ATV

Author: ATVLive

  • Kryeministri i Serbisë e pranon se deklarata gjithëserbe është bazë për luftën politike nëpër zonat ku jetojnë serbët

    Kryeministri i Serbisë e pranon se deklarata gjithëserbe është bazë për luftën politike nëpër zonat ku jetojnë serbët

    Kuvendi i Serbisë dje miratoi Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb, për të cilën kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se është “baza e luftës politike për mbijetesën e serbëve në këto zona”.

    Për Deklaratën votuan 139 deputetë, nëntë ishin kundër dhe gjashtë deputetë nuk votuan.

    Deklarata u shpall në “Asamblenë Gjithëserbe” në Beograd dhe pasi ajo tashmë ishte miratuar në parlamentin e BiH. entiteti Republika Srpska, pasuar nga miratimi i tij në parlamentin serb.

    Vuçeviq kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve për miratimin e tij, duke treguar se para deputetëve nuk është program partiak, por “program popullor” në zhvillimin e të cilit kanë marrë pjesë të gjithë “faktorët kyç” të shoqërisë.

    Deputeti i opozitës Radomir Lazoviç i Frontit të Gjelbër-Majtas e quajti deklaratën e propozuar një “pamflet nacionalist”.

    Deklarata përmban 49 pika në të cilat ndër të tjera thuhet se populli serb përfaqëson një entitet unik.

    Në Deklaratë thuhet se Parlamenti nuk e mbështet Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u votua në Kombet e Bashkuara në fund të majit.

    Në tekst thuhet, ndër të tjera, se Parlamenti e konsideron “të papërshtatshme” emërimin e një përfaqësuesi të lartë në BeH në kundërshtim me aneksin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

    Thuhet se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është “shkelur në mënyrë të përhershme dhe të konsiderueshme”, dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë janë thirrur që t’i kthehen respektimit të saj.

    Në Deklaratë thuhet se Sretenja 15 shkurti është Dita e Shtetësisë së Serbisë dhe Dita e Shtetësisë së Republikës Srpska, të cilat duhet të bashkohen dhe festohen së bashku.

  • Data e opozitës për zgjedhjet parlamentare, PDK, LDK e AAK propozojnë të njëjtën

    Data e opozitës për zgjedhjet parlamentare, PDK, LDK e AAK propozojnë të njëjtën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të mërkurën ka mbajtur një takim me liderët e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve parlamentare.

    Të pranishëm në takim nuk ishte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Listës serbe.

    Pas takimit me presidenten Osmani janë deklaruar krerët e opozitës, të cilët kanë propozuar datën e njëjtë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka treguar se në takimin me presidenten Osmani ka propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta nacionale në Kosovë.

    Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme.

    “Prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka thënë Krasniqi.

    E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një deklaratë pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.

    Ai tha se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të filluara nga 26 korriku, ku janë të përfshira 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

    Abdixhiku shprehu shqetësimin se përpjekjet për shpërbërjen e Kuvendit dhe shmangien e përgjegjësisë nga Qeveria janë të panevojshme dhe të dëmshme, veçanërisht në këtë moment kritik për vendin.

    Në takim nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

    Në përputhje me afatet kushtetuese, Abdixhiku propozoi datën 26 janar 2025 si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një Qeverie të re që do të parandalojë zhbërjen e shtetit dhe do të rikthejë orientimin pro-perëndimor, si dhe do të fokusoheshin në zhvillimin dhe mirëqenien qytetare.

    “Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë dhe rikthim tek qytetari, ato na vijnë në një moment kritik për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, tha Abdixhiku.

    Lidhur me takimin me presidenten Osmani ka shkruar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Ai ka thënë se shpreson që Osmani ta përfillë kërkesën e partive parlamentare për mbajtjen e zgjedhjeve me 26 janar

    Ai tha se kjo datë përfaqëson opsionin e parë në përputhje me afatet ligjore për organizimin e zgjedhjeve.

    Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e partisë Alternativa ka marrë pjesë në takim konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 9 ose 16 shkurt 2025.

    Kusari, përmes një postimi në Facebook, në cilësinë e kryetares së Alternativës, e cila është në Qeverinë Kurti dhe shefe e Grupit parlamentar të LVV ishte e ftuar sot në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.

    “Ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës”, ka shkruar Kusari-Lila, transmeton Telegrafi.

    Ajo ka thënë se “gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës, e ritheksova gatishmërinë tonë të mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta”.

    “Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor”, ka shkruar ajo.

    Ndërkaq, partitë e pakicave joserbe shprehen të gatshme të pranojnë datën e shumicës, ose datën që do të përcaktojë Presidentja.

    Ndryshe, sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt. /Telegrafi/

  • Sot radha e xhudistes Loriana Kuka

    Sot radha e xhudistes Loriana Kuka

    Në Lojërat Olimpike në Paris Kosova sot do të paraqitet me një tjetër xhudistë e cila synon që të futet në zonën e medaljeve. Bëhet fjalë për Loriana Kukën e cila në luftën e parë do të ballafaqohet me xhudisten Metka Lobnik nga Sllovenia.

    Lufta e Lorianës pritet të nis rreth orës 10:00. Dri më tani, Kosova ka rrëmbyer dy medalje në Paris nga sporti i xhudos. Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu atë të bronztën, raporton KP.

  • Mot me diell të enjten në Kosovë

    Mot me diell të enjten në Kosovë

    Mot me diell e vranësira të pakta do të mbizotërojë të enjten në Kosovë, ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik.

    IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

  • AAK propozon datën 26 janar 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve

    AAK propozon datën 26 janar 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar 26 janarin e vitit të ardhshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, raporton EO.

    Nga takimi që është mbajtur me presidenten Vjosa Osmani, Haradinaj ka thënë se kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore, ndërsa sipas tij të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare.

    “Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare”.

    “Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, ka shkruar Haradinaj.

  • Krasniqi pas takimi me Presidenten: Propozova 26 janarin e vitit 2025 si datën kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale

    Krasniqi pas takimi me Presidenten: Propozova 26 janarin e vitit 2025 si datën kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar se në takimin me presidenten Osmani ka propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datë optimale për mbajtjen e zgjedhjve të rregullta nacionale në Kosovë.

    “Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje.

    PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka thënë ai ndër të tjera.

    Postimi i tij i plotë:

    Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme.

    Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje.

    PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian.

    PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit.

  • Kamala Harris i kërkon Donald Trumpit debat kokë më kokë

    Kamala Harris i kërkon Donald Trumpit debat kokë më kokë

    Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë në një sallë të stërmbushur e të entuziazmuar në Atlanta se 98 ditët e ardhshme do të jenë një luftë, porse në fund demokratët do t’i fitojnë zgjedhjet presidenciale, duke e ngacmuar Donald Trumpin, i cili një ditë më parë ka shprehur mëdyshje kur është pyetur për një debat sy më sy në javët e ardhshme, shkruan agjencia e lajmeve, AP.

    “Momentumi në këtë garë po ndryshon”, ka thënë kandidatja e mundshme e demokratëve. “Dhe ka shenja se këtë po e ndjen edhe Donald Trumpi”.

    Pak më shumë se një javë më parë, Georgia dukej se po u rrëshqiste demokratëve nga duart: Fushata e Joe Bidenit ishte zotuar të përqendrohej më shumë në ruajtjen e mbështetjes në shtetet e “murit të kaltër” të demokratëve dhe sinjalizoi mund të shmangte angazhimin e madh në fushëbetejat e “Sun Beltit”. Por tani që Biden është tërhequr nga kandidimi dhe Harrisi shihet si kandidatja pothuajse e zyrtarizuar, demokratët po shkrehin shpresën e zgjerimit të basenit elektoral.

    Në shtetin që i dha Bidenit fitoren më të ngushtë më 2020, Harrisi ka mbajtur një tubim të madh për ta sinjalizuar Trumpin: Një aktivitet i madh, plot me mbështetës që brohorisnin emrin e saj, derisa ajo po ngacmonte rivalin republikan dhe bashkgaruesin e tij JD Vance, duke e quajtur “të çuditshme” politikën e tyre dhe vlerësuar si të prapambetura premtimet e tyre.

  • Policia në Mitrovicë shpërndan fletushka me mesazhe vetëdijesimi për parandalimin e zhurmës dhe bezdisjes

    Policia në Mitrovicë shpërndan fletushka me mesazhe vetëdijesimi për parandalimin e zhurmës dhe bezdisjes

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, me qëllim të vetëdijesimit dhe parandalimit të zhurmës dhe bezdisjes, ka filluar së realizuari aktivitet vetëdijesimi me moton: “Mos shkakto zhurmë-bezdisje”.

    Bëhet e ditur se përmes këtij aktiviteti dhe shpërndarjes së fletushkave, synohet të vetëdijesohen qytetarët, e në veçanti veprimtaritë e bizneseve në parandalimin e zhurmës dhe bezdisjes.

    “Angazhimet e shtuara policore do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror, me prioritet kohor do të jenë orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, ku në fokus do të jenë zonat ku operojnë lokalet e natës, restorantet, kafeteritë e diskotekat”.

    “Nëse zhurma është e padurueshme dhe ju pengon, thërrisni Policinë në numrin 192”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Osmani thotë se nuk i di arsyet pse mungoi Kurti

    Osmani thotë se nuk i di arsyet pse mungoi Kurti

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se brenda pak ditëve do të shpallë datën e zgjedhjeve të rregullta.

    Pas takimit me liderët politikë të mërkurën, Osmani tha se datat për zgjedhje në bazë të ligjit janë mes 26 janarit, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurti.

    Sipas saj, partitë kishin preferenca të ndryshme brenda këtyre datave.

    Duke folur për mungesën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kryeministrit të vendit, ajo tha se nuk i di arsyet e një veprimi të tillë.

    Ajo tha se duke qenë se prezentë ishin të gjithë kryetarët e partive politike, nuk ka dashur të thyejnë këtë parim, pavarësisht kërkesës për të qenë prezentë nënkryetari Glauk Konjufca.

    E para e vendit shtoi se caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta nuk nënkupton se nuk mundet të ketë zgjedhje të parakohshme, por theksoi se për një gjë të tillë nuk pa disponim nga partitë politike.

  • 84 vjet burgim ndaj pesë të akuzuarve për vrasjen e 23-vjeçarit në Volljakë të Klinës

    84 vjet burgim ndaj pesë të akuzuarve për vrasjen e 23-vjeçarit në Volljakë të Klinës

    Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi, duke i dënuar me 84 vjet burgim (së bashku) për vrasjen e F.H., në Volljakë të Klinës. Ndërsa, i akuzuari Ylli Gashi u lirua nga akuza.

    Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndaj të akuzuarit Nderim Gashi, për veprën e parë “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, gjykata ka shqiptuar dënim me 28 vjet burgim, për veprën e dytë “Vrasje e rëndë në tentativë” me 10 vite, për veprën e tretë “Armëmbajtje pa leje” me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënimin unik prej 28 vjet burgim.

    I akuzuari Basri Gashi për veprën e parë “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, u dënua me 11 vjet burgim, për të dytën “Vrasje e rëndë në tentativë” me 6 vite burgim. Ndaj të njëjtit, është shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim.

    I akuzuari i tretë Agron Gashi, për veprën e parë penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, u dënua me 11 vjet burgim, për veprën e dytë “Vrasje e rëndë në tentativë” me 6 vjet burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim.

    I akuzuari i katërt Ardit Gashi, për veprën e parë “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje u dënua me 10 vjet burgim, për veprën e dytë “Vrasje e rëndë në tentativë” me 5 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënim unik prej 13 vjet burgim.

    I akuzuari i pestë Bahri Gashi, për veprën e parë “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje u dënua me 10 vjet burgim, për veprën e dytë “Vrasje e rëndë në tentativë” me 5 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënim unik prej 13 vjet burgim.

    I akuzuari i gjashtë Ylli Gashi, u lirua nga akuza për tri vepra penale: “Ndihma në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, “Ndihma në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

    Në dënimin burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Të akuzuarit secili veç e veç obligohen të paguajnë shumën prej 100 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Po ashtu, në emër të paushallit gjyqësor nga 100 euro dhe 50 të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Të dëmtuarit, për kërkesën pasurore-juridike u udhëzuan në kontest civil.

    Pesë të akuzuarve që u dënuan me burgim, iu vazhdua masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.

    Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkonte gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.