Stuhitë intensive që godasin Evropën qendrore po arrijnë tani në Itali, ku paralajmërimet për shi të dendur, erëra të forta dhe përmbytje janë lëshuar në pjesën më të madhe të vendit.
Përmbytjet janë raportuar tashmë në qytetin qendror të Peskarës, ndërsa alarmet e motit të shërbimit meteorologjik italian zbatohen nga bregu verior i Emilia-Romagna deri në jug, transmeton tch, përcjell Albinfo.
Paralajmërimet vijnë pasi përmbytjet kanë shkatërruar pjesë të Polonisë, Republikës Çeke, Rumanisë dhe Austrisë këtë javë, duke lënë të paktën 21 njerëz të vdekur.
Autoritetet në Kroaci, Hungari dhe Sllovaki po paralajmërojnë gjithashtu për përmbytje në ditët në vijim.
Përmbytjet e konsiderueshme janë shkaktuar nga stuhia “Boris”, e cila solli sasi të mëdha shiu dhe bore në fundjavë.
Më shumë se 5,000 ushtarë janë vendosur për të ndihmuar njerëzit në Poloninë jugore, duke përfshirë 40,000 banorët e evakuuar nga qyteti i Nysa.
Ujërat e përmbytjeve po zvogëlohen në disa vende në rajon dhe po përhapen në të tjera, me shkallën e dëmit të zbuluar në qytete polake si Glucholazy. Ura kryesore e qytetit u shemb pasi u dëmtua nga lumi, ndërsa shumë nga rrugët e tij janë mbuluar me baltë.
Policia polake të martën konfirmoi se të paktën gjashtë persona kanë vdekur, duke paralajmëruar kundër informacioneve të rreme pas raportimeve të mediave që tregojnë se numri i përgjithshëm i njerëzve të vrarë në më shumë se një duzinë.
Kryeministri i vendit, Donald Tusk, ka shpallur një gjendje një mujore të fatkeqësisë natyrore, me përmbytjet më të këqija që pritet të godasin qytetin e Wroclaw të mërkurën.
Zonat përgjatë kufirit çeko-polakë janë ndër më të goditurat, ku 15,000 njerëz janë evakuuar edhe në Republikën Çeke.
Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste ku po bëhet hetimi vdekjes, dy raste në Lipjan ndërsa një tjetër në Prishtinë.
Në Lipjan raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Sipas policisë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet ne IML për obduksion.
Derisa në rastin tjetër në Lipjan policia ka njoftuar se në tavanin e shtëpisë ka gjetur pa shenja jete prindin e tij viktimën mashkull kosovar.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet tutje.
Ndërsa në Prishtinë një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet tutje në njoftim.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dje ndaras në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve të BE-së për të shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Lajçak takoi ndaras të dy palët, por nuk pati një takim trepalësh. Emisari evropian ka thënë se është i zhgënjyer që nuk pati takim trepalësh.
Lajçak ka thënë se i vjen keq që s’u trajtuan çështjet urgjente në një takim trepalësh.
Ai ka shtuar se do të mbetet në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojnë tutje në javët në vijim.
“Prita sot në Bruksel dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dhe delegacionet e tyre për takime të ndara. Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak të mërkurën.
Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, ishte Petar Petkoviq ai i cili kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën, por nuk i bëri të ditura se cilat ishin kërkesat.
“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare. Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, tha Bislimi.
Gjatë takimit atje, u diskutua edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Bislimi ka theksuar se sipas BE-së dhe raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.
“Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.
Njëherit, Bislimi ka thënë se kjo çështje është trajtuar e dakorduar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.
“Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, ka deklaruar Bislimi.
Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha gjatë një konference për shtypin se në takim i ka paraqitur masat e publikuara nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por pa takime trepalëshe negociatat nuk kanë kuptim.
Petkoviq ka akuzuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk ka dashur të ketë takim trepalësh. “Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit, sepse ne kemi insistuar në tema si AKS-ja, shërbime postare dhe çështjet e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Paramendoni kur ai nuk do të flasë për këto gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq.
Pas dueleve të së martës, Liga e Kampionëve do të vazhdojë sot edhe me gjashtë ballafaqime të tjera tejet interesante. Padyshim se vëmendja kryesore sonte do të jetë në stadiumin “Etihad”, aty ku kampioni i Anglisë, Manchester City ballafaqohet me kampionin e Italisë, Interin.
Do të jetë kjo një tjetër përballje e madhe anglo-italiane, pas asaj të së martës ku Liverpooli e mposhti gjigantin italian, Milanin, raporton KosovaPress.
Manchester City dhe Interi u ballafaquan sezonin e kaluar në finalen e Ligës së Kmapionëve ku skuadra e Pep Guardiolas doli fitues dhe u shpall kampion evropian. Kjo ndeshje do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00.
18 shtatori shënon Ditën e Respektit, kjo ditë është themeluar me qëllim që t’i shtyjë njerëzit që të përqendrohen më shumë në mënyrën se si ata mund të respektojnë të tjerët.
Kjo përfshin që t’u kushtoni më shumë vëmendje të dashurve tuaj, mirëpo në përgjithësi merret si një arsye shtesë që t’i trajtoni njerëzit me mënyra më të sjellshme. Nuk ka ndonjë rregull mbi të cilin kjo ditë shënohet, kjo gjë varet nga ju, rrethi dhe nevojat tuaja.
Mund të vizitoni ndonjë të afërm tuajin, apo ta nxirrni partnerin për darkë.
Natyrisht, respekti është diçka që duhet të na shoqërojë gjithë vitin, por kjo ditë duhet të ju frymëzojë që të mendoni më shumë se si silleni me njerëzit rreth jush, përcjell KP.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot për një grabitje të armatosur në fshatin Volljak të Klinës.
Sipas policisë, dy persona të panjohur nën kërcënimin e armës AK-47 u kanë grabitur 3000 euro në një pompë të derivateve në këtë fshat dhe janë larguar në drejtim të panjohur.“Fsh.Voljak, Klinë 17.09.2024-02:45.
Dy viktimat meshkuj kosovarë kanë raportuar se derisa kanë qenë duke punuar në pompën e derivateve, dy të dyshuar të maskuar, nën kërcënimin e armës AK-47 u kanë grabitur 3000 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në njoftim.
Kurrë mos e harroni që një njeri jo normal e kemi pasë zv.ministër të jashtëm. Tash do thoni “ka pasë shumë jonormalë aty”. Unë nuk e di atë punë, e di që së paku një prej tyre, e ka pranuar vetë një gjë të tillë. Cili? Qe njeri.
GJERGJ DEDAJ: “90% e kohës së pasluftës, nuk kam qenë normal”.
Veç sa për rikujtim – ai këtë e thotë duke dëshmu në proces gjyqësor ndaj ish shefave të tij – kujtojmë që Thaçi ka qenë Kryeministër kur ky talent ka qenë diplomat i Kosovës.
Kohëve të fundit, janë shpeshtuar shkrimet dhe editorialet rreth punës së Gjykatës Speciale, ligjshmërisë së vendimeve të kësaj gjykate, pagesave të avokatëve dhe qasjes së shtetit në raport me këtë gjykatë.
Qysh veç mediat e Kosovës dinë, prapë u riaktualizua tema e UÇK-së kundër FARK-ut dhe UÇK-së kundër LDK-së, pikërisht pas dëshmive në këtë gjykatë.
Cilat dëshmi? – qe njeri
IMER IMERI: –“Unë isha shoku i Adem Jasharit dhe jo këta këtu dhe ata tjerët atje”, Mjerisht për këta e keqja- LDK-ja, Presidenti Rugova dhe këqyrshin me na likuidu të gjithëve. Më vjen keq shumë”
Qe po supozojmë që Dedaj nuk ka qenë normal dhe po supozojmë që ka pasë telashe ndërmjet segmenteve të caktuara të UÇK-së me segmente të caktuara të LDK-së, edhe këto tema përfundojnë si dëshmi në Gjykatë Speciale.
Ka edhe një tip tjetër të dëshmive. Çfarë tipi? Qe njeri:
SKENDER ZHITIA: “Po, e kam ribotu në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë por edhe prokurorë kanë shkoqitë fjalë dhe e fjali nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, tha dëshmitari.
Pra, Zhitia ka shkruar libër për zonën operative të Llapit, ku në qindra faqe ka shpjeguar sipas tij veprimtarinë e kësaj zonë operative të UÇK-së. por, kur u ballafaqua me shkrimet e tij, tha që është dashur ta ribotojë librin se i janë nxjerrë fjali nga tërësia.
Këso raste ka edhe më shumë. Ka njerëz që nuk iu kujtohen gjërat, që i kanë shkruar pak si gabimisht, që iu kanë humbë shënimet, etj etj.
E përbashkëta a tyre është një – dikur kanë folë publikisht diçka që në gjykatë nuk janë të gatshëm ta mbrojnë.
Një e përbashkët tjetër është që këta njerëz, këto rasste dhe ky narrativ në përgjithësi është mbajtur jashtë mediave me ndikim në Kosovë, pas luftës.
KOHA dhe 21shi kanë qenë aq profesionale, janë marrë më shumë me raportim dhe jo me tregime e akuza që zor vërtetohen, e shumë polarizojnë.
Shkrimet ku shqiptarët akuzohen për bashkëpunim me Serbinë, për vrasje të shqiptarëve tjerë, për tradhti, për hajni e veprime të ngjashme, kanë qenë specialitet i Botës Sot, Epokës së Re dhe do gazetave, qy gazetave – pamfleteve të margjinalizuara në tregun medial.
Kosova, pas luftës ka shpëtu nga modeli i fëlliqtë i gazetarisë që është bërë në Shqipëri, e që rastësisht kolegë nga Shqipëria duke shkarravitë në Bota Sot kanë tentuar ta imponojnë.
Çka ka ndodhë ndërkohë? Gazetat janë mbyllë sepse kosovarët dihet që i frikohen tri gjërave, roamingut, promajës dhe leximit. Rrjetet sociale kanë fituar terren dhe polarizimi, armiqësimi dhe dezinformomi i popullit që nuk është bërë pas lufte me media të këqija është kah bëhet 5 vitet e fundit me rrjete sociale.
Rrjetet sociale tash janë platformat e reja ku shpallen heronjtë, tradhtarët, intelektualët, budallët, mësohet historia, biologjia, feja, seksi, biznisi dhe gjithçka tjetër me çka një kosovar vendos ta helmojë veten gjatë ditës nëpërmjet telefonit.
Tash i kemi qindra nja 100 media që konkurrojnë për vëmendjen e konsumatorëve në rrjete sociale dhe qindra njerëz tjerë të pa zanat, që po ashtu luftojnë në të njëjtat kanale për vëmendjen e publikut në të njëjtat rrjete.
Edhe pavarësisht dëmit që rrjetet sociale e bëjnë, pavarësisht budallakive dhe rrenave që i shihni n tiktok e poshtë e përpjetë, ai dëm nuk duhet të diktojë politika shtetërore.
Që ti kthehem diplomacisë prapë:
Lënia e Ambasadës së Kosovës në Holandë në duar të disa diplomatëve debutantë dhe amatorë, varfërimi dhe dobësimi i çfarëdo formë të diplomacisë digjitale, pasivizimi total në raport me ofensivën publicistike dhe propagandistike të Serbisë për luftën në Kosovë, tregojnë që kjo Qeveri nuk e ka parë Gjykatën Speciale si çështje diplomatike.
Nëse rrjetet sociale bëjnë dëm ose sjellin përfitime në aspektin e brendshëm, raporti që e ka shteti në raport me luftën vlerësohet në bazë të investimeve që shteti bën në shkencë, në kujtesë, kolektive, në diplomaci dhe në kauzë juridike.
Librat e historisë i kemi të këqij, muze të luftës dhe qendra të mirëfillta të kujtesës kolektive nuk kemi, për diplomaci fola boll, kurse në aspektin juridik prej mega-ideve për padi për gjenocid, kemi ra në diskutime për tërheqje të avokatëve dhe pagesa të tyre.
Kjo qasje e shtetit veç i jep hapësirë spekulantëve dhe e vërteta bëhet më e mjegullt, assesi më e qartë!
Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë, ka thënë se takimi trepalësh me Petar Petkoviqin, kryenegociatorin serb, dhe Miroslav Lajçak, emisarin e BE-së, dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.
“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi./REL/
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.
Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.
Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.
Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.
BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog./REL/