ATV

Author: ATVLive

  • Më pak çifte të kurorëzuar në vitin 2023 sesa një vit më parë

    Më pak çifte të kurorëzuar në vitin 2023 sesa një vit më parë

    Në vitin 2023, janë regjistruar 18 mijë e 493 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre kurorëzimeve të regjistruara, 16 mijë e 978 kurorëzime kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, kurse kurorëzime të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 515.

    “Krahasuar me vitin paraprak (2022) që ishin 17 863, në vitin 2023 janë kurorëzuar 16 978 apo (4.95 %) persona më pak”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Kurse sipas raportit, jashtë Kosovës janë regjistruar 1 515 Kurorëzime. Krahasuar me vitin 2022 (1627 Kurorëzime), në vitin 2023 janë Kurorëzuar 1 515 apo (6.9 %) më pak qifte.

    Nga të dhënat statistikore, shihet se Kurorëzime (brenda Kosovës), janë regjistruar më pak në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, gjithashtu (jashtë Kosovës) kemi numër me te vogël të qifteve të kurorëzuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.

    Sipas komunës ku ka ndodhur ngjarja, në Prishtina janë regjistruar më së shumti kurorëzime 1 mijë e 727 apo 9,3%, në Prizren me 1 mijë e 597 apo 8,6% , në Ferizaj 1 mijë e 102 apo 6.0%, etj.

    Personat e kurorëzuar sipas grup-moshës në vitin 2023, më së shumti raste ka te meshkujt e grupmoshes 25-29 ne vendin e dyt grupmoshat 30-34 dhe ne vendin e tretë grupmoshat 20-24,ndërsa tek femrat më së shumti raste të kurorëzimeve ka grup-mosha 20-24, vendin e dytë grup-mosha 25-29 si dhe vendin e tretë grup-mosha 30-34.

    Mosha mesatare e personave të kurorëzuar, të regjistruar gjatë vitit 2023 ishte 30 vjeç.

  • ​KEK-u del me njoftim pas protestës së banorëve të Shipitullës për shpronësimin e tokave

    ​KEK-u del me njoftim pas protestës së banorëve të Shipitullës për shpronësimin e tokave

    Korporata Energjetike e Kosovës pas protestës së banorëve të fshatiti Shipitullë të Komunës së Obiliqit ka dal me njoftim lidhur me shpronësimet e tokave.

    “Korporata Energjetike e Kosovës.. përsëri njofton banorët përreth fushës së operimeve të cilët përmes protestave po shprehin pakënaqësitë e tyre rreth procesit të shpronësimit, se përvetësimi i tokës për nevoja xehetare (përmes Zhvendosjes/Shpronësimit) nga KEK bëhet vetëm bazuar në Planin Kryesor Xehetar dhe në legjislacionin në fuqi, përfshirë Kornizën e Politikave të Zhvendosjes (KPZH), Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme në Kosovë dhe Ligjin për Miniera dhe Minerale (LMM)”, thuhet në njoftim.

    Poashtu në njoftim thuhet se sa i përket shqetësimeve (pretendimeve) të banorëve në lidhje me procesin e shpronësimeve, KEK0u të gjitha i ka adresuar tek organet relevante të drejtësisë.

    “Prandaj, sa i përket përvetësimit të tokave dhe zgjerimit të minierave (për arsye të tjera), që nuk janë në përputhje me Planin Kryesor Xehetar, dhe planet tjera operative, përsëri ju bëjmë te ditur se kjo çështje është përtej kompetencave dhe interesit të KEK sh.a”, përfundon njoftimi.

    Dhjetëra banorë të fshatit Shipitullë të Obiliqit, kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë. Banorët kanë kërkuar takim me bordin e KEK-ut lidhur me shpronësimet e tokave.

  • Një muaj paraburgim për nënën nga Podujeva që dyshohet se vrau foshnjën gjatë lindjes

    Një muaj paraburgim për nënën nga Podujeva që dyshohet se vrau foshnjën gjatë lindjes

    Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehures GJ.L, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

    “Gjykata vlerësoj se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti se nëse e pandehura gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale”, thuhet në njoftim.

    Një ditë më parë, policia ka njoftuar se një femër nga Podujeva ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, pasi që e njëjta dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme.

  • ​Rrëfimi i notares bullgare që theu rekordin në zhytje të lirë

    ​Rrëfimi i notares bullgare që theu rekordin në zhytje të lirë

    Notarja bullgare Silvia Rashkova vendosi një rekord të ri kombëtar për femra në zhytje të lirë duke arritur një thellësi prej 60 metrash në disiplinën FIM (zhytjen e lirë) gjatë një gare në Larnaka, Qipro, më 2 qershor.

    Në një intervistë ekskluzive për BTA, ajo foli për atë që e bëri të dashurohej me zhytjen e lirë, perceptimet e gabuara për sportin, kushtet për ta ushtruar atë në Bullgari dhe mënyrat se si mund të jetë i dobishëm për ne në jetën e përditshme.

    Pas vetëm dy garave të zhytjes së lirë në thellësi në 9 muajt e fundit, Rashkova mban rekorde kombëtare në tre disiplina të veçanta (FIM, CWTB dhe CWT). Gjatë kësaj periudhe, zhytja ka qenë kryesisht jeta e saj, pasi përveç stërvitjes së zellshme, ajo është instruktore e certifikuar në shkollën e parë të zhytjes së lirë në vend.

    Si fëmija i vetëm i një fuzhnjari, dashuria e saj për zhytje ishte e pashmangshme. “Ishte e pamundur të mos trashegoja hobit e tij”, tha ajo.

    “Babai im më futi në ujë para se të mund të ecja. Në fakt – nën ujë, për tmerrin e nënës sime. Në moshën 14-vjeçare, unë zhytësha në 8-9 metra thellësi.

    Zhytja e lirë – sport me adrenalinë? Gabim. Është sport më i ngjashëm me meditimin.

    Ajo tha për BTA se ka shumë keqkuptime rreth zhytjes së lirë dhe shembulli më i qartë është besimi i përhapur se zhytja e lirë është një sport që të japë adrenalin. “Në fakt, ne shmangim adrenalinën, duam të jemi të qetë, të relaksuar, sepse sa më të qetë të jemi, aq më pak oksigjen harxhojmë dhe mund të qëndrojmë më gjatë në ujë.

    Kur bëhet siç duhet, Silvia e krahason zhytjen e lirë me meditimin aktiv. “Përmes tij, ne bëjmë një pushim nga përditshmëria stresuese. Pastaj ne dalim shumë më të çlodhur dhe të gatshëm për të përballuar detyrat e jetës sonë të përditshme me energji të përtërirë.”

    Edhe pse është ende larg nga një sport popullor, interesi për zhytje të lirë po rritet si në nivel lokal ashtu edhe në nivel global.

    “Po bëhen gjithnjë e më shumë filma nën ujë, zhytësit e lirë kanë filluar të shfaqen në video muzikore dhe kjo po rrit popullaritetin e sportit. Gjithashtu po bëhet më e lehtë të udhëtosh në destinacione të ndryshme, mediat sociale po evoluojnë – ne po shohim vazhdimisht pamje nënujore. Njerëzit duke e parë këtë, duke pasur mundësinë të udhëtojnë dhe të shohin vende të bukura, kanë filluar ta praktikojnë këtë aktivitet gjithnjë e më shumë.”

  • Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erërat e forta me shi të rrëmbyeshëm gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

    Në njoftimin e kësaj komune thuhet se përveç fasadës së jashtme në një pjesë të objektit e cila ka rënë në tokë duke dëmtuar veturat afër ndërtesës, fatmirësisht ka kaluar pa pasoja tjera.

    “Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me zyrtarët policorë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shirituar zonën e rrezikut dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situate”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se Komuna e Skenderajt shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot në vendin tonë mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

  • ​Ronaldo: Ky është Evropiani im i fundit

    ​Ronaldo: Ky është Evropiani im i fundit

    Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se kampionati evropian i këtij viti do të jetë i fundit në karrierën e tij. Superylli portugez, i cili është 39 vjeç, po luan në Euro për herë të gjashtë dhe ka ndihmuar vendin e tij të arrijë në çerekfinale, ku Kylian Mbappé dhe Franca presin në Hamburg të premten.

    Duke folur për transmetuesin publik portugez RTP pas fitores me penallti ndaj Sllovenisë të hënën, Ronaldo tha: “Është, pa dyshim, kampionati im i fundit evropian. Por unë nuk jam emocional për këtë. Jam prekur nga të gjitha mjetet e futbollit, nga entuziazmi që kam për lojën, entuziazmi për të parë mbështetësit e mi, familjen time, dashurinë që njerëzit kanë për mua.”

    Ronaldo, i cili është një nga golashënuesit më mirë në historinë e futbollit dhe ka një rekord me 14 gola në Kampionatin Evropian, tha se motivimi i tij kryesor tani ishte “të bënte njerëzit të lumtur”. Ai u përlot gjatë ndeshjes me Slloveninë, pasi humbi penalltinë në vazhdime, përcjellë KP.

  • Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë për EO se Kosova ka bërë mjaftueshëm përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Deputetja e pushtetit këmbëngul se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    Duke komentuar takimin e sotëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, Statovci ka thënë se nevojitet qartësim i pozicioneve të të dyja vendeve.

    “Padyshimtë që është edhe një dëshmi tjetër e përpjekjeve tona për normalizim të raporteve në mes dy shteteve. Çështja është që kryeministri Kurti ka qenë i qartë në kushtet bazë të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të ketë një normalizim, duke e ditur që marrëveshja bazë ka trajtuar elementet bazë të cilat janë elemente kyçe problematike. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qartësim të pozicionit të Serbisë në raport me integritetin territorial të Kosovës, në raport me shtetësinë e Kosovës dhe simbolet e Kosovës të cilat e definojnë një shtet. Në kuadër të kësaj kornize ku qartësohet marrëdhëniet mes dy shteteve të punohet edhe në aspektet e tjera të cilat e mundësojnë një integrim të mirëfilltë”, ka thënë Statovci.

    Statovci theksoi se është një përpjekje e mëtutjeshme nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar këtij procesi, mirëpo sipas saj, kjo marrëveshje përcillet me mosbesim ku prej 11 pikave janë shkelur 8 sosh nga Serbia.

    “E shohim që është një përpjekje mëtutjeshme dhe institucioneve të Bashkimi Evropian që të punojnë në këtë drejtim mirëpo siç është thënë ky është proces që përcjellët me mosbesim sepse në tavolinë kemi një palë i cili në këtë marrëveshje tetë pika nga 11 janë shkelur, ka përcjellë edhe letër zyrtare duke e qartësuar pozicionin e saj se tërhiqet nga kjo marrëveshje si dhe ka bërë akte terroriste, mirëpo përpjekjet tona për tu treguat akter serioz dhe i interesuar për normalitet të raporteve të cilët i kontribuojnë sigurisë dhe paqes sidomos në këtë kohë që është sfiduese. Vazhdojnë të mëtutjeshme duke i pasur pozicionet e qarta dhe duke i ndihmuar në mënyrë konstruktive këtij procesi”, theksoi ajo.

    Sipas deputetes, kjo marrëveshje është zvarritur me qëllim nga ana e Serbisë për favore personale.

    “Është zvarritur me qëllim ndoshta edhe me shpresën që dinamikat gjeopolitike do të lëvizin në favor të tyre. Mirëpo duke e parë që diçka e tillë e ka vënë në një pozicion të stagnimit e cila tashmë nga institucionet e BE-së duhet të ketë veprime konkrete në mes dy shteteve. Padyshim duhet të jepet edhe garancia ligjore që kjo është një marrëveshje e obligueshme për të dy palët. Që në këtë rast kërkohet edhe nga ana e kryeministrit. Mos të harrojmë faktin që Kosova ka shprehur gatishmëri për ta formalizuar këtë proces, mirëpo mungon kjo gatishmëri nga pala tjetër e në këtë proces pra kemi të involvuar akterë kyç”, tha deputetja, teksa është skeptike për arritjen e shpejtë të një marrëveshje me Serbinë.

    “Është vështirë për ta paragjykuar tashmë ne do të shohim edhe në deklarimet pas përfundimit të këtij takimit besoj që është një marrëveshje që prek mbi elementet kyçe, pra të raportit në mes dy shteteve dhe qartëson pozicionin e tyre dhe kjo e zhbllokim shumë procese edhe ne raport me proceset e integrimit në organizata ndërkombëtare edhe në raport me shtet mosnjohëse, po ashtu edhe me të ardhmen e saj euroatlantike”, u shpreh ajo.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur vitin e kaluar, por ende nuk është zbatuar.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.

    Duke e falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Kosovës, kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet shumë të mira mes dy vendeve, e në të njëjtën kohë potencoi nevojën për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

    Ambasadori bullgar, Hristo Gudjev e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe nënvizoi se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe synimet e integrimit euroatlantik, si dhe shprehu gatishmërinë që përmes angazhimit të palëve të fuqizohen edhe më tutje marrëdhëniet mes vendeve tona.

    Po ashtu, bashkëbiseduesit folën edhe për aktualitetin politik, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke u pajtuar për nevojën e bashkërendimit në drejtim të frenimit dhe parandalimit të të gjitha përpjekjeve destabiliziese që rrezikojnë stabilitetin rajonal, që është kusht i përparimit të gjithanshëm.

  • Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai

    Zyrapit i prezantohen dokumentet e nënshkruara nga ai

    Bislim Zyrapi i cili për një kohë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, në rastin ku po akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pyetur për disa dokumente të lëshuara nga Shtabi e shumica prej tyre të nënshkruar nga vetë ai.

    Zyrapi është dëshmitar i prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi. Ai ka shpjeguar të martën strukturën, hierarkinë dhe komunikimin mes Shtabit të Përgjithshëm me komandantët e Zonave dhe të Brigadave.

    Në njërin nga dokumentet që iu prezantua Zyrapi tha se ka qenë urdhër për komandantët e zonave.
    “E njoh, është dokumenti im, i nënshkruar nga unë, me vulë të Shtabit të Përgjithshëm. Është një urdhër i cili tregon se si referojnë apo raportojnë komandantët e zonave kur të vijnë në takimin në Shtab dhe çka duhet të përmbajë ai raport”, ka thënë ai.

    Prokurorja Claire Lawson ia prezantoi edhe një dokument tjetër Zyrapit dhe i kërkoi që ta shpjegonte rolin e Shefit të Shtabit dhe Komandantit të Përgjithshëm.

    “Këtu përmendet edhe komandanti edhe shefi i Shtabit, a mund të na e shpjegoni dallimin mes këtyre të dyjave, çfarë keni dashur të thoni?” ka pyetur ajo.

    “Raportet e shumta kanë ardhur nga komandantët e zonave te shefi i shtabit të cilat janë përpunuar dhe dërguar te komandanti”, është përgjigjur Zyrapi.

    Zyrapi tha se në kuadër të Shtabit ekzistonin 3 njësite: Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm dhe kompania e logjistikës të cilat numëronin afro 300 anëtarë. Zyrapi shpjegoi rolin e Policisë Ushtarake pranë Shtabit.

    “Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm ka qenë ta ruajë Shtabin e Përgjithshëm, objektet e saj, ta përcjellë Shtabin e Përgjithshëm në çdo lëvizje në territorin e Kosovës dhe sa herë të lëvizë Shtabi. Kryesisht është siguria dhe ruajtja e Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

    Ish-shefi i Shtabit u pyet edhe për një dokument i cili ishte nënshkruar nga komandantët e brigadave të zonës së Pashtrikut. Zyrapi tha se Shtabi komunikonte me komandantët e zonave, ata urdhrat i shpërndanin nëpër zona dhe nëse kërkohej, ato edhe nënshkruheshin nga komandat e brigadave si dëshmi që e kanë pranuar urdhëresën.

    Gjithashtu, Zyrapit iu prezantua një dokument me anë të së cilit, ai kishte ndaluar arrestimet nga Njësia Speciale e Policisë Ushtarake.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me veprat “Krime lufte” dhe “krime ndaj njerëzimit”, për vrasje e ndalime të kryera në disa zona gjatë viteve 1998-99. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki funksionale, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave.

  • Çatia bie mbi veturat në “Pejton”

    Çatia bie mbi veturat në “Pejton”

    Çatia e një objekti banesor në lagjen “Pejton” ka rënë mbi veturat e parkuara, si pasojë e frymës që mbizotëroi në Prishtinë të martën paradite.

    Nuk është raportuar për të lënduar.

    Policia dhe ekipet emergjente janë parë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.