ATV

Author: ATVLive

  • ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

    “Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

    Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

    “Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai. /kp

  • ​Tahiri: Qeveria në panik në raport me aferat korruptive

    ​Tahiri: Qeveria në panik në raport me aferat korruptive

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se qeveria ka panik të madh në raport me aferat korruptive. Të njëjtit, siç tha ai, gjatë ditës së djeshme kanë sulmuar organet e pavarura të drejtësisë.

    Ai e ka konsideruar “mega-skandal” arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    “Mega-skandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se me u dit, as hetimi për çka, as çfarë tenderash janë, as për çfarë arsyeje ka shkuar policia dhe prokuroria në KEK, tregon shumë qartë panikun e madh që ka kjo qeveri në raport me këto afera korruptive. Komunikimi i djeshëm dhe sulmet që u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave tregon për një alarm që është në qeveri në raport me këtë aferë korruptive, mirëpo edhe me aferat tjera potenciale që mund të vijnë edhe te organi shqyrtues i prokurimit”, ka deklaruar Tahiri, transmeton KP.

    Ai në seancën e sotme plenare ka kërkuar nga pushteti që të mos e mbrojnë aferën korruptive të Martin Berishës.

    “A është kjo drejtësia që keni proklamuar? A nuk është e mundur që t’ia lejmë këtë hetim organeve që janë përgjegjëse dhe pastaj të shohim se ku po del ky. Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51 për qindëshit korruptiv po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është mos e mbroni, qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishës, për shkak se shihet qartë që veprimi i policisë dhe prokurorisë është vetëm në nisje në këtë temë”, ka shtuar ai.

  • Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se sonte është dita e fundit e agjërimit e se nesër festohet Fitër Bajrami, festë kjo, siç u shpreh ai, tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë.

    “Sonte në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar, Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje, devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam, agjërimin e muajit Ramazan”.

    Tutje, Myftiu i Kosovës tha se muaji i Ramazanit na ka bashkuar “në adhurime, falje e lutje”

    “Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”, tha Tërnava.

    “Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, u shpreh ai.

    Tërnava uroi festën, duke dëshiruar ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi.

    “Në këtë natë të madhe në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Me fat festa e Fitër Bajramit”, u shpreh tutje ai.

  • ​Bajrami: Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flasim për energji

    ​Bajrami: Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flasim për energji

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se arrestimi i djeshëm i kryeshefit të KEK-ut është “maja e Ajsbergut” Sipas saj, ambasadori Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flitet për energji.

    Sipas saj, deputetët e pushtetit kanë frikë sa herë që organet e drejtësisë tentojnë të hetojnë skandalet e korrupsionit.

    “Jemi që dy vite me masa emergjente për furnizim të energjisë elektrike, gjë që shkon në funksion të importit dhe gjë që shkon në funksion të negocimit të drejtpërdrejt të tenderëve. Martin Berishaj është ‘elefanti në dhomë’ sa herë flasim për energji. Profesori që pa verifikim të AKI-së për 24 orë pajisjet me pasaportë dhe emërohet ambasador. Njeriu i cili ka organizuar pritjen dhe ndeja private për udhëheqës të LVV-së dhe deputetë të Listës Guxo. Martin Berishaj po hetohet për një mega-skandal 4 milionë euro transaksione, të gjitha këto të dhëna të njësisë së inteligjencës financiare, të cilat as ai vet nuk i ka kontestuar asnjëherë”, ka thënë ajo, transmeton KP.

    Më tej, ka përmendur edhe tenderin për të cilin akuzohet kryeshefi Nagip Krasniqi, ku shtoi se i njëjti është negociuar për gjashtë ditë.

    “Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut, e cila tregon se cilat janë politikat e Qeverisë Kurti në energji. Contour Global nuk do të ndodhë sepse ishte shumë i shtrenjtë, për 83 euro megavati orë energji elektrike, ky është faktikisht drejtori i cili i dha idenë Kurtit që të del kundër Counturit. Mirëpo, çka ka ndodhë në KEK? Dje ne e kishim prangosjen e Nagip Krasniqit i cili sipas raportimeve të mediave po hetohet për një tender 3,4 milionë euro. Të cilin i kishte dhënë kompanisë në fjalë për vetëm gjashtë ditë negociim, tender ky që për nëntë muaj kishte dështuar që të bëhej. Dhe sa është kostoja e mos-funksionimit A5 për nëntë muaj? Për nëntë muaj të mos-funksionimit të bllokut A5, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 1 milion euro në ditë”, ka shtuar Bajrami në seancën plenare.

  • Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Kusari-Lila për liberalizimin e vizave: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi zvarritjen e procesit

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit ka folur lidhur me nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Para deputetëve, ajo ka thënë se ky proces është zvarritur shumë, ndërsa ka thënë se në dy vitet e fundit shtyrja e liberalizimit u ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dhe pa arsyetime formale liberalizimi i vizave përdorej si shkop I kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut”, është shprehur Kusari-Lila.

    Tutje, ajo ka deklaruar se “serioziteti i Qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për liri të fjalës dhe media të lira, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtja në llogaridhënie e Serbisë në procesin e dialogut, ka pamundësuar shtyrjen e mëtejshme të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”.

    “Askush nga spektri politik nuk e mohoi se kriteret teknike tashmë ishin plotësuar, por gjithashtu është e pakontestuar se vullneti politik I munguar të vendet e Bashkimit Evropian është rikthyer me kredibilitetin e qeverisjes në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

  • Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i pyetur rreth sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë islame.

    Tërnava ka thënë se BIK është jetë kundër çfarëdo lloj dhune dhe kujdestare e fjalës e lirë, raporton Ekonomia Online.

    “Një duhet ditur dhe kuptuar që të gjithë Kurani është libër hyjnor i të Madhit Zot. I zbritur tek Muhamedi Alejhi Selam ai Kuran në mënyrë decidive shkruan nuk ka dhunë në fe dhe nga kjo kuptojmë se islami lufton çdo formë të dhunës qoftë ajo dhunë fizike dhunë psikologjike, verbale, materiale çfarëdo natyre qoftë ajo”.

    “Bashkësia Islame e Kosovës është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloj dhune, qoftë asaj fizike që është e shprehur, ndaj kujtdo qoftë ajo. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi, do të përkrahë, do të jetë kujdestare e fjalës e lirë. Bashkësia Islame e Kosovës respekton dhe nderon mendimin ndryshe”, tha tutje Tërnava.

    Ndërsa, duke komentuar deklaratat e imamëve për simbolet kombëtare dhe flamurin, Tërnava ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.

    “Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tonë të shenjtë Kuranin. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”.

    “Flamuri ka qenë dhe mbetet simbol identifikimi, përkatësisë tonë kombëtare dhe duhet ngulitur thellë në mendjen tonë. Ngase për flamurin tonë se në kontekstin me flamur kuptojmë vendin, kuptojmë ardhmërinë, është një pasqyrë në të cilën ne e shohim veten”, tha Tërnava.

  • Krasniqi: Linja e re elektro-energjetike me mbi 60km në Gjakovë, është në përfundim e sipër

    Krasniqi: Linja e re elektro-energjetike me mbi 60km në Gjakovë, është në përfundim e sipër

    Zëdhënësi e KEDS-it, Lulzim Krasniqi, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, duke folur për planin investiv të KEDS-it, tha se projekti për për linjën e re 60 kilometra në Gjakovë tashmë është në përfundim e sipër.

    “Projekti për linjën e re 60 kilometra në Gjakovë, është një projekt që ka filluar së realizuari në vitin 2021 dhe tashmë është në mbarim e sipër. Bëhet fjalë për projektin e daljes së Cermjanit, projekt që është i gjatë më shumë se 60 kilometra linjë të rrjetit elektro energjetik. Tre largpërçuesit, ai i Cermjanit, Erenikut dhe i Becit, që derivojnë nga qendra e Gjakovës, degëzohen në drejtim të Deçanit dhe Klinës për t’u bashkuar në daljen e Cermjanit, e cila përgjatë disa fshatrave vazhdon në një linjë deri në fshatin Krelan”, tregoi Krasniqi.

    Ai tha se diku rreth 24 kilometra të linjës me mbi 60km në Ghjakovë, janë rrjet nëntokësor.

    “Është projekt mbi 60kilometra i gjatë, ndërsa diku 24 kilometra të këtij rrjeti janë nëntokësore, ku tashmë janë vendosur edhe pusetat dhe së shpejti pritet që të vendosen edhe elementet e tjera të nevojshme. Në këtë linjë tashmë javë vendosur 817 shtylla elektrike të profileve të ndryshme, duke përfshirë edhe përçuesit elektrikë, ndërkaq së shpejti do të vendosen edhe 6 transformatorë sa është paraparë. Ky është një projekt madhor kapital që është duke u zhvilluar në kuadër të planit investiv të KEDS-it. Bëhet fjalë për më shumë se 2400 konsumatorë, ose rreth 10 mijë qytetarë të asaj ane, duke pasur një rrjet të qëndrueshëm dhe furnizim stabil me energji elektrike”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

  • LEXDOKS, platforma revolucionare e sistemit ligjor që ofron material të bollshëm juridik në Kosovë

    LEXDOKS, platforma revolucionare e sistemit ligjor që ofron material të bollshëm juridik në Kosovë

    LEXDOKS, e cila është një platformë e fuqizuar nga inteligjenca artificiale që përfshinë një bazë të të dhënave gjithëpërfshirëse dhe elektronikisht të kërkueshme të më shumë një milionë faqeve të burimeve juridike.

    Kjo platforma ka marrë vlerësime nga institucione të ndryshme juridike.

    Bashkëthemeluesi i kësaj platforme, Alban Krasniqi, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se duke pasur parasysh se në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, një platformë e tillë nuk kishte ekzistuar, ai së bashku me një grup prej 5 vetash kishin vendosur që ta zhvillojnë platformën e mençur LEXDOKS.

    “Platforma LEXDOKS është si një lloj “Google” për ligjet dhe vendimet gjyqësore dhe gjithçka që është ligjore në Kosovë. Parimisht iu ndihmon gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, praktikuesve të tjerrë të sistemit të drejtësisë, por po ashtu edhe studiuesve të sistemit të drejtësisë siç janë profesorët universitar, studentët, etj. Unë jam me fat që kame qenë në një rreth shoqëror që kanë qenë nga fusha diverse, duke përfshirë, programimin dhe tjera dhe jemi një grup prej pesë vetave që jemi bashkëthemelues të platformës dhe në 2017-2018, kemi filluar punën sepse e kemi vërejtur mungesën e një platforme të tillë në Kosovë. Në vendet tjera me sisteme juridike të avancuara, platforma të tilla ekzistojnë tashmë dhe janë shumë të zhvilluara, por në Kosovë, besa edhe në rajon, nuk ka diçka të tillë që është kaq e mençur dhe kaq e furnizuar me dokumente. Kështu që, kemi dashur me e zgjidhë një problem të vogël por të rëndësishëm në sistemin drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, tregoi Krasniqi.

    Sa i përket saktësisë së materialit që gjendet në këtë platformë, Krasniqi tha se ata procesojnë të dhëna vetëm nga burimet zyrtare.

    “Pa dyshim, ne procesojmë të dhëna vetëm nga burime zyrtare, pra nga burimet që janë publike dhe sipas ligjeve të Kosovës janë dokumente të qasshme për gjithkënd. Ato dokumente pastaj ne i procesojmë me algoritmet tonë duke e fuqizuar po ashtu edhe me inteligjencën artificiale, duke i bërë të filtrueshme, të kërkueshme dhe duke e bërë platformën të mençur, ashtu që përdoruesi i fundit ta ketë me të lehtë navigimin në tërë spektrin ligjor të Kosovës”, shpjegoi Krasniqi.

    Ai, për shikuesit e ATV-së bëri edhe një demonstrim se si të kenë qasje në këtë platformë dhe si t’i bëjnë kërkimet e materialeve që iu përdoruesve iu interesojnë. /atvlive.tv

  • Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën e sotme të raportojë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli. Pas arrestimit të djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo parti ka kërkuar që ministrja të japë informacione mbi këtë situatë. Këtë mocion nuk e ka mbështetur shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka propozuar një mocion për ndryshim të rendit të ditës, që të mundësohet raportimi i Rizvanollit.

    “Si GP i PDK-së bazuar në rregulloren e kuvendit, në pikën 94 të shqyrtimit të çështjeve urgjente, kërkojmë që tashmë të vendoset si pikë e parë të rendit të ditës, raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik mbi arrestimet e djeshme që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ne e dimë që KEK drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria e Kosovës, ky bord e ka emëruar një kryeshef, i cili ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, zyrtar i lartë i LVV-së. Dhe ditën e djeshme një zyrtar i tillë është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë ai, raporton KP.

    Tahiri ka theksuar se së shpejti do të dorëzojnë dosje në prokurori për abuzimet, siç ka thënë ai, që janë bërë nga kryeshefi i KEK-ut.

    “Si Grup Parlamentar tash e një vit e gjysmë i kemi ngritur shqetësimet tona rreth abuzimeve që kanë ndodhur dhe keqmenaxhimeve dhe krizës energjetike në Republikën e Kosovës. Pra, kemi themeluar edhe një komision hetimor, ku tashmë kemi përgatitur edhe një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut. Ne kemi parë që atë ka ndodhur një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderat një burimor dhe shumë çështje të tjera që lidhen me punësime”, ka shtuar Tahiri.

    Por, ky mocion nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    “77 deputetë votuan, morën pjesë në votim, për mocionin ishin 32. Kurse kundër mocionit ishin 45. Prandaj mocioni nuk mund të kalojë”, ka njoftur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

  • Sulmohet zyrtari policor nga kontrabanduesit e mallrave

    Sulmohet zyrtari policor nga kontrabanduesit e mallrave

    Në Viti janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë për arsye se nuk u i ishin ndaluar zyrtarëve policorë në një pikë kontrolli.

    Pas ndjekjes policia ka rritur ta ndalojë kamionin me të cilin po lëviznin të dyshuarit dhe njëri prej tyre e kishte sulmuar një zyrtar policor.

    “Gjatë kontrollit në kamionin e të dyshuarve janë gjetur 11 krerë gjedhe që dyshohet se i kishin futur ilegalisht nga Maqedonia e Veriut. Me vendim të prokurorit kamioni dhe kafshët janë dërguar doganës, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e fundit të Policisë së Kosovës.