ATV

Author: ATVLive

  • ‘Na n’Drenicë kur kem pa peshk për herë t’parë, kem mendu që o’ sorrë a hut’ – Milaim Zeka flet për ushqimin e tij të preferua

    ‘Na n’Drenicë kur kem pa peshk për herë t’parë, kem mendu që o’ sorrë a hut’ – Milaim Zeka flet për ushqimin e tij të preferua

    Gazetari Milaim Zeka së bashku me gruan e tij Edlirën ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV. Duke folur për ushqimet e tij të preferuara, Zeka bëri shaka kur foli për ushqimet e detit, ku tha se kur kanë parë në Drenicë peshk për herë të parë, kanë menduar se është sorrë a hut.

    “Unë zakonisht, është shumë e çuditshme, duke qenë i Obrisë, ha shumë krudo. Ushqimet e detit janë ushqimet e mia të preferuara. Mbrëmë kam hangër karkaleca nga Senegali që më kanë shiju tepër shumë, ishin të mëdhenj dhe i thash atij pronarit, se ne në Drenicë, kur kemi pa peshk për herë të parë, kemi thënë është sorrë a hut, e karkaleci m’u duk si peshk”, tregoi Zeka.

    Ndiqeni videon e më poshtme për më shumë:

  • Gjakovë, një burrë raporton se është zhdukur bashkëshortja bashkë me dy fëmijët

    Gjakovë, një burrë raporton se është zhdukur bashkëshortja bashkë me dy fëmijët

    Një burrë nga Gjakova ka raportuar në polici se bashkëshortja e tij së bashku me dy fëmijët janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre.

    Policia njofton se rasti ka ndodhur më 27 mars, në rrugën “Ali Ibra”.

    Tutje bëhet e ditur se ankuesi ka raportuar se djalin dhe vajzën të moshës 11 dhe 12-vjeç bashkëshortja e tij i kishte nga martesa e mëhershme.

    “Rr. Ali Ibra, Gjakovë 27.03.2023 – 22:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me datën e cekur bashkëshortja e tij kosovare së bashku me dy fëmijët e saj djalë dhe vajzë të moshës 11 dhe 12 vjeç që i kishte pas nga martesa e mëhershme janë larguar nga shtëpia e tij dhe nuk duhet vend ndodhja e tyre”, thuhet në raportin policor.

    Njësitë policore janë duke e hetuar rastin, për të cilin është njoftuar edhe prokurori.

  • Metri katror i banesave në Prishtinë, deri në 2 mijë euro

    Metri katror i banesave në Prishtinë, deri në 2 mijë euro

    Numri i ndërtimeve në Prishtinë është rritur. E bashkë me to edhe çmimet e banesave.

    Metra katrore e një banese në kryeqytet po shkon mbi 2 mijë euro. E kjo sipas Nokë Paloka, i cili është agjent në njërën nga agjencionet për patundshmëri në Prishtinë, varion nga lagjja në lagje.

    Kjo rritje ka shkuar deri në 35% përqind më shumë krahasuar me vitet paraprake.

    E sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në ngritjen e çmimit për metër katror, ka ndikuar edhe shtrenjtimi i materialeve ndërtimore.

    Megjithatë Krasniqi shprehet optimist që së shpejti të bien këto çmime.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.

    Derisa sipas të njëjtave të dhëna, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind.

  • Escobar do të vizitojë sot Tiranën, takohet me Begajn dhe Ramën

    Escobar do të vizitojë sot Tiranën, takohet me Begajn dhe Ramën

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të mbërrijë sot në Tiranë, për një vizitë zyrtare.

    Në kryeqytetin shqiptar, Escobar pritet të takohet me zyrtarë të lartë e përfaqësues të opozitës.

    Sipas mediave, Escobar do të vizitojë Tiranën në datat 11-13 prill, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

    Nga opozita, ai pritet që të takohet me kreun e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabakun.

    Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

  • Presidentja Osmani viziton Kalabrinë, me ftesë të komunitetit arbëresh

    Presidentja Osmani viziton Kalabrinë, me ftesë të komunitetit arbëresh

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.

    Në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.

    Gjatë qëndrimit në Kalabri, presidentja Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.

    Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

    Në të gjitha këto takime, presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor.

    “Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

    “Presidentja do të marrë pjesë në aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe”.

  • Hill: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk u arritën lehtë, pritet zbatim konkret

    Hill: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk u arritën lehtë, pritet zbatim konkret

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha sot se marrëveshja e Ohrit, si dhe marrëveshjet e tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk janë arritur lehtë, duke shtuar se ka ardhur momenti kur pritet të ketë zbatim konkret.

    Në një deklaratë para gazetarëve, Hill tha se është arritur një moment kyç e që është zbatimi, të cilin e vlerësoi si një moment të vështirë.

    “Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera, nuk kam thënë për asnjë moment se ishte diçka e lehtë dhe se do të ishte e lehtë, por mendoj se kemi arritur një moment vendimtar në kuptimin që duhet të presim që diçka të ndodhë në aspektin e zbatimit. Ky është një moment i vështirë, por mendoj se është një moment plot shpresë. Ne presim zbatimin në të ardhmen”, tha Hill.

    Hill shtoi se çështja e Kosovës duhet parë si çështje rajonale në kontekstin e Ballkanit të Hapur.

    Siç thotë ai, në këtë iniciativë vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku.

    “Mendoj se kjo është pjesë e procesit që do ta çojë Serbinë drejt një bashkëpunimi më të madh dhe përfundimisht drejt anëtarësimit të saj në BE. SHBA-ja mbështet fuqishëm procesin e bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe anëtarësimit në BE”, tha Hill.

  • Gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, sot dëgjohen dëshmitarët e parë

    Gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, sot dëgjohen dëshmitarët e parë

    Një javë pasi filloi procesi gjyqësor ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot do të dëgjohen dëshmitarët e parë të Prokurorisë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar do t’i paraqesë edhe provat e para materiale kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Identiteti i shumicës së dëshmitarëve pritet të mbrohet, e seancat të jenë të mbyllura për publikun.

    Dëshmitarët në një proces gjyqësor për krime lufte konsiderohen të jenë kyç, e verifikimi i tyre, sipas juristëve është vendimtar në një gjykim të madh.

    “Sipas asaj që është parë në aktakuzë e njëjta mbështetet në dëshmitarë, është jetike dhe vendimtare verifikimi i dëshmitarëve, e veçanërisht kredibiliteti i tyre. Për shkak se ka dilema, dyshime e nevoje që të behet verifikimi I dëshmitarëve”, tha Florim Shefqeti, avokat.

    Pa dëshmitë e tyre, sipas monitoruesve, Prokuroria do të ketë vështirësi për të dokumentuar rolin apo përgjegjësinë komanduese të ish-krerëve të UÇK-së.
    Fondi për të Drejtën Humanitare pret që të ketë dëshmitarë të njëjtë në këtë proces, sikurse në proceset për krime lufte që janë zhvilluar në Tribunalin e Hagës.

    “E vetmja formë për ta vërtetuar pretendimet e aktakuzës janë dëshmitarët. Nëse kemi dëshmitarë të mjaftueshëm të cilët do të shëmojmë mbi strukturat e UCK, atëherë mbi këto prova do të thirret prokuroria. Ndërlidhja mes provave material dhe dëshmive”, tha Amer Alija nga fondi për të Drejtën Humanitare.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur 312 dëshmitarë dhe ka kërkuar më shumë se 600 orë kohë për ta.

    ZPS-ja pretendon se u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

    Sipas aktakuzës Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale, për krimet e kryera dhe sulmet sistematike kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

    Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së në deklaratat hyrëse ka kundërshtuar pretendimet e ZPS-së dhe ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve dhe verifikimin e tyre.

    Mbrojtja e ish presidentit Thaçi deri tash ka përmendur disa emra publikë që do të mund të dëshmojnë në këtë proces, sikurse gjenerali amerikan Wesley Clark, William Walker, ambasadorët Bernard Kouchner e Daan Everts. /atvlive.tv

  • Diplomati amerikan: Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të vështira por duhen ende të tjera

    Diplomati amerikan: Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të vështira por duhen ende të tjera

    I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, ka komentuar edhe Marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel fillimisht dhe më pastaj më 18 mars në Ohër.

    Rubin, i cili po qëndron në Ballkanin Perëndimor në një vizitë katër ditore, në një konferencë për media në Mal të Zi, ka thënë se nëse zbatohet kjo marrëveshje, do të ketë një perspektivë për një të ardhme më të ndritur për rajonin.

    Megjithatë, sipas tij, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të merren vendimet të vështira.

    “Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por duhet të merren disa të tjera”, ka thënë Rubin.

    Në anën tjetër, ai është pyetur se si e sheh rajonin tani krahasuar me vitet e 90’ta, ai thotë se sheh dallime të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

    “Shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit, masakrave masive të civilëve të pafajshëm. Tani mund të shohim perspektivën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, nëse liderët e pranojnë shansin që u është dhënë”, shtoi ai, shkruan mediumi malazez “Vijesti”.

    Po ashtu, Rubin theksoi se SHBA-ja, i mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon BE-ja dhe ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale, t’u mundësojnë popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin simbolet, të drejtat e pakicave, liritë dhe të ecin përpara.

    “Jam i bindur se Mali i Zi s’do t’i drejtohet më Beogradit dhe Moskës”

    “Pasi bisedova me zyrtarë malazezë dhe liderë partiak, jam i bindur se Mali i Zi nuk do t’i drejtohet më Beogradit dhe Moskës”.

    Kështu është shprehur ai, teksa shton se nëse dezinformomi rus dominon në Ballkanin Perëndimor, atëherë do të jetë vështirë të arrihet përparim.

    “Besoj se lufta kundër dezinformatave do të jetë prioritet i qeverisë së re në Mal të Zi. Në Mal të Zi ka një sërë portalesh që përhapin dezinformata nga Rusia dhe Kina”, ka thënë Rubin.

    Diplomati amerikan beson se Mali i Zi ka një të ardhme më të mirë sepse është anëtar i NATO-s dhe pritet të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen.

    “Arsyeja pse jam këtu, në emër të Presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, është sepse e ardhmja e suksesshme e Malit të Zi duhet të përfshijë përpjekje të forta dhe të përkushtuara në luftën kundër sfidave të dezinformimit. Është një problem i ri në botë, sepse ana e errët e revolucionit dixhital lejojnë regjimet autoritare, si Rusia dhe Kina, të përdorin mjetet që ne menduam se do të sillnin demokracinë në botë, të sjellin errësirë, dezinformata, gënjeshtra”.

  • Gazetari nga ShBA-ja zbulon arsyen e vizitës së Escobar në Tiranë, përmendet Kosova

    Gazetari nga ShBA-ja zbulon arsyen e vizitës së Escobar në Tiranë, përmendet Kosova

    Gazetari Robert Papa ka treguar disa nga arsyet e vizitës se ish të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Gabriel Escobar.

    Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se vizita e diplomatit ka të bëjë për garancinë e situatës së Kosovës nga ana e Ramës dhe për sulmet kirbernetike të Iranit.

    Ndër të tjera ai theksoi se vizita e Escobar në Tiranë do të përdoret dhe politikisht për faktin se nuk do të takojë ish-kryeministrin Sali Berisha.

    “Arsyeja e vizitës është më shumë për garancinë e situatës në Kosovë, për të marrë një pozicion zyrtar nga Rama sepse kohët e fundit ka pasur një luhatje, do të jetë për sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. Natyrisht vizita e tij do të përdoret dhe politikisht duke mos pasur takime me Berishën. Nuk është gjë e re nga Escobar”, tha ai.

  • Kurtit i kërkohet urgjentisht ta ndryshojë ligjin për festat zyrtare në Kosovë

    Kurtit i kërkohet urgjentisht ta ndryshojë ligjin për festat zyrtare në Kosovë

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) po kërkon nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Sipas tyre, praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.

    Kësisoj, DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.

    Gjithashtu, DHTIK kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Europës.

    “DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin. DHTIK, mbetë me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në kumtesën e tyre për media.