ATV

Author: ATVLive

  • Paralajmërohet shi e breshër në Kosovë

    Paralajmërohet shi e breshër në Kosovë

    Vala e të nxehtit që ka hyrë tashmë në ditën e dhjetë, ka shënuar rekorde në parametrat matës si në temperaturat minimale që janë regjistruar madje mbi 30°C në vendet fqinje, e poashtu me maksimalet ekstreme që janë shënuar deri në 43°C.

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) ka bërë të ditur se që nga e mërkura mbasdite, e deri të shtunën, në një situatë kur kemi temperatura shumë të larta në përplasje me një valë rrymimesh ajrore më të ftohta, do të kemi zhvillime stuhishë të përcjellura me rrebeshe shiu, vende vende edhe breshëri dhe erërash të fuqishme që do të ndikojnë në një rënie prej 3 – 5°C të temperaturave maksimale, e që do të na shoqërojnë deri në mesin e javës së ardhshme.

    Sipas ASHNA-s temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 28°C – 33°C, ndërsa minmalet do të luhaten ndërmjet 17°C – 22°C. Erërat do të jenë drejtimesh të ndryshme të dominuara kryesisht nga veriu me shpejtësi nga 02 – 12 m/s.

  • UEFA zgjedh formacionin më të mirë në Euro 2024

    UEFA zgjedh formacionin më të mirë në Euro 2024

    Spanja është shpallur kampione e Evropës duke e mposhtur Anglinë më rezultat 2-1 në finalen e madhe të zhvilluar të dielën në Berlin.

    Ishte ky titulli i katërt kampion për Spanjën, duke u bërë kështu kombëtarja më e trofeshme ne kontinent, raporton KosovaPress.

    Formacionin më të mirë e dominon Spanja me gjashtë lojtarë.

    Ky është formacioni:

    Maignan, Walker, Saliba, Akanji, Cucurela, Rodri, Aolmo, Ruiz, Yamal, Musiala, Williams

  • I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit

    I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit

    Para pak minutave inspektorët së bashku me pjesëtarët e policisë ia kanë vënë shiritin pompës së benzinës ‘Nis Petrol’ në veri të Mitrovicës, duke e konfiskuar kështu edhe një pasuri që dyshohet të jetë e Milan Radojçiqit.

    Në kohën kur po raportojmë, në vendin e ngjarjes ndodhen pjesëtarët e policisë së Kosovës, dhe gjithçka është duke u zhvilluar qetë dhe pa ndonjë incident.

    KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me u.d. të drejtorit të policisë për rajonin e veriut Veton Elshanin, por i njëjti nuk është përgjigjur.

  • ​Emrat potencial për ta marrë drejtimin e Anglisë

    ​Emrat potencial për ta marrë drejtimin e Anglisë

    Pas 102 ndeshjesh në krye të Anglisë Gareth Southgate është larguar nga posti i trajnerit të “Tre Luanëve” pas humbjes nga Spanja në finalen e Euro 2024 të së dielës.

    Ai që do ta pasojë do të ketë përgjegjësi të mëdhai pasi Anglia ishte në finalen e dy kampionateve evropiane radhazi.

    Por, kush mund të marrë drejtimin e Anglisë?

    Lee Carsley

    Ndoshta një kandidat në fushën e majtë, por menaxheri i Anglisë U-21, Lee Carsley, po mendohet si emër i mirë në Federatën e Futbollit të Anglisë. Ai ka qenë pjesë e Anglisë për një kohë të gjatë dhe fitoi Kampionatin Evropian U-21 verën e kaluar. Ai potencialisht mund të blinte kohën e FA derisa një emër i madh të ishte i lirë verën e ardhshme.

    Pep Guardiola

    Trajneri i Manchester Cityt është konsideruar prej kohësh si një trajner i ardhshëm ndërkombëtar dhe një rol me Anglinë sigurisht që do të emociononte shumë tifozë të “Tre Luanëve”. Duke fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh me Barcelonën, Bayern Munich dhe Manchester Cityn, një sfidë e re verën e ardhshme mund të rezultojë shumë tërheqëse. Guardiola ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2025.

    Eddie Howe

    Një tjetër menaxher anglez i fantazuar mirë nga basteshkruesit. Trajneri i Neëcastle është folur për një kohë të gjatë si një trajner i mundshëm i Anglisë që kur bëri përshtypje të mira në krye të Bournemouth.

    Jurgen Klopp

    Një tjetër menaxher i famshëm pa punë. Nëse FA do të shkonte në rrugën e tërheqjes së një emri nga jashtë, Klopp me siguri do të ishte në listën e saj të pretendentëve. Ish-trajneri i Liverpool-it nuk ka gjasa të jetë i disponueshëm tani, pasi u largua nga Anfield dhe dëshiron një pushim. Por nëse FA është e gatshme të presë, Klopp mund të hyjë në llogari.

    Mauricio Pochettino

    Një tjetër menaxher i profilit të lartë, popullor, i huaj pa punë këtë verë. Ish-trajneri i Tottenham, PSG dhe Chelsea ishte shumë i lidhur me Manchester United – përpara se të zgjatej kontrata e Erik ten Hag – dhe do të kënaqej me kthimin për të punuar në Angli. Ai dëshiron të bëhet pasardhësi i Southgate dhe pasioni i tij për futbollin në këtë vend e bën atë një pretendent serioz.

  • Dyshimet për blerjen e teksteve shkollore, të enjten intervistohen dy ministra

    Dyshimet për blerjen e teksteve shkollore, të enjten intervistohen dy ministra

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 ka miratuar listën e dëshmitarëve.

    Komisioni të enjten do të fillojë intervistimin me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Ndërkaq, javën e ardhshme do të pasohet me përfaqësuesit e DKA-ve dhe shtëpitë botuese.

  • Osmani uron Metsolen për rizgjedhjen në krye të PE: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer

    Osmani uron Metsolen për rizgjedhjen në krye të PE: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, për rizgjedhjen e saj në këtë post.

    Osmani tha se mezi pret që të vazhdojë bashkëpunimin me të për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

    “Urime, e dashur Roberta Metsola në rizgjedhjen tuaj si Presidente e Parlamentit Europian. Ndërsa ju vazhdoni të udhëhiqni Shtëpinë e Demokracisë së Europës në këto kohë sfiduese, mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe të avancojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Osmani.

  • Hovenieri e sheh Dritaren për Investime të Diasporës si mundësi të mirë për Kosovën

    Hovenieri e sheh Dritaren për Investime të Diasporës si mundësi të mirë për Kosovën

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, e ka përgëzuar Kosovën pas hapjes së “Dritares për Investime të Diasporës”, përcjell albinfo.ch.

    “Ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora mund ta paraqesin. E dimë që kur të vijnë mërgata për të investuar tregojnë idetë më të mira dhe më bashkëkohore”, ka thënë Hovenieri në ceremoni.

    “E dimë se si duket suksesi dhe hapja e kësaj platforme krijon vende punës përmes shkathtësive të reja dhe për të ngritur profilin e Kosovës”.

    “Më lejoni të ju inkurajoj për të zhvilluar këtë investim, për t’i nxitur, tërhequr dhe treguar shkathtësie e tyre dhe për të investuar në Kosovë. Për të nxitur rritjen ekonomike të Kosovës dhe për të mundësuar një të ardhme të begatshme të Kosovës. Duam të shohim një ekonomi e cila ua mundëson një begati të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo është mundësi dhe sfidë jemi këtu për të mbështetur shtetin e Kosovës për të përqafuar dhe për të kaluar këtë sfidë”.

  • Roberta Metsola në krye të Parlamentit Evropian edhe për një mandat

    Roberta Metsola në krye të Parlamentit Evropian edhe për një mandat

    Me 562 vota për, Parlamenti Evropian, që ka 720 ulëse e ka zgjedhur politikanen nga Malta, Roberta Metsola, për presidente të PE-së, kjo duke i dhënë edhe mandatin e dytë në krye të institucionit ligjëvënës të Bashkimit Evropian.

    Në fjalimin e saj pas marrjes së detyrës, Metsola, u zotua se do punojë që Bashkimi Evropian, të mbetet fuqi botërore, dhe se unioni duhet të luftoj diktaturat që sipas saj janë në fqinjësi, sikur edhe rreziqet që BE-ja po përballët që ajo i quan “shumë reale”.

    Me patjetër ajo foli për zgjerimin e bashkimit që për momentin ka 27 vende e që sipas saj kjo duhet të ndryshoj shpejt. Në veçanti ajo përmendi edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëdnimor, duke thënë se progresi i tyre drejt BE-së, u është mohuar shumë gjatë dhe se kjo duhet të ndryshojë.

    Kundërkandidatja e Metsolës, politikanja majtiste nga Spanja Irene Moreno, mori vetëm 61 vota në procesin e votimit.

    Parlamenti Evropian, është i vetëmi institucion i unionit që e pranon Kosovën, shtet të Pavarur dhe Sovran. Për shkak të pesë shteteve mosnjohëse një gjë të tillë nuk e bënë Komisioni dhe Këshilli Evropian.

  • ​Temperaturat e larta, IKSHPK bën thirrje për kujdes në ushqim

    ​Temperaturat e larta, IKSHPK bën thirrje për kujdes në ushqim

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët e vendit që të kenë kujdes në ushqimin që konsumojnë.

    Kjo, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.

    “Në ditët me temperatura të larta, është shumë e rëndësishme që të kujdesemi për sigurinë e ushqimit që e konsumojmë. Përmes ruajtjes dhe përgatitjes adekuate të ushqimit, mund të parandalojmë rritjen e baktereve; ruajmë freskinë e ushqimit; shmangim helmimet përmes udhqimit; i ruajmë vlerat ushqyese të tij dhe mundësojmë të zgjatet afati i përdorimit të ushqimit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Sipas IKSHPK-së, kujdesi për sigurinë e ushqimit gjatë verës nuk është vetëm një zakon i mirë, por një nevojë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj.

    Për më shumë informacion, ndiqni këshillat: 5 çelësat për ushqim të sigurt, një udhëzues ky i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sigurinë e ushqimit që për qëllim ka parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimet e kontaminuara.

    🌟❄️🥗🍉🍽️

    #SiguriaeUshqimit

    #Vera2024

    #KujdesiPërUshqimin

  • ​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

    ​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA). Në këtë komisioni pati përplasje mes kryetares, Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesve të AShNA-së. Bajrami deklaroi se drejtoresha e auditimit të këtij institucioni është larguar si shkak i drejtorit, Samir Bllacaku. Deputetja e LDK-së, po ashtu ka pretenduar se drejtori i navigacionit ajror ka marrë mëditje për doktoraturën e kryer jashtë vendit.

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se opinioni i ZKA-së, është i kualifikuar për çka përmendi nënvlerësimin e pasurisë.

    “Opinioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit është i kualifikuar, baza për opinion të kualifikuar është që thesari në bazë të vendimeve gjyqësore ka ekzekutuar pagesa në vlerë totale prej 817 mijë e 603 eurove prej kategorive jo adekuate të shpenzimeve. Edhe gjithashtu çështje e cila ka ndikuar në opinionin e kualifikuar është edhe nënvlerësimi i pasurisë për 345 mijë euro si rezultat i mos regjistrimit në sistemin informativ të menaxhimit për financat e Kosovës, të pasurisë jo kapitale që ka qenë projekti ‘furnizimi, instalimi dhe funksionimi i menaxhimit të trafikut ajror’. Si rezultat i mos regjistrimit të këtij sistemi ka rezultuar që të kemi një vlerësim të pasurive në vlerë prej 345 mijë euro. ”, deklaroi ajo.

    Deputetja e LDK-së kërkoi detaje për dy pagesa të cilat janë bërë përmes vendimeve gjyqësore.

    “Janë dy pagesa, pagesa e parë e cila është më e madhe që është marrë nga investimet kapitale për shkak të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, është 793 mijë e 73 euro. Janë marrë nga kategoria e investimeve kapitale dhe janë paguar vendimet gjyqësore për kompensimin e pagave për stafin e kontrollorëve të trafikut ajror. Këtu do i bëjmë pyetje drejtorit i cili është prezent se si ka ardhur ky rast që 793 mijë të paguhen përmes vendimeve gjyqësore dhe nuk kanë qenë të parapara me kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, duhet të na shpjegohet ky rast. Edhe gjithashtu është pagesa tjetër prej 24 mijë e 530 euro që është realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. A është keq planifikim i AShNA-së për kategorinë apo si ka ndodhur që një shumë kaq e madhe të ekzekutohet përmes vendimeve gjyqësore”, ka pyetur Bajrami.

    Drejtori i navigacionit, Samir Bllacaku tha se ka pasur disa raste ku kanë bërë pagesa përmbarimore, me theks të veçantë të shpronësimeve të tokave të cilat i ka trashëguar AShNA nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    “Po filloj nga gjetja e parë ku është bërë një pagesë prej 817 mijë euro nga kategoria kapitale për paga dhe mëditje. Ky është një rast që ka filluar në vitin 2011, është bërë një ankesë për mos pagesën e vikendeve për kontrollorët e trafikut ajror. Kjo ka zgjat për 13 vjet, i kemi tri vendime gjyqësore, Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe në fund e kemi zmbrapsur deri në Gjykatën Supreme. Vendimi final ka ardhur prej Gjykatës Supreme edhe na ka ardhur një vendim përmbarimor prej Thesarit që brenda dy dite të caktojmë një kategori ku mundemi të bëjmë këtë pagesë. Ju kemi drejtuar Thesarit që pasi është kategoria e pagave dhe mëditjeve nuk kemi mundësi se i kemi pagat e aprovuara me buxhet dhe i kemi treguar që në qoftë se doni me marrë se AShNA është në proces të investimeve dhe çdo ngacmim në investime kapitale mund të dëmtojë në të ardhmen e AShNA-së dhe në sigurinë e trafikut ajror. Thesari pas dy ditëve ka marrë vendim dhe ka bërë tërheqjen e parave nga kategoria e kapitaleve”, u përgjigj ai.

    Bllacaku tha se nuk e pranojnë të gjeturën e katërt të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

    “Kjo është bërë kryekëput vetëm që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna. Ju mund ta shihni edhe në komentet që janë kthyer që vetëm është si informatë. ZKA nuk ish dashur të bie në atë nivel që të plasojë informata se ky është raport zyrtar edhe ne besojmë që kjo nuk ka të bëjë asgjë me rastin, as largimi i saj nuk është bërë për këtë çështje. Është larguar nga komisioni disiplinor… janë vendimet e komisionit disiplinor”, theksoi ai.

    Pas kësaj deklarate, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili kërkoi që Bllacaku të ketë kujdes me gjykimet ndaj të gjeturave e ZKA-së.

    “Ju jeni ekspert financiar, e keni kryer shkollën për auditim apo keni kryer një tjetër profesion dhe merreni me diçka tjetër. Kur plasoni akuza ndaj ZKA-s duhet së paku të jeni në nivel të tyre ose të keni argumente të plota të mbështetura për të refuzuar një të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk është e lehtë për të thënë ‘unë nuk po pajtohem me një të gjetur të ZKA-s’, sepse është e gjetur e tyre. Duhet të keni kujdes kur e marrim ta gjykojmë një rast për të cilin, ne, ju apo kushdo tjetër nuk jemi në të njëjtin nivel për të klasifikuar një të gjetur të caktuar si rast në raportin me të cilin sot ne po ballafaqohemi”, ka reaguar Korenica.

    Bajrami shtoi se drejtoresha e auditimit të brendshëm është larguar sepse nuk është lënë që të auditojë sistemin e trajtimit.

    “Zotëria që e kemi përballë ka kryer doktoraturë në kuadër të atij sistemi, të cilin ka bërë 59 ditë jashtë shtetit në Sangall të Zvicrës, ka marrë doktoraturë. Ky për ditët sa ka qëndruar atje ka marrë mëditje dhe ju kanë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit. Janë 12 module që zotëria i ka kryer. A po e kuptoni pse edhe ky atë doktoraturë ia ka aprovuar vetës, ekzistojë dokumente sepse drejtoresha e larguar e auditimit ka dalë tash edhe po fol nëpër media edhe i ka dokumentacionet. Zotëria vetës ja ka aprovuar doktoraturën në 2023. Ti nuk e ke lënë këtë sistemin që të auditohet prej njësisë së auditimit të brendshëm, ty të ka penguar auditorja e brendshme. A dini çka edhe diçka tjetër? Në datën kur Prokuroria Speciale e merr rastin për projektin prej 5,5 milionë euro, auditores së brendshme i ngritet komisioni i dytë disiplinor. Edhe a e dini se cila është arsyeja e komisionit disiplinor që e largon, i thotë ‘ke komunikuar me njësinë qendrore harmonizuese’ në kuadër të Ministrisë së Financave e cila është njësi që e bën harmonizimin dhe mbikëqyrjen e gjithë njësive të auditimit në mbarë Republikën e Kosovës”, ka shtuar Bajrami.

    Me këto nuk është pajtuar drejtori i navigacionit ajror, i cili tha se këto informata nuk janë të vërteta.

    Bllacaku: Doktoratura që e kam kryer unë e ka pasur vlerën 22 mijë dollar. A e dini sa ka paguar AShNA për mua, zero. Sa i përket qëndrimit tim 59 ditë në Zvicër, nuk është absolutisht e vërtetë sepse nëse i shikoni modulet kanë qenë module hibride. Unë jam ai person që modulet i kam kaluar ka zyrja, e kam kryer modulin në Prishtinë. A po më len tash me fol.

    Bajrami: Nëse kanë qenë hibride, a po më tregon sa ditë ke qëndruar?

    Bllacaku: Në janar kam qëndruar shtatë ditë, komplet kanë qenë të mbuluara, se ka qenë donacion, zero, për nivelin e lartë.

    Bajrami: Nuk ke marrë mëditje prej AShNA-s, se dalin këto të dhëna, kanë me dal?

    Bllacaku: Mëditje kom marrë…

    Bajrami: Ke marrë mëditje, je shkuar për tu shkolluar për të bërë doktoraturë edhe ke marrë mëditje?

    Bllacaku: Qe po e tërhjeki nuk është doktoraturë, është një trajnim”, kanë thënë ata.

    Pas replikave mes Bajramit e përfaqësuesve të AShNA-s, ka reaguar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.

    “Është dashur të na tregosh që e ke personale me ta, të paktën unë nuk kisha marrë pjesë . Shumë personale e ki. E paske personale edhe s’po mundesh me fsheh hiç, nuk po i njoh këta personat, absolut nuk i kam parë asnjëherë”, tha ai.

    Përplasjet mes opozitës dhe pozitës kanë vazhduar, kur deputetja e pushtetit Mirlinda Tishukaj Sadiku përmendi deklaratën e kryetares Hykmete Bajrami se pozita janë “hajna”. /kp