ATV

Author: ATVLive

  • Dosja e Prokurorisë ndaj 23 të akuzuarve për mashtrim me “Call Center”: 4 milionë euro dëmi i pretenduar nga të dëmtuarit

    Dosja e Prokurorisë ndaj 23 të akuzuarve për mashtrim me “Call Center”: 4 milionë euro dëmi i pretenduar nga të dëmtuarit

    Dosja e Prokurorisë për 23 të akuzuarit për mashtrim me “Call-Center”, tregon për një skemë të organizuar kriminale për përfitim të kundërligjshëm në formën e të ashtuquajturës “Cybertranding” apo tregtisë kibernetike.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 6 qershor 2024, të pandehur në këtë rast janë: Andi Fosa, Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivi Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi.

    I akuzuari kryesor për drejtimin e këtij grupi kriminal, 36-vjeçari nga Shqipëria, Andi Fosa ngarkohet në dy dispozitiva të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, ai akuzohet se si pronar i kompanisë “Future Media”, bashkë me Kushtrim Gecajn dhe Idriz Lipën si pjesë e menaxhmentit që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31 mars 2021 kishin vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki.

    Ndërkaq, për të akuzuarit Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, thuhet se ishin në pozitën e operatorëve telefonik, duke telefonuar qytetarët gjermanë që kanë qenë të interesuar dhe tani janë të dëmtuar. Këta të akuzuar, thuhet se janë paraqitur me emra të rrejshëm me qëllim që t’i bindin të bëjnë pagesa në emër të investimit, me premtimin se do fitojnë shuma të larta parash.

    Kurse, Florida Hoti, akuzohet se në pozitën “Back office”, duke vepruar si anëtare e këtij grupi ishte marrë me sigurimin e kontakteve dhe të dhënat e personave të interesuar në Gjermani dhe caktimin e agjentëve me të cilët ata do bashkëpunonin.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, mashtrimi përmes “Cybertranding” ishte kryer përmes platformave që paraqiten si tregtarë në faqet internetit www.goldsteinvest.com,

    www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com, në të cilat shtetasit gjermanë kishin investuar, por që këto para kishin përfunduar në llogarinë e kompanisë “Future Media LLC”. Dëmi i pretenduar vetëm nga të dëmtuarit nga kjo kompani është afër 4 milionë euro.

    Për këtë, Andi Fosa akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Të akuzuarit, Gecaj, Lipa, Hajredini, Tetaj, Kabashi, Zllanoga, Haxhiaj, Qelaj, Kepi, Kala dhe Hoti, akuzohen po ashtu për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 dhe veprën penale të “Mashtrimit”.

    Andi Fosa, për të cilin në aktakuzë thuhet se ka gjendje të dobët ekonomike, bashkë me Idriz Lipën dhe Kushtrim Gecajn, akuzohen edhe për shpëlarje parash në bashkëkryerje nga 2020 deri më 31 mars 2021.

    Sipas aktakuzës, në llogaritë e kompanive “Future Media” dhe “Media Data”, në Prishtinë, kanë hyrë para nga shtete si Çekia, Britania e Madhe, Hungaria, Irlanda, Polonia, Latvia, Sllovakia dhe Bullgaria, përmes bankave korrespodente në Gjermani, të cilat ishin fituar përmes “Call Center”.

    Kështu, në mënyrë që këto para të fituara kundërligjshëm të duken si pasuri e fituar në mënyrë të rregullt, këto mjete janë deponuar në kompanitë “Idan Color” që merret me riparimin dhe ngjyrosjen e veturave dhe “Fosa Beuty Center”.

    Në aktakuzë thuhet se këto kompani kishin lëshuar fatura fiktive në emër të shërbimeve të cilat nuk kishin ndodhur kurrë dhe nuk arsyetonin shumën e transaksioneve që ishin rreth 300 e 50 mijë euro, ku mbi 242 mijë euro me vendim të gjykatës janë ngrirë dhe mbi 107 mijë euro janë paguar në emër të ATK-së.

    Të tre, akuzohen për veprën penale “Shpëlarje parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.

    Për ndihmë në shpëlarjen e këtyre parave, po akuzohen edhe Erald Lila dhe Adem Muqiqi, të cilët në cilësinë e punëtorëve të “Idan Color”, me seli në Prishtinë kishin ndihmuar tre të akuzuarit Fosa, Lipa dhe Gecaj në shpëlarjen e parave duke lëshuar fatura fiktive si dhe kishin bërë pagesa me para në dorë (cash) për kompani tjera të furnizimit në mënyrë që të kishin rritje të qarkullimit për të arsyetuar lëvizjen e parave të kundërligjshme.

    Për këtë, ata akuzohen për “Ndihmë në shpëlarjen e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.

    Sipas Prokurorisë, Klodiana Raçani, Elmedina Reçani dhe Qamie Abazi, akuzohen se në bashkëkryerje kishin ndihmuar Andi Fosën t’i fsheh afër 2 milionë euro, duke i marrë nga banesa e tij dhe dërguar në banesën e tyre, por pas informatave operative të njëjtat ishin gjetur dhe sekuestruar.

    Për këtë, ato akuzohen se në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

    Për vepra të ngjashme kriminale po akuzohen edhe dy kompani tjera

    Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Ilir Sejdija dhe Suana Peja, që nga 2018 deri më 31 mars 2021 duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe strukturuara, ku i akuzuari Fiorin Dervishi si pronar dhe menaxher i kompanisë “Wise Marketing Call SHPK” dhe “Wise Marketing Center SHPK” dhe bashkë edhe me Nexhmedinë Makovcin, kanë qenë pjesë e këtyre kompanive si “team leader”, e që ka pasur edhe pozitën e operatorëve telefonik, me dashje dhe me qellim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, përmes platformave të tilla të njëjtit paraqiten në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com.

    Tutje thuhet se të pandehurit të cilët kanë mbajtur ato pozita “Retention” dhe “FTD” në këtë kompani kanë kontaktuar me persona të interesuar në Gjermani, (tani të dëmtuar) përmes telefoni duke u paraqitur me emra të rrejshëm, me të vetmin qellim që të bindin të bëjnë pagesa në llogarit të ndryshme në shtete në shtete të ndryshme duke i vë të njëjtit në lajthitje me premtime se kinse për të nxjerr fitime të larta e që ata besonin që këto pagesa kanë përfunduar në llogaritë të kompanisë Wise Marketing Call SHPK” dhe “Wise Marketing Center SHPK”.

    Dëmi i shkaktuar nga këto kompani vetëm nga ana e të dëmtuarve që janë paraqitur është mbi 4 milionë euro.

    Aty thuhet se udhëheqësi i grupit, Fiorin Dervishi ishte ekstraduar në Gjermani. Përveç tij, në Gjermani ishte ekstraduar edhe Nexhmedin Merovci i cili mbante pozitën e operatorit telefonik dhe pas ekstradimit të dy kanë përfunduar procedurat gjyqësore.

    Sejdija dhe Peja, po akuzohen për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.

    Në anën tjetër, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa dhe Alen Dhimitri po akuzohen se nga fundi i vitit 2020 deri më mars 2021 si operatorë telefonik në kompaninë “Big Fuse”, kanë mashtruar dhe vënë në lajthim të interesuarit në Gjermani për të bërë tregti kibernetike, por që “investimet” e tyre i kishin kaluar kompanisë.

    Kështu, të dëmtuarve të paraqitur iu kanë shkaktuar dëm mbi 360 mijë euro. Andaj, akuzohen për “Mashtrim” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar konfiskimin e mbi 2 milionë e 320 euro, 9 veturave, katër prej tyre në pronësi të Andi Fosa, një e Fiorin Dervishajt, një e Fatmir Kalas, një e Kushtrim Gecajt dhe një veturë të Erald Lilës.

    Ndërkaq, i akuzuari Andi Fosa në Prokurori kishte deklaruar se kompaninë “Future Media” e kishte themeluar në vitin 2017 e që më 2018-ën e kishte shitur. Ai kishte thënë se aktiviteti i kësaj kompanie ishte kryesisht me telemarketing, e që i ka pasur 10 deri në 15 punëtorë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Fosa në Prokurori ka thënë se komunikimet me kompanitë e jashtme i kanë bërë përmes kontratave e më pas përmes komunikimeve me e-mail dy herë në muaj ku kanë raportuar për punën e tyre.

    I pandehuri Fosa kishte treguar në Prokurori për deponimet dhe transferet e shumta që kishin ndodhur në llogaritë e tij private, në kompaninë “Fosa Beauty Center” e po ashtu në kompaninë “Idan Color” ku ishte bashkëpronar. Ai kishte thënë se të gjitha të hyrat kanë qenë nga dividenta, pagesa mujore, ndërsa në kompaninë “Fosa Beauty Center” përmes pagesave të klientëve.

    Sipas tij, puna që është bërë në “Idan Color” ka qenë e rregullt dhe me letra e që po ashtu nuk ka pas transaksione në mes kësaj kompanie dhe kompanisë “Future Media” në kohën sa ai ka qenë bashkëpronar. Fosa kishte thënë se paratë që i ka pasur në llogarinë personale i ka fituar me rolin e punës që ka pasur në këto kompani.

    Ndërsa, për shumën e parave të gjetura që arrinin shumën mbi një milion e gjysmë euro, aktakuza thotë se Fosa nuk ka dhënë shpjegim për burimin e tyre, duke e lënë hapur mundësinë që në fazat e mëvonshme të procedurës të japë përgjigje për ato.

    I pandehuri Gecaj kishte deklaruar se në vitet 2016-2017 kishte qenë drejtor në “Future Media” pronar i të cilës ka qenë Idriz Lipa e përpara tij ishte Andi Fosa. Gecaj kishte deklaruar se detyra e tij ka qenë puna me shërbime, prezantim i produkteve (gaz dhe rrymë) si dhe një pyetësor.

  • Konsultimet për zgjedhjet, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

    Konsultimet për zgjedhjet, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar per datën 31 korrik kryetarët e partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.

    Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

    “Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi për Express.

    Ai ka sqaruar se “përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”.

    Tashmë ftesës së Osmanit i janë përgjigjur partitë opozitare.

    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.

    Sekretarja e PDK’së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka thënë se në takim do të tregojnë edhe datën e tyre të preferuar.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve, sigurisht që i përgjigjemi ftesës. PDK që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani lidhet me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta. Ne do të marrim pjesë dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty”, ka thënë ajo.

    Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha se AAK nuk ka ndonjë arsye që mos të marrë pjesë në takim, megjithatë ka shtuar se vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.

    “Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre Presidentja konsultimet do t’i zhvillojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, ka thënë ai.

  • Elisa Spiropali, propozohet për kryetare të Kuvendit të Shqipërisë

    Elisa Spiropali, propozohet për kryetare të Kuvendit të Shqipërisë

    Elisa Spiropali, është propozuar për kryetare të Kuvendit të Shqipërisë pas dorëheqjen nga kjo pozitë të Lindita Nikollës.

    Tashmë janë bërë të ditura edhe emrat e ri në kabinetit qeveritar, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

    Siç shkruan Top Channel, në vend të Elisa Spiropalit, e cila ka qenë deri tani ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, vjen Taulant Balla, i cili ishte ministër i Brendshëm.

    Në vend të tij, në pozitën e ministrit të Brendshë, vjen Ervin Hoxha.

    Ndryshime do të ketë edhe në dikasterin e Mbrojtjes, ku në vend të Niko Peleshit do të vie Pirro Vëngu.

    Ndërrim të ministrave do të ketë edhe tek ajo e Financave, ku në vend të Ervin Metes, pozitën e “shefit të Kuletës së Shtetit” do ta zë Petrit Malaj.

    I paprekur nuk do të mbetet as institucion legjislativ.

    Në pozitën e kryetarit të Kuvendit do të vendoset Bledi Çuçi, në vend të Ermonela Felajt.

    Derisa në postin e shefit të deputetëve të Partisë Socialiste, do të vie Niko Peleshi në vend të Bledi Çuçit.

  • Pritje deri në një orë e gjysmë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë

    Pritje deri në një orë e gjysmë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë

    Pritjet të gjata po vazhdojnë të regjistrohen në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë pikë kufitare, kolona është 1200 metra e gjatë dhe pritja arrin deri në 90 minuta.

    Kurse në pikën kufitare të Kullës, mërgimtarët po presin rreth 15 minuta, me një kolonë deri në 80 metra.

    Pikat kufitare të tjera janë më të qeta, me pritje që nuk kalojnë 10 minuta.

  • Trajtimet natyrale të osteoartritit dhe ushqimet

    Trajtimet natyrale të osteoartritit dhe ushqimet

    Një nga problemet më të mëdha me kockat është osteoartriti. Dhimbjet dhe simptomat e saj mund të trajtohen me disa terapi natyrale me bazë bimore. Përpos këtyre terapive, ekspertët rekomandojnë edhe aktivitetin e rregullt fizik.

    Disa nga shenjat më të hershme të sëmundjes janë: ngurtësimi i gishtave, dhimbja e kyçeve dhe kërcitja e gjunjëve.

    Trajtimet natyrale kundër inflamacionit të osteoartritit

    Kapsaicina

    Kapsaicina gjendet tek specat djegës. Ndër përfitimet e shumta që vijnë prej saj është edhe largimi i dhimbjes së osteoartritit. Studimet tregojnë se efikasiteti i kapsaicinës ndihet pas 3 javësh përdorimi.

    Avokado

    Ekstrakti i avokados është gjithashtu efikas në pakësimin e dhimbjes dhe eliminimit të ngurtësimit të gishtave. Megjithatë, ky ekstrakt mund të jetë alergjik për disa njerëz. Edhe konsumi i avokados është i rekomandueshëm.

    Xhenxhefili

    Xhenxhefili është shumë i mirë në largimin e inflamacionit dhe në parandalimin e simptomave të osteoartritit. Ekstraktet e xhenxhefilit duhen marrë rregullisht për të përmirësuar dhimbjen e ijeve apo gjunjëve si pasojë e osteoartritit. Xhenxhefilin ju mund ta konsumoni edhe të freskët si çaj ose në gatime të ndryshme.

    Osteoartriti luftohet nëpërmjet ushqimeve

    Studimet thonë se ngrënia e perimeve, bishtajoreve, drithërave të plota, mishit pa dhjamë dhe produkteve të bulmetit me pak yndyrë është thelbësore për këdo që vuan nga kockat. Ata duhet të shmangin ushqimet dhe pijet e përpunuara që rrisin inflamacionin. Këtu përfshihet sheqeri, uji me sheqerna shtesë apo alkoli. Njerëzit e prekur nga kjo sëmundje duhet të tregojnë kujdes me peshën.

    Mbipesha rrit presionin në kyçe dhe gjymtyrë dhe është faktor rreziku për këtë sëmundje. Ushqimet e pasura me acidet yndyrore omega-3 janë të rëndësishme për mbajtjen nën kontroll të osteoartritit. Këto acide ju mund t’i merrni nga sardelet, salmoni, skumbria, arrat dhe farat e linit. Nëse dëshironi të merrni suplementë AgroWeb.org rekomandon të konsultoheni më parë me mjekun.(AgroWeb)

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme, temperaturat deri në 34 gradë Celsius

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme, temperaturat deri në 34 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

    Moti mbi vendin tonë gjatë këtyre ditëve do të mbajë kryesisht me diell, por do të ketë edhe vranësira.

    Sipas IHMK-së, temperaturat gjatë javës së ardhshme do të lëvizin nga 10 gradë Celsius minimalet deri në 34 gradë maksimalet.

    “Indeksi UV mbetet i lartë , prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të mos ju ekspozohemi rrezeve direkte të diellit. Muaji korrik po përmbyllet me një mesatare të lartë të temperaturave maksimale dhe me deficid të reshjeve”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

    E hënë- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes.

    E martë- Mot kryesisht i ngjajshëm por më i freskët se dita e hënë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 -13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëviin ndërmjet 27-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme.

    E mërkurë- Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-32 gradë Celsius.Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    E enjte- Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, më të fokusuara rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E premte- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara . Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë Celsius. Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme , e lehtë deri mesatare.

  • Musliu: Kosovës i duhet PDK-ja, kjo parti do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë

    Musliu: Kosovës i duhet PDK-ja, kjo parti do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë

    Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me qytetarët në Skënderaj. Ajo thënë se PDK do të “kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës”.

    Ajo ka shtuar se “qëndrueshmërinë e votuesve tanë duhet ta përkthejmë në program politik për fitore”.

    Partia Demokratike e Kosovës, nuk është thjeshtë parti politike, Partia Demokratike është sakrifica dhe lufta për liri, është historia e pavarësisë, shtetndërtimit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Partia Demokratike është zëri i atdhedashurisë. Prandaj PDK duhet dhe do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ky ishte tenori i debatit tim me qytetarët e Skenderajt. Këtë ndjenjë qytetare ne duhet ta marrim me seriozitet sepse është ndjenja që këtë popull dhe këtë vend e mbajten të papërkulur me mijëra vjet. Atdhedashurinë dhe krenarinë e votuesve tanë, ne duhet ta komportojmë në vizion politik për të ardhmen e Kosovës. Qëndrueshmërinë e votuesve tanë duhet ta përkthejmë në program politik për fitore”, ka thënë ajo.

  • Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Nga 29 vatra të raportuara, 6 ende aktive

    Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Nga 29 vatra të raportuara, 6 ende aktive

    Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë raportuar 29 vatra zjarri.

    Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave.

    “Vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qëndror“.

    “Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, sot vijojnë me intesitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale të bashkisë Lezhë, të mbështetura nga bashkia Tiranë dhe Forcat e Armatosura vatra është nën kontroll, por vijon puna nga forcat operacionale vendore dhe efektivë të FA.

    Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj, bashkia Has i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll, të bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intesitet të ulët. Forcat e Armatosura, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në ato zona ku është kërkuar ndërhyrja e tyre“, njofton Ministria e Mbrojtjes.

  • Të gjitha karakteristikat e personave me sy të kaftë

    Të gjitha karakteristikat e personave me sy të kaftë

    Janë cilësi të ndryshme që do t’i gjeni gjithmonë tek njerëzit me sy kafe.

    Thonë se sytë janë pasqyra e shpirtit. Shiko me kujdes sytë e personit që ke afër dhe përpiqu të shikosh në thellësi të syve të tij për të kuptuar nga ç’emocione dhe ndjenja përshkruhet në këto momente. Sytë e njeriut mund të jenë të ngrohtë dhe me dritë, apo të ftohtë dhe të përhumbur, ndaj ne nuk mund ta kuptojmë gjithmonë se çfarë ka brenda tyre.

    Çdo njeri që ka sy të ndritshëm është i bekuar, ashtu si disa njerëz që kanë ngjyrë të rrallë në sy, përmes së cilës fshehin mjaft tipare të karakterit. Ngjyrat e ndryshme të syve kanë tërhequr gjithmonë njerëzimin, madje edhe shkencën për të zbuluar kohë pas kohe se pas saj (ngjyrës) fshihen cilësi të pafundme personaliteti, transmeton “Living”.

    Por çfarë mund të tregojë më shumë për jetën e një personi ngjyra e syve? Për pjesën më të madhe të njerëzve në botë, që kanë ngjyrë kafe të syve, tani kërkohet pak vëmendje. Kur themi kafe, të gjithë kemi parasysh atë dritën midis kafes së ëmbël dhe kafes jo shumë të errët. Njerëzit me sy ngjyrë kafe janë tërheqës dhe të sigurt. Është një ngjyrë e fortë dhe e çmuar edhe për shkak se është ngjyra e Tokës. Si e tillë, karakterizohet nga thjeshtësia, kreativiteti dhe pozitivizmi. Janë cilësi që do t’i gjeni gjithmonë tek njerëzit me sy kafe.

    Janë të pavarur, të sjellshëm, të kujdesshëm dhe kanë shumë dëshirë të kenë miq të rinj.

    Janë gjithmonë në përpjekje për të zbuluar gjëra të reja në jetë.

    Por janë edhe praktikë, kur është fjala për kujdesin ndaj njerëzve.

    Janë të përgjegjshëm, krenarë e kokëfortë për gjërat që duan.

    Kanë tendencë ta tregojnë dashurinë për njerëzit që kanë rreth vetes.

    Janë zakonisht njerëz të lumtur dhe e konsiderojnë veten me fat, sepse e ndjejnë veten pranë natyrës, shijojnë gjithçka të krijuar nga ajo.

    Edhe pse kanë një vetëbesim të theksuar dhe janë të vendosur, ndonjëherë mund ta shohin të vështirë të kuptohen nga njerëzit.

    Nuk e përshfaqin plotësisht veten, sepse u mungon besimi i plotë tek të tjerët. Dashurojnë shumë dhe janë besnikë të palëkundur.

    Nëse doni të keni një marrëdhënie të sigurt dhe të gjatë, kaloni nga rruga e atyre që kanë sy kafe.

  • Blinken thotë se ShBA-ja nuk do të paragjykojë rezultatin e zgjedhjeve në Venezuelë

    Blinken thotë se ShBA-ja nuk do të paragjykojë rezultatin e zgjedhjeve në Venezuelë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të paragjykojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Venezuelë të dielën, por u bëri thirrje partive të respektojnë procesin demokratik.

    Pak para fillimit të votimit në vendin e Amerikës së Jugut, Blinken tha në një konferencë shtypi në Tokio se ShBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar do të vëzhgojnë nga afër votimin.

    “Shtetet e Bashkuara nuk do të paragjykojnë rezultatin. Kjo është një zgjedhje që duhet të bëjnë venezuelianët, por populli venezuelian meriton një zgjedhje që pasqyron vërtet vullnetin e tyre, pa asnjë manipulim”, tha Blinken.

    Uashingtoni lehtësoi sanksionet ndaj industrisë së naftës të Venezuelës tetorin e kaluar në përgjigje të një marrëveshjeje midis presidentit Nicolas Maduro dhe partive opozitare, por më vonë rivendosi sanksionet mbi veprimet që Uashingtoni tha se kërcënonin një proces zgjedhor demokratik gjithëpërfshirës.