakënaqur me pagat që na u janë servuar. Pas bisedës e sipër me Yll Shalën, erdhëm në një konkludim që është formuar një komision që kanë me u rishiku prej A deri në ZH të gjitha ankesat që janë bërë në rast se ka pasur diçka parregullsi në bazë të pagesave që është dashur që të bëhen. Na dhanë fjalën që shumë shpejt kanë me u shqyrtua ato dhe çka ka pasur gabime paret do të dalin në konto. Para dy dire është krijuar një grup i ankesave që ka arritur afër 200 që janë te pakënaqur, ka edhe të tjerë që ende nuk kanë marr informata”, ka thënë Aliu.

    Ylli Shala menaxher i projektit të regjistrimit, ka thënë se në lidhje me këtë çështje është krijuar një komision i cili është duke i shqyrtuar të gjitha ankesat.

    “E vërejta këtë pakënaqësi përmes mediave po menjëherë kemi intervenuar e kemi formuar komisionin i cili është duke i shqyrtuar të gjitha ankesat e regjistruesve dhe gjitha pagesat që janë bërë. E kemi edhe një pjesë të stafit që nuk është paguar, jemi në proces që sot ose nesër finalizohen edhe ato. Ne si ASK e kemi bërë një kontratë me regjistrues dhe mbrapa asaj kontrate qëndrojmë dhe çka do që del jemi të gatshme që me paguar pa kurrfarë problemi”, ka thënë ai.

    Në lidhje me këtë ASK-ja sot ka njoftuar të gjithë regjistruesit e angazhuar gjatë Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) se ka formuar një Komision që do të merret me shqyrtimin e të gjitha ankesave rreth pagesave për periudhën e angazhimit për punën në terren.

    Sipas njoftimit, meqenëse ASK-ja ka pranuar disa ankesa rreth mënyrës së pagesave, Komisioni do të merret me verifikimin në sistem të secilit regjistrues dhe pyetësorëve të aprovuar nga sistemi, në mënyrë që të vërtetohet ndonjë lëshim teknik që ka mund të ndodhë.

    “Në bazë të ankesave të pranuara deri më tani, shihet se ka një keqkuptim nga regjistruesit rreth mënyrës së kompensimit ndërmjet pagës bruto dhe neto, mënyrës së përllogaritjes së pyetësorëve të plotësuar, si dhe në disa raste për ato intervista që sistemi i ka klasifikuar si intervista jo të rregullta. Sidoqoftë, ASK-ja do të veprojë sipas të gjitha procedurave dhe në bazë kontratës. Nëse verifikohet ndonjë lëshim teknik eventual, kompensimi i mjeteve do të kryhet menjëherë. Të gjitha ankesat mund të parashtrohen te Departamenti i Administratës së ASK-së në email: [email protected]”, thuhet në njoftim.

  • Vdekja e Kadaresë, Ambasada Amerikane: Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës

    Vdekja e Kadaresë, Ambasada Amerikane: Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

    “Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë”, shkruan Ambasada e SHBA-së, duke shtuar se letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.

    Ndërsa kujtoi që Ambasada e SHBA-së ka nderuar Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020.

    “Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra”, thuhet në postim.

    “Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit frymëzon lexues në mbarë botën. Kujtojmë me kënaqësi që Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020″.

    “Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruan Ambasada Amerikane.

  • The New York Times: Kadare krahasohej me Kafkën, Kunderën, Orwellin, i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar në hartën e letërsisë botërore

    The New York Times: Kadare krahasohej me Kafkën, Kunderën, Orwellin, i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar në hartën e letërsisë botërore

    “Ai u krahasua me Orwellin dhe Kafkën dhe eci në litarin e ngushtë politik me vepra kritike për shtetin e tij totalitar”. Kështu shkruan gazeta amerikane, The New York Times në krye të lajmit për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.

    Në titull, NY Times shkruan se ka vdekur shkrimtari,”romanet e të cilit e sollën gjendjen e Shqipërisë në botë”.

    Ismail Kadare, romancieri dhe poeti shqiptar, i cili i vetëm e shënoi atdheun e tij të izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore, duke krijuar vepra shpesh të errëta, alegorike që kritikonin në mënyrë të zhdrejtë shtetin totalitar, vdiq të hënën në Tiranë, Shqipëri. Ai ishte 88 vjeç.

    Vdekja e tij u konfirmua nga Bujar Hudhri, kreu i Shtëpisë Botuese Onufri, redaktori dhe botuesi i tij në Shqipëri, i cili tha se ai pësoi arrest kardiak në shtëpinë e tij dhe vdiq në një spital në Tiranë, kryeqytetin shqiptar.

    Në një karrierë letrare që zgjati gjysmë shekulli, zoti Kadare shkroi një sërë librash, duke përfshirë romane dhe përmbledhje me poezi, tregime të shkurtra dhe ese. Ai fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1970 kur romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u përkthye në frëngjisht. Kritikët europianë e përshëndetën atë si një kryevepër.

    Emri i zotit Kadare u përfol disa herë për çmimin Nobel, por nderi i shpëtoi atij. Në vitin 2005, ai mori çmimin inaugurues Man Booker International Prize (tani Çmimi Ndërkombëtar Booker), që i jepet një shkrimtari të gjallë të çdo kombësie për arritje të përgjithshme në letërsi. Finalistët përfshinin titanë të tillë letrarë si Gabriel García Márquez dhe Philip Roth.

    Në dhënien e çmimit, John Carey, një kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti zotin Kadare “një shkrimtar universal në një traditë të tregimit që shkon prapa te Homeri”.

    Kritikët shpesh e krahasonin zotin Kadare me Kafkën, Kunderën dhe Orwellin, ndër të tjerë. Gjatë tre dekadave të para të karrierës së tij, ai jetoi dhe shkroi në Shqipëri, në atë kohë nën kontrollin e një prej diktatorëve më brutalë dhe më idiosinkratikë të bllokut lindor, Enver Hoxhës.

    Për t’i shpëtuar persekutimit në një vend ku më shumë se 6,000 disidentë u ekzekutuan dhe rreth 168,000 shqiptarë u dërguan në burgje ose kampe pune, zoti Kadare eci në një litar të ngushtë politik. Ai shërbeu për 12 vjet si deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë dhe ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të regjimit. Një nga romanet e zotit Kadare, “Dimri i madh”, ishte një portret i favorshëm i diktatorit.

    Ndryshe, disa nga veprat e tij më të shkëlqyera, duke përfshirë “Pallati i ëndrrave” (1981), sulmuan në mënyrë subversive diktaturën, duke anashkaluar censurën përmes alegorisë, satirës, ​​mitit dhe legjendës.

    Z. Kadare “është një interpretues suprem fiktiv i psikologjisë dhe fizionomisë së shtypjes”, shkroi Richard Eder në The New York Times në 2002.

    Z. Kadare ka lënë pas gruan e tij, Elena Kadare, gjithashtu autore, dhe dy vajza: Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Gresa Kadare.

    Të gjitha veprat e tij ndanin një forcë, shkroi Charles McGrath në The Times në 2010. Z. Kadare është “me sa duket i paaftë për të shkruar një libër që dështon të jetë interesant”.

    Në vitin 2005, pasi fitoi Çmimin Ndërkombëtar Booker, Z. Kadare tha: “I vetmi akt i mundshëm i rezistencës në një regjim klasik stalinist ishte të shkruaja”.

  • Le Monde kujton fjalët e Kadaresë: Më thonë se s’isha i sinqertë me diktatorët, por a duhet të jesh i sinqertë me banditët e kafshët e egra?

    Le Monde kujton fjalët e Kadaresë: Më thonë se s’isha i sinqertë me diktatorët, por a duhet të jesh i sinqertë me banditët e kafshët e egra?

    Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

    Ai ishte një nga të paktët autorë shqiptarë të njohur dhe të përkthyer në mbarë botën. Ai vdiq të hënën në Tiranë.

    Ishte romani i parë i Ismail Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur – botuar në Shqipëri në vitin 1963 – që i solli famë, duke e bërë menjëherë një nga të paktët shkrimtarë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht. I përkthyer në mbi 45 gjuhë dhe fitues i çmimeve më prestigjioze letrare (Man Booker, Prince of Asturias, Jerusalem Prize), Kadare vdiq në Tiranë të hënën, më 1 korrik, në moshën 88-vjeçare, shkruan gazeta e njohur franceze, Le Monde.

    Ai lindi më 28 janar 1936, në Gjirokastër, një qytet që ndodhet 200 kilometra larg Tiranës, në jugun malor të Shqipërisë. I listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ai njihej nën Perandorinë Bizantine si Argyropolis, “Qyteti i Argjendtë” – ky qytet historik luajti një rol të rëndësishëm në punën e tij. Kadare e përshkroi atë në romanin e tij të vitit 1971 “Kronikë në gur” dhe në veprën e tij madhështore autobiografike të vitit 2015, “Kukulla”. Në jetën e tij si në tregimet e tij, Kadare kthehej gjithmonë në Gjirokastër, “qyteti më i pjerrët në Europë”.

    Le Monde kujton fjalët e Kadaresë në një intervistë për këtë gazetë në vitin 2001, ku ai nuk e fshehu lodhjen e tij për t’i shmangur gjithmonë dyshimet e paqartësisë për të kur e pyetën për Shqipërinë dhe kohën e komunizmit. “Më vjen neveri të shpenzoj kaq shumë energji duke folur për këtë. Në thelb, ajo që njerëzit më pyesin është se si dola i gjallë nga sistemi. Por ju mund të qëlloheni për gjërat më të vogla, kështu që pse duhet ta sakrifikoja veten? Ata që lekturojnë më thotë: ‘Nuk ishe i sinqertë me diktatorët’. Por a është e nevojshme të jesh i sinqertë me banditët dhe kafshët e egra?”.

    Sinqeriteti i tij, tha ai, ushtrohej në artin e tij. Në të vërtetë, letërsia ishte me të që në moshë të re. Në moshën 9-vjeçare, kur komunizmi u përhap në vendin e tij, ai tashmë ishte “i fiksuar pas idesë për të gjetur kuptimin e fjalëve”. Në moshën 12-vjeçare, ai shkroi vargjet e tij të para.

  • Abdixhiku: Kryeveprat e Kadaresë do të mbesin gjithmonë referenca për kulturën e letërsinë – ikonë, mjeshtër i papërsëritshëm

    Abdixhiku: Kryeveprat e Kadaresë do të mbesin gjithmonë referenca për kulturën e letërsinë – ikonë, mjeshtër i papërsëritshëm

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

    Abdixhiku shkruan se Kadare ” i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”.

    “Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, shkroi ai.

    “Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

    Abdixhiku shkruan se “Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë”.

    “Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”.

    Në telegramin e ngushëllimit thuhet gjithashtu se në LDK kujtojnë “me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm”.

    “Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”.

  • Haxhiu kërkon nga Serbia transferimin e katër shtetasve që po mbahen atje, publikon letrën

    Haxhiu kërkon nga Serbia transferimin e katër shtetasve që po mbahen atje, publikon letrën

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një letër që ia ka dërguar ministres së Drejtësisë në Serbi, Maja Popovic, ku kërkon transferimin e katër shtetasve të Kosovës që aktualisht po mbahen në burgjet e Serbisë.

    Bëhet fjalë për Nezir Mehmetajn, Hasan Dakajn, Sadik Durakun dhe Tefik Mustafën.

    “Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet kthyer në Kosovë per tu gjykuar drejtë dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.”