ATV

Author: ATVLive

  • Moti sot: Me diell e temperatura deri në 36 gradë

    Moti sot: Me diell e temperatura deri në 36 gradë

    Këtë të mërkurë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta.

    Temperaturat minimale pritet të lëvizin në mes 17 dhe 20 gradë Celsius, kurse maksimalet prej 33 deri në 36 gradë.

    Era do fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 16-38 km/h.

  • ​Biden i premton Ukrainës sisteme të reja të mbrojtjes ajrore

    ​Biden i premton Ukrainës sisteme të reja të mbrojtjes ajrore

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do t’ia dalë.

    Ai njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, duke përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

    “Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin, sidomos me mbështetjen tonë të plotë kolektive. Ajo e ka mbështetjen tonë të plotë”, tha Biden në ditën e parë të Samitit vjetor të NATO-s, që mbahet në Uashington.

    “Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend të lirë dhe të pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë”, shprehu bindjen ai.

    Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe partnerët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si dhe qindra përgjues gjatë vitit të ardhshëm.

    Në një deklaratë që lëshoi Shtëpia e Bardhë, sqarohet se SHBA-ja, Gjermania dhe Rumania do t’i dhurojnë bateri Patriot vendit në luftë, ndërsa Holanda dhe partnerët e tjerë do t’i ofrojnë komponentë Patriot për të mundësuar funksionimin e disa baterive shtesë. Italia do të dhurojë, po ashtu, një sistem shtesë SAMP-T.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit.

    Fjalimi i Bidenit u ndoq nga afër jo vetëm për komentet e tij në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, por edhe për performancën e tij të përgjithshme.

    Kohëve të fundit, disa demokratë i kanë bërë thirrje të tërhiqet nga gara për rizgjedhje në nëntor, për shkak të paraqitjes së tij të dobët në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, në fund të qershorit.

    Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë edhe pretendime të rreme.

    Megjithatë, gjatë fjalimit në samitin e NATO-s, Biden nuk u duk se bëri ndonjë gabim.

    Duke folur pak para tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nëse Rusia do të dilte fituese në luftën e saj në Ukrainë, ajo do të trimëronte Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut, si dhe do të formësonte mjedisin e sigurisë globale për disa dekada në vazhdim.

    “Nuk ka opsione pa rrezik me një Rusi agresive si fqinje”, tha Stoltenberg.

    “Nuk ka opsione pa rrezik në një luftë. Dhe, mbajeni në mend, kostoja më e madhe dhe rreziku më i madh do të jetë nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ai.

    Biden i dha Stoltenbergut Medaljen e Lirisë, që është nderimi më i lartë civil që mund të bëjë një president amerikan.

    “Shumë nga përparimi që kemi bërë në aleancë, është falë sekretarit. Ai është një njeri me integritet”, tha Biden.

    Stoltenberg, në vjeshtë, do t’ia dorëzojë detyrën shefit të zgjedhur të NATO-s, Mark Rutte.

    Samiti i NATO-s, që përkon me 75-vjetorin e themelimit të aleancës, do të zgjasë deri më 11 korrik.

    Udhëheqësit e vendeve anëtare pritet të diskutojnë edhe për forcimin e mbrojtjes, si dhe të partneriteteve në Indo-Paqësor./REL/

  • ​Zvarriten punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, ankohen banorët: Pluhuri na ‘mbyti’ e veturat po dëmtohen

    ​Zvarriten punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, ankohen banorët: Pluhuri na ‘mbyti’ e veturat po dëmtohen

    Ani pse kanë kaluar rreth tetë vjet që prej kur kishin filluar punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, ato ende nuk kanë përfunduar. Kolonat e gjata, pluhuri, zhurma, e gropat (vrimat) nëpër rrugë, po u shkaktojnë shumë telashe banorëve të cilët jetojnë afër rrugës, por edhe qytetarëve dhe shoferëve me automjete që lëvizin në këtë rrugë, pothuajse për çdo ditë.

    Banorët e Podujevës ankohen se punimet e tejzgjatura në magjistrale, po u kushtojnëatyre me pasoja shëndetësore dhe rënie të afarizmit te bizneset përreth rrugës. Ata thonë seka rënë dukshëm fluksi i punës prej se kanë filluar punimet infrastrukturore rrugore.

    Vesel Kelani i cili ka edhe një biznes, thotë se po u pengojnë punimet, për shkak të pluhurit të madh që po u shkakton dëme në shëndet. Përveç kësaj, ai tregon se konsumatorët ankohen, për çka shton se ka rënë dukshëm shitja në biznesin e tij.

    “Punimet në rrugë po na pengojnë se pluhur i madh, gropa, veturat na i shkatërruan, shumë parregullsi. Tek biznesi po na pengon se pluhur i madh, nuk mund t’i hapësh as dyert, shtëpitë të gjitha na shkatërroj pluhuri…Normalisht, që është pluhuri, ajri që e thithim shumë është i ndotur, pluhur i madh. Me cisternë shkojnë, pluhurin ta ujitin, me cisternë. Nuk e di a ka vend në botë që bëhet ujitja e rrugëve me cisternë. Ka vërejtje edhe prej konsumatorëve, pluhur i madh veç me ndejt (qëndruar)duke i pastruar gjithmonë. Ka rënë shumë puna, me të madhe…Këta marrin shumë punë, a kanë mjete shumë pak, aty është krejt problemi. I marrin nga 10 tenderë, a nuk janë të zot t’i kryejnë”, thotë Kelani.

    Po ashtu, edhe banori Hilmi Vllasa shprehe ankesat e tij, duke thënë se puna po neglizhohet. Sipas tij, shumicën e kohës makineritë nuk punojnë, për çka edhe kritikon Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Kjo aq shumë është duke na penguar, edhe fare nuk janë duke punuar, 80 për qind të kamionëve rrinë. Merre me mend, sa dëgjohet se është ndërprerë puna, kanë shkuar në pushim vjetor, çka nuk lejohet askund në botë. Këtu as nuk ujitet, as nuk punohet me rend…Këtuduhet së pari të vendosen shenjat. Sinjalizimet janë zero. Turp për ministrinë, turp është. Së pari duhet të ketë sinjalizim. Një korsi duhet të jetë patjetër e lëshuar…Pluhuri është e pa diskutueshme. Pluhuri, veturat janë shkatërruar me këto vrima”, ankohet Vllasa.

    Gjithashtu, edhe Imer Jashanica thotë se pluhuri i ka mbuluar gjithandej, si në shtëpi poredhe në marketin e tij.

    Ai tregon se për shkak të punimeve, nuk i kanë lënë vend se ku të parkohen veturat e konsumatorëve dhe si rrjedhojë e kësaj, numri i blerësve ka rënë dukshëm.

    “Për momentin është duke na penguar shumë. Pluhuri është shumë i madh ekstrem edhe këtu ma kanë lënë keq qe 4-5 muaj kështu e kanë lënë. Asnjë veturë nuk mund të ndalet për të marrë mall. E kanë lënë keq. Po e shtrojmë, e kanë shtruar në atë pjesën andej, kurse në këtë anë nuk e kanë shtruar akoma…A po vëreni rënie të interesimit nga konsumatorët për shkak të punimeve. Për momentin po, ka sepse rruga është shumë e dëmtuar, sidomos në shtëpi na ka dëmtuar shumë pluhuri ekstrem…Qe 4-5 muaj që janë duke punuar ne në këtë pluhur jemi. Kemi vendosur gurë që mos të ketë lëvizje (nga veturat)”, thotë Jashanica.

    Vrimat e formuara në magjistralen Prishtinë-Podujevë, po u dëmtojnë edhe veturat që qarkullojnë në këtë aks rrugor.

    Ilir Jaha potencon se shumë shpesh lëvizë në këtë rrugë dhe se përballet me kolona të gjata e pluhur të madh.

    Ai brengoset edhe për mërgimtarët, për çka thotë se do t’u dëmtohen veturat e shtrenjta.

    “Problem, tash vijnë edhe mërgimtarët i kanë veturat edhe të shtrenjta edhe problem se shumë rruga e keqe. Po na i dëmton veturat edhe shumë problem. Shpresoj që e kryejnë sa më shpejtë…Ne nuk jetojmë afër kësaj rrugës, por e shohë se shumë problem tek shtëpitë këtu, se po mbushen pluhur, e kanë problem edhe për jetesë…Udhëtoj shumë shpesh Podujevë-Prishtinë dhe shumë kolona, trafik, pluhur, as nuk mund t’i hapësh dritaret, asgjë”, shprehet Jaha.

    Ndërkaq, ankesa lidhur me këto punime janë drejtuar edhe në Komunën e Podujevës, thotë drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi.

    Ai potencon se ankesat e pranuara nga banorët i kanë përcjellë në Ministrinë e Infrastrukturës, derisa shton se kërkuan nga kjo e fundit që mos të ketë neglizhencë në procesin e punimeve.

    Krasniqi thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga ministria se kur pritet të përfundojnë punimet.

    “Duke marrë për bazë rëndësinë e magjistrales për Komunën e Podujevës që është një prej projektevemë të rëndësishme infrastrukturore edhe ne si komunë kemi pranuar ankesa. Dhe se këto ankesa jemi munduar bashkërisht me Ministrinë e Infrastrukturës t’i trajtojmë dhe t’iu bëjmë zgjidhje sa më shpejtë të kemi mundësi. Nësemarrim për bazë ankesatkonkrete kryesisht kanë qenë për dy rrathët të cilët qytetarët janë drejtuarme ankesa tek ne, ku ne i kemi përcjellë edhe në ministri. Ministriai ka shqyrtuar ankesat të cilat kanë qenë dhe se nga shqyrtimi i tyre ka provuar që të dy rrathët të cilët janë, të jenë me një nivel, në lloton e fundit…Edhe nekërkuam nga ana e minsitrisë, që minsitria së bashku me kompanitë të jetë më e shpejtë dhe mos të ketë neglizhencë në kuadër të punimeve…A ju ka dhënë ministria ndonjë përgjigje se kur mund të përfundojnë punimet përafërsisht? Ne ende nuk kemi përgjigje zyrtare për këtë”, potencon Krasniqi.

    Ndërkaq, KosovaPress ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, për të marrë më shumë detaje rreh procesit të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

    Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, përkatisht në segmentet Bardhosh-Lluzhan kishin nisur më 3 korrik të vitit të kaluar, ku patën marrë pjesë në inaugurim kryeministri Albin Kurti dhe drejtues të Ministrisë Infrastrukturës. Zotimi i tyre kishte qenë që këto punime të përfundojnë brenda 360 ditëve (ditë pune).

    Para pak ditësh, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë inspektuar nga afër punimet që po bëhen në rrugën Prishtinë-Podujevë.

    Aliu e ka quajtur këtë një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, derisa ka shtuar se punimet po avancojnë.

    Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka premtuar se këtë vit do të përfundojnë punimet në rrugët që kanë qenë në proces ndërtimi për vite të tëra, duke përfshirë edhe rrugën Prishtinë-Podujevë.

    “Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet”, kishte deklaruar Kurti në një mbledhje të Qeverisë, në fillim të vitit. /

  • ​Osmani takohet me kryeministrin e Bullgarisë, fokusohen te partneriteti i fortë mes dy vendeve

    ​Osmani takohet me kryeministrin e Bullgarisë, fokusohen te partneriteti i fortë mes dy vendeve

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në margjina të Samitit të NATO-s është takuar me kryeministrin e Bullgarisë Dimitar Glavchev.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidentja Vjosa Osmani tha se takimi u fokusua në partneritetin e fortë mes Kosovës dhe Bullgarisë.

    “Me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, takimi ynë në margjina të Samitit të NATO-s u fokusua në partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, ka shkruar Vjosa Osmani.

    Poashtu presidentja Vjosa Osmani tha se kanë diskutuar edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë.

  • ​Sot mblidhet KQZ-ja, pritet regjistrimi i një partie politike dhe pezullimi i një tjetre

    ​Sot mblidhet KQZ-ja, pritet regjistrimi i një partie politike dhe pezullimi i një tjetre

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do ta mbajnë mbledhjen e radhës, ku pritet të regjistrohet një partie politike dhe pezullimi i një partie tjetër, si dhe privimi i përfitimit të mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për subjektin politik Partia e Ashkalinjëve për Integrim.

    Gjithashtu, do të shqyhet raporti për asgjësimin/ shkatërrimin e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 21 prillit 2024.

    Rendi i ditës:

    1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit Nr. 37/2024;

    3. Aktivitetet e Zyrës:

    1. Rekomandimi për pezullimin e partisë politike GRAÐANSKA INICIJATIVA GORE, me akronimin GIG;

    2. Rekomandim për regjistrimin e partisë politike LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS;

    3. Rekomandim për privim të përfitimit të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për subjektin politik PARTIA E ASHKALINJËVE PËR INTEGRIM

    4. Raport i Këshillave të KQZ:

    4.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    1. Shqyrtimi dhe miratimi i Raportit për asgjësimin/ shkatërrimin e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 21 prillit 2024.

    2. Shqyrtimi dhe miratimi i udhëtimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë lidhur me projektin për transparencë zgjedhore.

    5. Të ndryshme;

  • Kosova shpall sot 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë

    Kosova shpall sot 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme do të shqyrtojë propozim-vendimin për shpalljen e 11 korrikut, ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë.

    Propozimi ka ardhur nga zyra e kryeministrit, zyre kjo që ka propozuar edhe vendimin për emërimin e bordit mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe drafti i strategjisë për turizmin në Republikën e Kosovë 2024-2030, dhe plani i veprimit.

    Gjithashtu, do të shqyrtohen propozim-vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga zgjerimi i rrugës Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun, si dhe shpronësimin e pronave që prekin projektin konservimi, restaurimi dhe ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

  • Media italiane: Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri

    Media italiane: Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri

    Gjithnjë e më shumë turistë italianë kanë zgjedhur t’i kalojnë pushimet në Shqipëri – një vend i jashtëzakonshëm me plot surpriza, shkruan Alessandro Fabiani në një artikull të botuar në revistën italiane newsicily.it .

    Plazhet më të bukura në Shqipëri

    Plazhi i Ksamilit

    Ksamili, i njohur si një nga perlat e Shqipërisë, ofron plazhe ëndrrash me rërë të imët. I vendosur pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, ky destinacion tërheq turistët falë ujërave të tij të kristalta dhe mundësisë për të eksploruar ishujt e vegjël aty pranë. Me çmime të përballueshme, Ksamili është një parajsë edhe për pushime familjare.

    Plazhi “Uji i Ftohtë”, Vlorë

    Uji i Ftohtë shquhet për rrymat e freskëta dhe peizazhin unik me zhavorr dhe guralecë të bardhë. I arritshëm lehtësisht nga Vlora, ky plazh ofron shërbime me çmime të ulëta duke e bërë atë vendpushimin ideal për ata që kërkojnë relaksin.

    Plazhi i Pasqyrave, Sarandë

    I fshehur mes shkëmbinjve të thepisur të Sarandës ndodhet Plazhi i Pasqyrave – një cep qiellor i njohur për zhavorrin e bardhë dhe ujin transparent. Edhe pse aksesi është sfidues, panorama që hapet para syve të vizitorëve ‘ia kthen mundin’.

    Plazhi i Gjipesë

    Plazhi i Gjipesë është një oaz i vërtetë natyror i vendosur midis kanioneve dhe shkëmbinjve që të çojnë në një plazh mahnitës me rërë. Ky destinacion mbetet relativisht i qetë edhe në pikun e sezonit – falë aksesit të tij kompleks, duke ofruar një vendstrehim perfekt për adhuruesit e natyrës.

    Plazhi i Lukovës

    Plazhi i Lukovës i mahnit vizitorët e tij me kontrastin mes gjelbërimit të maleve përreth dhe kaltërsisë së detit. Duke ofruar zona të lira dhe të pajisura, ky destinacion është i përsosur si për ata që kërkojnë qetësi ashtu edhe për të rinjtë që arratisen nga jeta e natës në qytet.

    Plazhi i Dhërmiut

    Dhërmiu ndërthur kaltërsinë e detit me gjallërinë e jetës së natës lokale. Plazhi i tij i gjatë prej zhavorri është i pajisur me të gjitha komoditetet e nevojshme për të kaluar ditë të paharrueshme të rrethuar nga dielli, muzika dhe argëtimi.

    Gjiri i Gramës

    Për adhuruesit e eksplorimit dhe natyrës së egër ekziston Gjiri i Gramës – i arritshëm kryesisht nga deti. Ky vend magjepsës premton peizazhe mahnitëse larg turmave turistike, transmeton ATSh.

    Plazhi i Himarës

    Në zemër të kalasë së Himarës ka plazhe të aksesueshme të karakterizuara nga guralecë të vegjël dhe ujëra të pastër kristal. Këto janë plazhe ideale për familjet dhe fëmijët.

    Plazhi i Porto Palermos

    Së fundi, Porto Palermo ju fton të zbuloni Kalanë e tij historike të zhytur në natyrën e pacënuar. Një vend ku historia dhe bukuria natyrore bashkëjetojnë, duke krijuar një skenar pothuajse përrallor të përshtatshëm për adhuruesit e traditave kulturore shqiptare.

  • ​Përurohet sot Klinika e rinovuar e Urologjisë

    ​Përurohet sot Klinika e rinovuar e Urologjisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të shkojnë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Albin Kurti dhe Arben Vitia do të marrin pjesë në ceremoninë e përurimit të renovimeve në Klinikën e Urologjisë.

    Ceremonia do të fillojë në ora 09:30.

  • Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja është skuadra e parë finaliste në Evropianin e Gjermani 2024. Skuadra e De la Fuente mori një fitore spektakolare 2-1 me përmbysje në gjysmëfinalen ndaj Francës.

    Dueli ishte spektakolar në 45 minutat e para, duke sjell të tre golat dhe emocione të shumta. Edhe pse iberikët do të jepnin sinjalet e para, fillimisht në avantazh do të kalonin “Gjelat” me një gol të shënuar nga Kolo Muani me kokë.

    Spanja gjeti shumë shpejt golin e barazimit ndaj Francës. Yamal në minutën e 21-të me të majtën e tij magjike e dërgon topin në trekëndëshin e portës duke realizuar një gol spektakolar. Ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e Europianëve, vetëm 16 vjeç.

    Katër minuta më pas festa do të ishte edhe më e madhe, pasi Dani Olmo nuk fal brenda zonës, teksa në fund ndihmohet dhe nga një devijim i Kounde. Franca reagoi në pjesën e dytë, duke luajtur më mirë, por rastet për shënim ishin të pakta.

  • Osmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA-të gurthemel për stabilitetin global

    Osmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA-të gurthemel për stabilitetin global

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

    Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar se aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global.

    “Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka shkruar Osmani.