ATV

Author: ATVLive

  • Kryeziu-Hyseni: ​Asociacioni s’është në qendër të planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit

    Kryeziu-Hyseni: ​Asociacioni s’është në qendër të planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në qendër të planit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, i cili i është dorëzuar Kosovës së fundmi nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Megjithëse, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi konfirmoi se kanë dërguar shtatë faqe komente për këtë plan, deputetja e mazhorancës është pesimiste se do të ketë progres në këtë drejtim, për shkak siç thotë qasjes dekonstruktive të Serbisë dhe mosnënshtrimit të marrëveshjes.

    Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe diasporë, thotë për KosovaPress, se Asociacioni s’do të jetë elementi kyç i zbatimit të planit të marrëveshjes, mirëpo në dokument duhet trajtuar të gjitha pikat radhazi për të mbërritur te pika e shtatë ku flitet për vetëmenaxhim.

    “Nëse do të ishte Asociacioni qendra e dokumenteve deri më tani do të kishim dërguar draftin, do të kishim marrë opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të kishte filluar implementimi i Asociacionit. Krejt arsyeja pse jemi në një situatë të tillë është se Kosova s’pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të cilido diskutim që lidhet me procesin e dialogut, pasi nuk është Asociacioni qendra. Dokumenti kryesor është marrëveshja bazike dhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj duke trajtuar të gjitha pikat radhazi që janë pjesë e këtij dokumenti për të mbërritur aty ku quhet vetëmenaxhim. Mirëpo ne nuk do të nxjerrim Asociacionin në qendër të cilido diskutim, pasi sikur të kishim bërë këtë gjë Asociacioni tashmë do të ishte harruar dhe dialogu do të kishte marrë fund”, thekson ajo.

    Sipas saj, progres në dialog do të ketë vetëm kur Serbia të nënshkruajë marrëveshjen dhe të tërheq letrën e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq që i kishte dërguar BE-së, ku thuhet se Serbia zbaton marrëveshjen vetëm pjesërisht.

    “Mund të ketë progres nëse Serbia e tërheq letrën e Bërnabiqit që është dërguar në vitin e kaluar dhe të thotë se është pjesë e dialogut. Ne nuk e kemi të qartë nëse Serbia është apo jo pjesë e dialogut. Ata praktikisht kanë hequr dorë nga dialogu përmes letrës së ish kryeministres. Mund të kishte progres nëse do të kishte qasje pak më konstruktive të Serbisë në këtë drejtim. Nëse ata do të quanin vetën pjesë të dialogut e para gjë që do të bënin është të pranojnë marrëveshjen bazike dhe të njëjtën kohë të nënshkruanin për të kaluar te plani i sekuencimit. Nuk e di tash si do të mund të kalojmë te plani i sekuencimit kur po flasim për një shtet që është palë në dialog, por nuk e pranon dialogun dhe marrëveshjen bazike dhe kundërshton gjithçka që derivon prej këtyre dy dokumenteve shumë të rëndësishme. Nëse marrëveshja bazike nuk pranohet nuk e di si mund të kalohet te plani i veprimit ose si të përcaktohen hapat e sekuencimit tani e tutje”, shton deputetja e mazhorancës.

    Deputetja Kryeziu-Hyseni kërkon nga Bashkimi Evropian që të ketë një pozicion të qartë sa i përket refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    “Është mirë që kjo të qartësohet prej vet Bashkimit Evropian në mënyrë që të kemi një pasqyrë më të qartë sesi do të rrjedhë procesi i dialogut tani e tutje. Natyrisht se do të ketë takime në nivel të kryenegociatorëve sepse ideja është që të shtyhet procesi përpara dhe të lëvizë. Ka një kohë që ka mbetur në gjendje të palakueshme sidomos për neve si një shtet demokratik që synojnë t’i bashkohemi strukturave euro-atlantike. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të japim krejt forcën tonë, konstruktivtetin tonë në mënyrë që të nxjerrim rezultate konkrete, por nuk e di sa mund të ketë mundësi përderisa pjesë e dialogut është një palë që bllokon gjithçka. Prandaj duhet të qartësohet pozicioni i Serbisë dhe pozicioni i Bashkimit Evropian karshi palëve në mënyrë që të dihet si të ecim tutje”, deklaron ajo.

    Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ajo është optimiste se kjo temë do të rikthehet në agjendë në takimin e radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së.

    “Nuk mendoj se Kosova ka dështuar (për anëtarësim në Këshill të Evropës). Besoj se i kemi plotësuar të gjitha kriteret që kanë qenë të kërkuara prej vet Këshillit të Evropës në mënyrë që ne të bëhemi anëtarë të KiE-së. Kriteri i fundit ka ardh krejt në momentet e fundit dhe ka qenë e padrejtë një veprim i tillë që është karshi neve pasi s’përkon fare as me raportin që është bërë prej Këshillit të Evropës dhe diskutime të tjera që kanë qenë në nivel të brendshëm të KiE-së. Ky veprim është bërë qëllimshëm në mënyrë që Kosova të mbahet jashtë pasi ne nuk po pranojmë që të dërgojmë një draft të hartuar nga Lajçak për opinion në Gjykatën Kushtetuese. Dua të besoj shumë se çështja e Kosovës do të rikthehet në takimin e Këshillit të Ministrave dhe ata do të votojnë pro, pasi ata tashmë e kanë një rekomandim të Asamblesë Parlamentare që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës”, thekson Kryeziu-Hyseni.

    Krahas këtyre, Kryeziu-Hyseni konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • ​Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin Szunyog

    ​Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin Szunyog

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e mirë dhe për përfshirjen dhe kontributin e tij përgjatë gjithë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.

    “Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”, thuhet në komunikatë.

    Poashtu u theksua bashkëpunimi i mirë dhe mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.

    Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e tij të radhës.

    Ambasadori Szunyog mori detyrën e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së më 1 shtator 2020.

  • ​Kryeministri i Gjeorgjisë: Fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

    ​Kryeministri i Gjeorgjisë: Fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze tha të hënën se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA mund t’i japë fund më shpejt luftës mbi dyvjeçare Rusi-Ukrainë.

    “Së pari, ne sigurisht që nuk mund të ndërhyjmë në zgjedhjet e askujt. Për më tepër, ne nuk mund të ndërhyjmë në zgjedhjet presidenciale të një vendi kaq të madh… Nuk është puna jonë. E vetmja gjë që mund të thuhet është se nëse Trump fiton këto zgjedhje, lufta në Ukrainë do të përfundojë më shpejt”, u tha Kobakhidze gazetarëve në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, sipas transmetuesit publik të vendit 1TV.

    Kobakhidze tha më tej se kjo, në përputhje me rrethanat, do të qetësonte më shpejt tensionet në rajon, gjë që ai argumentoi se “do të ndryshonte qëndrimin ndaj Gjeorgjisë në veçanti”.

    “Kjo është gjithçka që mund të thuhet për të. Pjesa tjetër është zgjedhja e popullit amerikan. Populli amerikan duhet të vendosë se kush do të jetë presidenti i SHBA-së”, shtoi ai./AA/

  • ​Milani tenton sërish për Brojën

    ​Milani tenton sërish për Brojën

    Pas njoftimit për nënshkrimin e Alvaro Moratas, Milani tani po punon për të sjellë një zëvendëssulmues dhe Armando Broja është një nga emrat në listën e tyre. Sipas një raporti, ata po mbajnë shpresa për një marrëveshje në formë huazimi për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare.

    Broja ka qenë i lidhur me Milanin për shumë vite tani dhe ndërsa lidhjet u rishfaqën më herët gjatë verës, u bë e qartë se Chelsea nuk është i hapur për një huazim. Megjithatë, kuqezinjtë nuk pritet të dorëzohen kaq lehtë, duke e përcjellë situatën.

    Sipas “CaughtOffside”, Milani është në kërkim të një zëvendëssulmuesi të Moratas dhe ndërsa kanë një preferencë të lehtë për Tammy Abrahamin e Romës, Broja mbetet në listën e dëshirave. Supozimi është se Chelsea mund të zmbrapset drejt fundit të afatit kalimtar, duke pranuar në fund të fundit një ofertë huazimi, përcjellë KosovaPress.

    22-vjeçari ka pasur vështirësi në dy sezonet e fundit dhe mund të përdorë vërtet një rinisje të karrierës së tij.

  • ​Pështjellim në komisionin hetimor për tekstet, e ftuan drejtoreshën për intrvistim por i thonë se s’është relevante

    ​Pështjellim në komisionin hetimor për tekstet, e ftuan drejtoreshën për intrvistim por i thonë se s’është relevante

    Edhe pse u ftua që të intervistohet nga komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvenciononit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushtaku-Sadriu, nuk u intervistua.

    Dëshmitë e saj ishin relevante, pasi që pozitën e drejtoreshës e kishte fituar më 5 shkurt 2024 dhe pasi që ajo nuk kishte të dhëna të sakta, komisioni hetimor parlamentar, do të ftojë ish-drejtoreshën e arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati që të intervistohet.

    “Unë kam marrë detyrën më 5 shkurt të këtij viti. Për periudhën për të cilën jeni duke hulumtuar nuk kam qenë në detyrë. Ka mundësi që nuk i kam të dhënat e sakta”, tha ajo.

    Deputeti i PDK-së, Bekmi Haxhiu është shprehur se për të pasur një pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve dhe mjeteve shkollore duhet të ftohet drejtoresha e cila i ka këto informatat, Besianë Musmurati.

    I njëjti ka parashtruar pyetje drejtoreshës aktuale, e cila përgjigjet që ia bërë do t’i kthejë me shkrim.

    “Pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve shkollore ndoshta më mirë është me intervistu drejtoreshën që ka qenë në atë kohë. T’i ftojmë realisht drejtorët që kanë qenë në atë periudhë kohor. Pyetjen e parë që e kam parashtruar është vështirësitë që janë paraqitur. Cilat kanë qenë mungesat e teksteve shkollore në fillim të vitit shkollorë. Subvencionimi ka zgjatur deri në muajin prill 2024. Ndoshta mund të na përgjigjeni vetëm për DKA e Prishtinës. Për ne është e rëndësishme mungesa që ka qenë me libra, kur janë siguruar librat, çfarë ka ndodhur me prindërit të cilët nuk janë subvencioni në fillim të vitit shkollorë, a kanë paguar ata vet, a e konsideromi se shumë 50 euro ka qenë e mjaftueshme për të blerë librat për fëmijët që kanë qenë në këto klasa, sa kanë kushuar librat për çdo klasë, a ka qenë më e vogël se 50 euro apo më shumë, a janë të obliguar që librat e vitit të kaluar t’i kthejnë prapë në shkollë, a duhet t’i kthejnë edhe ato që i kanë ble me buxhetin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

    Ndërsa, deputeti i LVV-së, Armend Muja iu është kundërpërgjigjur Lushtaku duke thënë se dëshmia e saj nuk është relevante.

    Drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Lushtaku ka shtuar se është në dispozicion që të përgjigjet për të dhënat e saja që i ka.

    “Çfarëdo informacioni që mendoni që ka DKA, iu përgjigjem me shkrim. Ndërsa komunikimet me MASHTI-në i ka bërë drejtoresha paraprake. Unë jam në dispozicion, kam ardhur sot që t’ua tregoj gatishmërinë time”, ka shtuar ajo.

    Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka theksuar se Lushtaku t’i dërgojë përgjigjet me shkrim dhe të ftohet ish-drejtoresha.

    Ndërkaq, në ora 13:00 do të ftohet drejtoria e arsimit në Komunën e Pejës të intervistohet nga ky komision./kp

  • Masakër në Kroaci: Një person futet në shtëpinë e pleqve, vret pesë persona

    Masakër në Kroaci: Një person futet në shtëpinë e pleqve, vret pesë persona

    Pesë persona janë vrarë sot në shtëpinë e të moshuarve në Daruvar të Kroacisë.

    Mediumi kroat ‘mojportal.hr’ raporton jo-zyrtarisht se një burrë është futur në shtëpinë e të moshuarve dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tyre, përcjell Gazeta Insajderi.

    Sipas këtij mediumi, pesë nga ta kanë mbetur të vdekur në vend, teksa disa të tjerë janë duke u trajtuar.

    Pas këtij veprimi, i dyshuari është larguar nga vendngjarja mirëpo që policia kishte arritur ta kapë pranë një kafeneje.

    Sirenat e të gjitha shërbimeve të mundshme të emergjencës janë lëshuar në qytetin e Daruvarit.

  • Benzema s’ka dyshime se kush duhet ta fitojë Topin e Artë

    Benzema s’ka dyshime se kush duhet ta fitojë Topin e Artë

    Karim Benzema nuk e ka asnjë dyshim mbi atë se kush duhet ta fitojë çmimin Topi i Artë duke thënë se ai i takon njërit prej ish-bashkëlojtarëve të tij tek Real Madridi.

    Benzema ka deklaruar se braziliani Vinicioju Jr është ai që duhet ta rrëmbejë këtë çmim, derisa Real Madridi e ka cilësuar si klubin më të mirë në botë, përcjellë KosovaPress.

    “Lojtarët lëvizin, ata shkojnë e vijnë, por Reali do të jetë gjithmonë në krye. Mbetet klubi më i mirë dhe do të vazhdojë ta dëshmojë këtë. Topi i Artë? Unë them Vini. Ai e meriton atë. Për sezonin e tij ai ishte superior me futbollin e tij dhe me atë që bënte me topin”, theksoi Benzema.

    Ndryshe, Benzema po e vazhdon karrierëne tij tek skuadra e Al-Ittihad.

  • Këshilli i BE-së heq regjimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Këshilli i BE-së heq regjimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Këshilli i BE-së sot ka marrë vendim për heqjen e vizave për serbët e Kosovë që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

    Miratimi i sotëm nga Këshilli i BE-së përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

    Siç ka njoftuar Këshilli i BE-së, u miratua një rregullore e cila siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

  • Kurti: Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit

    Kurti: Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zgjedhur rrjetin social ‘X’ të lavdërohet pak për disa suksese, që ai thotë se janë arritur gjatë qeverisjes së tij.

    Kurti ka thënë se kanë mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit.

    “51% e të rinjve të punësuar nëpërmjet platformës sonë të sponsorizuar nga qeveria, SuperPuna së bashku me 55% të përfituesve të masës sonë të punësimit për familjet janë gra. Ne kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit”, ka shkruar Kurti.

    “Më shumë se 100 mijë gra kanë hapur llogaritë bankare për herë të parë. Mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat tona të lehonisë. Në tre vitet e fundit ne kemi financuar mbi 4600 bursa universitare për gra dhe vajza në STEM. Ata tani përbëjnë 50% të studentëve në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës – një arritje e jashtëzakonshme e barazisë gjinore në fushat tradicionalisht të dominuara nga meshkujt”, ka shkruar tutje Kurti.

    “Numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, në të cilat kemi katërfishuar (nga 10% në 45%) peshën e grave në bordet drejtuese. Arsimi, punësimi, përfaqësimi, mirëqenia dhe pavarësia financiare janë shtyllat kryesore të barazisë sociale dhe gjinore. Jemi krenarë që nën udhëheqjen e Qeverisë sonë, këto shtylla janë më të forta se kurrë”.

  • Mesazhi i Abdixhikut në 14 vjetorin e konstatimit të GjND-së: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”

    Mesazhi i Abdixhikut në 14 vjetorin e konstatimit të GjND-së: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”

    Sot janë bërë 14 vite nga konstatimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

    Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK luajti rol të madh në këtë proces dhe se ndihet krenar për këtë.

    “Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesional në bashkëveprim me miqtë strategjik, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike.
    Kosova, në gjithë këtë periudhë me sfida ishte krah aleancës së pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe miqve të tjerë ndërkombëtar.
    Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces, dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës” thuhet në reagimin e Abdixhikut.