ATV

Author: ATVLive

  • Serbia dhe Rusia bashkërisht festojnë 80 vjetorin e çlirimit të Beogradit

    Serbia dhe Rusia bashkërisht festojnë 80 vjetorin e çlirimit të Beogradit

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar ambasadorin rus Alexandar Botsan-Kharchenko, me të cilin u morën vesh që bashkërisht të shënojnë 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit.

    “Një takim shumë i mirë me ambasadorin e Federatës Ruse Alexander Botsan-Kharchenko. Ne u morëm vesh që bashkërisht të festojmë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit. Diskutuam tema me interes të përbashkët, veçanërisht në fusha të tilla si tregtia, kultura dhe siguria rajonale”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram, transmeton Paparaci.

    Ai ka shtuar se ka ritheksuar mirënjohjen e tij ndaj Federatës Ruse për mbështetjen e saj diplomatike ndaj Serbisë në arenën ndërkombëtare në çështjet me rëndësi thelbësore për vendin tonë.

    “Kemi shkëmbyer mendime për situatën aktuale në vend dhe rajon dhe kam ripërsëritur qëndrimin konsistent të Serbisë se mbron dialogun dhe mjetet diplomatike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe se Serbia është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha iniciativat që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin”, ka pretenduar Vuçiq.

  • Obiliq, arrestohet pasi kanosi policët

    Obiliq, arrestohet pasi kanosi policët

    Të dielën në Obiliq është arrestuar një person pasi i ka kanosur tre policë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti i kishte kanosur tre viktimat meshkuj kosovar, zyrtarë policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    “Gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë (thikë)”.

    “I dyshuari ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm edhe në rigjykim

    Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm edhe në rigjykim

    Gjykata Themelore e Ferizajt ka shpallur aktgjykim dënues edhe në rigjykim ndaj Dardan Krivaqës, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa është liruar nga akuza për dhunim. Kurse, i akuzuari Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje, kurse është liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në dënimin me burgim, të njëjtëve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Po ashtu, sipas aktgjykimit të akuzuarit obligohen t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 400 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi

  • Aksion kundër krimit të organizuar, arrestohen gjashtë persona në Prizren

    Aksion kundër krimit të organizuar, arrestohen gjashtë persona në Prizren

    Prokuroria Speciale Kosovës, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në kuadër të së cilit janë kontrolluar disa lokacione në rajonin e Prizrenit.

    Në njoftim thuhet se gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së.

    “Personat e arrestuar janë SH.K., A.K., G.H., N. J., K.M. dhe A. M. dhe për të njëjtit Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me tutje me masat tjera procedurale”, thuhet në komunikatë.

  • ​66 vjet nga krijimi i NASA-s

    ​66 vjet nga krijimi i NASA-s

    Ish-presidenti amerikan, Dwight Eisenhower, më 29 korrik 1958, nënshkroi ligjin për krijimin e Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA.

    Kjo agjenci e re civile zëvendësonte Komisionin Këshillimor Kombëtar të Aeronautikës, që ishte krijuar 47 vjet më parë.

    NASA do të merrej me programet amerikane të hapësirës, një pjesë e madhe e të cilave drejtoheshin nga Departamenti i Mbrojtjes.

    Shumë shpejt NASA filloi planifikimin e një projekti për dërgimin e një misioni vajtje-ardhje me njerëz në hënë.

    Presidenti Eisenhower nënshkroi ligjin për krijimin e NASA-s tetë muaj pasi bota mësoi se Bashkimi Sovjetik kishte lansuar satelitin e tij Sputnik 1.

  • Të shtënat me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare, policia arreston 13 persona

    Të shtënat me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare, policia arreston 13 persona

    Trembëdhjetë persona janë arrestuar në 24-orët e fundit në rajonin e Pejës, Gjakovës dhe Ferizajt, pasi të njëjtit dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në ahengje familjare.

    Të dyshuarit tashmë janë dërguar në mbajtje, ndërsa policia ka sekuestruar armë dhe municion në këto rajone.

    “Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, gjatё vikendit ka pranuar informacione se ka tё shtёna nё ahengje familjare nё Pejё dhe Klinё, nga njёsitet relevante janё gjetur dhe sekuestruar: Njё armё pistoletё Blow Tr 17 cal 9mm, njё armё pistoletё Blow Tr 17 cal 9mm, njё armё pistoletё TT, njё karikator tё sё njejtёs armё, njё armё pistoletё Zoraki cal 9mm, njё karikator tё sё njëjtёs armё dhe 59 gёzhoja”, thuhet në njoftim.

    Policia shton tutje se katёr nga pёrsonat e dyshuar pas intervistimit mё vendim tё prokurorit dёrgohen nё mbajtje pёr 48- orё, ndёrsa njёri nga tё dyshuarit lirohet nё procedurё te rregullt.

    Ndërsa, policia në Gjakovë njofton se në dy ahengje familjare ka pasur të shtëna me armë zjarri.

    “Patrulla policore e Stacionit Policor në Gjakovë rreth orës 23:00 pasi ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, ka
    arritur të identifikon dhe arreston një të dyshuar (R. K., i lindur në vitin 1983 mashkull kosovar) mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri. Në cilësinë e provave materiale është
    sekuestruar një pistoletë dhe katër gëzhoja”, bëhet e ditur nga policia.

    Policia shton tutje se në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë është arrestuar i dyshuari K.B., mashkull kosovar i lindur në vitit 1985 pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri.

    “Në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja”.

    Kurse në Ferizaj, policia njofton se ka arrestuar gjashtë persona, pasi të njëjtit dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjarë.

    “Policia e stacionit në Ferizaj me datën 27.07.2024 rreth orës 17:00 ka pranuar një informacion se në fshatin Koshare të Ferizajt, në një aheng familjarë kishte të shtëna me armë të zjarrit. Policët e rendit dhe hetuesit policorë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë disa persona, tek të cilët janë gjetur armë të zjarrit, me të cilat dyshohet se kishin shtënë gjatë ahengut”, thuhet në njoftim.

    Tutje, policia bën të ditur se të dyshuarit janë dërguar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.

    Ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmë-automatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit.

    Rasti është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” , ” Armëmbajtje pa leje ” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia e Kosovës ka bërë apel që qytetarët të mos përdorin armë zjarri gjatë festave.

  • Eliminohet Nora Gjakova

    Eliminohet Nora Gjakova

    Kampionia olimpike në kategorinë deri në 57 kilogramë në xhudo, Nora Gjakova, është eliminuar nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

    Gjakova u mposht nga xhudistja mongoleze Enkhriilen Lkhagavatogo në rrethin e parë të garave.

    Ajo është një nga sportistet më të suksesshme në historinë e Kosovës.

    Gjakova deri më tani ka arritur të fitojë mbi dhjetë medalje të arta: një medalje të artë olimpike, dy medalje të arta në Grand Slam, një në Kampionatet Kontinetale, pesë në Grand Prix dhe tri në garat evropiane.

  • Akil Gjakova e nis me fitore në Paris

    Akil Gjakova e nis me fitore në Paris

    Akil Gjakova e ka fituar duelin e parë në Lojërat Olimpike në Paris.

    Xhudisti kosovar e ka mposhtur brazilianin Daniel Cargnin në kategorinë deri në -73 kg.

    Kësisoj, Gjakova ka kaluar në mesin e 32 më të mirëve në kategorinë e tij.

    Duelin e radhës, ai pritet ta zhvillojë pas rreth një ore.

  • Vikendi me qindra aksidente në trafik, policia publikon shifrat shqetësuese

    Vikendi me qindra aksidente në trafik, policia publikon shifrat shqetësuese

    Gjatë vikendit të fundit, në rrugët e Kosovës është vërejtur një numër i madh i aksidenteve në trafik.

    Sipas policisë, të shtunën dhe të dielën janë raportuar gjithsejtë 186 aksidente trafiku prej të cilave një ka përfunduar me pasoja fatale në Suharekë.

    Policia ka njoftuar se përveç aksidentit fatal kanë ndodhur edhe 58 aksidente tjera me persona të lënduar dhe 127 me dëme materiale.

    Ndaj pjesëmarrësve në trafik që kanë thyer rregullat e komunikacionit, gjatë kësaj periudhe policia ka shqiptuar 3 516 gjoba kundërvajëse.

  • Fondi Saudit i Zhvillim kredi Kosovës për magjistralen Prishtinë – Mitrovicë

    Fondi Saudit i Zhvillim kredi Kosovës për magjistralen Prishtinë – Mitrovicë

    15 milionë euro është kostoja e kredisë së nënshkruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Saudit për Zhvillim, për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.

    Kjo kredi është nënshkruar për financimin e segmentit që fillon nga Smrekonica deri në Mitrovicë dhe është një gjatësi prej 5 kilometra.

    Në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marr pjesë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe përfaqësuesit e Fondit Saudit për Zhvillim.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut. Shtoi se projekti ndikon në përmirësim të jetës së qytetarëve.

    “Me këtë marrëveshje Fondi Saudit për Zhvillim do të mbështesë me një kredi prej 15 milionë euro që fillon nga Smrekonica deri në Mitrovicë dhe është një gjatësi prej 5 kilometra. Ky segment është pjesë e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë”, tha Aliu.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove.

    “Sot jemi mbledhur që të përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja ditore në këtë rrugë është në nivelin për 27 mijë automjete. Marrëveshja kap vlerën rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërisë së Arabisë Saudite”, tha Murati.

    Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.

    “Ky është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes Kosovës dhe Fondit Saudit. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot është vazhdim i projektit që është financuar nga fondi që është bërë në vitin 2013. Kjo zgjatje do ta zgjeroj rrugën në dy anët në dy autoudhë. Do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet”, u shpreh ai.