ATV

Author: ATVLive

  • “Kombin shqiptar s’e kam quajtur kurrë një komb me fat të munguar”,  fjalimi emocionues i Ismail Kadaresë me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” në Kolegjin AAB

    “Kombin shqiptar s’e kam quajtur kurrë një komb me fat të munguar”, fjalimi emocionues i Ismail Kadaresë me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” në Kolegjin AAB

    Për të nderuar poetin e ndjerë Ali Podrimja, Kolegji AAB në Prishtinë, kishte vendosur që të themelojë çmimin “Ali Podrimja”, çmim ky që u jepet personaliteteve me arritje kulminante në fushën e letërsisë, dhe të parin si më të merituarin për këtë çmim, ky institucion kishte zgjedhur shkrimtarin Ismail Kadare.

    Rektori i Kolegjit AB, Lulzim Tafa, në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare (02.09.2013)

    “Ali Podrimja si njëri nga shkrimtarët më me nam në të gjithë shqiptarinë, ka merituar të ketë një çmim të tillë në emrin e tij. Po ashtu edhe Kadareja, si një shkrimtar tepër i dalluar gjithashtu ka merituar një çmim të tillë”, kishte thënë rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.

    Nderimi i Kadaresë me çmimin “Ali Podrimja” nga Kolegji AAB u bë më 2 shtator 2013, me një ceremoni solemne, në prani të figurave të shumta me rëndësi të jetës publike.

    Rektori i Kolegjit AAB. Lulzim Tafa, duke i dorëzuar Ismail Kadaresë Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja”

    Kadare, pasi pranoi çmimin nga rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, mbajti një fjalim ku fillimisht foli për rëndësinë e çmimeve që mbajnë emrin e shkrimtarëve dhe që u jepen kolegëve të tyre. Më pas, ai vazhdoi me shpjegimin e tij për të vërtetën e padiskutueshme të të qenit evropianë të kombit shqiptar.

    “Tashti do të them fjalët që juve më së shumti priten në raste të tilla, jam vërtet shumë i prekur të kem këtë çmim, që mban emrin e një prej poetëve më të shquar të kombit shqiptar dhe njëherësh mikut tim të shtrenjtë, Ali Podrimës. U përmend këtu disa herë me të drejtë fjala festë, mbledhje e gëzueshme dhe jam i detyruar të them që në këtë botën tonë ka disa herë paradokse të mëdha dhe ky gëzim, kjo festë, ky tubim, siç përdoret kjo fjalë e bukur në Kosovë ka burim një hidhërim në rrënjët e saj, sepse kjo lidhjet me ikjen e parakohshme të Ali Podrimës nga kjo botë. E kuptojnë të gjithë që kjo ceremoni nuk do bëhej dhe unë s’do ta kisha këtë çmim në qoftë se ai s’do të ikte kështu para kohe, po e theksoj nga bota dhe do të ishte më mirë, natyrisht, që unë mos e merrja këtë çmim dhe ju mos ishit këtu dhe të gjithë ne mos mblidheshin në këtë festë, në qoftë se ai do të jetonte. E megjithatë, në këtë botën tonë ka gjëra që nuk varen nga punët e tyre e kapërcejnë dhe logjikën njerëzore dhe vullnetin njerëzor dhe i vendos tjetërkush. Ali Podrimja s’është më, por ai ndërkaq është dhe kjo nuk është një metaforë, është një e vërtetë që ne po e përjetojmë në këto çaste dhe që nuk e përjetojmë vetëm ne në këtë sallë, por gjithë lexuesit shqiptarë, që do të thotë pjesë e madhe e kulturuar e kombit shqiptar, e përjeton herë pas here dhe do ta përjetoj gjithmonë. Prandaj, kur them jam i prekur, jam thellësisht i prekur vërtet që kam mundësi që emri i tij, në këtë rast të bëhem shkas unë sot, herë të tjera të këtë shkaqe të tjerave që të kujtohet gjithmonë në mesin tonë të kulturës shqiptare”, tha Kadare.

    Në fjalën e tij, Kadare komentoi edhe çmimin që mban emrin e tij, i cili në atë vit iu kishte dhënë dy shkrimtarëve të shquar shqiptarë.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së prezantuesit se cila ka qenë ndjesia e tij kur e ka kuptuar për këtë çmim që mban emrin e tij.

    “Kjo ndodh një herë shumë rrallë, duhet ta dini dhe unë kur ka qenë ky rast, si e përmendët ju, kam pasur edhe një lloj besëtytnie jo të mirë, të jepet çmimi, duke qenë ti i gjallë, zakonisht çmimet jepen më pas. Megjithatë, logjika ishte që letërsia shqipe të pretendohej t’i japë dhe ajo gjykimin e saj kulturës shqiptare për kulturën botërore dhe fakti që u zgjodhën dy nga shkrimtarët më të mëdhenj të të shekullit dhe të them drejtën, unë pata njëfarë shqetësimi se ndoshta ata nuk do të pranojnë se shpesh kur janë shkrimtarët më të mëdhenj në moshë, se ai që njeriu që i ka dhënë emër çmimit, qëllon edhe me diplomaci refuzojnë. Shumica e bëjnë kështu dhe shumica kështu do të ndodhte. Megjithatë, ishte një nder dhe çmimi u pranua. Ishte një nder, u pranua si thuash ishte një autoritet i Kulturës Shqiptare që t’i japin edhe ajo zërin e saj, e morën siç thashë dy nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës dhe ishte një kënaqësie për të gjithë neve”, ishte shprehur Kadare.

    Laureati i Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” të Kolegjit AAB, Ismail Kadare, me drejtuesin e ceremonisë, gazetarin Adi Krasta.

    Në fjalën e tij, ai nuk harroi të përmendë çështjen e kombit shqiptar dhe vendin e saj natyrshëm si pjesë e familjes evropiane, të cilës i kushtoi rëndësinë më të madhe gjatë asaj ceremonie.

    “Kosova është pjesa pjesë e natyrshme e kombit shqiptar”, tha Kadare deri sa iu përgjigj pyetjes se çdo të thotë Kosova për të.

    “Pyetja është duket e thjeshtë, por është dhe e vështirë, sepse është një pyetje, si thuash, nga këtë situatë globale që përfshin dhe ka të bëjë me gjithë përmasat e një kombi, nuk është fjala vetëm për kombin shqiptar, por për çdo komb, të shtrohet një pyetje e tillë, do një përqendrim, vëmendje, për të dhënë një përgjigje të saktë dhe mendoj se nuk ka përgjigje të saktë, ka një përgjigje që përjetohet nga të gjithë, po ka shumë më tepër me intuitë, me mbindjesi sesa me logjikë. Kosova është pjesa pjesë e natyrshme e kombit shqiptar, e kombit që ne na është bërë zakon të themi ka pasë shumë telashe, shumë drama. Unë mendoj se kombi shqiptar, populli shqiptar është e vërtetë se ka patur drama dhe shqetësime të mëdha”, kishte thënë Kadare.

    Përkundër sfidave të shumta që ka kaluar, ai kishte thënë se asnjë, kombin shqiptar nuk e ka quajtur si komb me fat të munguar.

    “Unë nuk e quaj, s’e kam quajtur kurrë një komb me fat të munguar, me fat të hidhur, siç është bërë zakon, shpesh të thuhet, nuk ishte e vërtetë. Ka pasur humbje, të gjithë popujt kanë humbje ë shumica e kombeve në këtë botë nuk janë më të gjallë, duhet ta dimë të jemi të ndërgjegjshëm, sepse përdoret shpesh shprehja populli i pavdekshëm, popujt janë të pavdekshëm, kombet janë të pavdekshëm, nuk është e vërtetë. Kombet, si çdo gjë, janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë se ata kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Është e natyrshme që kombet të sulmohen nga kush, në mënyrë të paparashikueshme, nga lloj-lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja. Kjo është sulmi sulmi më i rrezikshëm. Prandaj, me mikun tim të shtrenjtë, Ali Podrimja, sikurse me mikun tjetër të shtrenjti, gjithashtu e kam humbur Azem Shkrelin, kemi biseduar shpesh për këto probleme, për lidhjen që detyrime ka kultura, letërsia me kombin e vet. Letërsia nuk ka ato detyrime që mendohet, letërsia nuk rregullon punët e një kombi, nuk rregullon punët e shtetit, nuk rregullon punët e partive, prandaj ai është mirë që t’i qëndrojë jashtë tyre, ajo ka vlerë si vlerë e pavarur në radhë të parë, si një vlerë paralele, si një botë paralele, por ka sezone në kastinë në jetën e popujve kur kanë nevojë për të dhe atëherë letërsia e thyen zakonin e saj të pavarësisë dhe përzihet në punët e kombit. Kështu është përzier lehtësia shqipe në njëqind e njëzet vjet përpara, njëqind e pesëdhjetë në kohën e Rilindjes Kombëtare, kështu duhet të përzgjidhet përsëri kultura shqiptare sot kur kombi shqiptar ka një problem tepër serioz, nuk do të përdorja fjalën erë të rëndë, po më tepër serioz, me kuptimin të rëndë. Kombi shqiptar ka një problem në kontinentin e vet evropian. Është sot i vetmi popull, ose i vetmi komb, ndaj të cilit është bërë një përpjekje për të nxjerrë nga kontinenti”, kishte thënë Kadare.

    Diskutimet se është apo nuk është evropian kombi shqiptar, Kadare i pat quajtur absurditete nga njerëz që sipas tij jo vetëm që s’janë të mençur, por janë edhe të rrezikshëm.

    “Nuk do ta krahasoja me dramën e hebrenjve, sepse ajo është planetare dhe me përmasa më të mëdha, më tragjike, por që i ngjan asaj me përmasa evropiane. Kombi shqiptar e ka pasë këtë problem, vazhdon ta ketë dhe shtruar disa herë që e ka vendin apo jo në Evropë. Duhet të jetë në Evropë apo jo? Është evropian apo shtiret sikur ishte evropian? Ja këto duken absurditete, po këto janë të vërteta dhe këto janë disa herë diskutuar edhe nga njerëz që ne i kujtojmë të mençëm, por që s’janë të tillë. Jo vetëm se s’janë të mençur, por janë të rrezikshëm. Kombi shqiptar është pjesë e mirëfilltë e familjes evropiane. Ai nuk ka nevojë për arsye për tu justifikuar pse është evropian, zakonisht kombet nuk kanë nevojë për arsye, sepse arsye janë vetë ata. Vetë ekzistenca e një kombit është arsye për një komb, arsye të qenit. Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet e ka në Evropë, historinë e vet e ka në Evropë, qytetërimin e vet e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse shtrohet ky absurditet që është i është makabër, po ta shikosh nga një anë, te një popull, a duhet të jetë në Evropë, apo duhet të të bëhet në pjesën e tij më barbare, por mbulimi është bërë i tillë, që kombi shqiptar s’e ka vendin këtu dhe nuk është keq të dëbohet nga kontinenti. Kjo, ka herë është quajtur shpërngulje, herë dëbim dhe drama e fundit ka qenë para katërmbëdhjetë vjetësh, ku u bë përpjekja e fundit për ta përgjysmuar një pjesë të tij për ta nxjerrë nga Evropa. Prandaj, në këto raste kultura shqiptare, letërsia në gjithë dhe ndaj dhe ta rikujtojmë, miqtë tanë që na kanë ikur me përkushtim, kemi detyrën të ndihmojmë në sqarimin e këtij keqkuptimi, që për fat të keq po bën rrugë kudo. Nuk kanë kuptim diskutimet, a ngjajnë. Nuk është luks thjesht evropian, nuk është mburrje, është thjesht fakt. Nuk e bëjmë ne shqiptarët këtë gjë, se do mburremi para një jurie ndërkombëtare. “Na shikoni se edhe ne jemi evropianë”. Ne kemi qenë, jemi, ngjajmë me Evropën, apo s’ngjajmë, është një muhabet tepër i konsumuar dhe vulgar disa herë. Më pëlqen të theksoj një gjëje që e kam theksuar përpara. Ngjashmëria jonë me Evropën fillon ndoshta nga një gjë jo e këndshme, nga ashpërsia, por dhe ashpërsia është një ngjashmëri. Fillon ngjashmëria nga ashpërsia, për të përfunduar një ditë ndoshta edhe te butësia, ose s’ishte e nevojshme që të përfundohej te butësia, po ashtu është. Evropa më ngjajnë me të mirat e me të këqijat e saj, në radhë të parë, po ato janë të këqijat e saj, të këqijat evropiane dhe kështu u zgjata shumë te kjo, sepse kjo ka qenë një nga bisedat tona me Ali Podrimen dhe Azem Shkrelin, që të dy këta miqtë e mi të hershëm ishin të kursyer me fjalë, kush i ka njohur, e di mirë, dhe meqenëse edhe unë nuk jam shquar për ndonjë shkathtësi të të foluri, s’i të thuash, me fjalë shumë, nuk kemi harxhuar shumë fjalë për t’i shprehur, po jemi kuptuar jemi kuptuar shumë mirë”, kishte mbyllur fjalimin e tij shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Ali Podrimja” në Kolegjin AAB.

    Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, dhe laureati i Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” të Kolegjit AAB, Ismail Kadare, pas ceremonisë solemne.

    Kujtojmë se Çmimin Ndërkombëtar për Letërsi dhe Art “Ali Podrimja” të cilin e ndan Kolegji AAB, deri tani e kanë fituar shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, shkrimtari i madh malazias Jevrem Bërkoviq, si dhe shkrimtari boshnjak, Abdulah Sidran.

    Në videon më poshtë e gjeni ceremoninë e plotë të ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” të Kolegjit AAB për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, e cila u zhvillua me 2 shtator 2013:

    Shkrimtari I madh shqiptar, Ismail Kadare, më 1 korrik të këtij vitit ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936.

    Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
    Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

    Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

  • 18 vjet burg për Pjetër Shalën

    18 vjet burg për Pjetër Shalën

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Tri vjet pas arrestimit, Pjetër Shala dëgjoi aktgjykimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

    Vendimi për ish-pjesëtarin e UÇK-së doli të jetë dënues, meqë ai u shpall fajtor për tri nga katër pikat e aktakuzës, përfshirë atë për vrasje.

    “Ju shpall fajtor për veprat penale në vijim: ndalim arbitrar si krim lufte… si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën e saj bazë. Për pikën 3 të aktakuzës për torturë si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj dhe pika 4 – vrasje e paligjshme si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

    “Keni ndaluar 18 persona duke i rrahur me shkopinj gome, njëri nga ta ka vdekur pasi ishte plagosur me armë zjarri”, tha më tej Veldt-Foglia.

    Për këto krime, që sipas aktakuzës u kryen mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, Shala u dënua me katër dekada burgim, por trupi gjykues shpalli vendim unik, duke ia përgjysmuar kohën e qëndrimit prapa grilave.

    “Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burgim. Në dënimin me burgim, Shalës do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha Veldt-Foglia.

    Me këtë rast, Shala pati diçka për të thënë, por, sipas kryetares, nuk ishte momenti.

    Pjetër Shala ishte arrestuar në vitin 2021 në Belgjikë, si i dyshuar për krime lufte. Ndaj tij gjykimi filloi në fillim të vitit 2023 dhe u dëgjuan gjithsej 12 dëshmitarë.

  • Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Shteti synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve biznesmenë investimin në Kosovë.

    “Dritarja për Investime të Diasporës”, që u lansua të martën, do t’u mundësojë ndërmarrësve mërgimtarë, marrjen e kredive në bankat vendore, për të investuar në atdhe.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se me funksionalizimin e projektit financiar, investitorët mërgimtarë do të kenë garanci në përfitimin e kredive.

    “Kur kanë ardhur këtu dhe kanë tentuar të qasen në financa në një bankë lokale, problematika ka qenë se si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë, dhe janë trajtuar si biznese start up-e, pa historik… Ideja ka qenë që të krijohet një instrument, një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, me kapital shtesë edhe nga Qeveria të mundësojë garantimin e këtyre kredive”, tha Murati.

    Nisma inovative parasheh krijimin e një fondi kreditimi deri në 100 milionë euro.

    Deri në tre milionë euro kredi, është vlera për të cilën investitorët do të mund të aplikojnë. Pjesëmarrja e tyre në kapital, do të duhet të jetë së paku 20% e vlerës.

    Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të japë garanci kreditore deri në dy milionë euro, nëse investitori i përmbush kriteret.

    Kryeministri Albin Kurti thekson se “Dritarja për Investime të Diasporës”, do ta orientojë potencialin e mërgimtarëve në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në një linjë më direkte.

    “Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën tonë nga investitorë pasivë, në instrumente financiare dhe tërthorazi të mbështetet zhvillimi i vendit, në investitorë aktivë që investojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Kurti.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia shtrin Kosovës dorën e mbështetjes edhe në këtë projekt.

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka ndihmuar në themelimin e kësaj dritare të re investuese përmes mbështetjes financiare dhe teknike nga USAID, sepse ne e kuptojmë atë që kryeministri Kurti tha: mundësinë e radhë që bizneset nga diaspora prezantojnë”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Mërgata e Kosovës, ndër vite ka investuar kryesisht në sektorin e patundshmërisë.

  • Gjykimi për rastin Toka shtyhet në shtator, rrezikon të stërzgjatet

    Gjykimi për rastin Toka shtyhet në shtator, rrezikon të stërzgjatet

    Përgatiti: Nora Luta

    Për të dytën ditë me radhë ka dështuar të mbahet seanca në rastin “Toka”.

    Këtë herë shkak u bë mungesa e Shaban Sylës, i cili një ditë më parë erdhi pa avokat.

    E kur mendohej se rasti do të merrte epilog brenda këtij muaji, pasi ishte planifikuar fjala përfundimtare, ai rrezikon të kthehet nga fillimi.

    Mospajtimet mes mbrojtjes për një datë të re gjatë korrikut, bëri që gjykata të caktojë seancën në shtator, ndonëse vetë kryetari i trupit gjykues tha që rasti rrezikon të stërzgjatet.

    Edhe herën e fundit kur gjykimi ishte gati të përfundojë, nisi nga fillimi kur kryetari i trupit gjykues, në atë kohë Beqir Kalludra, u avancua në Apel.

    E më pas seancat nuk ishin caktuar pas një periudhe të gjatë.

    Për rastin që u përcoll me zvarritje, aktakuza u ngrit në vitin 2016 nga prokurorë të EULEX-it.

    Mungesa e palëve gjatë seancave, e deri te ankesat e avokatëve për shkresat e lëndës, e karakterizuan rastin, i cili nga viti 2022 po gjykohet nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Arben Hoti, dhe anëtarët Mentor Bajraktari e Lutfi Shala.

    Shoqëria civile përmend disa nga mekanizmat, që, sipas saj, gjykata mund t’i shfrytëzojë për ta shmangur zvarritjen.

    Sipas GLPS-së, dështimi për të sjellë një epilog në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, ka efekt negativ në sistemin gjyqësor.

    Azem Syla, dhe të tjerët, po gjykohen ndër të tjera për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, e legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar.

    Sipas aktakuzës, ata përvetësuan prona shtetërore te personat fizikë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 30 milionë euro.

    Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, rasti është ndarë në dy procese.

  • Regjistrimi i popullsisë ndryshon të hyrat e komunave nga granti i përgjithshëm

    Regjistrimi i popullsisë ndryshon të hyrat e komunave nga granti i përgjithshëm

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Rreth 2 milionë euro më pak do të marrë vitin e ardhshëm komuna e Prizrenit nga granti qeveritar nga 33 milionë sa mori deri më tani.

    Kjo komunë ndonëse u renditë e dyta, në të dhënat preliminare të procesit të regjistrimit të popullsisë, pati rënie të dukshme të numrit të banorëve.

    Në Prizren tani jetojnë mbi 147 mijë banorë, teksa në vitin 2011 ky qytet kishte 178 mijë banorë.

    Veç Prizrenit edhe 19 komuna të tjera parashikohet se do të përfitojnë miliona euro më pak nga Qeveria, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Sipas instituti GAP, nga buxheti vjetor i komunave që ndahet në bazë të numrit të banorëve, 13 komuna të tjera do të marrin miliona euro më shumë.

    “Prishtina është komuna që do të marrë më së shumti para, fuqinë më të madhe komunat e kanë prej granateve dhe të hyrave vetjake dhe në momentin që zvogëlohet normal që reflekton…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Vlerësohet se komunat u dëmtuan vitet e fundit, shkaku i statistikave të pasakta lidhur me numrin e banorëve.

    “Shërbimet që iu ofrohen qytetarëve, u ofrohen për kokë banori dhe natyrisht kjo i shkakton dëme, sepse mungesa e buxhetit natyrisht shkakton pengesa edhe në zbatimin e politikave lokale që i kanë komunat…”, tha Kenan Gashi nga Avonet.

    Andaj ndarja e granteve në mënyrë të saktë, duke u bazuar në numër të banorëve po konsiderohet shumë e rëndësishme.

    “Teknikisht ka mundësi të bëhet që grantet të realizohen vitin e ardhshëm, por gjasat ekzistojnë se ky aplikim të bëhet edhe në 2026, por nuk ka mundësi të shtyhet sepse komunat dëmtohen…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Mbi 40% e buxhetit vjetor të komunave vjen nga granti i përgjithshëm, derisa 89 përqind e këtij buxheti ndahet bazuar nga numri i popullsisë së komunës.

  • 1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Temperaturat e larta të ditëve të fundit, e kanë rritur konsumin e energjisë elektrike në Kosovë për 13%.

    Meqë blloku B1 është në remont vjetor, KESCO-ja thotë se prodhimi vendor nuk po e mbulon kërkesën, prandaj është dashur import i rrymës, në shifra milionëshe.

    “Konsumatorët po i përdorin kondicionerët për ftohje të ambientit. Për çdo ditë jemi duke importuar nga 1 milion euro”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

    Sipas njohësit të sektorit, Lulzim Syla, janë disa faktorë pse gjatë verës rritet konsumi i rrymës.

    “Rritet konsumi gjatë verës shkaku i sezonit turistik në gjithë regjionin, prandaj është rritë çmimi. Rritja shtesë e konsumit të energjisë vjen si rezultat i ardhjes së diasporës”, tha Syla.

    Kohë pas kohe, KESCO-ja thotë se blen rrymë edhe në bursën shqiptare të energjisë “ALPEX”. Megjithatë, në disa raste, çmimet këtu janë më të larta se në bursat e tjera rajonale. Për shembull, më 15 korrik, çmimi më i lartë në ALPEX ishte 843 euro në orën 22, ndërsa në bursën hungareze “HUPX”, 700 euro në orën 21.

    Por ka raste kur çmimi në bursën shqiptare është më i lirë.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas njohësit Azmer Duleviç, nuk alarmon për krizë gjatë dimrit.

    “Shkëmbimin e energjisë elektrike, kur ka nevojë Kosova, do ta marrë nga Shqipëria dhe anasjelltas. Kjo marrëveshje siguron stabilitet energjetik, për sigurim me energji elektrike”, tha Duleviç.

    Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë në bursën ALPEX nisi më 31 janar të këtij viti.

  • Aktivistë të AAK së kritikojnë koalicionin

    Aktivistë të AAK së kritikojnë koalicionin

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Aktivistë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë që iu bashkua pushtetit për qeverisje në kryeqytet të hënën, po e kritikojnë mënyrën e koalicionit mes AAK-së dhe LDK-së.

    Visar Dili nga dega e AAK-së në Prishtinë, thotë se anëtarët e partisë nuk ishin të njoftuar për lëvizjet që po bëheshin për koalicion, pasi për këtë marrëveshje u dakorduan vetëm kryetarët e të dy partive.

    “Asnjë njoftim zyrtar, të gjitha i kanë bërë vetëm biseda mesnate, të nesërmen veçse u dha lajmi, ne si anëtarë aty besoj që duhet të kemi drejt përfshirjen…”, tha Dili.

    Derisa nuk pret ndonjë rezultat, Dili thotë se AAK-ja do të njolloset nga mospuna e LDK-së, gjatë 3 vjetëve qeverisje në Prishtinë.

    “Krejt çka ka mu përfitua kanë me na thanë edhe ju jeni kanë qaty, edhe ju keni bo kështu, kanë me na u ngjitë të gjitha ato tiparet negative, pavarësisht që koalicioni u bë vonë…”, tha Dili.

    Por nga komuna e Prishtinës shprehen optimist se kjo lidhje do të ndikojë pozitivisht në votimin e projekteve që kanë mbetur pezull në mungesë të votave.
    Nga 17 sa kishte më parë, tash LDK-ja ka edhe 5 anëtarë më shumë nga AAK-ja.

    “Po prapë ne jemi duke u mundu me ju tregu që ka shumë projekte të rëndësishme për qytetarët që nuk kanë kalua, e kemi planin zhvillimor të kryeqytetit…”, tha Dili.

    Pavarësisht kësaj, partia në pushtet ende nuk e ka arritur përkrahjen e shumicës së asamblistëve.

    Kështu opozita ka 7 anëtarë më shumë se LDK-ja.

    Aktualisht, 4 ndërmarrjet publike, “Trafiku Urban”, “Pastrimi”, “Gjelbër” dhe “Ndërmarrja Publike Banesore” udhëhiqen nga kryeshefa të cilët i përkasin PDK-së, partisë që dha dorëheqje nga koalicioni me LDK-në, në shkurt të këtij viti.

    Për këtë pjesë, Lushaku tha se të paktën deri në këtë fazë s’ka diçka konkrete, nëse do të bëhet emërimi i të tjerëve.

  • Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Zjarri në këtë zonë perëndimore të Suharekës u shua në mëngjesin e së martës, falë intervenimit të zjarrfikëseve.

    Në fakt, zjarri te “Malet e Cerit” që njihet ndryshe, në trekëndëshin Rahovec – Suharekë – Malishevë, ishte më seriozi me të cilin u përballën zjarrfikësit.

    “Aty ekipi ynë i zjarrfikësve u përball prej dje gjer më sot në mëngjes, që kemi arritur ta shuajmë. Aty ka qenë zjarri më seriozi me të cilën jemi sfiduar kohëve të fundit. Por duhet theksuar se siç duket qytetarët janë vetëdijesuar dhe më nuk ka zjarre aq të mëdha, duke marrë parasysh temperaturat e larta”, tha komandanti i Njësisë Shpëtuese dhe Zjarrfikëse, Vehbi Krasniqi.

    Por, zjarrfikësit suharekas nuk dihet sa do t’ia dalin nëse komuna përballet me një situatë kritike sikurse para 3 vjetëve kur në të njëjtën kohë ishin aktive 5 vatra zjarri.

    “Jemi një staf shumë i vogël, faktikisht kemi 11 zjarrfikës dhe neve aktualisht jemi vetëm 2 zjarrfikës në ndërrim, vetëm 2 pra”, tha Krasniqi.

    Teksa apeloi qytetarët që në këto temperatura të larta të kenë kujdes të shtuar, kryetari Bali Muharremaj tha se shtimi i numrit të zjarrfikësve nuk është në kompetencën e tij.

    “Ju e dini që zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë disa vende vakante edhe është e pamundur me i plotësua. Neve në aspektin ligjor nuk kemi bazë ligjore me shpallë konkurse presim prej tyre. Janë 4 vende të lira me u plotësua”, tha Muharremaj.

    Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve e ka një propozim tjetër.

    “Vite më parë kemi marrë punëtor sezonal dhe na kanë ofruar një ndihmë të mirë”, tha Krasniqi.

    Megjithatë, as kjo mundësi nuk ekziston, sipas kryetarit Bali Muharremaj.

    “Më herët kemi marrë punëtorë çdo verë ka 10 por, tash me disa rregullore të reja nuk na e mundëson ligji”, tha Muharremaj.

    Derisa, stafi i zjarrfikësve me gjasë nuk do të shtohet, Komuna e Suharekës nga java tjetër për intervenime në objekte të larta do ta ketë në shërbim edhe një kamion.

  • Liga e Kampionëve, formacionet zyrtare të Ballkanit dhe UE Santa Colomas

    Liga e Kampionëve, formacionet zyrtare të Ballkanit dhe UE Santa Colomas

    Sot me fillim nga ora 16:30 stadiumi “Zahir Pajaziti” i Podujevës do të jetë nikoqir i ndeshjes së kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve mes Ballkanit dhe UE Santa Colomas.

    Në ndeshjen e parë që u zhvillua në Andorra, Ballkani e mposhti UE Santa Coloman me shifrat 2:1, raporton KosovaPress.

    Pavarësisht epërsisë, kampioni i Kosovës do të synojë fitoren sot si vendas, që ta vulos çështjen e kualifikimit tutje.

    Në raundin e dytë kualifikues, skuadra që kualifikohet tutje do të përballet me skuadrën e Midtjylland.

    Tanimë formacionet zyrtare janë publikuar dhe ato i gjeni më poshtë.

  • ​Nagavci dhe Murati do të intervistohen të enjten në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore

    ​Nagavci dhe Murati do të intervistohen të enjten në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 miratoi dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve.

    Në mbledhjen e mbajtur të martën, komisioni vendosi që të enjten të ftojë për intervistim, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq u vendos që javën e ardhshme të intervistohen përfaqësuesit e DKA-ve dhe shtëpive botuese.

    Propozimin që procesi i intervistimit të fillojë me ministrat e dha deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.

    “Unë propozoj që të fillojmë me propozimin e dëshmitarëve nga dita e enjte. Në ditën e enjte të kemi për intervistim si dëshmitarë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati”, tha ajo.

    Këtë e mirëpriti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se Nagavci dhe Murati janë përgjegjësit kryesor mbi çka është themeluar ky komision.

    “Sa herë që propozohet që me ardh në intervistim unë jam gjithmonë për. Ata janë fajtorët për të gjitha këto dyshime të ngritura për themelimin e këtij komisioni hetimor. Ata janë përgjegjësit politik dhe menaxherial për atë se pse është iniciuar ky komision hetimor…Për të përmbushur detyrimin tonë nga Kuvendi ne duhet të bëjmë listën jo veç për ministra, por për të gjithë akterët dhe qysh tash t’iu dërgohet orari atyre se kur kanë me u përgjigjur në komision”, deklaroi Haxhiu.

    Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha se komisioni duhet të mblidhet çdo ditë për të ftuar dëshmitarët para se të përfundojë sesioni pranveror më 31 korrik.

    “Të rregullojmë një orar që çdo ditë t’i marrim dëshmitarët deri më datën 30 korrik…Duhet të fillojmë çdo ditë dhe dy javët e ardhshëm duhet t’i kemi dëshmitarët në një orar më të zgjatur, pasi përndryshe në këtë mënyrë kemi me mbet gjatë”, tha ai.

    Këtë e mirëpriti edhe kryesuesi i komisionit, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj./kp/