ATV

Author: ATVLive

  • Ministrat Sveçla dhe Krasniqi për kafe në veri të Mitrovicës, prezente njësia speciale

    Ministrat Sveçla dhe Krasniqi për kafe në veri të Mitrovicës, prezente njësia speciale

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Aveçla dhe ai i Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi kanë vizituar sot Mitrovicën Veriore dhe kanë pirë kafe në një kafene afër urës kryesore.

    Prezent për të ruajtur rendin dhe ministrat kanë qenë edhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, të cilët e kanë siguruar zonën përreth kafenesë.

    Krahas ministrave ishte edhe zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, si dhe zëvendësministrja në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq.

    I pyetur nga një gazetar i portalit lokal në gjuhën serbe Kosovo Online se cila është arsyeja e vizitës së sotme, Sveçla është përgjigjur shkurt se ka ardhur për të pirë kafe.

    “Kam ardhur për të pirë kafe. E gjithë jeta ime është zyrtare,” tha Sveçla.

  • Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Nuk kemi asnjë garancë se ai është vrarë në Serbi

    Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Nuk kemi asnjë garancë se ai është vrarë në Serbi

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë sot se autoritetet zyrtare në Kosovë nuk kanë ende asnjë garancë se Faton Hajrizi është vrarë në Serbi.

    Ajo ka deklaruar se autoriteteve kosovare i ka ardhur vetëm një mostër me shenjat e gishtërinjve, të cilat kanë rezultuar të jenë të Faton Hajrizit.

    E pyetur për detaje të reja për rastin e Hajrizit, ajo tha se ky rast është ende në “mjegull”.

    “Siç e thatë, bashkëpunimi jo vetëm që është i vështirë, por edhe inekzistent. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisemi gjatë kësaj kohe. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi, të cilat pas verifikimit në Kosovë [është konstatuar të jetë Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as personin në fjalë, as për pretendime të tjera. Deri më tani, e gjithë situata është në mjegull”, tha ministrja Gërvalla.

    Të premten e javës së kaluar, Faton Hajrizi dyshohet se u vra nga pjesëtarët e Policisë serbe në rrethinën e Lozicës në afërsi të kufirit me Bosnje e Hercegovinën.

    Hajrizi ndodhej në arrati në Serbi për shkak të dyshimeve se kishte vrarë një polic dhe se kishte plagosur një tjetër.

    Sipas zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, Hajrizi nuk i ishte dorëzuar autoriteteve serbe dhe i njëjti kishte shtënë në drejtim të policisë, me shkas edhe kanë reaguar duke e qëlluar Hajrizin për vdekje.

  • ​Aliu: Gurthemeli për ndërtimin e objekteve banesore për banim social do të vihet në vjeshtë

    ​Aliu: Gurthemeli për ndërtimin e objekteve banesore për banim social do të vihet në vjeshtë

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se gurthemeli për ndërtimin e katër objekteve banesore për banim social dhe të përballueshëm do të vihet në vjeshtë.

    Pas miratimit të Projektligjit për banim social dhe të përballueshëm, ministri Aliu tha se deri tani kanë aplikuar 13 komuna për identifikimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve banesore, ku në katër sosh do të hapet tenderi në shtator, kurse në nëntë komuna të tjera janë ende në fazën e dizajnimit të projektit.

    Duke arsyetuar realizimin e këtij projekti në fundin e mandatit të qeverisë, Aliu tha se s’kanë mundur të hyjnë në fazën e realizimit të projektit pa pasur studime dhe fazë përgatitore.

    “Nga komunat ekzistuese që kanë aplikuar kemi shqyrtuar të gjitha lokacionet, kemi krijuar një ekip të ekspertëve që kanë dal në vend të ngjarjes, kanë shqyrtuar të dhënat e lokacionit, kushtet urbanistike, si është qasja në infrastrukturë, si është qasja në raport me zhvillimet urbane të atyre komunave. Jemi në fazën e fillimit të projekteve, detaje për zhvillimin e këtyre ndërtimeve. Sa po të përfundohet projekti do të hapet tenderi për fillimin e ndërtimit të ndërtesave të banimit social dhe të përballueshëm…S’kemi mundur të hyjmë në fazën e realizimit të projektit pa i bërë fazat paraprake siç është studimi i fizibilitetit që e kemi realizuar. Po të ishte gjithçka gati natyrisht se mund të bëhej brenda një mandati, por puna përgatitore ka marrë kohë”, tha ai.

    Aliu në konferencë për medie tha se banesat për banim social do të mbeten në pronësi të shtetit dhe do të menaxhohen nga komunat, kurse te banimi i përballueshëm mund të aplikojnë çiftet e reja dhe punëtorët e administratës nga komunat përkatëse.

    “Banimin social do ta menaxhojnë komunat ashtu siç thash, ndërsa pjesën e banimit të përballueshëm do të aplikojnë çiftet e reja, punëtorët e administratës nga komunat përkatëse. Do të përzgjidhen dhe pastaj në pagesa të rregullta në periudha kohore mund të bëhen pronar të këtyre banesave”, shtoi Aliu.

    Në konferencë për medie ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për furnizimin me libra për vitin e ri shkollor.

    “Zyrtarët, kolegët në ministri kanë filluar punën në këtë drejtim. Janë finalizuar listat me tekstet e miratuara dhe janë ndarë të njëjtat me drejtoritë komunale të arsimit. Është kërkuar nga drejtoritë komunale që katalogu të ndahet me shkollat dhe të zgjedhën për miratim listat e teksteve që të propozohen për përdorim në shkollë. Të njëjtat janë dorëzuar në ministri të Arsimit dhe tashmë janë pranuar edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve”, tha ajo./KosovaPress/

  • Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave, propozohet konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 1 milionë e 600 mijë euro

    Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave, propozohet konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 1 milionë e 600 mijë euro

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve për veprën penale “Shpëlarja e parave”

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve E. K, Xh.Xh, A.H, R.B, M.V dhe F.T, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale të kryer në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2023, “Shpëlarja e parave”.

    Kurse, për të pandehurit E.K dhe M.V, po ashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer edhe veprën penale në bashkëkryerje “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Vlera pasurisë së sekuestruar në këtë rast është 1,629,929.77 Euro., për të cilën Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ta bëj konfiskimin e saj.

    Ky rast ka qenë i shënjestruar dhe i emërtuar “ZHURI”.

    Komunikata e plotë:

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve E. K, Xh.Xh, A.H, R.B, M.V dhe F.T, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale të kryer në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2023 , “Shpëlarja e parave”, e përcaktuar me nenin 308, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së dhe nenin 56 par. 1 pika 1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të Terrorizmit.

    Ndërkaq, për të pandehurit E.K dhe M.V, po ashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer edhe veprën penale në bashkëkryerje “Falsifikimi i dokumenteve”, e përcaktuar me nenin 390, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Vlera pasurisë së sekuestruar në këtë rast është 1,629,929.77 Euro., për të cilën Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ta bëj konfiskimin e saj.

    Ky rast ka qenë i shënjestruar dhe i emërtuar “ZHURI”.

  • “Djalin ma vrau virusi ‘woke’/ Trondit Elon Musk, gati për ‘hakmarrje’: Do ta shkatërroj!

    “Djalin ma vrau virusi ‘woke’/ Trondit Elon Musk, gati për ‘hakmarrje’: Do ta shkatërroj!

    Sipërmarrësi Elon Musk pretendon se vajza e tij transgjinore u “vra” nga virusi i mendjes “woke” pasi u mashtrua për të pranuar procedurat për afirmimin e gjinisë së fëmijës.

    Në një intervistë me psikologun dhe komentatorin konservator Dr. Jordan Peterson , pronari i X-it e quajti operacionin e ndryshimit të gjinisë “gjymtim dhe sterilizim rë fëmijëve”. Musk foli për fëmijën e tij 20-vjeçar Vivian Jenna Wilson, për të cilin tha se iu nënshtrua procedurave gjatë pandemisë.

    “Unë në thelb u mashtrova për të nënshkruar dokumente për një nga djemtë e mi më të mëdhenj. Kjo ndodhi përpara se të kuptoja se çfarë po ndodhte, dhe ne kishim COVID, kështu që kishte shumë konfuzion dhe më thanë fëmija mund të bënte vetëvrasje”, u shpreh miliarderi.

    Themeluesi i SpaceX pretendon se një proces i tillë u bëhet fëmijëve “të cilët janë të vegjël” dhe tha se kushdo që promovon praktikën duhet të shkojë në burg.

    “Unë u mashtrova për ta bërë këtë. Unë e humba djalin tim, në thelb. Dhe u zotova të shkatërroj virusin ‘woke’ pas kësaj, jemi duke bërë përparim”, tha Musk.

    Vivian Musk doli si transgjinor në qershor 2022. Në të njëjtën kohë, 18-vjeçari i atëhershëm paraqiti një kërkesë për të ndryshuar emrin nga Xavier në Vivian.

    Woke është një fjalë e zhargonit politik që rrjedh nga anglishtja popullore afrikano-amerikane që do të thotë vigjilencë ndaj paragjykimeve dhe diskriminimit racor. /tch

  • ​Lëndohet ylli i Barcelonës

    ​Lëndohet ylli i Barcelonës

    Ylli i Barcelonës, Ansu Fati ka pësuar një dëmtim gjatë stërvitjeve duke lënduar shputën e këmbës së djathtë dhe tani ai do t’i nënshtrohet një procedure të rikuperimit.

    Kështu ka bërë të ditur Barcelona përmes një komunikate zyrtare të lëshuar në faqen zyrtare të klubit ku nuk është bërë e ditur koha kur ai mund të rikthehet, përcjellë KosovaPress.

    “Në seancën stërvitore të së martës, lojtari i ekipit të parë, Ansu Fati, ka dëmtuar shputën e këmbës së djathtë. Ai do të ndjekë një plan trajtimi konservativ në Barcelonë dhe rikthimi i tij në stërvitje do të vendoset nga rikuperimi i tij”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

  • Aksident në fshatin Astrazup të Malishevës, vdes infermierja shtatzenë

    Aksident në fshatin Astrazup të Malishevës, vdes infermierja shtatzenë

    Sot ka vdekur një grua shtatzënë në QKUK, si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Astrazup të Malishevës.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal Sheremet Elezaj, tha për Ekonomia Online se në këtë aksident ishin përfshirë dy automjete dhe një këmbësore.

    “Këmbësorja është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, nga më vonë jemi njoftuar se e njëjta ka ndërruar jetë”, tha Elezaj.

    Po ashtu, Elezaj ka njoftuar se me vendim të prokurorit të shtetit njëri nga shoferët është dërguar në mbajtje.

    “Po ashtu edhe dy personave të tjerë (shoferëve) ju është ofruar trajtim mjekësor”, tha ai.

  • ​Rritet pagesa për shërbime për fëmijët me autizëm, prindërit me kërkesë ndaj institucioneve

    ​Rritet pagesa për shërbime për fëmijët me autizëm, prindërit me kërkesë ndaj institucioneve

    Rreth 60 fëmijë me autizëm rrezikohen të mbesin pa shërbime nga Shoqata Autizëm, kjo për shkak rritjes së çmimit nga 7.50 sa ishte në 12 euro. Kështu kanë deklaruar prindërit që sjellin fëmijët në këtë qendër, të cilët kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe të ndihmojnë në këtë drejtim, në të kundërtën nga gushti do t’i ndalin fëmijët në shteti. Derisa nga kjo shoqatë kanë arsyetuar rritjen e çmimit, duke thënë se nuk ka donacione.

    Kwngwtarja Arta Bajrami, e cila ka fëmijë me autizëm, derisa kërkon nga komuna por edhe shteti që të marrë masa në këtë drejtim, konsideron se sa më shpejtë duhet të gjendet një zgjidhje për fëmijët me nevoja të veçanta.

    “Ne njerëz jemi dhe prindërit nuk jetojnë gjithë dhe duhet dikush të kujdeset për këta fëmijë. Prandaj duhet të trajtohen sa më herët dhe dikur edhe t’i punësojnë, duhet punuar për talentin e tyre, secili e ka ndonjë të veçantë që me punë i zbulohet. Prandaj duhet integruar në shoqëri sa më shumë. Përparim Rama duhet problematiken e parë ta vendosë në rend, së pari të bëjë zgjidhjen e fëmijëve me autizëm, mandej le të vazhdon tjerat. Kam informata se ka suficit buxhetor çdo vit Prishtina, andaj, mos t’i dërgon paratë diku tjetër, por tek fëmijët me autizëm, sepse më të vërtetë prindërit janë në hall. Edhe nënat kanë nevojë për trajtime psikologjike”, tha ajo.

    Valentina Rrahmani, nënë e një fëmije me autizëm, është shprehur po ashtu e shqetësuar me këtë situatë.

    “Ne si prind çfarë po kërkojmë prej shteti është terapitë e fëmijëve tonë me qenë pa pagesë, nuk është kërkesë luksi, është bazë për këta fëmijë. Një fëmijë me autizëm do të behet adoleshent me autizëm, nëse tash nuk punojmë për ata, t’i integrojmë në shoqëri, kur. Kanë kërkesa shumë, po nisem prej vetes, në familjen time nuk mund të punojmë unë dhe burri, djali im ka nevojë për përkujdesje 24 orë, dhe me një rrogë nuk arrimë të mbulojmë të gjitha. Shteti nuk ofron asgjë, ofron një orë logopedi, por duhet të presësh 2 apo 3 vjet nëse vjen në rend”, tha Rrahmani.

    Edhe një prind tjetër, Rashit Gashi, i cili ballafaqohet me këtë problem, ka thënë se rritja e çmimeve është e papërballueshme për familjet.

    “Përkrahja institucionale ndër vite nuk ka ekzistuar, për mos të thënë këto tre vitet e fundit që tashme veçse po paguhen asistentët, por nuk është e kënaqshme, numri është tepër i vogël. Por, ajo që na intereson neve është që me marrë shërbime pa pagesë. Shërbimet pa pagesë merren vetëm prej institucioneve, çfarë duhet të bëhet në këtë qendër, gjitha shoqatat që janë qoftë prej individëve të themeluara, ose kjo shoqatë, me qenë mbikëqyrja institucionale, që shërbimet ti merr në këtë rast Komuna e Prishtinës, ose qoftë edhe një organ më i lartë se këto. Çmimet janë të papërballueshme për familjet”, tha Gashi.

    Në anën tjetër, Aida Fekaj, nënë e një fëmije autik e cila detyrohet të vije nga Komuna e Fushë Kosovës të sjell fëmijën në këtë qendër, është shprehur se në këtë drejtim duhet të rritet edhe pensioni që marrin fëmijët me autizëm.

    “Është edhe problematika tjetër, pensioni i 100 eurove që marrin fëmijët tonë, gjë që nuk po mjafton, sepse disa prind me ato para e paguajnë autizimin. Tash edhe rritja çmimit do të ndikojë shumë. Me ato 100 nuk do të mundemi të bëjmë asgjë. Kemi edhe rrugën që vijmë prej vendeve të ndryshme, sepse në komunën ku jetoj nuk ka qendër për autizëm. Tash me ngritjen e çmimit qysh do e paguajë unë. Kisha dashtë të merret parasysh kjo dhe të ketë edhe ngritje të pensionit”, tha Fekaj.

    Ndërsa edhe prindi Safete Gashi ka thënë se si lloj proteste karshi kësaj rritje të çmimit, do të detyrohen t’i ndalin fëmijët në shtëpi dhe mos t’i sjellin në qendër me këtë çmim.

    “Kemi vendosur që nga gushti, kjo temë do të mbetet në ajër dhe ne nuk do t’i sjellim fëmijët më, le ta dinë shteti se ne do të rrimë me fëmijë në shtëpi. Me këtë çmim i kemi treguar edhe qendrës këtu që ne do të rrimë me fëmijë në shtëpi sa dëshiron shteti le të ndërmerr në këtë proces. Kjo ka me qenë shumë e dëmshme”, tha Gashi.

    Ndërkaq, anëtari i bordit të Shoqatës së Autizimit, Cenë Krasniqi derisa ka thënë se që 15 vite po përballen me këtë sfidë, ka arsyetuar rritjen e këtij çmimi.

    “Tani nëse këtë prononcim të nënave e shikojmë si reflektim ndaj institucioneve normal që edhe neve i bashkangjitemi, sepse çdoherë edhe kur e kemi formuar shoqatën kemi shpresuar se do ta bëjmë pa pare. Por, mjerisht nuk kemi arrit dhe jemi ardhë në një situatë që për momentin nuk ka më donacione dhe shërbimi i mirëfilltë i fëmijëve neve si shoqatë na kushton me atë çmim që kemi kërkuar. Prindërit i kemi informuar që dy muaj, kemi kërkuar të deklarohen kush a mundet ose jo, sepse, nëse secili prind po shikon vetëm këndvështrimin e vet, atëherë shoqata si mundet. Shoqata nuk ka donacione, nuk ka të hyra prej prindërve, shoqata ka shumë pagesa, i kemi 30 të punësuar…jemi të interesuar për një financim të qëndrueshëm… e kanë premtimin, që në atë moment që vinë donacione, pagesa do të zvogëlohet…Për momentin 60, plus 20 kanë qenë ndihmë sociale, të cilët marrin shërbim minimal 3 orë në javë”, tha Krasniqi.

  • Zbulohet orari ia garave të sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike

    Zbulohet orari ia garave të sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike

    Tashmë është mësuar edhe orari zyrtar i raundeve paraprake të ekipit olimpik të xhudos në Lojërat Olimpike Pari20.

    Lojërat Olimpike do të mbahen nga data 26 korrik deri 11 gusht 2024 në Paris, Francë. Ekipi kosovar do të ndeshet në datat 28 korrik deri 1 gusht 2024, raporton KosovaPress.

    Kosova do të garojë me Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.

    Përveç xhudos, Kosova në olimpiadë përfaqësohet edhe në altetikë dhe not, ndërsa më posjtë keni orarin e plot olimpik për garuesit kosovar.

  • Miratohet Lista e re e Barnave të Rimbursueshme në Shqipëri, shtohen 50 medikamente të reja

    Miratohet Lista e re e Barnave të Rimbursueshme në Shqipëri, shtohen 50 medikamente të reja

    Këshilli Ministrave i Qeverisë së Shqipërisë ka miratuar sot vendimin për miratimin e listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor për të gjithë pacientët që vuajë nga patologji të ndryshme.

    Në një deklaratë për media pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se është një vendim i rëndësishëm për të gjithë ata pacientë të cilët trajtohen me barna dhe medikamente nga mjekët e familjes sa i përket diagnozave të tyre.

    “Në listën aktuale të barnave të rimbursueshme kemi 1191 medikamente, ndërkohë që me vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave kësaj liste i shtohen edhe 50 medikamente të reja, nga të cilat 38 princip aktiv, medikament i ri dhe 18 formë doza të reja. Të gjitha këto barna të reja të shtuara në listën e medikamenteve të rimbursueshme të cilat e çojnë këtë listë në total në 1345 medikamente të cilat do të rimbursohen nga buxheti i shtetit. Janë barna të cilat mbështesin akoma më shumë të gjithë diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, të sëmundjeve pneumonologjike, të sëmundjeve diabetike, kardiovaskulare dhe një sërë patologjish të tjera të rëndësishme, të cilat mbështeten akoma më shumë nga ky vendim më i fundit i qeverisë shiptare”, theksoi Koçiu.

    Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije miratimin e një tjetër vendimi të rëndësishëm në mbështetje të gjithë qytetarëve të prekur nga diabeti, duke zgjeruar fashën e rimbursimit të fishave të diabetit për matjen e glicemisë.

    “Deri më sot ne rimbursojmë fishat e diabetit për të gjithë ata pacientë të cilët vuajnë nga sëmundja diabetike, dhe nga sëmundja për të matur gliceminë ndërkohë që sot kemi shtuar akoma më shumë këtë fashë të mbulimit. Sot kemi nga mosha 0-25 vjeç të rinjtë dhe fëmijët të cilët mbulohen me këto fisha dhe qytetarët nga 65 vjeç e sipër. Ndërkohë, që me vendimin më të fundit ne shtojmë mbulimin me fishat e diabetit falas, pra matjen e glicemisë me fishat e diabetit dhe për dy target grupe shumë të rëndësishme, që janë invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Janë dy mijë invalidë pune që vuajnë nga sëmundja e diabetit dhe afro 1.500 persona me aftësi të kufizuar të cilët do të përfitojnë falas fishat e diabetit”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.