ATV

Author: ATVLive

  • ​Kupa e Amerikës: Kolumbia në çerekfinale pas barazimit me Brazilin

    ​Kupa e Amerikës: Kolumbia në çerekfinale pas barazimit me Brazilin

    Kolumbia do të luajë me Panamanë në çerekfinale të Kupës së Amerikës pasi që siguroi vendin e parë në Grupin D me barazimin 1:1 me Brazilin.

    Ndeshja u zhvillua në “Levi’s Stadium” në Santa Clara të Kalifornisë. Ky rezultat e çon Kolumbinë në 26 ndeshje pa humbje, 20 fitore dhe gjashtë barazime për kombëtaren e Nestor Lorenzos, raporton KosovaPress.

    Te Brazili golashënues ishte Raphinha në minutën e 12’, kurse te Kolumbia golin e shënoi Daniel Munoz në minutën e 45+2’.

    Me këtë barazim, Kolumbia zë vendin e parë me shtatë pikë, krahas Brazilit që renditet i dyti me pesë pikë.

    Po ashtu, krahas kësaj ndeshje u zhvillua edhe përballja mes Kosta Rikës dhe Paraguait, ku ky i fundit pësoi humbje 2:1.

    Kosta Rika renditet në pozitën e tretë në Grupin D me katër pikë, krahas Paraguait që zë vendin e fundit me asnjë pikë.

  • Sot feston ditëlindjen Ramush Haradinaj

    Sot feston ditëlindjen Ramush Haradinaj

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, feston sot ditëlindjen.

    Ai mbush sot 56 vjet jetë.

    Urimin e parë publik e mori nga artisti, Gold Ag i cili postoi një foto krah Haradinajt dhe shkroi: “Urime ditëlindjen komandant”.

  • Osmani, Kurti dhe Konjufca në Tiranë për varrimin e Ismail Kadaresë

    Osmani, Kurti dhe Konjufca në Tiranë për varrimin e Ismail Kadaresë

    Sot i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

    Në ceremoninë lamtumirëse në Tiranë do të marrin pjesë edhe krerët e shtetit- Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

    Atje do të shkojnë edhe disa ministra e deputetë.

    Shkrimtari me famë botërore vdiq në moshën 88-vjeçare në mëngjesin e së hënës në Qendrën Spitalore Universitare “Nëna Terezë” në Tiranë pas një sulmi në zemër.

    Kjo është agjenda e ceremonisë lamtumirëse:

    09:00 – Homazhet publike në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor

    11:30 – Ceremonia shtetërore e Lamtumirës

    12:30 – Nisja e kortezhit në drejtim të varrezave të Tufinës

  • Gili tregon pse nuk ishte në martesën e djalit

    Gili tregon pse nuk ishte në martesën e djalit

    Këngëtarja Gili nuk shfaqet shumë shpesh në intervista televizive.

    E, megjithatë, kur është dikur, atëherë flet sinqerisht dhe pa dorëza, si në këtë rast.

    Në “The Elite Way”, këngëtarja është pyetur se a i ka mbetur merak që nuk ishte në ceremoninë e kurorëzimit të të birit.

    Përgjigjen e saj e gjeni në videon më poshtë:

  • Server: Ardhja në pushtet e Trump-it, do ta riaktualizonte ndarjen e Kosovës

    Server: Ardhja në pushtet e Trump-it, do ta riaktualizonte ndarjen e Kosovës

    Daniel Server, profesor në Universitetin Johns Hopkins, njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, në një intervistë në ‘RTKPrime’ ka folur në mënyrë të veçantë për gjendjen në të cilën ndodhet tani dialogu Kosovë-Serbi, që, sipas tij, ka ngecur dhe që nuk ka pasur ndonjë sukses të madh.

    Arsyeja e mossuksesit të dialogut, sipas tij, është mungesa e gatishmërisë nga të dyja palët.

    Sipas vështrimit tim, qëllimi i dialogut, normalizimi politik është që ne në anglisht e quajmë një ‘urë tejet të largët’. As Beogradi e as Prishtina, më duket mua, nuk janë të gatshëm për normalizimin politik”, tha Server, derisa shtoi se Beogradi e ka bërë këtë shumë të qartë, bile edhe me shkrim nga kryeministrja e asaj kohe e Serbisë.

    Gjithashtu, shtoi Server, edhe Prishtina e ka bërë të qartë se njerëzit këtu duan të dëgjojnë kërkim-falje nga Serbia për atë që ka bërë regjimi i Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

    Njerëzit në Prishtinë duan njohjen dhe vlerësimin e keqtrajtimeve dhe një lloj kompensimit të një natyre simbolike”, nënvizoi Server.

    Sa i përket qasjes ndaj dialogut nga kryeministri Kurti, Server tha se kryeministri nuk kishte vullnetin ta bënte atë që kanë kërkuar amerikanët dhe evropianët, që është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    “Mendoj se evropianët dhe amerikanët e kanë pasur gabim që të presin që kjo të ndodhë pa pasur atë që quajmë- përgjigje reciproke”, tha Server, teksa shtoi se në marrëveshjen e 2013-ës është rënë dakord që Kosova të themelojë Asociacionin, derisa serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, por,që, vuri në dukje ai, Serbia të mos e pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

    “Të pritet nga Kosova që në mënyrë të njëanshme të bëjë diçka që të mund të kërkohej nga Serbia, pa i dhënë asgjë Kosovës, besoj se ka qenë gabim i madh diplomatik”, tha Server.

    Ai shtoi se nuk është e arsyeshme që të kërkohet nga kryeministri Kurti të bëjë diçka, derisa Serbisë nuk i kërkohet asgjë.

    Server tha më tej se diplomatët amerikanë kanë qenë të zemëruar me kryeministrin Kurti për mosgatishmërinë e themelimit të Asociacionit, ndërkohë që, shtoi ai, ata do të duhej ta dinin se normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë është një urë tejet e largët.

    Duke folur për disponimin amerikan në raport me dialogun, Server tha se ata e kanë marrë anën e Beogradit për këtë çështje, duke u përpjekur që administrata e Biden-it ta përafrojnë atë me Perëndimin, që deri tani, vuri në pah Server, nuk ka pasur fare sukses.

    Server tha se nuk ka pasur qasje simetrike nga SHBA-ja në raport mes Kosovës e Serbisë.

    Lidhur me Asociacionin, Server tha se vetëm njohja formale do ta bënte plotësisht të vlefshme edhe në veri edhe në jug të lumit Ibër.

    Ndërkaq për draftin e Asociacionit të përpiluar nga BE, i mbështetur edhe nga SHBA-ja, Server tha se çdo gjë varet nga implementimi, jo aq nga fjalët që thuhen në dokument.

    “Do të duhej të vendosej një garanci nga evropianët dhe amerikanët që Kushtetuta e Kosovës të vlente dhe të zbatohej dhe të qartësohet nëse Kushtetuta e Kosovës rezistohet nga serbët”, tha ai.

    Server tha se përpjekja e administratës Biden është për ta përafruar Serbinë drejt Perëndimit ka qenë gabim. “Do të duhej të rivendosin një qasje shumë më të ashpër ndaj Beogradit”, shtoi ai.

    Duke folur për mundësinë e ardhjes në pushtet e administratës Trump, Server tha se do të shkaktohej krizë në Ballkanin Perëndimor, sepse, sipas tij, do të sillte krizë në Ballkanin Perëndimor.

    “Administrata Trump do të sillte krizë në Ballkanin Perëndimor, sepse ka etnonacionalistë dhe e dimë mirë nga ish-administrata Trump që ajo që kanë dashur të bëjnë në Kosovë, ka qenë ndarja. Kanë dashur që ta ndajnë Kosovën”, tha Server, teksa u shpreh skeptik nëse do të ndahej edhe Serbia, që Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës.

    “Çfarëdo lloj lëvizjeje e kufijve në Ballkan, me të gjitha këto diferenca, do të shkaktonte destabilizimi madhor”, tha Server, derisa shtoi se e njëjta gjë do të provohej edhe në Bosnjë e Hercegovinë, pastaj në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi.

    Ai tha se Grenelli ka bërë të qartë se do ta bëjë të njëjtën veprim sikurse më përpara, nëse vendoset në pozitën që ka qenë.

    Server skeptik për finalen e dialogut pa përfshirjen drejtpërdrejtë të SHBA-së

    “Nuk mendoj se Kosova mund të presë ndonjë përkrahje më të madhe nga administrata Trump, sesa nga administrata e Biden-it. E kundërta….Bile mund të shohim një zhvendosje edhe më afër Beogradit nga administrata e Trump-it”, tha Server.

    Ai shtoi se mund të jetë kaotike situata në Ballkanin Perëndimor, në Lindjen e Mesme, por edhe në Ukrainë, në Azi, me Tajvanin, etj., “dhe Ballkani Perëndimor në këtë mjedis do të jetë lëmsh i rëndë”, nënvizoi Server.

    Tutje, lidhur me arritjen e një marrëveshjeje finale të dialogut Kosovë-Serbi pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, Server u shpreh skeptik.

    “SHBA e BE duhet ta ndërmjetësojnë këtë proces, por, po ashtu, nuk besoj se do të ketë njohje shumë të shpejtë për Kosovën”, tha Server.

    Ai shtoi se fokusi duhet të jetë në çështjet praktike, sikundër janë bartja e fondeve serbe të popullatës serbe në veri, që duhet të ketë transparencë në këtë çështje; “të ndërpritet presioni i institucioneve të Serbisë ndaj serbëve të Kosovës duke penguar përfshirjen e serbëve lokalë në institucionet e Kosovës, vetëm kështu mund të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Server.

    Ndërkaq për të arritur një marrëveshje reale midis Kosovës e Serbisë, Server thotë se duhet që të jetë një Serbi tjetër, e cila do të ishte e përkushtuar ndaj demokracisë, duke pranuar gabimet e së kaluarës.

  • Shqipëria i kërkon Kinës ta shmangë dënimin me vdekje për një shtetas shqiptar

    Shqipëria i kërkon Kinës ta shmangë dënimin me vdekje për një shtetas shqiptar

    Qeveria e Shqipërisë u ka kërkuar të martën autoriteteve gjyqësore në Kinë ta shmangin dënimin me vdekje në rastin penal ndaj një shtetasi shqiptar të akuzuar për trafikim të drogës.

    Mësohet se Prokuroria në qytetin Guangzhou, në provincën Guangdong, ka kërkuar dënim me vdekje për 36-vjeçarin shqiptar. Nuk janë dhënë hollësi të tjera për këtë rast.

    Për rastin e 26-vjeçarit u diskutua të martën në Tiranë gjatë takimit që ministri për Evropë dhe Punët të Jashtme, Igli Hasani zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Wu Hongbo.

    “Në takim u theksua ndjeshmëria e lartë që ka për Qeverinë shqiptare dhe opinionin publik, gjykimi që po zhvillohet në Gjykatën Popullore të Nivelit të Mesëm në qytetin e Guangzhou, në ngarkim të shtetasit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Punët e Jashtme të Shqipërisë.

    Më tej theksohet se u kërkua respektimi të gjithë të drejtave të shtetasit shqiptar në të gjitha shkallët e procesit gjyqësor.

    “Pala shqiptare i kërkoi autoriteteve kineze të shmanget aplikimi i dënimit kapital,” thuhet në njoftim.

    Kjo kërkesë i është përcjellë me herët edhe ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, përmes një letre zyrtare. Ministria thekson se do të vazhdojë ta ndjekë me prioritet këtë çështje.
    Kina, njëri prej vendeve me numrin më të madh të të ekzekutuarve në botë, shpesh kryen dënimet me vdekje përmes injeksionit vdekjeprurës, për krime shumë të rënda.

    Sistemi ligjor në Kinë kontrollohet nga Partia Komuniste në pushtet dhe gjykatat kanë një shkallë pothuajse 100 për qind të dënimeve në rastet penale.

    Sikur shumë vende në rajon, Kina ka ligje të rrepta kundër drogës. Disa shtetas të huaj janë dënuar me vdekje për trafikim të drogës në vitet e fundit./REL

  • Vazhdon edhe sot dëshmia e Bislim Zyrapi në Speciale

    Vazhdon edhe sot dëshmia e Bislim Zyrapi në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sot është dita e tretë e dëshmisë së Bislim Zyrapit në Speciale.

    Dëshmitari Bislim Zyrapi pohoi se Jakup Kransiqi ka qenë zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë periudhës së 1998-së.Dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur takime të vazhdueshme për shkak të situatës së luftës, mirëpo ato me komandantët e zonave ishin më të rralla.

    Dëshmitari Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij ka treguar se ka pasur nofkën “Bisi” në kohën e luftës dhe se me këtë emër i është drejtuar Rexhep Selimi.

  • Konjufca merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Ismail Kadaresë

    Konjufca merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Ismail Kadaresë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca bën homazhe dhe merr pjesë në ceremoninë shtetërore të Lamtumirës në nderim të shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare.

    Përveç Konjufcës siç ka njoftuar Kuvendi do të marrin pjesë edhe disa deputetë.

    “Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë të Kuvendit, nesër, më 3 korrik, do të bëjë homazhe dhe do të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të Lamtumirës, që organizohen në Tiranë në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare”, thuhet në njoftim.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit gjigantit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare

    Sot i jepet lamtumira e fundit gjigantit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare

    Sot do të bëhet varrimi i shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën në mëngjes në Tiranë.

    Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblin Popullor ditën e mërkurë më 3 korrik nga ora 09:00-11:00 dhe11:30 deri në 13.30.

    Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88-vjeçare duke lënë pas tij një pasuri të madhe letrare që është përkthyer në 45 gjuhë të botës.

    Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij.

    Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar.

  • ​Qeveria jep detaje për takimin në Bruksel: Serbia po refuzon t’i zbatojë marrëveshjet

    ​Qeveria jep detaje për takimin në Bruksel: Serbia po refuzon t’i zbatojë marrëveshjet

    Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me takimin që u zhvillua në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbu.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në takimet në nivel të kryenegociatorëve, ku delegacioni i Kosovës kryesohej nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM, si dhe atë për vizitat e zyrtarëve.

    “Nga diskutimet, sidomos në dy pikat e para, u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar disa herë dhe publikisht që Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj. Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit, si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit. Ndërkohë, zvarritje në zbatim nga ana e Serbisë janë evidentuar nga kryenegociatori i Kosovës edhe në Marrëveshjen e Energjisë”, thuhet në komunikatë.

    Aty theksohet se takimi që zgjati më shumë se 6 orë, nisi me takime bilaterale, ndërsa u përmbyll me atë trilateral.

    “Vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të cilën BE-ja e ka shpallur si ligjërisht të obligueshme në tërësinë e saj dhe aneksit të zbatimit, që pikë filletare duhet ta ketë formalizimin e marrëveshjes mes palëve”, thuhet nëq komunikatë.