ATV

Author: ATVLive

  • 6 muaj burgim me kusht dhe 2 mijë euro gjobë ndaj serbit për dhënien e 5 eurove ryshfet zyrtarit policor

    6 muaj burgim me kusht dhe 2 mijë euro gjobë ndaj serbit për dhënien e 5 eurove ryshfet zyrtarit policor

    Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 2000 euro gjobë të akuzuarin Dalibor Staniq për dhënie të ryshfetit.

    Aktgjykimi dënues ndaj tij është shpallur të martën, nga gjykatësi i rastit Avni Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 6 muaj nuk do të ekzekutohet brenda afatit 1 vjeçar nëse i akuzuari Staniq nuk kryen vepër penale.

    Staniq gjithashtu obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.

    Gjykata vendosi edhe largimin e dorëzanisë dhe shuma e dorëzanisë t’i kthehet të akuzuarit Staniq, pasi i njejti ta paguajë dënimin me gjobë.

    Në seancën fillestare të mbajtur po sot i akuzuari Staniq e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 qershor 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Dalibor Staniq akuzohet se më 27 maj 2024, rreth orës 14:00, në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, në fshatin Kamenicë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar, në atë menyrë që personi zyrtar të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se derisa Staniq ka qenë duke e drejtuar kamionin e tij është ndalur nga zyrtari policor Fidan Ademi, i cili e ka njoftuar të pandehurin Staniq që e ka tejkaluar shpejtësinë e levizjës me kamion, dhe ia kishte kërkuar dokumentet, ndërsa Staniq ia kishte dhënë dokumente ku në mes të tyre i kishte futur 5 euro, edhe pasi zyrtari policor e kishte njoftuar se është nën vezhgimin e kamerave.

    Me këto veprime, sipas aktakuzës Dalibor Staniq akuzohet se ka kryer veprën penale “ Dhënie e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Diasporës që vjen në Kosovë nga Serbia i shtrenjtohet rruga

    Diasporës që vjen në Kosovë nga Serbia i shtrenjtohet rruga

    Mërgimtarët që vijnë në Kosovë përmes Serbisë do ta kenë më të shtrenjtë rrugën sivjet. Nga 10 korriku, Serbia ka rritur tarifat për shfrytëzimin e autostradave.

    Çmimet janë rritur për gati 10 për qind në secilën prej autostradave, ka njoftuar Ministria e Transportit serb.

    Në rrugën nga Beogradi në Shid, shoferët tani duhet të paguajnë 4.27 euro në vend të 3.85 eurove. Në rrugën Obrenovac – Prelina, pagesa do të kushtojë 4.79 euro, ndërsa nga Beogradi në Suboticë do të kushtojë 6.84 euro.

    Shuma më e lartë do të paguhet në rrugën nga Beogradi në Dimitrovgrad – 14.27 euro.

    Zbritje prej gjashtë për qind do të ketë për vetura elektrike. 10 për qind zbritje ka për kamionët me motorë “EURO 6”.

    Ministria e Jashtme e Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje që të shmangen udhëtimet përmes Serbisë.

  • Lamine Yamal theu rekordin e legjendarit Pele

    Lamine Yamal theu rekordin e legjendarit Pele

    Lamine Yamal ka qenë vendimtar në fitoren e Spanjës 2-1 ndaj Francës për të kaluar në finalen e madhe të Kampionatit Evropian ‘Euro 2024’.

    Sulmuesi spanjoll realizoi një gol të jashtëzakonshëm, vetëm tre ditë para se të mbushë 17 vjeç.

    Me golin e shënuar ndaj Francës, Yamal ka thyer një tjetër rekord, duke u bërë futbollisti më i ri në histori të një Kampionati Evropian apo Botëror që realizon gol.

    Yamal shënoi gol me 16 vjeç e 362 ditë, duke i thyer rekordin e mbajtur nga legjenda braziliane Pele.

    Ish-sulmuesi i Brazilit mbante këtë rekord prej shumë dekadave kur kishte shënuar me 17 vjeç e 239 ditë.

    Përveç rekordit të lartëpërmendur, Yamal theu një tjetër rekord, duke u bërë futbollisti më i ri në histori që luan në një gjysmëfinale.

    Tani Yamal do të tentoj të realizoj edhe në finale, kur të shtunën do të mbush 17 vjeç dhe të dielën në Berlin do të zbres në fushë. /Telegrafi/

  • “Doja të bëhesha kampion, Evropiani im është…”, Mbappe flet pas eliminimit

    “Doja të bëhesha kampion, Evropiani im është…”, Mbappe flet pas eliminimit

    Kylian Mbappé pranoi se sezoni i tij në Euro 2024 ishte një dështim pasi Franca u eliminua të martën, duke humbur 2-1 në gjysmëfinale nga Spanja në Allianz Arena.

    Turneu i sulmuesit të Real Madridit përfundoi me vetëm një gol, një penallti kundër Polonisë në fazën e grupeve, në pesë paraqitje.

    “Konkurrenca ime ishte e vështirë,” u tha Mbappe gazetarëve. “Ishte një dështim. Ne kishim ambicie të ishim kampionë të Evropës, unë kisha ambicie të isha kampion i Evropës. Ne nuk jemi të tillë, kështu që është një dështim”, citohet të ketë thënë ai.

    “Është futboll. Ne duhet të ecim përpara. Ka qenë një vit i gjatë. Do të shkoj me pushime dhe do të pushoj pak — kjo do të më bëjë shumë mirë dhe do të përpiqem të kthehem fuqishëm”, ka thënë ai.

    Turneu i Mbappes filloi në mënyrën më të keqe të mundshme kur ai theu hundën në ndeshjen hapëse të Francës kundër Austrisë

  • Pse Franca nuk do të luajë në ndeshjen për vendin e tretë në Euro 2024 pas humbjes nga Spanja?

    Pse Franca nuk do të luajë në ndeshjen për vendin e tretë në Euro 2024 pas humbjes nga Spanja?

    Kombëtarja e Francës nuk do të përfshihet në ndeshjen ‘play-off’ për vendin e tretë në Euro 2024 pasi u eliminua në fazën gjysmëfinale nga Spanja.

    Skuadra e Luis de la Fuente mbetet e pamposhtur pasi golat në pjesën e parë nga Lamine Yamal dhe Dani Olmo vulosën vendin e tyre në finale, ku do të përballen me Anglinë ose Holandën.

    ‘La Roja’ mundi Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë në fazën e grupeve përpara se të mposhtte Gjeorgjinë, Gjermaninë dhe Francën.

    Ndërkohë, Franca do të jetë jashtëzakonisht e zhgënjyer nga edicioni i saj në Kampionatin Evropian pasi shënoi vetëm katër herë në pesë ndeshje [dy autogola, një penallti Kylian Mbappe dhe goli i së martës nga Kolo Muani].

    Ky është fundi i garës për skuadrën e Didier Deschamps, i cili nuk do të marrë pjesë në një ndeshje ‘play-off’ për vendin e tretë siç ndodh në Kupën e Botës.

    Në vitin 2022, Maroku u ndesh me Kroacinë për vendin e tretë pasi humben kundër Argjentinës dhe Francës përkatësisht në fazën gjysmëfinale.

    Megjithatë, në Kampionate Evropiane nuk ka pasur një ndeshje play-off për vendin e tretë që nga Euro 1980, e cila u mbajt në Itali.

    Mikpritësit u përfshinë në ndeshjen e fundit të ‘play-off’-it për vendin e tretë pasi humbën 9-8 kundër Çekosllovakisë në penallti pasi barazuan ndeshjen 1-1.

    Edhe pse Italia po luante, interesi për lojën ishte i ulët dhe audienca televizive ishte në rënie. Në fakt edhe frekuentimi brenda stadiumit ishte nën pritshmëritë.

    Që atëherë, ka pasur 10 kampionate evropiane pa ndeshje të ‘play-off’-it për vendin e tretë. /Telegrafi/

  • Një person sulmon tre policë në Ferizaj, një tjetër i kanos në Kaçanik

    Një person sulmon tre policë në Ferizaj, një tjetër i kanos në Kaçanik

    Dy persona janë arrestuar në Ferizaj dhe Kaçanik të martën në mbrëmje (9 korrik), në raste të ndara, nën dyshimin se i kanë sulmuar dhe kanosur zyrtarët policorë.

    Sipas njoftimit në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, në rastin në Ferizaj, për të dyshuarin kishte pasur një ankesë nga një qytetar që kishte thënë se i dyshuari i ka hyrë në pronën private dhe e ka kanosur. Më pas, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë. Tre policë kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Në rastin tjetër, në Kaçanik, një i dyshuar është shoqëruar në polici pasi që kishte kanosur zyrtarin policor që i kishte shqiptuar gjobë trafiku.

    Përderisa në rastin e Ferizajt, i dyshuari është dërguar në mbajtje, në rastin e Kaçanikut rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • Ulja e numrit të turistëve nga Kosova, Kurtishaj: Në Shqipëri janë rritur çmimet, pushuesit kanë zgjedhur Greqinë dhe Bullgarinë

    Ulja e numrit të turistëve nga Kosova, Kurtishaj: Në Shqipëri janë rritur çmimet, pushuesit kanë zgjedhur Greqinë dhe Bullgarinë

    Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë Ruzhdi Kurtishaj i ftuar në Now me Erla Mëhillin u shpreh se shumë turistë nga Kosova po braktisin Shqipërinë për të vizituar Greqinë apo Bullgarinë.

    Sipas tij faktor kryesor është liberalizimi i vizave për shqiptarët e Kosovës. Megjithatë Kurtishaj shprehet se shumë pushues nga Kosova nuk e shikojnë të arsyeshme një rritje prej 40% të çmimeve.

    “Viti 2024 ka lënë të kuptohet që nuk ka turizëm të qëndrueshëm për disa zona të Shqipërisë pa shqiptarët e Kosovës dhe liberalizimi i vizave ka bërë një ndryshim nga viti 2023. Për dy dekada ne kemi qenë të izoluar nga bota për mundësinë e lëvizjen e lirë. Ishte fat i mirë që liberalizimi u bë e janar dhe shumë shqiptarë të Kosovës plotësuar ëndrrën e tyre për të vizituar vendet e rajonit siç është Greqia për shkak se shumë prej nesh para 20 vitesh i kanë kaluar në Greqi dhe Bullgari dhe unë mendoj që kjo mungesë e pushuesve të Kosovës nuk është pa arsye. Sipas statistikave ka një rënie të dukshme të pushuesve dhe rritja e çmimeve është një prej arsyeve kryesorë, sigurisht dhe gjetja e plazheve alternative si Greqia dhe Bullgaria mund të jetë një tjetër arsye pse mungojnë turistët prej Kosovës. Megjithatë unë nuk e kuptoj pse duhet të paguaj një pije që kushton 200 lekë në Durrës dhe 700 lekë në jug”, tha ai.

  • O’Brien pas takimit me Osmanin: Folëm për nevojën urgjente për riangazhim në dialog – jemi krenarë që e mbështesim Kosovën

    O’Brien pas takimit me Osmanin: Folëm për nevojën urgjente për riangazhim në dialog – jemi krenarë që e mbështesim Kosovën

    Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, pas takimit që ka pasur dy ditë më parë me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ShBA-të janë krenare që e mbështesin Kosovën.

    O’Brien tha se është e rëndësishme që Kosova dhe ShBA-të të qëndrojnë në hap për ta avancuar vizionin e tyre të përbashkët.

    “E mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Uashington. Ne jemi krenarë që mbështesim shtetin sovran, multietnik dhe demokratik të Kosovës. Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në hap për ta avancuar vizionin tonë të përbashkët. Gjithashtu folëm edhe për nevojën urgjente për t’u riangazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien.

    Dje, e para e shtetit u takua edhe me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ku tha se aleanca me ShBA-të është gurthemel për stabilitetin.

  • Rreth dy mijë kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS

    Rreth dy mijë kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS

    Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës vazhdojnë t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS.

    Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

    Sipas tij vetëm të martën janë bërë 121 kërkesa në gjithë vendin.

    Ndërkaq, për dy muaj janë bërë 1 mijë e 941 kërkesa për konvertimin e patentë-shoferëve vetëm në veri të vendit, ndërkaq numri i përgjithshëm është 2 mijë e 294.

    Në Leposaviq deri më tani janë 598 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 621, në Zubin Potok 328 dhe në Zveçan 394 kërkesa.

    Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

    Vendimi pati hyrë në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.

  • Murati dhe Vitia do të raportojnë sot në komisionin për të drejtat e njeriut

    Murati dhe Vitia do të raportojnë sot në komisionin për të drejtat e njeriut

    Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të raportojnë sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut lidhur me plotësimin apo ndryshimin e Rregullores për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Praplegjik dhe Tetraplegjik, ose nxjerrjen e Rregullores së re.

    Mbledhja e komisionit do të nisë në ora 13:00.

    “Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitiasi dhe drejtori i Shoqatës HANDIKOS, raportojnë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, lidhur me plotësimin apo ndryshimin e Rregullores për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Praplegjik dhe Tetraplegjik, ose nxjerrjen e Rregullores së re. (Kuvendi i Kosovës, salla N10)”.