ATV

Author: ATVLive

  • ​Bie nga ndërtesa një femër në kryeqytet

    ​Bie nga ndërtesa një femër në kryeqytet

    Një person ka humbur jetën pasi nën rrethana ende të pasqaruara ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë.

    Zëdhënësja e policisë rajonale për Prishtinë Flora Ahmeti ka thënë për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth 19:00.

    “Në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Viktimë në këtë rast është një person (femër), vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.

    Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë përkatëse, janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

  • Gjykimi për sulmin ndaj zyres se KKZ-së në veri

    Gjykimi për sulmin ndaj zyres se KKZ-së në veri

    Përgatiti: Nora Luta

    Në gjykimin për sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Zgjedhor në veri, në dhjetor të 2022-ës, të enjten dëshmoi ish zyrtari i lartë i saj, Slobodan Dimitrijeviq.

    Dimitrijeviq, u propozua për tu dëgjuar në këtë proces, që filloi janarin e vitit të kaluar nga mbrojtja e Aleksandar Vlajiq.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Milosh Delevic, tha se Vlajiq ia ka dërguar vetëm një fotografi të xhamit të KKZ-së së goditur me gur.

    Sipas Dimitrijeviq, i cili pohoi se kishte dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, për rastin i cili kishte ndodhur sa punonte aty, e kishte njoftuar Policinë.

    “Në fotografi është vërejtur se është shkoqur najloni dhe është vërejtur një vrimë e xhamit të thyer. I jam përgjigjur dhe i kam thënë se e kam lajmëruar më herët. gjatë kohës sa kam qenë në punë e kam riparuar me najlon”, deklaroi Dimitrijeviq.

    E kur u pyet për arsyen e dorëheqjes, tha se e bëri për arsye personale.

    Prokuroria Speciale pati vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, duke e ndërlidhur me dëshminë e atij paraprak.

    Dorëheqja e Dimitrijevicit, kishte ndodhur në kohën kur zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore në katër komunat veriore, dhe policët, gjyqtarët, e prokurorët serbë dhanë dorëheqje nga institucionet.

    Millun Milenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq dhe Miomir Vakiq, sipas PSRK- më 6 dhjetor të 2022-s, kanë kryer sulm terrorist duke hedhur granata dore dhe shok bomba në zyrën e KKZ-së, duke rrezikuar kështu jetën e zyrtarëve shtetërorë.

  • Mungesë kuadrosh, Zubin Potoku në nevojë për zyrtar komunal

    Mungesë kuadrosh, Zubin Potoku në nevojë për zyrtar komunal

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rreth 120 është numri i përgjithshëm i punonjësve në listën e pagave në komunën e Zubin Potokut, por ende nuk janë mbushur zbrazëtitë e lëna nga dorëheqja e pothuajse të gjithë ish-zyrtarëve nga komuniteti serb më 2023.

    Pasi tregoi se nga ky total, 60-70 prej tyre i përkasin komunitetit shumicë në këtë komunë, kryetari Izmir Zeqiri tha, edhe pse jo në kapacitet të plotë, se të gjitha shërbimet dhe zyrat janë funksionalizuar.

    “Kemi ofiqari që lëshojnë certifikata, kurorëzime, etj., natyrisht është zyra e stafit të regjistrimit civil, edhe zyra e tatimit ka filluar të regjistrojë pronat, inspeksioni gjithashtu, mirëpo jo me kapacitet të plota, ka nevojë ende të plotësohet staf, ka nevojë të trajnohen akoma zyrtarët”, tha Zeqiri.

    Derisa si problem ai përmendi edhe nivelin e përgatitjes së zyrtarëve aktualë, ai shtoi se komuna që udhëheq ka hapësirë për një total deri në 200 punëtorë.

    “Kemi bërë përpjekje, kemi pranuar kuadër. Mirëpo, sidoqoftë po shkon me njëfarë ngadalësie prej njëfarë presioni, dihet aty i takon shumicës serbe të jetë e punësuar në të gjitha dikasteret, mirëpo kemi arritur deri diku”, tha Zeqiri.

    Për normalizim të shërbimeve kryetari tha se po përgatiten konkurse, teksa veçoi nevojën për së paku edhe pesë zyrtarë të gjendjes civile, meqë shërbimet tashmë janë të kufizuar në një nga zyrat komunale.

    Në kuadër të punonjësve aktualë komunalë janë disa të arsimit dhe shëndetësisë, që punojnë sipas sistemit të Kosovës.

    Zeqiri fitoi mandatin në zgjedhjet e parakohshme komunale, që u bojkotuan nga Lista Serbe – parti që vetë i kishte shkaktuar ato me dorëheqjet e kryetarëve nga radhët e saj.

    Për disa muaj, Zeqiri ushtroi detyrën nga zyra në Çabër – para se të vendosej në objektin kryesor komunal në Zubin Potok.

  • Fabrika e tekstilit në Stanofc të Vushtrrisë, jashtë funksionit

    Fabrika e tekstilit në Stanofc të Vushtrrisë, jashtë funksionit

    Përgatiti: Egzona Mema

    Kështu duket sot objekti i Fabrikës së Tekstilit të hapur në vitin 2021 në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë.

    Megjithëse kjo fabrikë operoi vetëm një vit meqë pas skadimit të kontratës, puna u ndal.

    “Vendi ku është i ndërtuar objekti nuk është pronë e Komunës, pra titullar juridik I kësaj parcele është kooperativa bujqësore që tani e ka AKP. E kemi kopjen e planit, fletën poseduese që e dëshmon”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Në një përgjigje që i kishte dhënë komunës në vitin 2022, AKP-ja kishte qartësuar si mund të shfrytëzohet parcela, thotë kryetari Ferit Idrizi.

    “Në mënyrë decidive na ka thanë që kjo pronë nuk preket se është e AKP ndërsa për nevojat e veta Komuna mundet me e shfrytëzu”, tha Idrizi.

    Ndërkaq, Fabrika e Tekstilit ishte jetësuar gjatë mandatit të ish-kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit. I njëjti asokohe, në bashkëpunim me një operator ekonomik kishin punësuar 30 gra në këtë fabrikë.

    Në një përgjigje për ATV-në, Tahiri akuzoi kryetarin aktual për mbylljen e fabrikës duke hedhur poshtë arsyet për mbylljen e saj.

    ‘Nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje me AKP, sepse dihet botërisht se ky objekt ka qenë dhe është pronë e Komunës së Vushtrrisë .E kemi dhënë objektin vetëm pasi e kemi ndërtu objektin e ri të Shkollës”, tha Tahiri

    Ndërkaq në objektin e ish-shkollës Migjeni tani kryetari Ferit Idrizi, planifikon të hapë një çerdhe.

  • Renovimi i QKMF-së në Obiliq nuk ka përfunduar

    Renovimi i QKMF-së në Obiliq nuk ka përfunduar

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Renovimi filloi në maj të vitit të kaluar, por punimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq ende nuk kanë përfunduar.

    Zvarritjet i shkaktuan kushtet klimatike por edhe financat thonë zyrtarët përgjegjës. Në anën tjetër qytetarët janë të pakënaqur.

    “Shumë ngadalë. Afërsisht ka një vit që kanë filluar renovimet. Jo vetëm për mua, por për çdo qytetar ka pengesa. Lart është stomatologjia, stomatologjinë e kanë dërguar në Milloshevë. Jo të gjithë mund të shkojnë në Milloshevë… Prej që kanë filluar punimet sidomos prej se është ftohur koha punimet janë të zvarritura. S’ka punime”, tha Xhevahire Krasniqi, qytetare.

    “Kërkojmë që sa më shpejtë të rinovohet kjo sepse nuk po kemi edhe ku t’i kryejmë shërbimet. Po shkojmë në Prishtinë…Po shohim që sa më shpejtë kjo të rregullohet mos të kemi punë atje, por t’i kryejmë këtu shërbimet”, tha Enver Gjukatani, qytetar.

    Për këto rinovime me 110 mijë euro kishte kontriobuuar Komuna e Obiliqit.

    Projekti i mbindërtimit të QKMF-së përfshinë hapësirën prej 1 mijë e 650 metra katrorë dhe mesatarisht rreth 500 pacientë marrin shërbime në këtë qendër brenda 24 orëve.

  • Shtrenjtohet çaji në Vushtrri

    Shtrenjtohet çaji në Vushtrri

    Pergatiti: Diellëza Krasniqi

    Zeqir Hyseni nga Vushtrria, mëngjeset e zakonshme i nis në çajtoret e lagjes. Krahas pijes tradicionale e të famshme të zonës, e shijon edhe muhabetin me shoqëri.

    Megjithatë, pak si më e hidhur thotë është koha kur duhet të paguajë, sepse nga java e kaluar, çaji është shtrenjtuar nga 20, në 30 centë. Pavarësisht çmimit, shton se nuk mund ta ndryshojë këtë rutinë.

    ‘’Deri 50 cent e kisha pagu nuk është shtrejt çmimi është i arsyeshëm’’, tha Zeqir Hyseni, qytetar.

    Në çajtoret të cilat kryesisht i frekuentojnë pensionistët, ankohen për këto ndryshime, për shkak të kushteve të kësaj kategorie.

    ‘’Është pak e shtrejt tu e marr parasysh t ardhurat e pensioneve te gjithë pensionistat thonë që 50% është shtrejt’’, tha Bedri Pllana, qytetar.

    Disa të tjerë kërkojnë që pronarët e çajtoreve t’i kthejnë çmimet e mëparshme.

    Vetë pronarët e pranojnë që për shkak të vendimit të fundit, ka rënë edhe puna.

    Vushtrria, sikur edhe disa qytete tjera të Kosovës, njihen për përdorim të çajit. Në këtë komunë madje organizohet edhe festivali i çajit.

  • ​Izraeli liron të burgosurit pas vonesës për shkak të dorëzimit kaotik të pengjeve

    ​Izraeli liron të burgosurit pas vonesës për shkak të dorëzimit kaotik të pengjeve

    Hamasi liroi tre pengje izraelitë dhe pesë tajlandezë në Gaza të enjten dhe Izraeli filloi të lironte 110 të burgosur palestinezë pasi vonoi procesin për shkak të skenave kaotike në një nga pikat e dorëzimit ku turmat e njerëzve u grumbulluan rreth pengjeve.

    Arbel Yehud (29), e rrëmbyer nga Kibbutz Nir Oz në një sulm të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, dukej e frikësuar dhe përpiqej të kalonte nëpër një turmë ndërsa militantët e armatosur ia dorëzuan atë në Kryqin e Kuq në një skenë të tensionuar në qytetin jugor të Khan Yunis.

    Një tjetër peng izraelit, Gadi Moses (80), u lirua gjithashtu së bashku me pesë shtetas tajlandezë që po punonin në fermat izraelite pranë Gazës kur militantët depërtuan gardhin kufitar.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se skenat e dorëzimit të tyre ishin tronditëse dhe kërcënoi me vdekje këdo që dëmtoi pengjet.

    Ai dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thanë se kishin urdhëruar shtyrjen e lirimit të të burgosurve “derisa të sigurohet dalja e sigurt e pengjeve në fazat e ardhshme”.

    Zyra e kryeministrit më vonë njoftoi se ndërmjetësit ishin zotuar të garantonin kalimin e sigurt të pengjeve në dorëzimet e ardhshme.

    Më vonë të enjten, autobusët mbërritën në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor që mbanin disa nga 110 të burgosurit palestinezë, të cilët do të lirohen si pjesë e një marrëveshjeje me faza që i dha fund më shumë se 15 muajve të luftës më 19 janar.

    Zakaria Zubaidi, një nga udhëheqësit e Brigadave Al-Aksa, krahu i armatosur i grupit Fatah, ishte i burgosuri palestinez më i shquar që u lirua. Ai u arratis nga burgu në vitin 2021 me tre të burgosur të tjerë, por më pas u arrestua.

  • Kurti mori pjesë në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes

    Kurti mori pjesë në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me synimin e ndarjes së praktikave më të mira dhe forcimit të bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se qëndrueshmëria dhe gatishmëria janë domosdoshmëri shtetërore dhe kombëtare.

    “Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme, duke minimizuar rreziqet dhe maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike”, deklaroi ai.

    Për këtë aspekt, gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar Qëndrueshmërinë tonë Kombëtare, sikurse përgatitja e hartimit të draft konceptit dhe më pas miratimi i tij në Qeveri në shtator të vitit të kaluar, investimi në infrastrukturën strategjike, përmirësimi i sistemeve të energjisë së rinovueshme dhe ngritja e kapaciteteve për reagimin emergjent ndaj krizave.

    “Kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë, nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake, kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje. E në këtë aspekt besoj që qëndrueshmëria jonë kombëtare ka traditë të thellë historike, pra ajo çfarë duhet të bëjmë në shekullin XXI-të dhe posaçërisht në këtë dekadë është që këtë qëndrueshmëri tonën kombëtare ta përshtatim për avancimet tona të jashtëzakonshme teknologjike të shekullit XXI dhe sidomos institucionet e shtetit të jenë të sinkronizuara edhe karshi sfidave por edhe përbrenda me njëra tjetrën.” shtoi kryeministri.

    Republika e Kosovës vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t’i bashkërendojë e t’i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO. Ashtu sikurse aleatët e NATO-s, kryeministri tha se u jemi përkushtuar shtatë kërkesave bazë për Qëndrueshmërinë kombëtare duke i inkorporuar këto kërkesa në Planin e Reagimit Kombëtar.

    Kryeministri Kurti tha se do të fuqizohen edhe më shumë katër shtyllat kyçe të qëndrueshmërisë: parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen nga goditjet.

    “Do të sigurohemi që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në burime, trajnime dhe mbështetje për të ndërtuar kapacitete lokale qëndrueshmërie. Për ne, një shoqëri e qëndrueshme është ajo që kujdeset për të gjithë – pa lënë askënd prapa”. përfundoi kryeministri.

  • Aksident në rrugën “Nëna Terezë”, vetura godet motoçiklistin

    Aksident në rrugën “Nëna Terezë”, vetura godet motoçiklistin

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, ku një veturë ka goditur një motoçiklist, raporton ATV.

    Për shkak të aksidentit, rruga u bllokua përkohësisht.

    Policia ka dalë në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të kryer hetimet e nevojshme.

    Ende nuk dihet shkalla e lëndimeve të motoçiklistit. /atvlive.tv

  • ​Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjobit Italinë

    ​Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjobit Italinë

    Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Italinë për rrezikimin e jetëve të njerëzve duke hedhur në mënyrë të paligjshme mbetje toksike në rajonin Campania, gjë që ka çuar në një rritje të numrit të pacientëve me kancer dhe ndotje të ujërave nëntokësore.

    Vendimi e shpalli shtetin fajtor për shkeljen e të drejtës së qytetarëve për jetën duke dështuar në “zgjidhjen e problemit të hedhjes së mbeturinave të përhapura” në toka private “shpesh të kryera nga grupe të organizuara kriminale” në një zonë ku jetojnë rreth 2.9 milionë njerëz.

    Zona, e quajtur “toka e zjarrit” për shkak të sasive të mëdha të mbetjeve toksike, ka parë një rritje të shkallës së kancerit dhe ndotjes së ujërave nëntokësore, tha gjykata.

    “Gjykata konstatoi në veçanti se shteti italian nuk arriti të trajtonte një situatë kaq të rëndë me kujdesin e duhur dhe ekspeditën e nevojshme, pavarësisht se e kishte njohur problemin prej shumë vitesh, veçanërisht në vlerësimin e problemit, parandalimin e vazhdimit të tij dhe komunikimin me publikun”, thuhet në një deklaratë të gjykatës.

    Çështja u ngrit nga 41 banorë italianë të provincave Caserta dhe Napolit dhe pesë organizata rajonale me bazë në Campania.

    Qeveria ka tani dy vjet për të “zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse” për të trajtuar problemin e hedhjes së paligjshme të mbetjeve në Campania, duke përfshirë krijimin e një “mekanizmi të pavarur monitorues”.

    Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Evropiane dënon Italinë për menaxhim joadekuat të mbetjeve të rrezikshme, veçanërisht në rajonin e Campanias, ku mafia e Camorra luajti një rol të rëndësishëm në depozitimin e paligjshëm të mbetjeve, kujton portali Politiko me qendër në Bruksel.

    Në vitin 2010, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian vendosi se Italia kishte shkelur ligjin e BE-së duke dështuar të siguronte asgjësimin e duhur të mbetjeve në rajon.

    Pas vendimit, në dhjetor 2014, gjykata e gjobiti Italinë me 40 milionë euro për dështimin në zgjidhjen e çështjes, gjoba më e madhe ndonjëherë ndaj një shteti anëtar të BE-së në atë kohë.

    Në vitin 2015, gjykata e gjobiti Italinë me 20 milionë euro shtesë dhe vendosi një gjobë ditore prej 120 mijë eurosh deri në zgjidhjen e problemeve.