ATV

Author: ATVLive

  • Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë.

    Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura u rrit për 314 lëndë.

    “8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata vetëm po e humbin fuqinë e jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionet e tyre zyrtare për të cilat akuzohen”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Njëjtë vlerësohet edhe trajtimi i rasteve gjyqësore. Në fillim të vitit 2022 gjykatat e shkallës së parë kishin 275 lëndë të korrupsionit e përkundër që qëllimi ishte zvogëlimi i këtij numri, në fund të vitit 2022, ky numër u rrit për tetë lëndë.

    “KD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Janë diku rreth 9 raste të korrupsionit aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri në vitin 2015 që tregon për mos efikasitet por edhe për neglizhencë të trajtimit të rasteve të korrupsionit duke e ditur që tash edhe në vitin 2023 këto lëndë ende nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

    Ndërkohë as Gjykata e Apelit nuk u tregua më efikase. Për dallim nga fillimi i vitit 2022 kur Apeli kishte 8 lëndë të pazgjidhura në fund të vitit numri ishte rritur në 19 lëndë. /atvlive.tv

  • “Jam i dërguar i profetit” – Avokati tregon se çka i tha i dyshuari për vrasjen e nënës së tij

    “Jam i dërguar i profetit” – Avokati tregon se çka i tha i dyshuari për vrasjen e nënës së tij

    “Më ka detyruar shërbimi informativ rus”, “Jam i dërguar i profetit”, “E kam shpëtuar shqiptarinë” dhe “Jam Skënderbeu i ri”, janë fjalët e vetme që i dyshuari për vrasjen e nënës së tij në Pejë ia ka thënë avokatit të tij mbrojtës, Asdren Mekaj.

    Këtë e konfirmoi avokati Mekaj për Telegrafin, teksa shtoi se gjendja mentale dhe shëndetësore e klientit të tij është e rëndë.

    Për këtë arsye ai tha se nga Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që 30-vjeçarit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

    “Dy herë ka tentuar Prokuroria që ta intervistojë klientin tim, por nuk ka mundur për shkak të gjendjes së tij të rëndë mentale dhe shëndetësore. Për arsye të mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes meje dhe të mbrojturit, përveç që më pengon mua të ofroj mbrojtje efektive, në përputhje me Kodin e Etikës dhe në përmbushje të të drejtës fondamentale që e gëzon çdo person i dyshuar për një krim, pavarësisht kësaj unë thellësisht besoj se është shumë e nevojshme që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik”.

    Tutje, avokati bëri të ditur se nga prokurorja e rastit, në seancën gjyqësore të shtunën ka marrë konfirmim se një ndër veprimet e para që do të bëjë do të jetë shqyrtimi i kërkesës për dërgimin e të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë njoftoi të shtunën se të dyshuarit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar.

    Sipas gjykatës, i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    Tutje, thuhet se pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata vlerësoi se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, thuhet në komunikatën për media.

    Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë tha se është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me këtë vrasje të rëndë që ndodhi të premten mbrëma në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë.

    Vrasja e 58-vjeçares ka tronditur vendin dhe ka nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.

  • Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Opozita kërkon anulimin e vendimit për faljen e 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

    Edhe një herë opozita nuk po pajtohet me vendime të Qeverisë.

    Pas vendimit për rritjen e çmimit të faturave për tatim në pronë e më pas faljes nga 100 euro për këtë vit për tatimpaguesit, opozita kërkon anulim.

    Deputeti Ferat Shala thotë se pagesa për tatim pronë duhet të vazhdojë pa ndryshme meqë nuk është e qartë si është bërë vlerësimi.

    Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se është e paarsyeshme rritja e faturave të tatimit në pronë e më pas falja e 100 eurove.

    Muaji prill është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat derisa vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet. /atvlive.tv

  • Policia evidentoi vetëm dy raste, AGK-ja thotë se situata është alarmante

    Policia evidentoi vetëm dy raste, AGK-ja thotë se situata është alarmante

    Sulmi fizik ndaj gazetarit, Valon Syla solli edhe njëherë në pah ambientin armiqësor në të cilin operojnë gazetarët. Madje, ky është vetëm njëri prej disa rasteve kur punëtorët e medias janë sulmuar.

    Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë vitit 2022 janë evidentuar gjithsej 20 raste, kurse në fillim të këtij viti, dy raste.

    Megjithatë, sipas AGK-së, situata është më e rëndë ngase deri më tani këtë vit janë regjistruar 10 raste.

    “Ambienti në të cilin sulmohen gazetarët vazhdimisht online dhe organizohen fushata kundër tyre për shkak të punës që ata bëjnë, kemi alarmuar se mund të kthehen ne sulme fizike në praktikë dhe ja kështu ndodhi me rastin e fundit që absolut është i dënueshëm”, tha Kryetari i AFK-së, Xhemajl Rexha.

    Ndonëse në rrethana të tjera, edhe gazetari Haris Ademi u sulmua muaj më parë derisa po raportonte nga veriu i Kosovës.

    “Rasti i fundit i ka kthy edhe njëherë në kujtesë gjithë ato sulme ndaj gazetarëve edhe i ka kthyer edhe njëherë në vëmendjen vështirësitë e gazetarëve për të raportuar. Unë jam sulmuar duke raportuar nga një grup njerëzish me maska…”, tha Ademi.

    Derisa sulmuesit e Syles u arrestuan, rasti në pjesën veriore nuk është zbardhur ende.

    “Sa i përket zbardhjes së rastit, konsiderojë se në atë pjesë policia ka pasur qasje të kufizuar shto këtu edhe detaje që ata persona kanë qenë të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm”, tha Ademi.

    Sulmet e tilla ndaj gazetarëve, për juristen e medias, Flutura Kusari, janë një lloj testi për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

    “Është test për sistemin gjyqësor që t’i dënojë me dënim të merituar dhe të dërgojë mesazh tek kriminelet që të rrinë sa më larg gazetarëve”, tha Flutra Kusari, juriste e medias .

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet. /atvlive.tv

  • BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE e zhgënjyer për bojkotin e zgjedhjeve në veri nga partitë serbe

    BE-ja shprehet e zhgënjyer për mospjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet lokale, në katër komunat veriore të Kosovës. Në një përgjigje për Radio Kosovën një zëdhënës i BE-së ka thënë se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në struktura e nivelit qendror dhe lokal.

    Më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), me shumicë serbe, pritet të mbahen zgjedhjet lokale. Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

    Një zëdhënës në Bruksel i ka thënë Radio Kosovës, përmes emailit, se është për keqardhje bojkotimi i zgjedhjeve nga përfaqësuesit politikë të serbëve lokalë.

    “Prandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit serbë në Kosovë janë larguar nga të gjitha institucionet kosovare, përfshi këtu pozitat në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

    Largimi kishte ardhur sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesnin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS (Republika e Kosovës.)

    Nga Brukseli thonë se BE-ja është angazhuar, me partnerët e saj, për të de-përshkallëzuar tensionet dhe që serbët t’i përmbushin detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucione vendore.

    “Deri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë,” thuhet në përgjigjen e tyre.

    Me datë 27 shkurt të këtij viti Kosova dhe Serbia nënshkruan një Marrëveshje për Rrugën e Normalizimit ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë me 18 mars.

    Sipas BE-së “Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal.”

    Sipas BE-së, ata nuk mund ta detyrojnë as Kosovën e as Serbinë që këto procese demokratike të jenë të suksesshme.

    “Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore,” thuhet krejt në fund në përgjigjen e BE-së, për Radio Kosovën.

  • I jepet lamtumira e fundit Hyrije Hysenit, gruas që dyshohet se u vra nga djali i saj në Pejë

    I jepet lamtumira e fundit Hyrije Hysenit, gruas që dyshohet se u vra nga djali i saj në Pejë

    Hyrije Hyseni frymoi për herë të fundit dje rreth orës 16:00, para se të vritej nga i biri i saj, Urimi.

    58 vjeçarja u varros sot në varrezat e qytetit të Pejës.

    Në varrimin e saj morën pjesë qindra qytetarë.

    E ndjera u vra dje nga djali i saj nga motive akoma të paqarta.

    Ky i fundit u dërgua në masë të paraburgimit prej 30 ditësh, me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë.

    Indeksonline ju sjell pamje nga varrimi i Hyrije Hysenit.

  • Abazoviq: Krenarë me ushtarët malazezë që shërbejnë në KFOR

    Abazoviq: Krenarë me ushtarët malazezë që shërbejnë në KFOR

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë ka takuar Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia.

    Abazoviq me këtë rast tha se është krenarë për ushtarët malazez që shërbejnë në KFOR.

    “Mali i Zi është i përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë për ushtarët tanë që janë në një mision serioz dhe që përfaqësojnë denjësisht Maqedoninë e Veriut. Ishte kënaqësi të bisedoja me komandantin e sapozgjedhur të KFOR-it, gjeneralin Angelo Ristuccia”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.

  • Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë mbyllur me sukses diskutimet për program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për çështjen e ndërtimit të kapaciteteve të reja për energji të ripërtëritshme me erë dhe diell. Sipas tij, programi ka vlerën deri në 260 milionë euro.

    Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se programi fillimisht vë në dispozicion 80 milionë euro në kuadër të “instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”.

    “Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në. Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore”, ka shkruar Murati. Sipas tij, pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri në vlerë prej 100 milionë eurosh për 2 vjetët e ardhshëm.

    Për këtë mbështetje, Murati ka thënë se pikënisje ka qenë “suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike dhe vendimmarrjen e matur fiskale”.

    “Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN”, ka shkruar ai.

  • Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja e rëndë në Pejë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për vrasjen e nënës së tij gjatë ditës së djeshme në Pejë.

    Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë.

    “Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.

    “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, përfundon njoftimi.

    Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • Kosova do ta organizojë Kampionatin Evropian të Xhudos

    Kosova do ta organizojë Kampionatin Evropian të Xhudos

    Siç bëhet e ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), Federata e Xhudos e Kosovës për herë të parë do të jetë organizatore e Kampionatit Evropian të Xhudos.

    Ky Evropian i xhudos është formati i ri i ngjarjes kontinentale, që ndryshe njihet si “European Championships Open”, raporton KosovaPress.

    Evropiani i xhudos është i hapur dhe do të organizohet vetëm për kategoritë deri në 57 kilogramë dhe deri në 73 kilogramë, ku Kosova do ta ketë të drejtën të paraqitet me nga dy xhudistë në kategori, për dallim prej shteteve tjera që do ta kenë nga një.

    Federata Evropiane e Xhudos, fondi shpërblyes do të jetë 300 mijë euro, gjë që sinjalizon se në kryeqytetin tonë do të zbarkojnë yjet e xhudos.

    “Kampionati Evropian i hapur paralajmëron një epokë të re për ne në disa aspekte: për herë të parë një turne i tillë i klasës së xhudos së përgjithshme do të organizohet në Kosovë. Xhudo ka qenë prej kohësh sport kombëtar këtu, dhe ajo që na ka munguar është një turne ku yjet tanë kryesorë mund të performojnë para tifozëve tanë”, tha mes tjerash kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, i cili njëherit është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të EJU-së.

    Kampionati do të mbahet më 16 dhjetor 2023 në Prishtinë.