ATV

Author: ATVLive

  • Si të shmangen problemet me lukthin gjatë agjërimit

    Si të shmangen problemet me lukthin gjatë agjërimit

    Pos të mirave shëndetësore, agjërimi mund të shkaktojë probleme të përkohshme shëndetësore në organizmin e njeriut. Kjo për shumë faktorë, por më e shpeshta është dhimbja e stomakut.

    Nutricistët thonë se dhimbjet në lukth ndodhin edhe për shkak të anashkalimit të vaktit para agimit, i njohur si syfyr.

    Ngrënia e syfyrit do ta ndihmonte organizmin në përballimin e ditës dhe orëve të gjata pa ngrënie. Ngrënia gjithashtu do të krijonte stabilitet në lukth, duke shmangur dhimbjet gjatë ditës. Nutricionistët propozojnë që në kohët e lejuara të konsumohet sa më tepër ujë, në mënyrë që organizmi të jetë i hidruar sa duhet.

    Propozohet edhe shmangia e ushqimeve me shumë kripë, kafeja dhe pijet e gazuara. Në syfyr rekomandohet konsumimi i proteinave, vajrave, karbohidrateve dhe i lëngjeve të freskëta.

    Pemët dhe perimet janë të domosdoshme për shmangie të probleme me lukth.

  • Pite e mbushur me spinaq dhe djathë: E thjeshtë, e shëndetshme dhe e shijshme

    Pite e mbushur me spinaq dhe djathë: E thjeshtë, e shëndetshme dhe e shijshme

    Këtë specialitetet të shijshëm ju duhen vetëm pak minuta për ta përgatitur dhe gjysmë ore për ta pjekur!

    Përbërësit e nevojshëm:

    ▪ 3-4 vezë
    ▪ Tre lugë salcë kosi
    ▪ Një lugë çaji kripë
    ▪ gjysmë pluhur pjekjeje
    ▪ pesë lugë miell gruri
    ▪ pesë lugë miell misri
    ▪ 100 ml vaj
    ▪ 300-400 gram djathë i ri
    ▪ një filxhan spinaq të grirë hollë
    ▪ pak gjalpë

    Gatimi:

    Ndizeni furrën në 190 gradë Celsius dhe futeni një tepsi të zbrazët që të ngrohet.

    Në një enë përzieni 3 – 4 vezë me tri lugë ajkë dhe një lugë të vogël kripë. Shtoni gjysmë qese pluhur për pjekje, pesë lugë miell gruri dhe pesë lugë miell misri. Gradualisht shtoni 100 ml vaj.

    Në fund në tretje përzieni 300 – 500 gram djathë të butë, apo ndonjë djathë tjetër – sipas dëshirës edhe spinaq.

    Me dorezë nxirrni tepsinë e nxehur nga furra. Vendosni një kube gjalpë që të shkrihet dhe me kujdes lyeni fundin dhe anët e tepsisë. Në të derdhni brumin. Kthejeni në furrë dhe piqeni rreth 30 minuta. /Telegrafi

  • Ligj i ri në Francë, prindërve mund t’u ndalohet shpërndarja e fotografive të fëmijëve në internet

    Ligj i ri në Francë, prindërve mund t’u ndalohet shpërndarja e fotografive të fëmijëve në internet

    Autoritetet e Francë kanë miratuar një ligj që mund t’ua ndalojë prindërve publikimin e fotografive të fëmijëve të tyre në rrjetet sociale.

    Mediat franceze thanë se prindërit do të jenë përgjegjës për imazhet e fëmijëve të tyre, por kjo mund t’ua ndalohet nga autoritetet. Ky ndryshim i ligjit po bëhet me qëllim që fëmijët të mësohen se prindërit e tyre s’kanë kontroll të plotë mbi imazhet e tyre, shkroi “Businesstoday”.

    Deputeti francez, Bruno Studer, tha se një 13-vjeçar i ka mesatarisht 1.300 fotografi që qarkullojnë nëpër internet. Këto imazhe, sipas tij, mund të përdorën për pornografi ose bullizëm.

    Ligji thotë se sipas moshës dhe nivelit të pjekurisë, fëmijët francezë do të mund të vendosin nëse duan që prindërit t’ua publikojnë fotografitë në mediat sociale.

  • Prizreni pa tokë për varreza, kërkon 57 hektarë tokë nga AKP-ja

    Prizreni pa tokë për varreza, kërkon 57 hektarë tokë nga AKP-ja

    E gjithë kjo sipërfaqe e tokës, nuk do jetë edhe për shumë gjatë boshe.

    Mbi 57 hektarë të pa shfrytëzuar këtu në Prizren, nën menaxhim të AKP-së do i jepen Komunës.

    Prizreni, hallë të madh ka mungesën e hapësirës për varreza, gjë që tërë këtë sipërfaqe, do e shfrytëzoj për këtë qëllim.

    Megjithatë komuna ka edhe planin se si do bëhet në tërësi.

    Andaj edhe kanë marrë pëlqimin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    “AKP përmes shkresës zyrtare ia ka konfirmuar zyrtarëve të komunës se nuk e kundërshton procesin e shpronësimit të pronës shoqërore të përmendur në kërkesë e Komunës me qëllim të realizimit të projektit nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

    Megjithatë, krejt në fund do duhet miratimi edhe i Qeverisë. /atvlive.tv

  • 24 vite nga beteja e përgjakshme e Koshares

    24 vite nga beteja e përgjakshme e Koshares

    Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë u shemb.

    Kjo pamje është simbol i arritjes së qëllimit të Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24 vite më parë në Koshare.

    Nën udhëheqjen e heroit Agim Ramadani në këtë vend u zhvillua njërën nga betejat më të mëdha në historinë e luftës së UÇK-së.

    Të tillë e kujton edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    “Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.

    Beteja e Koshares, u kujtua edhe nga kryeministri Kurti, vetëm se ky zgjodhi rrjetet sociale për ta bërë këtë.

    “Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, tha Kurti.

    Beteja e Koshares, sipas të parit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte vendimtare për të gjithë luftën në Kosovë.

    “Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptar në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, tha Haradinaj.

    Për Homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Betejës së Koshares ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    “Sot me bashkëpunëtorë të LDK-së nderojmë të gjithë heronjët e rënë 24 vite më parë, nëntë prilli shënon datën e njërës prej betejave më të lavdishme të luftës sonë”, tha Abdixhiku.

    Beteja e Koshares, nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta” duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. /atvlive.tv

  • Shënohet 15 vjetori i hartimit të Kushtetutës

    Shënohet 15 vjetori i hartimit të Kushtetutës

    Janë bërë plot 15 vjet që Kosova ka Kushtetutën e saj. Por përpjekjet për shtet të pavarur me aktin më të lartë juridik nisën qysh moti.

    Krahas shtypjes që iu bëhej, më 1968 Kosova nisi hapat e parë drejt formimit të kushtetutës.

    Atë vit miratoi Ligjin Kushtetues të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, aso kohe si një dokument tejet i rëndësishëm që nisi rrugën e Kosovës drejtë një akti ligjor të vërtetë dhe demokratik.

    6 vite më vonë, me 1974 Kosova si krahinë socialiste autonome, miratoi kushtetutën e saj.

    Ndryshe, kjo ishte kushtetuta e parë e Kosovës që u integrua në kushtetutën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

    Ndërkaq, Kosova bëri edhe një kushtetutë, atë të Kaçanikut në fillim të viteve të 90-ta.

    Kundërshtimet ishin të mëdha, Serbia mori një sërë veprimesh duke shpërbërë kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, e duke hequr çdo autonomi të mbetur. Përveç kësaj, miratoi edhe një ligj për marrëdhëniet e punës, që largoj nga puna mbi 80.000 shqiptarë. Por Kosova nuk u zmbraps.

    Rezistenca qoj në luftë të armatosur për t’i dhënë fund pushtimit serb më 1999.

    Në atë kohë u adoptua Korniza Kushtetuese, si ligj i përkohshëm për vetëqeverisje. Ndërkaq më 2008, atë vit kur Kosova shpalli edhe pavarësinë, hartoi Kushtetutën, me të cilën operon edhe tash 15 vjet nga atëherë.

    Sot, Kushtetuta e Kosovës konsiderohet si ndër më të avancuarat në botë, në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, përfaqësimit të minoriteteve etnike dhe grupeve tjera shoqërore.

    “Mendoj se është një prej punëve më të mira që është bërë në shtet ndërtimin e Kosovës, por edhe në krijimin e bazës të asaj që ka qenë synim i qytetarëve, i paraparë me deklaratën e pavarësisë. Ajo e ka mundësuar që shteti të sendërtohet, por edhe institucionet, po edhe baza legale të ndërtohet në Kosovë”, tha ish-kryetari i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi.

    Për 15 vjet si akti më i lart juridik i vendit, bazuar në Kushtetutën e Kosovës u morën vendime goxha të mëdha. Madje për shkak të shkeljeve të saj u rrëzuan edhe qeveri, e u shkarkuan edhe president. /atvlive.tv

  • Dështon projekti i MD-së për dhomat e dëshmive

    Dështon projekti i MD-së për dhomat e dëshmive

    60 mijë euro i kishte ndarë një vit më parë Ministria e Drejtësisë, për rikonstruktimin e dhomave për ruajtjen e dëshmive, brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Projekti që parashihej të përfundonte muaj më parë, ka mbetur në gjysmë.

    Kjo për faktin se kanë përfunduar vetëm dy lote të kontratës, ndërkaq pjesa kryesore e projektit jo.

    “Sa i përket dy lotëve tjera që ka qenë rikonstruksioni i dhomave të dëshmive dhe pajisjeve me disa rafte metalike, kjo ka dështuar, edhe pse është rishpall në të kaluarën mos gabofsha 5 herë, mirëpo ka dështuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e operatorëve ekonomik”, tha Ditor Halimi nga Instituti iMjekësisë Ligjore.

    Paratë e mbetura IML-ja kishte planifikuar t’i fuste prapë në këtë projekt, por që më nuk ishin përkrahur nga Ministria.

    “Ne kemi aplikuar më një projekt të ngjashëm për investime kapitale ku kemi planifikuar realisht me i fut përsëri ato dy lote mirëpo për fat të keq ky projekt nuk na është aprovuar nga ministria, kështu që tani projekti ka mbërrut në gjysme”, tha Halimi.

    Kësisoj, paratë do të përdoren për shërbime të tjera, e dhomat për ruajtën e dëshmive zor se do të bëhen siç parashihej. Dhe puna në këtë institut vështirësohet pasi duhet të kryhet me standarde Evropiane. /atvlive.tv

  • Pavarësisht gjobave, taksitë ilegale operojnë lirshëm

    Pavarësisht gjobave, taksitë ilegale operojnë lirshëm

    As gjobat nuk ua ndalin punën.

    Taksitë ilegale vazhdojnë të operojnë lirshëm në kryeqytet.

    Për ta zgjidhur këtë problematikë, Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka deklaruar se ka hartuar një plan.

    “Aspekti i transportit të udhëtarëve, përgjithësisht duket një problem bukur i hershëm, janë ndërtuar disa praktika të cilat përveç pengesave që i shkaktojnë komunikacionit ose mbarëvajtjes së komunikacionit në qytet, për nevojën edhe rrezik për komunikacionin edhe për vet udhëtaret. Prandaj si drejtori e inspekcionit që nga viti i kaluar kemi filluar me disa kontrolle të kohë pas kohshme”. Kemi mjaft raste të cilat ne kemi dal të njëjtit kemi gjobitur, ata vazhdojnë edhe me tutje prandaj quhen ilegal të shfrytëzojnë momenti kur ndoshta inspektorët mund të lëvizin, ose mund të merren me ankesa ose kërkesa të tjera të qytetarëve”, tha drejtori i inspeksionit, Florian Dushi.

    Këtë vit po ashtu do të zbatohet rregullorja e miratuar vitin e kaluar, që të rritet standardi i mjeteve të cilat përdoren për shërbimin e auto-taksisë.

    “Vitin e kaluar Komuna e Prishtinës ka hartuar rregulloren e re për organizimin e transportit me auto-taksi ashtu siç parashihet edhe me ligjin për transportin rrugorë. Gjithnjë duke shikuar nga ajo që të rritet standardi i mjeteve të cilat përdoren për shërbimin e auto-taksi, tek operatoret ekonomik-kompanitë private qoftë ata që janë persona individual që punojnë veç me një veturë si auto-taksi. Komuna për ketë vit ka planifikuar që ajo rregullore tash është në fuqi dhe të fillohet zbatimi i saj”, tha shefi i Shërbimeve Publike, Habib Qorri.

    Gjobat për taksitë ilegale fillojnë nga 100 euro dhe sipas drejtorisë së Inspeksionit dhe asaj të shërbimeve Publike, aksionet e rendit komunal po bëhen me qëllim të evitimit të tollovisë, e cila po krijohet në kryeqytet dhe që taksitë ilegale të paguajnë taksën e përcaktuar nga Komuna. /atvlive.tv

  • Abdixhiku: Kosharja është themeli i lirisë sonë

    Abdixhiku: Kosharja është themeli i lirisë sonë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka përkujtuar Betejën e Koshares.

    Ai ka thënë se Kosharja sot qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë

    “Mes heronjëve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar. Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës. Sot, nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë. Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme. Lavdi!”, ka thënë ai.

  • Vdes një 31-vjeçare në Obiliq, dyshohet për vetëvrasje – Prokurori i Shtetit nis hetimet

    Vdes një 31-vjeçare në Obiliq, dyshohet për vetëvrasje – Prokurori i Shtetit nis hetimet

    Një 31-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas është transportuar në Qendrën Kryesore Universitare të Kosovës, ku aty edhe është kontaktuar vdekja e saj.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se mbështetur në hetimet preliminare, ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje.

    “Dje rreth orës 14:30, kemi pranuar informatën për një person të plagosur nga arma e zjarrit nga QKMF në Obiliq. Personi i lënduar ( femër 31 vjeç) më pas është transportuar në QKUK, ku dhe është konstatuar vdekja e saj”, ka thënë Ahmeti.

    Ahmeti ka njoftuar se Policia në koordinim me prokurorin e shtetit kanë nisur hetim mbi vdekjen.

    Mbështetur në hetimet preliminare, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen, si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes, si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka shtuar ajo.