ATV

Author: ATVLive

  • Përfundoi gjykimi i “Thaçit e tjerët”, rinis pas pushimit veror

    Përfundoi gjykimi i “Thaçit e tjerët”, rinis pas pushimit veror

    Dhomat e Specializuara të Kosovës [DHSK] me seli në Hagë kanë njoftuar se ka përfunduar gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë dhe se ai rinis pas pushimit veror.

    Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës teksa ka shtuar se gjykimi do të rinisë më 19 gusht.

    “Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Bislim Zyrapi, gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis pas pushimit veror, më 19 gusht 2024”, ka njoftuar Gjykata Speciale.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme, në Gjykatën Speciale dëshmitari Bislim Zyrapi ka përfunduar dëshminë e tij pas 12 ditë dëshmi.

    Ndryshe, Zyrapi sot është përgjigjur kundër pyetjeve mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, gjatë kundërpyetjeve të saj i tha dëshmitarit Bislim Zyrapi se ai ka ndryshuar dëshminë e tij dhe se ka dhënë dëshmi të rreme “për ta mbrojtur lëkurën e tij”, pasi sipas saj, është dëshmitar i dyshuar.

    “Zoti Zyrapi, ju jeni këtu si i dyshuar, jeni këtu së bashku me avokatin tuaj dhe po ju them që dëshmia që e keni dhënë këtu është e rreme dhe dëshminë e keni dhënë për të mbrojtur lëkurën tuaj”, tha Alagendra.

    Përpara kësaj, pa praninë e dëshmitarit, Alagendra i tha trupit gjykues se ky dëshmitar ka dhënë pretendime të reja kundër Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Për herë të parë në përgjigje të pyetjeve të gjykatësve, ky dëshmitar ka pretenduar apo ka dhënë fakte të reja kundër zotit Krasniqi. Këto deklarata ose këto fakte nuk i ka dhënë asnjëherë përpara TPNJ-së, apo përpara asnjë instance tjetër”, tha Alagendra.

    Avokatja Alagendra theksoi se është qëndrim i tyre se dëshmitari është ndjerë i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur ta dëgjojnë gjykatësit.

    “Është qëndrim i yni të nderuar gjykatës që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndjerë që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’i përgjigjet pyetjeve”, tha Alagendra.

    Pasi u kthye dëshmitari në sallë, qëndrimin e saj Alagendra ia tha edhe Zyrapit, duke shtuar se ai është duke e bërë përgjegjës Krasniqin në disa fusha.

    “Zoti Zyrapi, qëndrimi ynë është që e keni ndryshu dëshminë tuaj në disa fusha. Tani thoni që Jakup Krasniqi ka mbikëqyrur sektorin ligjor, një sugjerim që Sokol Dobruna i ka raportuar Jakup Krasniqit, Drejtoria Informative i ka raportuar Jakup Krasniqit dhe sikurse e thashë më herët që Jakup Kransiqi e ka pas kompetencën për të urdhëruar arrestime. Unë po ju them që ju keni zmadhuar, ekzagjeruar qëllimisht rolin dhe kompetencat e Jakup Krasniqit”, tha mbrojtja e Krasniqit.

    Ndërsa, Zyrapi mohoi se e ka ekzagjeruar rolin e Krasniqit gjatë dëshmisë së tij gjatë këtyre 12 ditëve.

    “Aspak nuk e kam ekzagjeruar rolin e Jakup Kransiqit. E kam spjegu atë sipas pyetjeve që janë ba, sipas përgjegjësive që kanë pas në atë kohë”, tha Zyrapi.

    Alagnedra pyeti dëshmitarin gjithashtu se a kishte ushtruar dikush ndikim mbi atë për t’ia hedhur fajin Krasniqit.

    “A ka ushtruar ndikim mbi ju dikush për të hedhur fajin mbi Jakup Krasniqin mbi çështjet e ngritura dhe për ta bërë përgjegjës Jakup Krasniqin sa i takon pyetjeve të bëra sa i takon faktit që ju e dini se ai nuk e ka bërë këtë gjë”, tha Alagendra.

    Por, një gjë të tillë e mohoi dëshmitari Zyrapi, duke shtuar se dëshmia e tij e tregon realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër.

    “Kurrfarë presioni nuk kam pas nga askush. Sipas pyetjeve si ka vepru dhe qysh ka qenë në atë kohë, unë kam shpjegu se cilat kanë qenë përgjegjësitë dhe kush çfarë përgjegjësie ka pas… po e spegoj të njëjtën se kush në cilat përgjegjësie ka pas. Kurrfarë ndryshimi të deklaratës nuk kam ba prej deklaratave që kam dhanë para gjykatave me betimin që kam dhënë të tregoj të vërtetën, atë çka di dhe çka ka qenë e imja që unë di edhe kam pa dhe kam mujt të has dhe asgjë tjetër të veçantë… Jam tu e folë realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër”, tha Zyrapi.

  • Yakin: Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në çdo aspekt

    Yakin: Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në çdo aspekt

    Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin ka folur sërish për largimin e Xherdan Shaqiri nga skuadra duke thënë se ai ishte një futbollist dhe person i jashtëzakonshëm.

    “Më vjen keq për dorëheqjen e tij në të gjitha aspektet, sepse ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu e vlerësoj jashtëzakonisht shumë si person”, tha Yakin, përcjellë KosovaPress.

    Shaqiri njoftoi largimin ne Zvicra menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian të futbollit Euro 2024.

  • ​Von der Leyen fitoi mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian

    ​Von der Leyen fitoi mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian

    Me votim të fshehtë, deputetët e Parlamentit Evropian i dhanë besimin Ursula von der Leyen, e cila mori kështu një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian.

    Me 401 vota pro, Ursula von der Leyen fitoi mandatin e saj të dytë si kryetare e Komisionit Evropian. 284 ishin kundër, 15 abstenuan, 7 ishin të pavlefshëm, 707 votuan gjithsej.

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka uruar Ursula von der Leyen për rizgjedhjen e saj.

    Von der Leyen fillimisht mbajti një fjalim para eurodeputetëve dhe në fjalën e saj ajo iu referua pushtimit në Ukrainë, si dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe misionet e tij të paqes, siç i quajti ai vetë.

    “Ishte një mision për të lehtësuar situatën, jo një mision paqeje. Vetëm dy ditë pas asaj vizite, Putin gjuajti me raketa një shtëpi fëmijësh në Kiev. Përgjigja jonë duhet të jetë e qartë – Evropa do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet, kjo është përgjigja dhe mesazhi ynë”, tha von der Leyen.

    Ajo shtoi se Evropa duhet të investojë më shumë në kapacitetet mbrojtëse. “Ne gjithashtu duhet të krijojmë projekte të përbashkëta – një sistem të mbrojtjes së përbashkët evropiane. Jo vetëm që do të mbronin hapësirën ajrore, por do të krijonin një simbol të fortë unike në fushën e mbrojtjes”.

    “Ne duhet të bëjmë më shumë për të siguruar kufijtë tanë të jashtëm, veçanërisht kufijtë lindorë”, tha ajo dhe bëri thirrje për forcimin e agjencisë Frontex dhe propozoi trefishimin e numrit të të punësuarve në atë agjenci.

    Ajo njoftoi një plan për bujqësinë për të kapërcyer përshtatjen e nevojshme ndaj ndryshimeve klimatike.

  • ​Szunyog në takimin lamtumirës uron vazhdimin e punës për anëtarësimin e Kosovës në BE

    ​Szunyog në takimin lamtumirës uron vazhdimin e punës për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim lamtumirës shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog, me të cilin diskutoi mbi punën e përbashkët, sfidat dhe arritjet gjatë kësaj periudhe, angazhimin në drejtim të zgjerimit dhe aspiratës së integrimit të vendit tonë në familjen e madhe evropiane.

    Konjufca veçoi arritjen e liberalizimit të vizave gjatë periudhës që Szunyog drejtoi Zyrën e BE-së në Kosovë dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë për të përsëritur më shumë suksese dhe të arritura.

    Ndërsa, ambasadori Szunyog ka uruar të vijojë puna në drejtim të aspiratës së Kosovës për anëtarësimin në BE duke tejkaluar sfidat që dalin përpara.

  • Osmani takohet me homologun finlandez: Forcimi i partneritetit mbetet angazhim i përbashkët

    Osmani takohet me homologun finlandez: Forcimi i partneritetit mbetet angazhim i përbashkët

    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se e pati një takim përmbajtësor me homologun finlandez, Alexander Stubb.

    Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se Stubbi është mbështetës i kamotshëm i Kosovës dhe i së ardhmes euroatlantike të vendit tonë.

    “Forcimi i partneritetit Kosovë-Finlandë dhe rritja e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve tanë mbetet angazhimi ynë i përbashkët”, ka thënë Osmani.

  • ​Stadiumi i ri do t’i sillte miliona euro Interit

    ​Stadiumi i ri do t’i sillte miliona euro Interit

    Interi ende po përpiqet të ndërtojë stadiumin e tyre të ri, ku do të jetë në gjendje të sjellë miliona të ardhura duke shitur të drejtat e emrit. Pronarët e rinj “Oaktree” janë thelbësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e largimit nga “San Siro” për të ndërtuar stadiumin e tyre modern në të ardhmen e afërt, një ndjenjë e përbashkët nga Milani dhe pronarët e tyre RedBird.

    Vetëm një pjesë e vogël e klubeve në Itali zotërojnë stadiumet e tyre, duke përfshirë Juventusin me stadiumin e tyre Allianz dhe Atalantën me stadiumin e tyre Gewiss. Stadiumet shtetërore kufizojnë shumë fleksibilitetin e klubeve me rinovimet dhe rritjen e të ardhurave, duke shkaktuar shumë zhgënjim për tifozët.

    “Gazzetta dello Sport” detajon se si një studim nga ekspertët financiarë Kroll sugjeroi që Interi mund të fitonte deri 10 milionë euro neto në vit nga shitja e të drejtave të emrit të stadiumit të tyre të ri.

  • Fillojnë kolonat në kufirin Serbi- Kosovë, pritja deri në 1 orë te “Dheu i Bardhë”

    Fillojnë kolonat në kufirin Serbi- Kosovë, pritja deri në 1 orë te “Dheu i Bardhë”

    Kanë nisur të krijohen kolona të gjata të automjeteve në hyrje të Kosovës nga territori i Serbisë.

    Aktualisht në piken e kalimit kufitar “Dheu i Bardhë”, afër Gjilanit, kolona është e gjatë 450 metra ndërsa pritja po shkon deri në një orë për të hyrë në Kosovë.

    Ndërsa në pikën tjetër në Muçibabë, pritja është 20 minuta ndërsa kolona e automjeteve e gjatë 120 metra.

    Ndërsa në Merdar nuk ka ende kolonë dhe pritja është 5 deri në 10 minuta.

    Këto janë të dhënat e përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në orën 12 e 20 minuta.

    Nuk dihet nëse kjo po ndodhë në shenjë revolte pas ngjarjes së fundit në Loznicë ku mbeti i vrarë një polic serb dhe një tjetër u plagos apo nga fluksi i madh i mërgimtarëve që ja kanë mësyrë Kosovës për pushime.

  • Opozita akuzon Nagavcin për keqpërdorim në subvencionimin e teksteve shkollore, Nagavci: Kurrë nuk kam vjedhur

    Opozita akuzon Nagavcin për keqpërdorim në subvencionimin e teksteve shkollore, Nagavci: Kurrë nuk kam vjedhur

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit , Arbërie Nagavci, është akuzuar nga deputet opozitarë për keqpërdorim me subvencionimin e teksteve shkollore, raporton EO.

    Ata këto akuza i bënë gjatë raportimit të ministres në Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Opozita akuzoj Nagavcin se ka favorizuar shtëpinë botuese “Albas” për tekstet shkollore që sipas tyre, nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

    Ministrja Nagavci, ka thënë se në furnizimin që është bërë më herët me tekste shkollore ka pasur dëshmi për keqpërdorime të buxhetit, sipas ministres, marrë parasysh kërkesat e prindërve për blerje të librave dhe vështirësisë së shpërndarjes, kanë zgjedhur subvencionimin.

    Ajo ka thënë se nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë komunë që dikush ka mbetur pa u pajisur me tekste.

    “Ka qenë një raport që është mundësua teksti alternativ, në vitin 2022-23. Ne në fillim të këtij procesi kemi kërkuar nga shkollat që t’i kenë tekstet shkollore sipas udhëzimit administrativ që të ripërdorën. Ka pas dëshmi për keqpërdorime të buxhetit në mbetje të teksteve shkollore. Dy raporte nga ZKA, për vitin 2012. ZKA në një raport vlerësues por MAShT-in, konstaton se vetëm në 6 shkolla ka pasur një sasi të numrave, që kapin vlerën mbi 1 milionë euro. Ka edhe raportime tjera që kanë qenë raportime të stoçeve të ndryshme të librave dhe keqpërdorimit dhe menaxhimit të mjeteve buxhetore për tekstet shkollore. Është dëmtuar buxheti me formimin e stoçeve të teksteve shkollore”.

    “Në fillim të vitit shkollorë, kemi kërkuar nga drejtoritë komunale që të na njoftoj për rastet kur fëmijët nuk janë të pajisur me tekste shkollore. Cilat kanë qenë arsyet dhe çfarë duhet ndërmarrë. Nuk kemi pas asnjë kërkesë nga asnjë komunë, që dikush ka mbetur pa u pajisur me tekste, po flas për drejtoritë e arsimit, të gjitha shkollat. Pastaj është krijuar një Komision për verifikimin e aplikacioneve, ka pas organizata ekipore që kanë asistuar në aplikim. Pastaj jemi siguruar për të iu ofruar asistencë prindërve në mënyre që te mos mbet asnjë nxënës pa u furnizuar me libra”, ka thënë ministrja.

    Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka pyetur ministren se kur është bërë kompletimi i furnizimeve me tekste, me datë në të gjitha shkollat.

    Për këtë Ngavci ka thënë se mundësia për aplikim ka qenë në muajin gusht.

    “Mundësia për aplikim ka qenë në muajin gusht nëse dikush nuk ka aplikuar në muajin gusht ka pas sfida, pagesat janë realizuar edhe në muajin shtator, tetor e kështu më radhë që askujt të mos i mohohet e drejta e garantuar me ligj. Sa i përket Gjakovës nuk jam në njohuri, nuk mbaj mend se kemi ndonjë ankesë, kërkesë, qoftë nga zyrtarët komunalë apo drejtoritë”, ka thënë Nagavci.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se mbi 20 për qind të subvencionimit kanë qenë të keq planifikuar.

    “Mbi mbi 20 për qind ka keq planifikim të subvencionimit. Bazuar në buxhetin për planifikim dhe dy vendimet e planifikuara ku janë shkuar 5 milionë euro që kanë qenë të planifikuara, si dhe dy vendet se bashku 12 milionë, në total 17 milionë, në raport për subvencionimin janë shpenzuar 11 milionë, ku janë tjerat. Sa është numri i saktë i shpenzimeve, a ka përfitues që kanë përfituar jashtë vendit. Pse dështuan negociatat me shtëpitë botuese kur çmimi ka qenë i negociuar ka qenë 4 milionë e 800mijë euro”, ka thënë Haxhiu.

    Nagavci ka thënë se sa i përket ndarjes buxhetore nuk ka pasur shkelje te ligjit sa i përket subvencionimit.

    “Vendimi për subvencionim ka qenë largimi i stoçeve asnjë fëmijë të mos mbetet pa tekste shkollore. Sa i përket ndarjes buxhetore, unë si ministre e arsimit, mund të ndryshojë në vlerën 5 për qind, qeveria sipas ligjit, nuk ka tejkaluar nuk ka shkelje diçka të ngjashme sa i përket subvencionimit. Së sa kanë mbetur nxënës pa u pajis me tekste ne nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare për ndonjë nxenës apo fëmijë që ka mbetu pa u pajisur me tekste. Është zvogëluar numri i nxënësve është shtuar numri i teksteve shkollore, në vitin 2022/23, totali i furnizimit me libra ka qenë 4 milionë e 485 mijë e 562 tekste si numër për furnizim”, ka thënë Nagavci.

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka pyetur ministren Nagavci se pse shtëpisë botuese “Albas”, e cila ka fituar tenderin për tekste shkollore, i janë rritur të hyrat.

    Kjo pasi sipas tij, Nagavci ka lidhje me këtë shtëpi botuese.

    “Ju thatë që janë 11 milion, krahasimi me shpenzimet e hargjuara, pasi që në ta kaluarën janë shpenzuar më pak e ka pas me shumë nxënës, ndërsa tani janë më pak nxënës sot e me shumë janë shpenzuar, a konsiderohet korrupsion kjo? Çështja e dytë, është hekur dorë me arsyetimin se çmimet jene të larta nuk u pajtuat për afro 5 milion, ndërsa tani kushtoj 2 fish ose tre më shtrenjtë”.

    “Ju jeni pajtuar nga “Albas”, më herët kur nuk keni qenë ministre, kështu duke i vlerësuar librat e tyre të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e librit. Ju keni pas lidhje se keni punuar për “Albas”, më pas janë shpërblyer nga ministria. Pastaj ndërhynë Dejona Mihajli, e njihni ju së bashkëpunoni me të. Pse janë rritur të hyrat e “Albas” me tendera”, ka thënë Kastrati.

    E deklaratat e deputetit Kastrati, ministrja Nagavci tha se nuk ja vlen të komentohen.

    Ajo tha se kurrë as një herë nuk ka vjedhur.

    “Kurrë asnjëherë as dje as kurrë nuk jam person që vjedhi, e dyta, pyetet për buxhetin, për çdo ekzekutim të pagesës është verifikuar përmes ministrive që ekzekutojnë nga thesari i shtetit, Ministria e Financave, banka. Si Ministri e Arsimit nuk kemi pas asnjë interferencë të vetme. Nuk dua të komentojë deklarata që nuk ia vlen të komentohen. Më pyetet se çka do të bënit nëse do isha në vendin tuaj, unë kam adresuar aty ku duhet të organet kompetente kur ka pas keqpërdorime, si deputete kam qenë korrekte kam adresuar fakte nuk kam shpif nuk kam thënë diçka që se di as vetë”, është kundërpërgjigjur Nagavci.

  • Presidentja Osmani deklarohet para Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja Osmani deklarohet para Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë një deklarim para mediave ndërkombëtare pak para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

    Osmani, ndër tjera, ka thënë se ky samit është një mundësi shumë e mirë për prezantimin e Kosovës.

  • “Gratë në Biznes”, Hajdari: Synimi është që të rrisim sa më shumë pjesëmarrjen e grave në regjistrim të bizneseve

    “Gratë në Biznes”, Hajdari: Synimi është që të rrisim sa më shumë pjesëmarrjen e grave në regjistrim të bizneseve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar panairin “Gratë në Biznes” në të cilin kanë marr pjesë biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të Kosovës, raporton EO.

    Përveç promovimit të bizneseve dhe shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim edhe inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin të gratë ndërmarrëse me qëllim të fuqizimit sa më të madh të tyre në shoqëri dhe në biznes.

    Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se në këtë panair janë duke marr pjesë 40 gra.

    Ajo tha se synimi i MINT është që të rritet sa më shumë numri i grave që regjistrojnë biznese në emër të tyre, ku theksoi se kanë lehtësuar edhe më shumë edhe më shumë regjistrimin e biznesit.

    Ajo ka thënë se MINT-i ka lanësuar grand-skemën me afro gjysmë milion euro, për artizanlet për punëdore e grave.

    “Unë jam e lumtur kur jam në mesin e juaj sepse e marr motivin kur e shohë qëndresën e juaja për shumë e shumë vite më punë, me përkushtim, si ju krijoni të ardhurat, ekonomit familjare dhe mbani familjet por edhe shtoni ekonomi tonë. Unë si ministre, i përshëndes të gjitha 40 gratë ndërmarrëse dhe gjitha gratë tjera në Kosovë me synim që të rrisim më synim sa më shumë pjesëmarrje të grave në regjistrim të bizneseve. Ku tani i kemi lehtësuar regjistrimin e biznesit edhe më lehte për gratë tona duke i ndihmuar me grante. Tani për tani ministria e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë ka lanësuar grand-skemën për artizanlet për punëdoret e juaj që sot po i ekspozoni dhe keni mundësin të aplikoni në MINT përmes programeve që janë sistemi elektronik. Janë afër gjysma milion euro vetëm për ju, për të tjerat që do të aplikojnë sipas konkurrencës së shëndosh në sistem elektronik. veç se jemi duke i ndërtuar parqet industriale teknologjike ku pres që ju me bizneset e juaja të vendoseni në këto parqe dhe të keni edhe më shumë hapësirë për të bërit biznes”, ka thënë ajo.