ATV

Author: ATVLive

  • Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet dezinformatës së Vuçiqit: Nuk koordinojmë operime me dronë jashtë kufijve të Kosovës

    Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet dezinformatës së Vuçiqit: Nuk koordinojmë operime me dronë jashtë kufijve të Kosovës

    Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka demantuar në një përgjigje për deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se gjoja “dronët bajraktarë kanë vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe. Nga ky dikaster thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk koordinon operime me dronë jashtë kufijve të vendit.Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Mbrojtjes thekson se qëllimi i kapaciteteve të saj është mbështetja e operacioneve brenda territorit të Kosovës.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të saj ka njësinë e Sistemeve Ajrore pa Pilot. Kjo njësi është e dizajnuar për të operuar me Fluturaket Pa Pilot dhe normalisht realizon operime edhe me dronët TB2.

    “Nuk qëndron lajmi që ne operojmë apo koordinojmë me ndokënd operime jashtë kufijve të Kosovës. Qëllimi i kapaciteteve tona ajrore është mbështetja e operacioneve brenda territorit të Kosovës”, deklaron Ministria e Mbrojtjes për The Geopost.

    E deklaratat dezinformuese të Vuçiqit sot kanë gjetur hapësirë në RT Balkan, në vazhdën e mbështetjes së propagandës ruso-serbe.

  • Është arrestuar një 27-vjeçar në Fushë Kosovë, kërkohej me urdhëresë të gjykatës

    Është arrestuar një 27-vjeçar në Fushë Kosovë, kërkohej me urdhëresë të gjykatës

    Është arrestuar një 27-vjeçar me inicialet A.I., në Prishtinë, saktësisht në Fushë Kosovë i cili kërkohej me urdhëresë të gjykatës.

    Policia bën me dije se arrestimi u realizua në një operacion të befasishëm mëngjesin e sotëm.

    I njëjti pas arrestimit u dërgua në vuajtje të dënimit prej dy vitesh.

    “Prishtinë, 04 korrik 2024 – Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht stacioni policor Fushë Kosovë, në një operacion të befasishëm që ndërmori sot në orët e hershme të mëngjesit, arriti të arrestoj personin e kërkuar; A. I, mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Konjufca: Pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj

    Konjufca: Pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca priti sot në takim të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš.

    Siç njofton kumtesa për media, në takim u shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet.

    “Kryekuvendari Konjufca shprehu vlerësimin e tij se sot pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial”, thuhet në njoftim.

    Aty theksohet se u diskutua po ashtu për gjendjen në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht nevojën që BE-ja të bejë më shumë që Serbia t’i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si korniza bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

    “Z. Frangeš shprehu qënedrimin e tij se Sllovenia, por edhe BE-ja duhet të njohin më shumë perspektivën se si palët, përkatësisht ajo e Kosovës, i shohin gjërat në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në qasjen më adekuate të faktorit ndërkombëtar kundrejt zhvillimeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe zhvillimeve politike në përgjithësi në rajonin tonë”, përfundon njoftimi.

  • “Rasti Brezovica 1”, dënohen dy me nga 1 vit burgim, i treti dënohet me burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë

    “Rasti Brezovica 1”, dënohen dy me nga 1 vit burgim, i treti dënohet me burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve në rastin “Brezovica 1”, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija. Millosavljeviq dhe Bajrami u dënuan me nga 1 vit burgim efektiv dhe nga 500 euro gjobë. Kurse, Vitija u dënua me 1 vit burgim me kusht dhe 20 mijë euro gjobë.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami për pikën 2 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 1 vit burgim dhe nga 500 euro gjobë.

    Po ashtu, të njëjtëve iu shqiptua edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë apo në shërbime publike në kohëzgjatje prej 1 viti, pas vuajtjes së dënimit.

    I akuzuari Vitija, u dënua me 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse për dy vjet i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale. I njëjti u dënua edhe me 20 mijë euro gjobë.

    Të akuzuarit u obliguan t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës (secili veç e veç) nga 50 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Kurse, për pikën 1 dhe 3 të dispozitivit të ndryshuar të aktakuzës, Bajrami dhe Millosavljeviq lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale. Për këtë pjesë, shpenzimet e procedurës i bartë gjykata.

    Në këtë rast po akuzohet edhe Gentjan Sula, mirëpo ai po gjykohet ndaras ndaj tre të tjerëve.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar më 31 maj 2024, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami ngarkoheshin se prej 30 dhjetorit 2015 deri më 9 gusht 2019 si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar mbindërtimin e objektit hotelier “Kaona” me pronare Sanije Geci, i cili objekt në kundërshtim me lejen ndërtimore është ndërtuar në parcelat kadastrale numër 5799/16 dhe 5799/17 ZK Verbeshticë, të cilat gjenden në zonën e III-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Aktakuza e ndryshuar thotë se për këtë objekt, leja ndërtimore është dhënë sipas projektit për sipërfaqen prej 835,14m², kurse investitori ka vazhduar me zgjerimin e sipërfaqes bazike të objektit duke kaluar 2.95 m në pronën ujore të Lumit Murrzhica, si dhe ka vazhduar me mbindërtim duke rritur sipërfaqen në 1821,56 m, i cili ndërtim është përfunduar në kundërshtim me Ligiin për Ujërat e Kosovës, Ligiin për ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës së ndryshuar, të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami ngarkoheshin se prej 24 korrikut 2017 deri më 9 gusht 2019, si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar ndërtimin tetë vikend shtëpive në parcelën kadastrale 5713 ZK Verbeshticë, e cila gjendet në Zonën e II të Parkut Kombëtar Sharri, të investitorit Riad Hasani, për të cilat vikendshtëpiza ishin anuluar lejet ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit sipas vendimit të 24 korrikut 2017, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin per mbrojtjen e mjedisit, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Prakun Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Aktakuza e ndryshuar thotë se nga 5 nëntori 2018 deri më 9 gusht 2019, Millosavljeviq dhe Bajrami, ngarkohen se nuk kanë ndërmarrë veprimet për ndërprerjen e punimeve në objektin e investitorit Dalibor Trufunoviq, i cili ishte duke ndërtuar pa leje ndërtimore, me ç’rast tani të pandehurit në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit kanë kryer inspektimet, kanë hartuar procesverbalet dhe kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë urdhëruar investitorin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pa leje, mirëpo nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve, kështu që objekti është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar, i akuzuari Labinot Vitijaj ngarkohej se nga 22 shkurti 2011 deri më datën 15 korrik 2016, në Parkun Kombëtar “Sharri” vikend-zona e Brezovicës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, drunjtë e parkut, duke ndërtuar 4 vikend shtëpiza në Zonen e III-të dhe një vikend shtëpizë në zonën e II-t të Parkut Kombetar “Sharri”, në parcelat kadastrale 5713/4, 5713/5, 5713/6 dhe 5716/6 dhe 5717/6, Zona Kadastrale Verbeshticë, me kulturë “Livadh dhe Mal”, në kundërshtim me Ligiin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në pasuritë e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347, par.1 lidhur me par.5 të Kodit Penal.

    Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

    Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

    Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

    Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

    Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

    Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

    Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

  • Vuçiq pretendon pa asnjë fakt se dronët e “ngritur” në Gjakovë, janë të Kosovës

    Vuçiq pretendon pa asnjë fakt se dronët e “ngritur” në Gjakovë, janë të Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq edhe gjatë ditës së sotme është deklaruar lidhur me dronët Bajraktar.

    Ai gjatë përcjelljes së ushtrimit ushtarak “Rënia e Zjarrtë”, u pyet nëse dronët e ngritur në Gjakovë ishin të Prishtinës apo të Tiranës.

    Po ashtu, u pyet lidhur me qëllimin e aktiviteteve hulumtuese të Serbisë.

    “Qëllime ka shumë, unë do të flas për të gjitha qëllimet e tyre, ne dje i kemi analizuar. Sigurisht pasqyrimi i aftësive operative të ushtrisë sonë në një kuptim më të gjerë, në një kuptim më të ngushtë mund të flas më hollësisht dhe meqë ra fjala, Bajraktarët të ngritur në Gjakovë ishin të Prishtinës, janë ngritur më 5 dhe 20 qershor, ne i kemi shikuar sikur në pëllëmbë të dorës. Dhe sikur të ishte një kohë tjetër, nuk do të qëndronin gjatë në ajër. Kështu që meqenëse është hapësira e kontrolluar nga KFOR-i, ne respektojmë hapësirën e kontrolluar nga KFOR-i, kështu që ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë punën tonë”, shtoi Vuçiq.

    Gjatë ditës së djeshme Vuçiq kishte pretenduar se dronët Bayraktar u ngritën në afro 6 mijë metra në Gjakovë “për të zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe”.

    KosovaPress po provon të marr përgjigje edhe nga ministria e Mbrojtjes, lidhur me këtë temë.

  • Hovenieri do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

    Hovenieri do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

    Filarmonia e Kosovës është në përgatitjet finale të koncertit përmbyllës të sezonit 2023-2024, të quajtur “Koncert për paqe”.

    Koncerti do të mbahet më 6 korrik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, teksa do të jetë përkujtim për dy përvjetorë të rëndësishëm: 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Madje e veçanta e kësaj mbrëmje muzikore do të jetë edhe prezenca e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

    “Jemi të nderuar që në mesin tonë, bashkë me 200 muzikantë, në skenë do të ngjitet edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Shkëlqesia e tij Jeffrey M. Hovenier”, ka njoftuar Filarmonia e Kosovës.

    Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).

  • ​Prishtina zyrtarizon tjetër goditje në merkato

    ​Prishtina zyrtarizon tjetër goditje në merkato

    Sulmuesi i lindur më 21.11.2004 në Tetovë, Dashmir Elezi, është transferuar te Prishtina nga Lokomotiva e Zagrebit. Anëtari i të gjitha kategorive të reja të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ka nisur futbollin dhe është kalitur në Shkëndijë të Tetovës, ndërsa është sprovuar edhe në Torpedo të Kutaisit në Gjeorgji dhe së fundi në Lokomotivë të Zagrebit

    “Kisha oferta edhe nga klube tjera, por kur rashë në kontakt me klubin më të madh në Kosovë, as që e kam menduar dy herë dhe mezi po pres të dalim në fushë. Kam luajtur me shumë futbollistë nga Kosova dhe Prishtina, e njoh futbollin vendor dhe me ndihmën e Zotit e së bashku me Plisat besoj që do të kemi shumë gëzime e suksese”, ka thënë Elezi.

  • ​Zyrtari i lartë amerikan: Samiti i NATO-s do të zbulojë hapat konkretë për anëtarësimin e Ukrainës

    ​Zyrtari i lartë amerikan: Samiti i NATO-s do të zbulojë hapat konkretë për anëtarësimin e Ukrainës

    NATO do të hapë “mënyra konkrete” për të përshpejtuar anëtarësimin përfundimtar të Ukrainës në aleancën Atlantike gjatë një samiti javën e ardhshme në Uashington.

    Këtë e tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Douglas Jones, përcjell Ukrinform.

    “Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë aleatët e NATO-s kanë thënë se e ardhmja e Ukrainës është në NATO. Në këtë samit, ne do të zbulojmë mënyra konkrete në të cilat NATO mund të ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus, të ndërtojë forcën e ardhshme të nevojshme për të penguar Rusinë dhe zbatojë reformat që i nevojiten për ta bërë veten një kandidat më të fortë për anëtarësimin eventual në NATO. Së bashku, kjo është ajo që ne e përshkruajmë si një urë për anëtarësimin në NATO. Ndihma që ne do të japim në samit do të ndihmojë vërtet në përshpejtimin e Ukrainës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO”, tha Jones.

    Organizatorët e samitit kuptohet se po anojnë drejt gjuhës në një deklaratë përfundimtare që do të thoshte se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është “e pakthyeshme”, por zyrtari thoshte vetëm se formulimi është ende duke u negociuar.

    Ministrat e Jashtëm nga 35 partnerë jo anëtarë të NATO-s janë të ftuar të marrin pjesë në samitin e Uashingtonit. Pjesëmarrësit e shquar përfshijnë ministrat e jashtëm të Izraelit, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Për samitin e tretë radhazi, krerët e shteteve nga të 32 aleatët e NATO-s do të angazhohen në diskutime me liderët nga partnerët e saj Indo-Paqësor: Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re.

    “Rusia po kërkon armë nga DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë) ndërsa kërkon mënyra për të vazhduar sulmin dhe agresionin e saj kundër Ukrainës. Lidhjet janë të thella. Kjo është arsyeja pse ne do të kemi udhëheqësit e partnerëve të NATO-s Indo-Paqësorit në samit: për të diskutuar se si mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojmë në adresimin e këtyre sfidave të përbashkëta të sigurisë”, tha Jones.

    Nga 9 korriku deri më 11 korrik, Uashingtoni do jetë nikoqire e 75-vjetorit të Samitit të NATO-s.

  • Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen punës së Gjykatës Ushtarake

    Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen punës së Gjykatës Ushtarake

    Dëshmitari Bislim Zyrapi para gjykatores në Hagë, mohoi që Hashim Thaçi të ketë pasur rol në mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Ushtarake.

    “Sa më kujtohet mua jo. S’ka pas mundësi në atë kohë”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Më pas, Zyrapi u pyet nëse ka pasur juristë të tjerë që mund të emëroheshin në Gjykatën Ushtarake përveç Sokol Dobrunës.

    “Nuk e di, e di që edhe një sa më kujtohet ka qenë Agron më duket Berisha. Kanë qenë edhe hala të tjerë po nuk e di. Nuk jam marrë me atë çështje që të di se kush ka qenë e sa kanë qenë”, shtoi Zyrapi.

    Sipas avokatit Luka Mishetiq, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se të gjitha çështjet që kishin të bënin me disiplinën dhe respektimin e urdhrave në dhjetor të ’98-ës i kishin kaluar Sokol Dobrunës si shef i Drejtorisë Ligjore.

    “Po, e saktë është”, tha dëshmitari dhe theksoi se ai kishte edhe detyrën e ekzaminimit të veprave të rënda penale, ndërsa masat disiplinore i përkisnin komandantëve të zonave.

    Dëshmitari deklaroi se për vepra të rënda penale e kishte fjalën për arrestimin e civilëve, maltretimin e tyre dhe gjithashtu nëse ndonjë ushtar ose komandant e kishte shkelur rregullin duke përdorur armën, në veçanti në pikat e kontrollit ose kishte shkelur urdhëresat e eprorit të tyre.

    Gjithashtu për arrestimin e civilëve ai pohoi se nuk ishte çështje që merrej komandanti i zonave, por Sokol Dobruna.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument lidhur me një ankesë në dhjetor të ’98-ës për një ushtar i cili ishte dënuar. Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e kishte parë më herët edhe pse e mbante emrin e tij, por që nënshkrimi i tij nuk figuronte. Madje, ai shtoi se nuk e mban mend asnjëherë të ketë nënshkruar dokument të tillë.

    “Sa e mbaj mend, asnjëherë!”, tha ai, kurse mohoi të ketë pasur rol në ekzaminimin e ankesave të dënimeve nga ana e Gjykatës Ushtarake.

    “Nëse ndonjë ankesë ka ardhë kah unë, atëherë e kam drejtuar në sektorin juridik dhe pastaj është marrë sektori juridik”, tha Zyrapi dhe shtoi se nuk është jurist me profesion.

    Këtë drejtim shkollimi sa i takon aspektit juridik, dëshmitari tha se e ka pasur edhe Fatmir Limaj. Gjithashtu, deklaroi se Policia Ushtarake ishte e obliguar që të respektonte urdhrat që dilnin nga sektori juridik dhe kishte kompetencën që të zbatonte urdhrin e Sokol Dobrunës për të arrestuar ndonjë person.

    Zyrapi pohoi se për ZPS-në kishte thënë se Policia Ushtarake ishte ndarë në dy grupe, ajo në nivel Shtabi si dhe ajo në nivel zone. Për Policinë Ushtarake në nivel zone tha se i kanë raportuar komandantit të zonës.

    Më kaq, përfundoi për sot dëshmia e këtij dëshmitari për ta vazhduar sërish një ditë tjetër. Seanca do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 76-të, i cili mban kodin W04445.

  • ​Procedohen për seancë dy projektligje, opozita e ndarë në votime

    ​Procedohen për seancë dy projektligje, opozita e ndarë në votime

    Në Komisionin për Integrime Evropiane, me katër vota për dhe dy abstenime është miratuar Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, e po ashtu është miratuar edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, të cilat janë përcjellë për votim në seancën plenare.

    Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi ka theksuar se i njëjti ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, duke shtuar se projektligji nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

    “Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Ka tre nene dhe nuk ka ndonjë amandament nga komisioni funksional. Lidhur me përafrimin me legjislacionin e BE-së, ky projektligj nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, sa i përket projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, deputeti nga partia në pushtet, Driton Hyseni ka thënë se synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit.

    “Projektligji synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit. Dhe meqë i tillë nuk bie ndesh me ligjet e BE-së”, tha Hyseni.

    Ndërkaq, abstenime kishte nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, dhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.