ATV

Author: ATVLive

  • Qiti me armë në ajër gjatë dasmës, arrestohet babai i dhëndrit në Suharekë

    Qiti me armë në ajër gjatë dasmës, arrestohet babai i dhëndrit në Suharekë

    Mbrëmë në fshatin Peqan të Suharekës, gjatë ahengut familjar në një shtëpi – festës së martesës, pati të shtëna me armë zjarri në ajër.

    Siç raporton klankosova se pas kësaj, në familjen në fjalë kanë shkuar organet e rendit, të cilët kanë gjetur disa gëzhoja dhe konfiskuan armë. Po ashtu në stacion kanë shoqëruar pronarin e shtëpisë, përkatësisht babanë e dhëndrit që po martohej.

    Këto informacione i konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Vesel Gashi, i cili bëri të ditur se patrulla policore tek i dyshuari ka gjetur dhe sekuestruar ne cilësinë provave materiale dy armë: armë automatike AK-47 dhe një pistoletë.

    Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Loriana Kuka fiton me ippon ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike

    Loriana Kuka fiton me ippon ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike

    Xhudistja kosovare Loriana Kuka ka kaluar në rrethin e dytë të garës në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi e mposhti sllovenen Metka Lobnik.

    Ajo e mundi garuesen sllovene me ippon, pasi e hodhi atë në tatami me një lëvizje spektakolare.

    Kuka, 27-vjeçare, do të përballet me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko në kategorinë deri në 78 kilogramë, në kërkim të medaljes së parë olimpike në karrierë.

    Ajo i ka fituar shtatë medalje të arta në karrierë, por ende është në kërkim të një medaljeje të artë në një turne të madh.

    Kuka është xhudistja e fundit e Kosovës e mbetur në garë në Lojërat Olimpike në Paris, pasi katër garuesit e tjerë garuan në ditët e kaluara.

    Kampionia olimpike Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë fundjavën e kaluar, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në fillim të kësaj jave.

    Akil Gjakova dhe Nora Gjakova nuk arritën të fitojnë medalje.

    Kosova i ka fituar dy medalje olimpike deri tani në Paris 2024, dhe pesë në përgjithësi në historinë e saj në Lojëra Olimpike.

    Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

    Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

    Gjashtë prej tyre i kanë përfunduar garat në sportet e tyre përkatëse tashmë, me Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku që nuk arritën të fitojnë medalje.

    Në ditët në vijim do të garojnë edhe Gresa Bakraqi në atletikë, Hana Beiqi në not.

    Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

    Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.

  • Ardhja e mërgimtarëve, kjo është gjendja me kolona të Dheu i Bardhë

    Ardhja e mërgimtarëve, kjo është gjendja me kolona të Dheu i Bardhë

    Ardhja e mërgimtarëve ka shkaktuar kolona në pikat doganore mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar pritjet më të mëdha për të hyrë në Kosovë janë në pikën kufitare në Merdare.

    Kolona në këtë pikë është 250 metra, ku qytetarët për të hyrë në Kosovë duhet të presin deri në një orë, ndërsa në dalje të saj deri në 30 minuta.

    Pikë tjetër më e ngarkuar del të jetë ajo në Kullë, ku pritjet janë në hyrje deri në 20 minuta, ndërsa edhe në dalje po njësoj.

    Pikat tjera raportohen të jenë më qetë, me pritje më së shumti deri në 10 minuta në pikat kufitare si, Jarinje, Muçibabë Bërnjak.

  • Nga sot KEDS-i nis aplikimin e taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor

    Nga sot KEDS-i nis aplikimin e taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor

    KEDS ka njoftuar se nga 1 gushti (sot) do të fillojë aplikimi i taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor, konform metodologjisë.

    KEDS bënë të ditur se vonesat mbi afatet e parapara nga 1 gushti i këtij viti do të kenë edhe kosto shtesë financiare. “Në këtë kontekst, konsumatorët do të paguajnë edhe një taksë neto prej 15 eurosh që, bashkë me TVSH-në, shkon në 17.7 euro, shumë e cila është e paraparë sipas Metodologjisë së Taksave të Kyçjes në Rrjetin e Shpërndarjes, po ashtu e aprovuar nga ZRRE-ja”, u tha në njoftim.

    Tutje, në komunikatë thuhet se shkyçjet nuk janë të lidhura me një shumë të caktuar të borxhit, por me faturën specifike që ka afat kohor se kur duhet paguar

    Për njohësit e ekonomisë, Qeveria e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes përmes ZRRE-së po vazhdon t’ua bëjë jetën më të vështirë qytetarëve të Kosovës.

    Ata thonë se nëpërmjet ngritjes së çmimit të rrymës shto këtu plus tarifën prej 17,7 euro për rikyçje qeveria po miraton këto vendime, që sipas tyre janë të paranueshme dhe të patolerueshme.

  • Krasniqi: Shumë shtete të botës i kanë lakmi Kosovës për sukseset në sport

    Krasniqi: Shumë shtete të botës i kanë lakmi Kosovës për sukseset në sport

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës i ka konsideruar si sukses të jashtëzakonshëm dy medaljet e fituara deri më tani nga xhudistët në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Paris.

    Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë kurse Laura Fazliu atë të bronztën, gjë për të cilën Krasniqi thotë se është rezultat i një pune të palodhshme gjatë katër viteve për këtë olimpiadë.

    “Është një ngjarje shumë e madhe Lojërat Olimpike dhe emocionet në këtë ngjarje janë të pashmangshme e sidomos atëherë kur i sheh sportistët tanë duke performuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke na sjellë suksese dhe medalje nga këto gara. Kjo është edhe një e mirë që puna e palodhshme katër vjeçare e sportistëve tanë, trajnerëve dhe Komitetit Olimpik të Kosovës shpërblehet në këtë mënyrë me medalje. Ky ishte edhe qëllimi ynë që të marrim medalje dhe të kthehemi me medalje”, tha Krasniqi.

    Duke folur për KosovaPress, i pari i KOK-ut, ka thënë se është shumë i kënaqur me dy medaljet e fituara deri më tani në Paris.

    Krasniqi ka shtyar se përtej anës sportive, drejtuesit e KOK-ut po e shfrytëzojnë këtë ngjarje edhe për promovimin e sportit të Kosovës duke zhvilluar takime të rëndësishme me shumë drejtues të komiteteve olimpike botërore.

    Për suksese e arritura në sport, Krasniqi ak thënë se shumë shtete të botës ia kanë lakmi Kosovës.

    “Kosova shihet me një sy të veçantë sa i përket sportit sepse dihet që Kosova është një prej shteteve më të reja të pranuara në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014 dhe që nga atëher Kosova ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mirë duke fituar në çdo olimpiadë medalje. Duke filluar nga Majlinda Kelmendi në Rio, mandej në Tokio 2020 me Distria Krasniqi dhe me Nora Gjakovën dhe tani prapë me Distrian dhe me Laura Fazlun dhe gjithsejtë Kosova ka arritur t’i ketë pesë medalje olimpike që shumë shtet ia kanë lakmi”, theksoi në fund Krasniqi.

    Ndryshe, Kosova do të jetë sërish sot prezentë në podium me xhudisten Loriana Kuka e cila synon të futet po ashtu në zonën e medaljeve.

  • Zvicra feston sot ditën kombëtare

    Zvicra feston sot ditën kombëtare

    Zviceranët sot festojnë ditën e tyre kombëtare.

    1 Gushti përkujton krijimin e Konfederatës Zvicerane që ne njohim sot.

    Në vitin 1291 tre kantone malore u bashkuan dhe firmosën Kartën Federale, e cila ishte baza e Konfederatës së sotme Zvicerane me 26 kantone.

    Një grup burrash liridashës u betuan për besnikëri në livadhin Rutli në bregun e liqenit të Lucernit, në kantonin e Urit.

    Megjithatë, kjo kartë u zbulua në vitin 1758 dhe qeveria zvicerane e konsideroi zyrtarisht atë si dokument mbi të cilin ngrihej shteti i tyre nga fundi i viteve 1800.

    Për herë të parë, 1 gushti u festua në vitin 1891, ndërsa nga viti 1899 u bë festë vjetore.

    Në vitin 1993, zviceranët votuan në masë që 1 gushti të jetë festë kombëtare dhe kështu nga viti pasardhës, pra 1994, kjo datë u bë edhe ditë pushimi.

    1 gushti festohet brenda dhe jashtë Zvicrës me fenerë letre, zjarre dhe fishekzjarrë.

  • Trump: Mendova se Kamala Harris ishte indiane, reagon Shtëpia e Bardhë: Fyese dhe e neveritshme

    Trump: Mendova se Kamala Harris ishte indiane, reagon Shtëpia e Bardhë: Fyese dhe e neveritshme

    “Për shumë vite besoja se Kamala Harris ishte indiane, sepse ajo fliste vetëm për origjinën e saj indiane. Në një moment ajo u bë e zezë.” Këtë e tha Donald Trump në një intervistë me Shoqatën Kombëtare të Gazetarëve me Ngjyrë (National Association of Black Journalists), duke shkaktuar një reagim indinjues nga publiku.

    “Unë kam qenë presidenti më i mirë për të zinjtë që nga Abraham Lincoln”, shtoi kandidati republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë. Deklarata e tij u prit me brohoritje dhe britma, ndërsa Shtëpia e Bardhë i cilësoi fyese dhe të neveritshme.

    “Komentet e Trump për identitetin racor të Harris janë fyese dhe të neveritshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me fjalët e manjatit gjatë një interviste me NABJ (shoqata më e rëndësishme e gazetarëve afrikano-amerikanë me mbi 4 mijë anëtarë), në të cilën ai vuri në dyshim origjinën “black” të rivales së tij në garën për Shtëpinë e Bardhë.

    “Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë askujt se kush është. Kjo është zv.presidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. Ne duhet t’i japim pak respekt emrit të saj, pikë”.

    Pas deklaratave të Trump, që vë në dyshim origjinën e racës së saj ka reaguar edhe Kamala Harris, e cila thotë se amerikanë meritojnë më mirë se Donald Trump.

    “E njëjta shfaqje nga Trump, ne meritojmë më mirë. Amerikanët meritojnë më mirë. Lufta jonë është për të ardhmen dhe për lirinë. Këtë pasdite dëgjuam nga Trump dhe është ende e njëjta shfaqje e vjetër e ndarjes dhe mosrespektimit. Amerikanët kanë nevojë për një lider që thotë të vërtetën, që nuk përgjigjet me armiqësi dhe zemërim ndaj fakteve dhe që kupton se dallimet nuk na ndajnë”, tha Harris.

    Gjatë takimit me shoqatën e gazetarëve ish-presidenti dhe kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë tha gjithashtu se ai do të konsideronte dorëheqjen nëse zgjidhej dhe shëndeti i tij përkeqësohej.

  • Në Iran nis ceremonia e varrimit të liderit të vrarë, Ismail Haniyeh

    Në Iran nis ceremonia e varrimit të liderit të vrarë, Ismail Haniyeh

    Një ceremoni varrimi ka filluar të enjten në Teheran për Ismail Haniyehun, liderin politik të grupit ekstremist palestinez të mbështetur nga Irani, Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Irani ka thënë se Haniyeh, 62 vjeç, u vra më 31 korrik në Teheran nga një sulm ajror, për të cilin e ka akuzuar Izraelin. Ky sulm ka ngjallur frikë për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i udhëhoqi lutjet për Haniyehun, ndërsa në qendër të Teheranit u mblodhën turma njerëzish duke bartur në duar portrete të Haniyehut dhe flamuj palestinezë.

    Haniyeh pritet të varroset të enjten vonë në kryeqytetin e Katarit, Doha. Khamenei ka kërcënuar me “ndëshkim të ashpër” për vrasjen e Haniyehut. Muza Abu Marzuk, anëtar i zyrës politike të Hamasit, është zotuar për hakmarrje gjithashtu.

    “Vrasja e liderit Ismail Haniyeh është akt qyqar dhe nuk do të shpëtojë pa përgjigje”, tha Marzuk.

    Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili ishte i pari që njoftoi vdekjen e Haniyehut, tha se po e heton sulmin në të cilin u vra ai derisa ndodhej në Teheran për të marrë pjesë më 30 korrik në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.

    Qeveria e Izraelit nuk ka komentuar vrasjen e tij, por një fotografi e Haniyehut me një vulë në ballin e tij që mbante mbishkrimin “i eliminuar”, u postua nga zyra për media e Qeverisë izraelite në Facebook. Postimi, i cili u fshi më vonë pa ndonjë shpjegim, nuk tregoi se sulmi u krye nga Izraeli, edhe pse theksoi se zyrtari i Hamasit “u vra nga një sulm i përpiktë në Teheran”.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, për shkak se ky grup e kreu një sulm brenda Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz. Mbi 250 të tjerë u rrëmbyen atë ditë, disa prej të cilëve janë liruar më vonë.

    Disa prej pengjeve kanë vdekur në Gazë, ku Izraeli është i përfshirë në një operacion masiv ushtarak, qëllimi i të cilit thotë se është ta çrrënjosë Hamasin. Një numër i pengjeve besohet se janë ende gjallë.

    Vrasja e Haniyehut ka nxitur frikë se gjendja në rajon do të përshkallëzohet, pasi tensionet kanë qenë vazhdimisht të larta prej se nisi lufta në Gazë.

    Ai u vra në një kohë kur Uashingtoni është duke bërë trysni t’i bindë Hamasin dhe Izraelin të pajtohen për një armëpushim të përkohshëm dhe për një marrëveshje për lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë. Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti janë të përfshirë në rundet e fundit të bisedime për arritjen e një marrëveshjeje.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha për gazetarë se Uashingtoni “nuk është i vetëdijshëm për e as i përfshirë” në vrasjen e Haniyehut dhe se nuk do të spekulojë në ndikimin që mund ta ketë ajo në rajon.

    Ai tha, megjithatë, se “mënyra më e mirë për t’i qetësuar gjakrat” është të bëhet shtytje për një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent më 31 korrik me kërkesë të Iranit për të diskutuar vdekjen e Haniyeh, ku i dërguari i Teheranit, Amir Saeid Iravani, u kërkoi anëtarëve të ndërmarrin “veprim të menjëhershëm për të siguruar llogaridhënie për këto shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

    Ali Mamouri, hulumtues në Universitetin Deakin të Australisë dhe specialist për Lindjen e Mesme, tha për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë se, derisa lufta e plotë rajonale është ende larg, “do të ketë përshkallëzim të niveleve të reja të konfliktit”.

    Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha për Radion Farda se ka “gjasa që iranianët të kërkojnë një mënyrë për të reaguar ndaj eliminimit të Ismail Haniyeh”.

    “Por, unë mendoj se fakti që Qeveria izraelite nuk e pranoi publikisht dhe zyrtarisht asnjë përgjegjësi…do të ndikojë disi në shtrirjen ose skajshmërinë e reagimit të Iranit. Mendoj se [përgjigja e Iranit] do të jetë disi më e moderuar seç do të kishte qenë në rrethana të tjera,” ai tha.

    Haniyeh u bë shef politik i Hamasit në vitin 2017 dhe jetoi në Rripin e Gazës deri në vitin 2019, kur u zhvendos për të jetuar në mërgim në Katar./REL

  • Tre burra të akuzuar për sulmet e 11 shtatorit bëjnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

    Tre burra të akuzuar për sulmet e 11 shtatorit bëjnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë me organizatorin e dyshuar të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed dhe dy të pandehur të tjerë të akuzuar për organizimin e sulmeve terroriste të vitit 2001.

    Marrëveshja paraprake e arritur pas 27 muajsh negociata, heq dënimin me vdekje nga tavolina për Mohammedin, Walid Bin ‘Atashin dhe Mustafa al Hawsawi, thanë prokurorët në një letër, të siguruar nga CNN, dërguar familjeve të viktimave të 11 shtatorit dhe të mbijetuarve pak përpara se Departamenti i Mbrojtjes njoftoi lajmin në një deklaratë për shtyp të mërkurën në mbrëmje.

    Pas fillimit të negociatave në mars 2022, të tre burrat ranë dakord të pranonin fajësinë për të gjitha akuzat, përfshirë vrasjen e 2,976 personave të listuar në fletën e akuzës.

    Sipas letrës, Mohammed dhe të pandehurit e tjerë do të pranojnë fajësinë në një seancë dëgjimore për pranimin e fajësisë që mund të ndodhë javën e ardhshme.

    “Ne e pranojmë se statusi i çështjes në përgjithësi, dhe ky lajm në veçanti, në mënyrë të kuptueshme dhe të përshtatshme do të shkaktojë emocione të forta dhe gjithashtu e kuptojmë se vendimi për të hyrë në një marrëveshje paragjyqësore do të përballet me reagime të përziera mes mijëra të familjarëve që humbën të dashurit”, shkruan prokurorët në letër.

    Marrëveshja mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të akuzuarve për pranimin e fajësisë për 11 shtatorin vjen më shumë se 16 vjet pasi filloi procesi penal ndaj tyre lidhur me sulmet e Al-Kaidës dhe më shumë se 20 vjet pas sulmeve që shkaktuan vdekjen e afro 3,000 personave dhe pas së cilave SHBA filloi lufta në Afganistan që vazhdoi për dy dekada./abcnews.al

  • Dita e pestë e Lojërave Olimpike, kjo është renditja e shteteve sa i përket medaljeve

    Dita e pestë e Lojërave Olimpike, kjo është renditja e shteteve sa i përket medaljeve

    Ka përfunduar edhe dita e pestë e Lojërave Olimpike të Parisit.

    Dita e përmbyll me fitoren e notarit kinez, Pan i cili fitoi medaljen e artë në 100 metra stil i lirë, duke e thyer edhe rekordin botëror.

    E pikërisht Kina prin në renditjen e shteteve me nëntë medalje të arta, shtatë të argjendta dhe tri të bronzta, 19 gjithsej.

    Pas Kinës vjen shteti nikoqir, Franca me gjithsej 26 medalje, tetë të arta, 10 të argjendta dhe tetë të bronzta.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkundër që kanë numrin më të madh të medaljeve, 30 gjithsej gjenden në vendin e shtatë, për shkak se kanë vetëm pesë të arta.

    Kosova, gjendet në pozitën e 32-të me një të argjendtë dhe një të bronztë.