ATV

Author: ATVLive

  • “Elektrosever” nuk ndëshkohet për përdorim të kodit ilegal postar

    “Elektrosever” nuk ndëshkohet për përdorim të kodit ilegal postar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse ka muaj që Elektrosever është duke e shkelur marrëveshjen, licencën, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ende nuk ka vendimmarrje për ndëshkim eventual.

    Duke i quajtur “gabime teknike”, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se është në dijeni të shkeljeve nga Elektrosver – e cila në faturat e konsumit mujor përdor emërtimin dhe kodin postar ilegal serb për Mitrovicën.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji, pasi ka marrë informata se furnizuesi Elektrosever, në faturat e energjisë elektrike të shpërndara te konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë në përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës, menjëherë ka kërkuar informacion të detajuar nga Elektrosever. Lidhur me këtë, Elektrosever ka sqaruar se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike, këto gabime teknike kanë ardhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te Elektrokosmet në bazën e re të shënimeve të Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Rregullatori njoftoi se ka marrë zotim nga Elektrosever, për përmirësim në faturat e reja.

    “Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

    Megjithatë, kjo do të vërtetohet vetëm në fund të muajit.

    Shkeljet nga kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e cila u licencua në Kosovë në Qershor të vitit 2022, i përmendi zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, në takimin e javës së kaluar Bruksel.

    Pasi marrëveshjen për energjinë e vlerësoi si një nga më sfidueset për shkak të destruktivitetit të Serbisë, eksperti i këtij sektori Naim Bujupi tha se konteksti politik është i pashmangshëm në këtë rast.

    “Në aspektin politik duhet të mobilizohet Qeveria dhe t’i bëhet me dije faktorit ndërkombëtar dhe gjithashtu t’i kërkohet Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen”, tha Bujupi.

    Ai theksoi nevojën për veprim nga Rregullatori – si autoritet licencues dhe mbikëqyrës.

    “T’i lëshojë një vërejtje dhe t’i kërkojë që në një afat të caktuar t’i dërgojë të gjitha faturat në harmoni me kushtet ligjore dhe të zbatojë atë faturë që është aprovuar nga ZRRE-ja. Në të kundërtën, nëse zgjat kjo çështje dhe nuk zbatohet nga Elektrosever, atëherë si masë përfundimtare mund të shkohet në tërheqje të licencës”, tha Bujupi.

    Para nisjes së faturimit të konsumit të energjisë, nga 1 Janari 2024, Elektrosever kishte shkelur të gjitha afatet e licencës, e cila i referohet udhërrëfyesit dhe marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

  • Monumenti i Adem Jasharit në Prishtinë, jo para 2025-tës

    Monumenti i Adem Jasharit në Prishtinë, jo para 2025-tës

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    U paralajmërua se do të vendoset më 28 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, por monumenti për Adem Jasharin, nuk pritet të përfundojë as për Festën e Flamurit të këtij viti.

    Komuna është ende në procedurat fillestare të këtij projekti. Madje, nuk është caktuar as lokacioni.

    Komuna para tre muajve ka hapur konkurs ndërkombëtar për këtë projekt.

    Zëdhënësi Donat Lushaku tregon se punimi artistik nuk do të jetë në formën klasike. Ndërsa, do të jenë edhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari.

    Lushaku thotë se për jetësimin e këtij projekti, skulptorët pritet të zgjidhen në shtator.

    Skulptori Sabri Behramaj është kritik ndaj kritereve të përcaktuara në konkurs.

    “Si skulptor i mbi 50 veprave të realizuara në hapësira publike nuk më ka tërhequr të konkurroj dhe nuk kam konkurruar, sepse mjeshtëria e një skulptori shihet në realizimin e maketës 3D në formë fizike, jo në mënyrë digjitale”, tha Behramaj.

    Për monumentin e Adem Jasharit, komuna ka ndarë 200 mijë euro në buxhet, por kostoja nuk dihet ende përfundimisht.

  • Projekti për 150 pritore të reja në Prishtinë ende i parealizuar

    Projekti për 150 pritore të reja në Prishtinë ende i parealizuar

    Përgatiti: Sara Shehu

    Disa në këmbë e disa të tjerë të ulur në ulëse të improvizuara, presin autobusin në mungesë të një pritore adekuate.

    Sipas qytetarëve, Komuna duhet bërë zgjidhje.

    “Shumë keq duhet me bo një pritore me mbulesë. Këto karrika që janë nuk kryjnë punë shumë keq për ne të moshuarit është kjo gjendje. Unë e frekuentoj këtë stacion shumë, në reshje të shiut nuk kemi as si të mbrohemi”, tha një qytetar.

    “Është shumë shqetësuese, gruan e kam të sëmurë prej venave, ne gjithmonë presim në këtë stacion në këmbë për shkak se nuk ka një pritore me karrike, po e kemi të vështirë të presim autobusin kështu”, tha një tjetër qytetar.

    Projekti për vendosjen e 150 pritorëve ishte paraparë të përfundojë brenda vitit 2023, por projekti nuk është realizuar as në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

    “Ky projekt ka qenë para ardhjes time në pozitë. Disa nga pritoret në kryeqytet veçse janë vendosur të reja. Por projekti nuk është aty ku do duhej të ishte. Deri më tani numri i pritoreve të vendosura është bukur i vogël. Në dy muajt e ardhshëm po presim që t’i vendosim edhe 18 pritore të reja. Do të rrisim dinamikën e punës. Puna është stërzgjatur pasi ende nuk ishin përcaktuar saktë lokacionet për vendosjen e tyre”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Bestrovci.

    Projekti i cili filloi në shtator të 2022-s kap vlerën prej 200 mijë eurosh.

  • Arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit

    Arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Muret dhe gjembat nuk ishin problem për Faton Hajrizin, i cili për të nëntën herë arriti të arratiset nga burgu ku po vuante dënimin.

    Veçse kësaj here përveç grilave, ai kaloi edhe kufirin e u strehua diku jashtë shtetit, nga ku u paraqit në rrjete sociale.

    Hajrizi, i cili kishte mbajtur 17 vjet e gjysmë burg, po mbahej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për ta mbajtur edhe pjesën tjetër prej 7 vjet e gjysmë, derisa gëzonte edhe të drejtën për vizita në vikend.

    E vendosja në këtë qendër, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, është bërë për arsye të sjelljeve të mira, të personit në fjalë.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H., ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në njoftimin nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    Sidoqoftë, për ikjen e tij, ndëshkim morën dy zyrtarë të burgut, që u suspenduan.

    Pikërisht vendi ku po mbahej, sipas juristëve, ishte fare lehtë i kalueshëm, pasi qendra është e stilit të hapur.

    “Lehtësia apo mundësia e ikjes varet nga lloji i qendrës korrektuese. Në rastin e Smrekonicës ne e dimë që është institucion i tipit të hapur, madje nuk do ta quaja ikje, por vetëm largim, sepse është institucioni si i tillë”, tha avokati Valdet Hoxha.

    Ndërkaq, njohësi i sigurisë, derisa vlerëson rrezikun që mund të kenë në shoqëri persona të tillë, thotë se burgjet duhet të modernizohen, që të shmangen rastet e tilla.

    “Duhet të ketë modernizim dhe ristrukturim në sistemin e burgjeve që në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla, dhe një bashkëpunim më i theksuar me organet e ndjekjes për të reaguar dhe për të marrë informacione konkrete në kohë optimale për të parandaluar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Sidoqoftë, nga Shërbimi Korrektues thanë se kanë nisur procedurat hetimore lidhur me rastin, por nuk treguan nëse ka edhe të burgosur të tjerë që janë në arrati.

  • Rusia kërcënimi më i madh për Suedinë deri në vitin 2030, thotë qeveria suedeze

    Rusia kërcënimi më i madh për Suedinë deri në vitin 2030, thotë qeveria suedeze

    Suedia tha të hënën se Rusia përbën kërcënimin më serioz për sigurinë e vendit nordik deri në vitin 2030, raportojnë mediat lokale.

    Kryeministri Ulf Kristersson, ministri i Mbrojtjes Pal Jonsson dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Henrik Landerholm prezantuan një strategji të re kombëtare në një konferencë shtypi në Stokholm duke deklaruar se aktualisht “kërcënimi për Suedinë është i gjerë dhe serioz”. “Rusia është kërcënimi më i madh dhe më serioz për sigurinë tonë kombëtare”, tha Jonson, sipas medias lokale Expressen.

    Megjithëse forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha në Ukrainë, forca ushtarake e Moskës mbetet e rëndësishme, sipas strategjisë së re.

    “Rusia ka një prag të ulët për përdorimin e forcës ushtarake, është e përgatitur të marrë rreziqe të mëdha politike dhe ushtarake dhe gjithashtu ka shprehur ambicie të larta për riarmatimin e saj”, shtoi Jonson. Sipas politikanit shtete të tjera “autoritare”, si Kina, po përpiqen të forcojnë ndikimin e tyre dhe të sfidojnë “rendin botëror të bazuar në rregulla”.

    “Mund të themi se Kina po kryen tani një riarmatim të gjerë që ndikon në stabilitetin rajonal në rajonin Indo-Paqësor”, tha ministri i mbrojtjes.

    Strategjia identifikoi gjithashtu krimin e organizuar dhe ekstremizmin e dhunshëm si kërcënime për vendin.

    Zyrtarët thanë më tej se flukset e mëdha migratore përbëjnë një rrezik pasi migrantët mund të përdoren si mjete për të krijuar paqëndrueshmëri si një mjet për të ushtruar presion mbi Suedinë.

    “Kjo do të thotë se ne kemi një situatë shumë komplekse sigurie për t’u marrë me të,” vuri në dukje Jonsson.

    Zyrtarët theksuan se situata e përkeqësuar e sigurisë do të vazhdojë për një periudhë të parashikueshme dhe se ekziston rreziku që ajo të përkeqësohet edhe më tej. /AA

  • Nënshkruhet protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar Kosovë-Shqipëri

    Nënshkruhet protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar Kosovë-Shqipëri

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla kanë nënshkruar në Qafë Morinë të Gjakovës marrëveshjen e kontrollit të përbashkët të kufitar.

    Nënshkrimi i protokollit për zbatimin e kontrollit të përbashkët u bë në prani të organeve policore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Me këtë rast dy ministrat thanë se pas këtij akti zyrtar ndërshtetëror do të krijohen rrethana lehtësuese për banorët e të dy anëve të kufirit, e në veçanti të zonave përreth të pikave kufitare Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec/Krushevë, Borje/Glloboçicë dhe Orgjost/Orçush.

  • 25 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, Osmani: Serbia vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës

    25 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, Osmani: Serbia vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës

    Sot janë bërë 25 vjet nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron e Mehmet Bytyqi. Ata ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë.

    Gjatë paraburgimit ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.

    Me rastin e këtij përvjetori ka shkruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ajo e ka akuzuar Serbinë, duke thënë se po vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës.

    “Familja e Yllit, Agronit, dhe Mehmet Bytyqit, qytetarë amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, ende kërkojnë drejtësi. Edhe sot e kësaj dite, regjimi i Serbisë vazhdon të lavdërojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa keqbërësit të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.

    Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    SHBA-ja ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se ata ishin ekzekutuar, qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine.

    Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. Pas luftës ata u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre.

  • Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore

    Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore

    Kryeministri Albin Kurti, thotë se buxheti vjetor sivjet për kujdesinë dhe investimet në trashëgiminë kulturore është më i larti ndonjëherë.

    Ai tha gjithashtu se ky buxhet është trefish më i lartë sesa në vitin 2021.

    “Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore – më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë”, theksoi tutje Kurti.

    “E puna po vazhdon. Përditë.

    Në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në:

    Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës

    Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj

    Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX

    Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës

    Ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë

    Muzeun e Hidroelektranës në Prizren

    Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë

    Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX

    Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti

    Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.

    Ndërkaq punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në:

    Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë

    Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova

    Shtëpitë tradicionale të Janjevës

    Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII

    Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shek. XVIII

    Shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan

    Shtëpinë e familjes Safqi në Prishtinë, e ndërtuar rreth vitit 1800

    Shtëpinë tradicionale të familjes Sylejmani brenda qendrës historike në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1880

    Shtëpinë e familjes Kirajtani, një prej shtëpive më të veçanta të Prizrenit

    Shtëpinë e familjes Munik në Prizren

    Qendrën Kulturore Hebraike në Qendrën Historike të Prizrenit

    Shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti në Prizren

    Kishën Katolike në Ferizaj

    Xhaminë në Turbohovc të Istogut

    Kullën e Tal Belit në Krelan të Gjakovës

    Postën e Vjetër në Mitrovicë”, shkroi gjithashtu shefi i qeverisë.

  • Shkyçen nga shërbimi i ujit konsumatorët me borxh 500 deri në 3 mijë euro

    Shkyçen nga shërbimi i ujit konsumatorët me borxh 500 deri në 3 mijë euro

    Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Prishtina” ka shkyçur nga shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm në Prishtinë dhe rrethinë konsumatorët me borxhe 500 deri 3 mijë.

    “Shkyçen nga shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm në Prishtinë dhe rrethinë, konsumatorë me borxhe prej 500-3000 euro, amvisëri e biznese”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.

    Sipas kësaj kompanie nuk do të ketë ujë për ata konsumatorë që nuk i kryejnë obligimet e tyre për shërbime të ujit.

  • Gjermanët firmosin peticionin për përsëritjen e ndeshjes me Spanjën

    Gjermanët firmosin peticionin për përsëritjen e ndeshjes me Spanjën

    Vendimi i arbitrave për të mos dhënë penallti për lojën me dorë të Marc Cucurellas së Spanjës vazhdon të jetë temë në Gjermani.

    Gjermania u eliminua nga Spanja në çerekfinale të Euro 2024, por mbi 380 mijë gjermanë e kanë firmosur një peticion online ku bëhet thirrje që ndeshja me Spanjën të përsëritet. Arsyeja për nisjen e peticionit është loja me dorë e Cucurellas dhe vendimi i arbitrave për të mos dhënë penallti. Është përmendur edhe një penallti që nuk i është dhënë Gjermanisë në minutën e 77-të.

    Natyrisht, peticioni nuk ka shans që të sjell ndryshimin.

    UEFA ka konfirmuar se vendimi i arbitrit ishte i drejtë për të mos dhënë penallti. Ekspertët e referimit janë të ndarë. Disa vlerësojnë se penallti nuk kishte e disa të tjerë që penalltia është dashur të referohet.