ATV

Author: ATVLive

  • Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e fundit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Me 92.18% të vendvotimeve të numëruara, LVV ka siguruar 318,286 vota ose 40.94% të totalit.

    Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 174,639 vota (22.46%), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 137,302 vota (17.66%). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë arritur të grumbullojnë 58,470 vota (7.52%).

    Lista Serbe ka siguruar 30,477 vota (3.92%), ndërsa Koalicioni për Familje ka marrë 17,833 vota (2.29%).

    Këto rezultate ende nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, të cilat mund të ndikojnë në përbërjen përfundimtare të Kuvendit.

    Procesi zgjedhor është vlerësuar kryesisht i qetë dhe demokratik, ndërsa partitë politike janë në pritje të rezultateve përfundimtare për të formuar koalicionet e mundshme për qeverisjen e ardhshme të vendit.

  • Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit 120-të me kodin W00542, në Hagë ka filluar dëshminë Sylejman Selimi i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqt.

    Ky dëshmitar pohoi se është djali i axhës së Rexhep Selimit dhe sot në Hagë është duke u përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini  i cili kërkoi garanci për klientin e tij sipas Rregullës 151 të procedurës dhe provaveraporton “Betimi për Drejtësi”. 

    “Keni garancitë që parashikohen. Do të thotë që nuk do te ndiqeni penalisht. Në qoftë se do të jepni dëshmi, këtë dëshmi do ta keni rastin siç e kemi tani që dëshminë do ta jepni në publik në kuptimin që ju mund të ndiqeni përtej gjykate. Megjithatë, ju e keni të drejtën që dëshminë tuaj ta jepni me dyer të mbyllura që do me thënë do të ulën perdet dhe që askush të mos iu dëgjojë”, tha kryegjyqtari.

    Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime sa i takon garancive që iu ofruan dëshmitarit.

    “Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do të iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do jepni i takon që i dëgjon i gjithë publiku”, tha kryegjyqtari.

    I pyetur se në çfarë forme do të dëshmojë, dëshmitari tha se dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.

    Më pas, kryegjyqtari e njoftoi atë se pasi iu janë dhënë garancitë dhe në rast që dëshmitari refuzon të dëshmojë kjo do të sanksionohet me vendosjen e një gjobe. Si rrjedhojë, garancitë u miratuan për dëshmitarin.

    Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër ditë. Prokuroria ka vlerësuar se i duhen pesë orë për pyetje. Ndërsa, ekipet e mbrojtjes i duhen 14 deri në 16 orë për kundërpyetje.

  • Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit gjatë ditës së zgjedhjeve

    Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit gjatë ditës së zgjedhjeve

    Dy raste të veprës penale cenim i fshehtësisë së votimit janë raportuar në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt.

    Një rast është raportuar në Gjilan dhe një rast në Vushtrri.

    Raporti i plotë:

    CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT

    Gjilan 09.02.2025-07:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT

    Vushtrri 09.02.2025-09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Ramush Haradinaj thotë se do ta përkrahë një qeveri të opozitës

    Ramush Haradinaj thotë se do ta përkrahë një qeveri të opozitës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryeministri Albin Kurti, i cili i quajti “hajvana” partitë opozitare, në festën e fitores.

    Ai tha se Kurti është më “hajvan” pasi për katër vite nuk ka arritur asgjë.

    “Ai ma hajvan si një kryeministër që mbas katër vite qeverisje ka treguar vica gjithë fushatën, nuk ka pasur një program konkret, nuk ka të arritura. Fatkeqësisht ky është realiteti ynë, qytetarët edhe dje kanë mundur ta shohin se kush ishte ai. Një kryeministër që nuk ka arritur ta ketë një rezultat të pritur. Edhe si opozitë e kemi ruajtur dinjitetin tonë, procesin zgjedhor nuk kemi bërë ndërhyrje që dëmton demokracinë. Ai me dal ashtu me fye e më bërtit, ai është realiteti ynë, ai është hajvan. Po i hyjmë në hak hajvanëve duke i thënë atij”, ka thënë ai në një konferencë për media.

  • Numërohet votat deri në 91.47%, këto janë rezultatet

    Numërohet votat deri në 91.47%, këto janë rezultatet

    Të dhënat për rezultatet preliminare të zgjedhjeve janë përditësuar sërish në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi janë numëruar 91.47% e fletëvotimeve.

    Lëvizja Vetëvendosje ka 316,016 vota apo 40.96%, nga 91.47% të vendvotimeve të procesuara, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përditësuara në orën 12:11.

    Partia Demokratike e Kosovës është në vend të dytë me 172,953 vota apo 22.42%.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka 135,976 vota apo 17.62%.

    Ndërsa koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe të tjerëve ka 58,307 vota apo 7.56%.

  • ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si pasojë e problemeve nga ky institucion që u paraqitën gjatë publikimit të të dhënave nga numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Kështu ka konfirmuar për KosovaPress, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit e cila mohoi raportime se Prokuroria ka nisur hetimet për organin kompetentë për organizimin e zgjedhjeve.

    “Ju informoj se Prokurori i Shtetit, duke e përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së”, ka thënë ajo.

    Tutje lidhur me procesin e djeshëm zgjedhor Kozmaqi-Hajdari tha se Prokuroria e Shtetit ka hapur katër raste, kundër tetë personave.

    “Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar”, thuhej në përgjigjen e zëdhënëses së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton KP.

    Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj dha detaje për secilin rast të iniciuar.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pasur telashe me platformën e saj online.

  • Eman Rrahmani: Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve

    Eman Rrahmani: Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve

    Bartësi i Listës për Familje, Eman Rrahmani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se për dy muaj aktivizëm dhe një fushatë intensive kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në kauzën për mbrojtjen e Familjes.

    Më tutje Rrahmani tha se janë të jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

    “Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë secilin qytetar që besoi në këto vlera, çdo familje që u shndërrua në aktiviste gjatë fushatës dhe të gjithë ata që nuk u ndalën së punuari për mbrojtjen e tyre. Ky rezultat është fryt i përkushtimit dhe punës sonë të përbashkët. Jemi mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për gjithçka që na dhuruat gjatë këtij rrugëtimi”, u shpreh ai.

    Më tutje bartësi i Listës për Familje tha se ky koalicion i motivion për ta vazhduar këtë projekt politik.

    “Ky sukses na motivon, na obligon dhe na rrit përgjegjësinë për ta vazhduar këtë projekt politik edhe më fuqishëm, pa u ndalur, në mbrojtje të Familjes, të shtetit dhe të ardhmes së vendit. Rrugëtimi ynë politik do të vazhdojë me vendosmëri, sepse ai lindi nga qytetarët dhe do të vazhdojë në shërbim të tyre. Urime të gjitha subjekteve politike për suksesin në këto zgjedhje! U bëjmë thirrje të gjithëve që të angazhohen për mbrojtjen e vendit, të ruajnë vlerat e familjes dhe të punojnë për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë”.

  • KQZ thotë se tejkaloi problemet me uebin

    KQZ thotë se tejkaloi problemet me uebin

    Zëdhënësi i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë KosovaPress-it se në orët e hershme të mëngjesit është tejkaluar problemi për publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike nga procesi i votimit më 9 shkurt.

    Sipas tij, të dhënat po shfaqen pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve dhe deri më tani janë procesuar rreth 90% e vendvotimeve.

    “Mediat dhe qytetarët mund t’i referohen këtyre të dhënave që po shfaqen në platformën elektronike. Gjatë gjithë natës, KQZ ka verifikuar rezultatet që kanë arritur në platformën elektronike duke i krahasuar me të dhënat nga formularët e rezultateve të subjekteve politike që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha ai.

  • Trump thotë se bisedoi me Putinin për Ukrainën

    Trump thotë se bisedoi me Putinin për Ukrainën

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, për, siç raportohet, mënyrat për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Në një intervistë të publikuar më 8 shkurt nga gazeta The New York Post, Trump nuk tregoi se kur u zhvillua biseda, e as nuk dha detaje për përmbajtjen e saj.

    The Post tha se intervista u realizua më 7 shkurt derisa Trump po udhëtonte me avionin presidencial, Air Force One.

    “Ai dëshiron të mos shohë më njerëz duke vdekur”, citohet të ketë thënë Trump.

    “Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është aq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar”, tha ai.

    Kur u pyet se sa herë kishin folur dy udhëheqësit, ai u përgjigj: “Më mirë të mos e them”.

    “Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin”, tha ai.

    Radio Evropa e Lirë dërgoi një email në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar konfirmimin e raportit, por nuk mori përgjigje të menjëhershme.

    Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është e mundur që dy liderët të kenë folur.

    “Ndërsa administrata në Uashington është duke kryer punët e saj, janë duke u shfaqur edhe shumë lloje të ndryshme komunikimesh dhe këto komunikime bëhen përmes kanaleve të ndryshme”, u tha Peskov gazetarëve më 9 shkurt.

    “Sigurisht, në sfondin e këtyre komunikimeve të shumta, unë, personalisht, mund të mos di diçka ose të mos jem në dijeni për diçka. Prandaj, në këtë rast nuk mund ta konfirmoj e as ta mohoj”, shtoi Peskov.

    Edhe përpara se ta merrte detyrën më 20 janar, Trump u zotua se do t’i jepte fund konfliktit në Ukrainë, ku, sipas vlerësimeve të Perëndimit, janë vrarë ose plagosur më shumë se 1 milion ushtarë nga të dyja palët.

    Ndihmësit kryesorë të Trumpit për sigurinë kombëtare kanë thënë publikisht se zyrtarët amerikanë do të përpiqen ta nxisin Moskën dhe Kievin që të bisedojnë për armëpushim.

    I dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila hap punimet më 14 shkurt.

    Më 7 shkurt, Trump tha se ka të ngjarë të takohet me Zelenskyn javën e ardhshme. Ai nuk dha detaje të tjera, por tha se takimi mund të mbahet në Uashington, pasi “unë nuk do të shkoj në Kiev”.

    Trump dhe anëtarët e administratës së tij kanë dhënë pak detaje në lidhje me ndonjë propozim specifik për përfundimin e luftës, por Kellogg tha së voni se të dyja palët do të duhet “të japin pak”, që do të thotë të bëjnë kompromise.

    Ndërkohë, në Kiev, zyrtarët ukrainas janë duke vëzhguar me kujdes rritjen e presionit për bisedime me Moskën, që, me shumë gjasa, do të mbikëqyreshin nga SHBA-ja.

    Deri vonë, Putin ka thënë se e konsideron Zelenskyn si president të paligjshëm dhe se nuk do të negociojë me të, por, ndërkohë, e ka zbutur atë qëndrim.

    Raporti për intervistën vjen përpara takimit që pritet të zhvillojë zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, me Zelenskyn, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

    Zelensky ka shprehur besimin se Trump mund të bëjë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Në një pjesë të intervistës me New York Post, Trump, po ashtu, tha se ai “do të donte të bëhej një marrëveshje me Iranin” për programin e tij bërthamor, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të tensioneve me Teheranin.

    Trump refuzoi të jepte ndonjë detaj se si do të dukej marrëveshja me Iranin.

    Më 7 shkurt, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e hodhi poshtë mundësinë e bisedimeve për çështje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur se negociatat nuk do t’i trajtonin problemet e Iranit.

    Trump nënshkroi më 4 shkurt një urdhër për të rikthyer politikën e tij të “presionit maksimal ekonomik” ndaj Iranit, që synon t’i dëmtojë eksportet e tij të naftës dhe ta ngadalësojë programin e tij bërthamor, për të cilin Teherani pretendon se është për qëllime civile. /REL

  • Sylejman Selimi dëshmon në Hagë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Sylejman Selimi dëshmon në Hagë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, do të dëshmojë sot në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

    I shoqëruar nga avokati i tij, Artan Qerkini, Selimit i janë lexuar të drejtat para se të merret në pyetje nga prokuroria.

    Selimi do të flasë në cilësinë e dëshmitarit, i cili ka kërkuar që dëshmia e tij të jetë në seancë të hapur.

    Prokuroria po vijon me pyetjet ndaj ish-komandantit të UÇK-së.