ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e 26 vjeçarit në Prizren që u ther për vdekje

    Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e 26 vjeçarit në Prizren që u ther për vdekje

    Është arrestuar edhe një person si i dyshuar në rastin e vrasjes së 26 vjeçarit në Prizren.

    Policia, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se ai është dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren 06.07.2024-23:50. Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njejti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

    Ndërkaq dje Policia e Kosovës ka thënë se i arrestuari, H.B 29 vjeç, dyshohet për “Lëndim të rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

    “Njësiti i hetimeve rajonale të policisë ne Prizren me datën 08.07.2024, përmes rrugëve operative ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin: H.B (viti i lindjes 1995), mashkull kosovar shqiptar).”

    “Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjtit ka qenë i përfshirë në një rast Lëndim i rëndë trupor nga neni 186,pargrafi 5,Moasdhenja e ndihmës neni 188 paragrafi 4 si dhe Moslajmërimi i veprave penale apo kryeseve të tyre neni 378,par.1.pika 1.3,i cili ka ndodhur me datën 06.07.2024, në lagjen Bazhderana ne Prizren..I dyshuari është shoqëruar ne SRH-Prizren, ku ne prani te avokatit mbrojtës është intervistuar. I dyshuari, ka qene ne dijeni për veprën penale si dhe kryerësin e veprës penale, i njëjti nuk e ka lajmëruar veprën penale si dhe kryesin e saj, po ashtu nuk i ka ofruar ndihme viktimës. Ne lidhje me rastin ne cilësinë e provave materiale është sekuestruar një automjet me targa vendore, pronë e te dyshuarit H.B.”

    Ai është ndaluar për 48 orë.

    Auron Thaqi, të shtunën është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

    “LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Lagja Bazhderhane, Prizren 06.07.2024 – 23:50. Viktima mashkull kosovar, është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që i njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë i sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë) nga persona ende të pa identifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar, nga vetura e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet.”

    Mbrëmjen e së dielës, 26 vjeçari ka vdekur në QKUK. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

    “Sot me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë”, tha ai të dielën.

    Ndërsa dje në raportin e Policisë u bë e ditur se është arrestuar një person, shtetas i Turqisë.

    “LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024 gjersa ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull Kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

  • Zhduket një grua në Kaçanik

    Zhduket një grua në Kaçanik

    Një grua ka raportuar se është zhdukur një grua tjetër në Kaçanik.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se nga dita e mbrëmja e të dielës është zhdukur viktima dhe nuk dihet asgjë për fatin e saj, raporton EO

    “Ankuesja femer kosovare ka raportuar se viktima femër ka dal nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

  • Stafi teknik i Kuvendit të Kosovës proteston sot, shkak pagat e ulëta

    Stafi teknik i Kuvendit të Kosovës proteston sot, shkak pagat e ulëta

    Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se stafi teknik i Kuvendit të Kosovës sot do të protestojë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.

    Protesta e tyre, sipas komunikatës, vjen si pasojë e pagave të ulëta.

    “Të martën më datë 09.07.2024 nga ora 10.00 deri në ora 11.00, punëtorët teknik të Parlamentit të Kosovës do të protestojnë para parlamentit për shkak të pagave të ulëta”, thuhet në njoftimin e SPSP-së.

    Paga e stafit teknik të Kuvendit është 275 euro. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, kishte njoftuar për negociatat e vazhdueshme paraprake të stafit teknik me udhëheqësinë, por ato nuk kishin dhënë rezultate.

  • Konjufca pret në takim presidentin e Këshillit Kombëtar zviceran, pas takimit mbajnë konferencë për media

    Konjufca pret në takim presidentin e Këshillit Kombëtar zviceran, pas takimit mbajnë konferencë për media

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, raporton EO.

    Kryetari Konjufca, dhe presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Nussbaumer, pas takimit do të mbajnë konferencë për medie.

  • “Çështje orësh” – Faton Hajrizi akoma në arrati, Sveçla dha fjalë të mëdha dje për kapjen e tij

    “Çështje orësh” – Faton Hajrizi akoma në arrati, Sveçla dha fjalë të mëdha dje për kapjen e tij

    Faton Hajrizi – njeriu që u arratis të shtunën për herën e nëntë nga burgjet e Kosovës është shpallur në kërkim nga Policia. I burgosur për vrasjen e ushtarit rus dhe vepra tjera penale, Hajrizi iku nga Burgu i Smrekonicës të shtunën në orët e mëngjesit me një plan të detajuar. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka dhënë fjalë të mëdha, duke thënë se shumë shpejt pret rezultate nga policia, raporton Gazeta Sinjali.

    “Çështje orësh” – tha Sveçla në një konferencë për media në Qafë Morinë, ku ka paralajmëruar se kapja e Faton Hajrizit do të ndodhë shumë shpejt.

    Megjithatë, deri më tani s’ka asnjë njoftim për arrestimin e tij edhe pse kanë kaluar më shumë se dy ditë prej kur Hajrizi u arratis.

    “Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon. Unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultatet e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë, por duke parë efikasitetin e policisë është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.

    Si në ikjet e tij spektakolare të mëhershme, Hajrizi ishte i përgatitur për t’u larguar nga burgu pa u kapur nga oficerët. Ai u u arratis për të nëntën herë nga burgu, pak pas orës 1 pas mesnatës të datës 06 korrik.

    Faton Hajrizi dyshohet se u arratis gjatë periudhës kohore nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00.

    I arratisuri më i famshëm në Kosovë arriti që fillimisht t’i shfrytëzojë çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur. Në këtë mënyrë, Sinjali raportoi se Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë. Nga aty, ai e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis.

    Vetëm një ditë më pas, Hajrizi u lajmërua, duke u shfaqur në rrjetin social TikTok, ku foli gjatë për arsyet e arratisjes së tij.

    Ai ka treguar për ikjen e tij nga burgu, duke e përmendur si arsye trajtimin jo të duhur ndaj tij – siç pretendon ai – teksa ka theksuar se ndodhet jashtë Kosovës.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës doli me një komunikatë të dytë për media lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit.

    Sipas SHKK-së, edhe pse Hajrizi është larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak.

    Sipas njoftimit, i dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.

    “I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024.

    Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.

    Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.” – thuhet në njoftimin e SHKK-së.

  • Pagat mesatare nëpër Evropë, ku janë më të ulëta e ku më të larta?

    Pagat mesatare nëpër Evropë, ku janë më të ulëta e ku më të larta?

    Pagesa e punëtorëve nëpër Evropë ka dallim ndaj edhe pagat mesatare variojnë nga vendi në vend.

    Dallimet lindin kryesisht nga rregulloret specifike të vendit, ligjet e punës, sektorët e industrisë dhe zhvillimi ekonomik.

    Vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore kanë të ardhurat mesatare neto më të larta, ndërsa ato të Evropës Lindore dhe Jugore raportojnë shifra shumë më të ulëta.

    Zvicra kryeson listën me një pagë mesatare vjetore neto prej 85,582 euro, dukshëm më e lartë se çdo vend tjetër.

    Pas saj janë Islanda dhe Luksemburgu me paga mesatare vjetore neto prej 53,885 euro dhe 49,035 euro.

    Pagat vjetore neto mbi 45,000 euro janë ende në dispozicion në Norvegji dhe Holandë.

    Mesatarja evropiane është 28,217 euro.

    Vende si Franca (31,481 €) dhe Suedia (33,926 €) tejkalojnë paksa mesataren e BE-së, ndërsa të tjerat, duke përfshirë Italinë (24,207 €) dhe Spanjën (23,568 €), janë nën të.

    Ndërsa, Turqia dhe Bullgaria raportojnë pagat mesatare vjetore neto më të ulëta, përkatësisht 8,968 euro dhe 9,355 euro.

    Vendet e Evropës Lindore si Rumania (11,105 €) dhe Hungaria (12,456 €) janë gjithashtu në fund të listës.

    Ndër pesë vendet me pagën mesatare vjetore neto më të ulët është edhe Kroacia me 12,330 euro.

  • Në Uashington nis Samiti i NATO-s, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Në Uashington nis Samiti i NATO-s, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.

    Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.

    Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.

    E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes.

    Një vit më vonë, në Vilnius, aleatët janë pajtuar për plane të reja për të përmbushur atë vizion.

    E, Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën.

    Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.

    Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë? Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.

    Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.

    Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.

    Por, gjasat që Ukraina, gjatë Samitit në Uashington, të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, janë gati joekzistente.

    Paketa e NATO-s për Ukrainën do të përbëhet nga tri pjesë: gjuha, koordinimi dhe ndihma.

    Gjuha në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës do të duhet të ndërtohet mbi zotimin në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.

    Zyrtarë të lartë amerikanë i janë referuar paketës së Uashingtonit si një “urë e fortë” drejt anëtarësimit, që është “e ndriçuar mirë, e shkurtër, e drejtë, e papenguar”.

    Por, negociatat për formulimin e saktë të komunikatës së samitit ka të ngjarë të vazhdojnë deri në minutën e fundit.

    Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.

    Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.

    Për shembull, 40 për qind e tregtisë së Evropës kalon përmes Detit të Kinës Jugore, ndërsa luftën e Rusisë në Ukrainë e ka mbështetur importimi i municioneve nga Koreja e Veriut dhe mallrat kineze me përdorim të dyfishtë.

    Siç ka konfirmuar ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, partneriteti në Indo-Paqësor do të jetë një temë kryesore e Samitit të Uashingtonit.

    Katër partnerët e NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.

    Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.

    Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.

    Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.

    Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.

    Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.

    Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv. /REL/

  • Kurti i bashkohet thirrjes të Departamentit Amerikan të Shtetit për Vëllezërit Bytyqi

    Kurti i bashkohet thirrjes të Departamentit Amerikan të Shtetit për Vëllezërit Bytyqi

    Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar drejtësi për Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, tre vëllezërit që e kishin lënë SHBA-në për të luftuar në Kosovë, në përvjetorin e vrasjes së tyre. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka shkruar se “sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë”. Tha se i bëjnë thirrje Serbisë që ta kryejë hetimin për këtë rast dhe t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

    “25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që ta përfundojë hetimin e saj dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller.

    Për këtë deklaratë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë në “X” se askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë krim të kryer.

    “Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv pak pas luftës. Agron, Mehmet dhe Yll u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë ndërsa duart u ishin lidhur. Megjithatë, askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit për krimet e rënda nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti të hënën.

  • Ende pezull plani për mjekun online në Kamenicë

    Ende pezull plani për mjekun online në Kamenicë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Përveç pacientëve që i ka në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Roganë të Kamenicës, Fahredin Kryeziu do të mund t’i kontrollonte edhe të sëmurët që janë me kilometra larg.

    Këtë do ta bënte nga kompjuteri, në lidhje përmes internetit, me një pacient të cilin e vizitojnë dy infermiere, që komunikojnë me doktorin përgjegjës.
    Por plani për Mjekun Online për kujdesin parësor nuk është jetësuar.

    Megjithatë, mjekët janë hezitues për efektivitetin e kontrolleve online, meqë thonë se nuk i ka trajnuar askush për këtë metodë të re.

    “Nuk e di sa do të jetë i duhur ky plan pasi që ne nuk jemi mjaftueshëm të trajnuar, jemi mësuar fizikisht. Nuk mund të jetë pozitiv një plan i tillë për punëtorët shëndetësorë në Kosovë”, tha Fahredin Kryeziu, përgjegjës i QMF-së në Roganë.

    Për këtë shërbim ende nuk janë siguruar as aparaturat digjitale. Pushteti në Kamenicë, për dështimin e Mjekut Online, fajin ia lë Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Ne kemi pasë diskutim për telemjekësinë se si ta implementojmë në Kamenicë, por ende s’ka një ligj për implementimin e saj. Pra jemi duke pritur Ministrinë e Shëndetësisë që të definojë një udhëzim administrativ për telemjekësinë. E atëherë do të fillojmë me planin e mjekut online, përndryshe aktualisht është i stopuar si projekt”, tha drejtoresha e Shëndetësisë në Kamenicë, Euroda Hoda.

    Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke u marrë me këtë ide të komunës së Kamenicës.

  • Katër komuna veriore, pa asnjë noter

    Katër komuna veriore, pa asnjë noter

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Behxhet Muharremi jeton në Mitrovicë të Veriut. Por nëse ka nevojë për noter, i duhet të shkojë në jug.

    Asnjë i tillë nuk operon në të katër komunat veriore të vendit. Andaj Muharremi ankohet se kjo ia vështirëson punët.

    “Edhe aty janë vetëm dy noterë, nuk munden të funksionojnë, radha bëhet e gjatë, dhe kështu prapë na duhet me shku në komunat përreth, shpenzime shtesë…”, tha Muharremi.

    Ankesa për mungesë të noterëve ka edhe në Zveçan. Por kryetari Ilir Peci thotë se zgjidhja për këtë çështje nuk është në duart e tij.

    “E dimë që nuk ka asnjë noter, është pak sfidë, edhe qytetarët shpesh na drejtohen për mungesën e tyre, por ne nuk mund të bëjmë zgjidhje aktualisht…”, tha Peci.

    Gazetari Bratislav Krstic vlerëson se ky problem e pengon edhe integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

    “Jashtëzakonisht e keqe kjo, aty ka banor që i duhet ky lloj shërbimi (i përmend për çfarë ju duhet më shumë), andaj nuk kanë mundësi në komunën e tyre me i marrë, pengon në imazhin tonë…”, tha Krstic.

    Operimi i noterëve në veri të vendit ishte temë diskutimi edhe në takimin e 2 korrikut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    “Na është rekomanduar të bëjmë edhe disa hapa shtesë që kanë të bëjë edhe me shërbimet e noterisë”, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Tre muaj më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte premtuar se do të hapë konkurs për noterë në veri, por deri tash nuk ka diçka konkrete.