ATV

Author: ATVLive

  • ​Mbi 1 mijë raste të reja me kancer në Kosovë vetëm brenda 6 muajve

    ​Mbi 1 mijë raste të reja me kancer në Kosovë vetëm brenda 6 muajve

    Mbi një mijë raste të reja me kancer janë identifikuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rritje kështu për 5 për qind të pacientëve të prekur me këtë sëmudnje malinje, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Kanceri i gjiritvazhdon të dominojë, derisa mbi 200 gra dhe një burrë, janë diagnostifikuar në stade të ndryshme të sëmundjes.

    Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi derisa tregon se pas kancerit të gjirit, më i shprehur është ai mushkërive, ku brenda gjashtë muajve ka prekur rreth 170 pacientë të gjinisë mashkullore.

    Kurtishi potencon se sfidë për Klinikën e Onkolgjisë, është mungesa e stafit të mesëm, për çka tregon se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti tre infermierë kanë migruar dhe se dy të tjerë janë në përfund të procedurave për të dalur jashtë vendit për punësim.

    “Në bazë të dhënave që ne i kemi momentale dhe të cilat i kemi në përpunim e sipër, del që për këto gjashtë muaj gati të kemi një numër përafërsisht të njëjtë si vitin e kaluar, meqenëse këto dy muajt e fundit kemi pak më pak dhe ndoshta pak më shumë se vitin e kaluar. Pra, rreth 1 mijë, 1 mijë e 50 raste të reja të identifikuar me kancer të llojeve të ndryshme me dominim edhe këtë vit të kancerit të gjirit. Dhe janë diku 225 femra të cilat janë identifikuar me kancer të gjirit dhe janë lajmëruar për trajtim në klinikën tonë. Menjëherë pas saj vijnë sëmundjet e mushkërive tek meshkujt dhe janë diku 170 pacientë të identifikuar me kancer të mushkërive. Ndërkaq, pas këtyre dy patologjive të shpeshta janë edhe sëmundjet e sistemit gastrointenstinal dhe ky numër është, nëse e marrim total si sëmundje totale të zorrës së trashë të lukthit, të pankreasit, të mëlçisë, i dominon pra edhe mushkëritë edhe tumoret e gjirit…Kemi një rritje pak më të lehtë, ndoshta për pesë për qind. Këtë vit ka qenë vetëm një rast me kancer të gjirit mashkull”, thotë Kurtishi.

    Kurtishi thekson se fluksi i madh i pacientëve në këtë klinikë rrit nevojën për shtimin e numrit tëinfermierëve. Ai thotë institcuinet përkatëse janë njoftuar me kohë për këto nevoja, për çka shpreson që sa më shpejtë të bëhen zëvendësimet.

    “Numri i madh i pacientëve që e frekuentojnë klinikën bën që puna të jetë shumë e lodhshme, me sfidë dhe të ketë një impakt shumë të madh edhe në organizimin e krejt kësaj procedure. Gjatë gjashtë mujorit të parë kemi pasur 3 infermierë të cilët kanë migruar në botën e jashtme dhe kanë liruar vendet e tyre të punës. dhe këtë muaj, muajin korrik edhe dy të tjerë do të vazhdojnë jetën e tyre diku tjetër dhe ne me kohë e kemi lajmëruar QKUK-në dhe SHSKUK-në për nevojat tona…A janë zëvendësuar 3 infermierët? Nga atëherë jo, meqenëse nuk ka pasur konkurs…Ne në klinikë kemi 24 infermierë në shërbimin e kimioterapisë dhe kemi 13 teknikë të radioterapisë”, thekson Kurtishi.

    Ndërkaq, për furnizmin me barna esenciale, Kurtishi thotë se posedojnë mbi 90 për qind të barnave. Ai potenon se edhe pesë lloje të barnave nga lista esenciale, për të cilat kanë pritur për disa muaj, veçse janë siguruar.

    “Me barna esenciale qëndrojmë shumë mirë. Ne kemi mbi 90 për qind të barnave të listës esenciale, ndoshta edhe më shumë. Me ardhjen e disa barnaveqë janë tenderuar nga SH-ja, barna të cilat i kemi pritur disa muaj e që nuk kanë pasur autorizim marketingu, 5 nga ta veç kanë mbrrirë”, thotë ai.

    Më 20 maj të këtij viti u përurua rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, qendrës së vetme në Kosovë për trajtimin e pacientëve të prekur me kancer, investim ky mbi gjysmë milionë euro./kp

  • ​Bastisje në disa lokacione në Prishtinë, ka edhe të arrestuar

    ​Bastisje në disa lokacione në Prishtinë, ka edhe të arrestuar

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion, me ç’ rast janë kryer bastisje në disa lokacione në territorin e qytetit të Prishtinës, për shkak të dyshimit të veprës penale “Fajdeja”, sipas KPRK-së.

    Sipas njoftimit, nga ky aksion i zhvilluar janë arrestuar katër persona të dyshuar, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të njëjtëve do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.

    “Lidhur me zhvillimet e tjera do t’iu njoftojmë në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.

  • Osmani takohet me kryeministrin belg, diskutuan për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Osmani takohet me kryeministrin belg, diskutuan për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin belg Alexander de Croo.

    Takimi ka ndodhur në kuadër të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kanë diskutuar për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    “Diskutuam rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe angazhimin tonë të përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

    E para e shtetit Vjosa Osmani e ka falënderuar kryeministrin Alexander de Croo për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën.

  • 26 vjet nga masakra në Rahovec

    26 vjet nga masakra në Rahovec

    Më 19 korrik 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.

    Në Teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec u masakruan shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

    Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

    Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi, tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

    Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u zhdukën dhe u morën peng shumë shqiptarë.

    Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shqiptarët e vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

  • ​5 vjet nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj

    ​5 vjet nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje më 19 korrik të vitit 2019.

    Këtë vendim ai e bëri publik gjatë një mbledhje të rregullt të Qeverisë së Kosovës. Arsyeja e dorëheqjes ishte sepse ai kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

    “Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

    Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intervistim.

    “Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

    Haradinaj tha se dorëheqja e tij është e parevokueshme dhe se për këtë vendim, do t’i informojë edhe krerët e institucioneve të Kosovës.

  • ​Dy vjet nga hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë në BE

    ​Dy vjet nga hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë në BE

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut para dy vjetësh hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.

    Ndërsa kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pati deklaruar se pas 17 vjetësh të marrjes së statusit kandidat, po hapet një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij dhe shteti po i bashkohet BE-së.

    Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën erdhi pasi më 16 korrik 2022, Kuvendi i Maqedonisë Veriore miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

    Maqedonia e Veriut mori statusin e shtetit kandidat më 2005. Më 2009, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, me kusht që vendi të zgjidhte mosmarrëveshjet rreth emrit me Greqinë fqinje.

    Pas zgjidhjes së çështjes së emrit më 2018, nisja e procesit u vendos fillimisht nga Franca që kërkoi ndryshimin e metodologjisë në negociatat e anëtarësimit. Në fund, Bullgaria bllokoi negociatat duke e kushtëzuar hapjen e procesit me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për gjuhën dhe historinë.

    Shqipëria mori statusin e kandidatit më 2014 dhe nga viti 2018 ka pasur rekomandim për nisjen e negociatave, por ajo u fut në paketën e njëjtë me Shkupin dhe iu desh të priste që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të arrinin pajtim për dallimet.

  • ​Dy fshatra ishin në rrezik, KFOR-i amerikan ndërhyri me dy helikopterë për ta shuar zjarrin

    ​Dy fshatra ishin në rrezik, KFOR-i amerikan ndërhyri me dy helikopterë për ta shuar zjarrin

    Aviacioni i SHBA-së nga Komanda Rajonale në Lindje e Forcave Kosovare të udhëhequr nga NATO ka ndihmuar dje departamentin e Zjarrfikësve të Klinës në shuarjen e zjarrit në zonë.

    Meqenëse fshatrat Vidajë dhe Jagodë ishin në rrezik për t’u prekur nga zjarri, aviacioni amerikan ndërhyri me dy helikopterë të pajisur me kova uji.

    Sipas KFOR-it, ata vazhduan të ofrojnë ndihmën e tyre deri në eliminimin e rrezikut nga zjarri.

  • ​Kurti shijon nga afër spektaklin e basketbollit 3×3 në Prishtinë

    ​Kurti shijon nga afër spektaklin e basketbollit 3×3 në Prishtinë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen zyrtare të ngjarjes “3×3 Prishtina”. Për katër ditë radhazi, sheshi ”Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të jetë arenë e ndeshjeve ndërkombëtare në 3×3 për burra dhe gra.

    Në fjalën e tij, ai tha se organizimi i këtyre garave po dëshmon që Kosova di të organizojë ngjarje sportive ndërkombëtare dhe të mirëpresë sportistë mysafirë, dhe të jetojmë me sportin.

    “Termi i “3×3” përshkruan edhe neve si shtet por edhe këto momente në të cilat me Ministrinë tonë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, jemi të përqendruar në tri drejtime. E para është me sportistët tanë më të mirë që tashmë janë nisur drejt Lojërave Olimpike Paris 2024 e atje me synime të qarta për medalje. E dyta, me angazhimet tona për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, përgatitjet për të cilën tashmë kanë filluar. Dhe e treta, po vazhdojmë të jemi nikoqir të ngjarjeve të rëndësishme sikurse kjo e sotmja, pra ngjarje ndërkombëtare sportive.” vijoi fjalën e tij kryeministri.

  • ​Po “fluturonte” me makinën e tij, Rashfordit i ndalohet vozitja

    ​Po “fluturonte” me makinën e tij, Rashfordit i ndalohet vozitja

    Yllit i Mançester Junajtid, Marcus Rashford, raportohet se i është ndaluar të drejtojë makinën për gjashtë muaj pasi voziti me 104 km/h me Rolls Royce-in e tij që ka vlerën 560,000 eurosh.

    26-vjeçari pranoi se kishte tejkaluar kufirin e shpejtësisë prej 70 mph në një autostradë në fillim të këtij viti dhe tani, sipas “The Sun”, Rashford u kap duke vozitur me 104 mph në M60 në Cullinan Blue Shadoë dhjetorin e kaluar.

    Raporti shton se sulmuesi i United është ndaluar të drejtojë makinën për gjysmë viti dhe është dënuar me një gjobë prej 1,666 euro. Ky incident dhjetorin e kaluar erdhi më pak se dy muaj pasi Rashford u përfshi në një aksident me një tjetër Rolls Royce të tij, diçka që e la atë të tronditur, përcjellë KosovaPress.

    Rashford, i cili u la jashtë skuadrës së Anglisë për Euro 2024, është rikthyer në stërvitjet parasezonale pas pushimit të tij veror. Produkti i akademisë së Djajve të Kuq mund të shfaqet në ndeshjen e tyre përgatitore kundër Rangers të shtunën pasdite.

  • Vdes një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ishte i sëmurë

    Vdes një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ishte i sëmurë

    Shërbimi Korrektues i Kosovës(SHKK) ka njoftuar se në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka ndërruar jetë i burgosuri K.S.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, K.S është pranuar në burg me histori të sëmundjes paraprake.

    “K.S është pranuar në burg më datë 24.06.2024, me histori të sëmundjes paraprake. Me urdhëresë të organit kompetent gjyqësor është dërguar në IPFK për ekspertizë më datë 05.07.2024 dhe ka qëndruar atje deri më datë 18.07.2024. Terapinë e përshkruar në fletëlëshim, i burgosuri e ka marrë me kohë dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim apo simptomë për ndonjë përkeqësim të gjendjes psikike apo organike”, bëhet e ditur në njoftim.

    Në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës thuhet se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.