ATV

Author: ATVLive

  • KPK i reagon Kurtit, mohon pretendimet për kryeprokurorin Blerim Isufaj

    KPK i reagon Kurtit, mohon pretendimet për kryeprokurorin Blerim Isufaj

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në seancën e Kuvendit.

    KPK në një reagim ka njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, deklaron se, sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast”, thuhej në reagim.

    Gjithashtu KPK ka ftuar të gjithë ata që kanë informacione lidhur me rastin duke përfshirë edhe kryeminsitrin Kurti t’i ofrojnë ato,

    “KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti”, thuhej tutje.

    KPK-ja thekson se institucionet prokuroriale janë të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë.

    Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate.

    Gjithashtu, KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët por kinse nuk janë ka trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le ta deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë.

    KPK-ja deklaron se mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

  • Një muaj paraburgim për drejtorin e KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale

    Një muaj paraburgim për drejtorin e KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua dje nën dyshimet për korrupsion.

    Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Sipas Prokurorisë Speciale, Krasniqi dyshohet se ka kryer tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

  • Digjet një veturë në Veternik

    Digjet një veturë në Veternik

    Një veturë është kapluar nga zjarri në Veternik të Prishtinës, afër Albi Mall
    .
    Në videon e siguruar nga ATV, vetura e kapluar nga zjarri shihet se është e braktisur.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së sotme.

  • Shqiptarët në Zvicër për dy orë mblodhën 2 milionë CHF për xhaminë e re në Friburg

    Shqiptarët në Zvicër për dy orë mblodhën 2 milionë CHF për xhaminë e re në Friburg

    Bernë, 20 prill -Jemi dëshmitarë se diaspora e sotme shqiptare, kryesisht nga Kosova që jetojnë  dhe veprojnë në territorin helvetik, janë viktime e politikave diskriminuese të regjimit jugosllav dhe Serbisë së diktatorit serb Millosheviq, ku ky i fundit, shqiptarëve iu kishte shkatërruar gjithçka para viteve 1999, përfshirë këtu shkolla e xhamia.

    Por sot këta ish-emigrantë e sot qytetarë të Zvicrës  janë shembull integrimi në territorin helvetik, të cilët janë bërë të njohur dhe të suksesshëm jo vetëm në futboll, por edhe në arsim, të cilët sot në Zvicër kanë 100 shkolla dhe 100 xhami, në të cilat po ruhet dhe kultivohet kultura dhe gjuha shqipe, ku në xhamia, ligjëratat dhe lutjet bëhen edhe në gjuhen shqipe, shkruan gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Sipas Zyrës Federale për Statistika (OFS) në Zvicër, aktualisht jetojnë dhe veprojnë 389.444 myslimanë apo 8% sipas regjistrimit të vitit 2021 nga popullsia rezidente e përhershme e moshës mbi 15 vjeç.

    Sipas shifrave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) që datojnë nga viti 2019, 5.5% e banorëve të moshës 15 vjeç e lartë deklarojnë se janë myslimanë në Zvicër, pra rreth 390,000 njerëz. Por numri i tyre këto katër vitet e fundit është rritur në afro 400 mije.

    Imami i Gjenevës Rijad Aliu uron festen e Bajramit komunitetit shqiptare dhe të huaj në gjuhen shqipe dhe tri gjuhë të tjera të Zvicrës

    Imami i Gjenevës prof. Rijad Aliu, mbrëmë para qindra besimtarëve në Xhaminë e Gjenevës “Dituria” ka uruar Fitër Bajramin komunitetit shqiptarë dhe jo shqiptarë në gjuhën shqipe dhe në tri gjuhë tjera në Zvicër.

    “Vëllezër dhe motra të nderuara, në emri tim personal dhe të Xhamisë sonë ‘Dituria’ në Gjenevë, të gjithë besimtarëve anë e mbanë botës islame ua uroj këtë festë të Bajramit, duke e lutur të Madhin Allah që harmonia, dashuria, solidariteti dhe toleranca të mbretëroje në mesin tonë këtu në Zvicër dhe paqja në botë”, është shprehur imami Aliu.

    Njëkohësisht, me një mesazh drejtuar komuniteti shqiptarë në Zvicër iu është drejtuar me urime edhe imami i njohur Mehas Alija, kryetar i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, duke kërkuar që në mesin tonë të kenë paqe dhe tolerancë pavarësisht nga religjioni, gjuha, raca apo origjina.

    Shumica e myslimanëve në Zvicër vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë (42%) kryesisht shqiptarë nga Kosova, Maqedonia Veriore dhe Lugina e Preshevës, kurse nga Turqia (14%). Një e teta kanë kombësi zvicerane (mbi 30%, krahasuar me 12% në vitin 2000).

    Një mbështetje e fuqishme nga Kuvajti, Katari dhe Turqia. Xhamitë shqiptare financohen nga vet organizimi, në baza vullnetare

    Një nga bashkëbiseduesit tanë ka deklaruar se “gjithçka çfarë na ka shkatërruar Miloshiviqi me tanke në vendlindje, po përpiqemi t’i kemi sot këtu pran nesh në Zvicër..”. Sipas tij, sot në Zvicër, shqiptarët kanë mbi 200 qendra shkollore, mësim në gjuhen shqipe, po ashtu edhe mbi 100 xhami, qendra këto për falje, shkruan gazeta zvicerane Le Canton27.ch

    Më 1 qershor 1978, mbreti Khaled erdhi nga Arabia Saudite për të inauguruar xhaminë e Gjenevës, më e madhja në vend. Mbretëria financoi ndërtimin e ndërtesës prestigjioze.

    Ceremonia ishte zhvilluar në prani të Këshilltarit Federal Pierre Aubert, Kryetarit të Bashkisë së Gjenevës Pierre Raisin si dhe përfaqësuesve të kishave.

    E vendosur në Petit-Saconnex, Xhamia e Madhe e Gjenevës përbëhet nga katër ndërtesa: Xhamia, një shkollë për mësimin e Kuranit, një bibliotekë dhe një laborator gjuhësor.

    Xhamia e Madhe e Gjenevës është ndërtuar në vitin 1978 në rrethin e institucioneve ndërkombëtare në Grand-Saconnex. Është xhamia më e madhe në Zvicrën frankofone dhe e vetmja që ka një minare. Është gjithashtu e vetmja që njihet nga jashtë, xhamitë e tjera në Zvicrën frëngjisht folëse janë në ndërtesa civile.

    Për 300 mijë shqiptarë në Zvicër 100 xhami janë pakë a shumë?.. Pas Xhamisë së Bernit, Gjenevës, Will-it, Spreitenbach dhe Reinach, shqiptarët e Zvicrës së shpejti edhe me një xhami në Friburg.

    Me rritjen e numrit të shqiptarëve në Zvicër rreth (300 mijë) po rriten edhe shkollat dhe xhamitë në këtë vend. Themi kështu sepse para 4 vitesh, në prag të Ramazanit në Zvicër u hapën dy objekte fetare, u bë inaugurimi i dy xhamive të mëdha (Will dhe Gjenevë) për komunitetin shqiptar në këtë vend demokratik dhe tolerant. Dy imamët e këtyre xhamive kane falënderuar autoritetet zvicerane për këtë mundësi.

    Ne Qershorin e vitit 2017, shqiptarët në Zvicër kishin ndërtuar dy xhami me një shumë prej 8 milionë CHF. Për katër vite, katër xhami në Zvicër, që kjo i bie se shqiptaret në Zvicër sikur ndërtojnë thuajse për çdo dy vite nga një xhami. Sipas imamëve dhe organizatoreve, në mesin e qindra kontribuuesve, sponsorëve shqiptarë e myslimanë, kishte edhe donatorë katolikë dhe zviceranë.

    Shqiptarët në Zvicër bëhen me 100 shkolla dhe 100 xhami. Së shpejti shqiptarët e Friburgut më xhami të re “Assotiation Culturell Islamic Albanaise”

    Sipas gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, në Zvicër janë mbi 100 xhami të shqiptareve. Shumica e xhamive shqiptare në Zvicër janë me imamë të rregullt, të punësuar. Numri më i madh i besimtarëve është prezent ditëve të premte, por edhe ditëve të pushimeve sidomos gjatë  muajit të Ramazanit dhe ditëve të festave të  Bajramit të Vogël dhe të Madhit, kurse ditëve tjera, xhamitë më pak frekuentohen për shkak të angazhimeve të besimtarëve me punë të përditshme dhe obligime familjare.

    Është e vështirë të numërohet numri i objekteve të adhurimit mysliman në Zvicër. Vlerësimet variojnë nga rreth 300 xhami. Në Zvicër, vetëm katër kanë minare (Gjenevë, Cyrih, Winterthur dhe Wangen bei Olten). Pa muezin, janë rreth 200 imamë që predikojnë në Zvicër, prej të cilëve mbi 100 janë me angazhim të plotë.

    Pjesa dërmuese e xhamive në Zvcër mbështeten nga Kuvajti, Katari dhe Turqia. Kurse, xhamitë shqiptare financohen nga vet organizimi spontan i shqiptareve, në baza vullnetare.

    “Të dashur vëllezër dhe motra, me datë 17.04.2023 ditë e hënë (nata e Kadrit në muajin Ramazan), u bë aksion për grumbullimin e mjeteve për ndërtimin e Xhamisë së re në Fribourg. Shuma e tubuar 1 814 400 CHF, masha’Allah. Allahu i shpërbleftë të gjithë kontribuuesit. Vetëm besimi në Allahun arrin të bën çudira”, thuhet ne web faqen e xhamisë së shqiptarëve në Friburg, transmeton gazeta zvicerane Le Canotn27.ch, ku në vazhdim prezantohet edhe në video ku shihet maketi i xhamisë se re në Friburg, të cilin kanton jetojnë mbi 20 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, Maqedonia Veriore dhe nga Lugina e Preshevës.

    Drejtuesi i Xhamisë në ndërtim Bedrudin Sadullahu, duke falënderuar besimtarët për këtë solidaritet dhe kontribut, ka thëne për gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch se “pjesa e dërmuse e mjeteve janë tubuar për xhaminë e re në Friburg,  falë gatishmërisë dhe bujarisë së komunitetit tonë në kantonin tonë dhe në Zvicër”.

    “Xhamia e jonë në Friburg për të qenë në funksion, nevojiten 2 500 500 CHF. Deri më tani janë grumbulluar 1 830 000 CHF. Objekti do të ketë bibliotekën, salla leximi, restorant të madh prej 350 m2 si dhe lokale për aktivitete të tjera kulturore e sportive, por edhe këndin për lojë për fëmijë”, ka thënë Sadulli.

    “Së pari falënderoj autoritetet zvicerane që na kanë mundësuar lokacionin. Çështjen administrative e kemi kryer, po ashtu projektin e kemi të gatshëm dhe mjetet gati-gati po bëhen. Çka inshalla xhamia jonë në Friburg do jetë e gatshme për Ramazanin e vitit të ardhshëm, ku do të kemi dy festa, Bajrmin dhe xhaminë re”, ka treguar Sadullahu duke uruar festen e Bajramit komunitetit myslimanë në Friburg dhe Zvicër.

    Më shumë se 350 shoqata myslimane dhe objekte kulti, të rrymave të ndryshme, janë të përhapura në të gjithë Zvicrën. Asnjë xhami nuk pretendon hapur se ka një tendencë xhihadiste. Në Zvicër, shumica e myslimanëve vijnë nga Ballkani. Vendet ku ata luten janë gjithashtu vende takimi ku transmetohen traditat e vendeve të tyre të origjinës.

    “Myslimanët shqiptarë kanë përvojë të bashkëjetesës ndërfetare”, tha Arlinda Amiti, koordinatore e programit të doktoratës “Islami dhe Shoqëria: Studime Islame-teologjike” në Qendrën Zvicerane për Islamin dhe Shoqërinë (CSIS).

    Se sa janë të integruar shqiptarët, në këtë rast femrat shqiptare, dëshmon edhe një fakt se zonja prof.dr.Arlinda Amiti (me shami) është shqiptarja e parë doktore e shkencave në Zvicër, e cila pos shqipes, zotëron edhe 7 gjuhë të huaja.

    Zvicra sot ka rreth 400,000 myslimanë të cilët në vitin 1970 ishin vetëm 16,000. Sipas gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, ky numër i madh i myslimanëve në Zvicër të cilët janë kryesisht nga Ballkani,  janë edhe për shkak të politikave diskriminuese të regjimit të Millosheviqit, i cili kishte dëbuar më dhunë qindra mijëra shqiptarë dhe boshnjakë nga viset e tyre si nga Kosova po ashtu edhe nga Bosnja.

  • ​Abdixhiku: Dënojmë gjuhën e pushtetit që mbron Krasniqin e sulmon sistemin e drejtësisë

    ​Abdixhiku: Dënojmë gjuhën e pushtetit që mbron Krasniqin e sulmon sistemin e drejtësisë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi sot se e dënojnë gjuhën e pushtetarëve, që sipas tij, po e mbrojnë kryeshefin e KEK-ut, e që siç tha ai, po sulmojnë Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë. Ai tha se “kjo është mbrojtje e akterëve kriminal e mafioz”.

    “Ne po ashtu dënojmë gjuhën e pushtetarëve, të cilët blanko mbrojnë një njeri të lidhur në pranga nga Policia e Kosovës e në anën tjetër sulmojnë Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë, të cilat po bëjnë punën e tyre. Ky s’është ndryshimi për të cilin Kosova ka pasur nevojë, ky është mbrojtje e akterëve kriminal e mafioz e një mafie energjetike të madhe në Kosovë. Për këtë ndryshim Kosova nuk ka pasur nevojë asnjëherë.”, tha ai.

    Abdixhiku u shpreh se gati që 10 muaj Kosova nuk e ka njërin prej blloqeve më të rëndësishme të saj, bllokun A5, me ç’rast, tha se ka interesa mafioze energjetike që të përfitojnë prej situatës.

    “Tanimë ne kemi ngritur çështjen e keqmenaxhimit të Korporatës ElektroEnergjetike të Kosovës, tash e sa muaj për faktin e vetëm që blloku A5 i Termocentralit Kosova A është jashtëfunksionit nga 19 korriku i vitit 2022. Pra, po bëhen gati 10 muaj që Kosova nuk e ka njërin prej blloqeve më të rëndësishme të saj. Dhe për bindjet e LDK-së, këtu ka një motiv mafioz energjetik, sepse për aq kohë sa blloku A5 është jashtë funksionit, pra s’punon, s’prodhon rrymë dhe s’prodhon rrymë që ta din inga 130 mega wat në orë, pra për aq kohë sa s’prodhon rrymë ka interesa mafioze energjetike që të përfitojë prej kësaj situate.”, tha ai.

    Tutje, Abdixhiku tha se riparimi i bllokut A5 do të merrte kohë vetëm dy muaj. Sa i përket kësaj çështjeje, ai adresoi kriktika edhe ndaj kryeministrit Alboin Kurti.

    “Është një zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje nga partia në pushtet, nga kryeministri Albin Kurti, pra në krye të një ndërmarrje që për 10 muaj po saboton punën e kësaj ndërmarrjeje dhe në këtë kupolë të krimit të organizuar mafioz energjetik, pra që nisë nga Nagip Krasniqi e përfundon tek tregtari energjetik Martin Berishaj, i cili tërheq 1.4 milionë para kesh në Prishtinë, mbi këtë kupolë të krimit ekziston vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.”, tha Abdixhiku.

    Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interest”./KosovaPress

  • “Kudo në botë, nëse i sheh njerëzit duke bërë këtë gjë, folju shqip se shqiptar janë”, kështu dallohen shqiptarët sipas këtij qytetarit

    “Kudo në botë, nëse i sheh njerëzit duke bërë këtë gjë, folju shqip se shqiptar janë”, kështu dallohen shqiptarët sipas këtij qytetarit

    Salih Koliqi, një qytetar i lagjes Tophane në kryeqytet, në një bisedë me ATV-në, tha se populli i jonë e ka traditë me e zënë udhën.

    “Zakonisht populli i jonë e ka traditë me e zënë udhën. E zënë udhën e vet, e qet shtëpinë në udhe, i qet edhe shkallët. Vetit ia zë udhën”, tha ai.

    Madje, qytetari tha se këtë traditë shqiptarët e zbatojnë edhe nëse jetojnë jashtë vendit.

    “Ku të shkojsh në krejt botën, ku t’i shohësh udhët që janë ngushtë, shqip foli, se shqiptar janë ata”, u shpreh i mllefosur banori i Tophanes, lagjes që vuan nga rrugët e ngushta. /atvlive.tv

  • Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Kievi ka deklaruar se vendi i merituar i Ukrainës është në aleancë.

    Stoltenberg u prit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev këtë të enjte, shkruan Skynews.

    “Vendi i merituar i Ukrainës është në NATO. Dhe me kalimin e kohës, mbështetja jonë do t’ju ndihmojë ta bëni këtë të mundur”, deklaroi Stoltenberg.

    Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke thënë se, deri më tani, aleatët e NATO-s kanë trajnuar dhjetëra mijëra trupa ukrainase dhe kanë ofruar vetëm 65 miliardë euro ndihmë ushtarake.

    “NATO qëndron me ju sot, nesër dhe për aq kohë sa duhet”, tha Stoltenberg, përpara se të ftonte Zelenskyy në samitin e NATO-s në Vilnius në korrik.

    “Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë, por ne e dimë se agresioni rus është një model toksik që duhet të ndalet. Kështu që ne duhet të vazhdojmë të forcojmë forcat e armatosura të Ukrainës. Dhe ne duhet të sigurojmë se janë vendosur marrëveshje të fuqishme dhe të fuqishme për sigurinë e Ukrainës” tha ai.

    Ndërsa ishte në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm vizitoi Buçën dhe bëri nderimet e tij për viktimat.

    Ai vendosi gjithashtu një kurorë në Murin e Kujtimit të të Rënëve për Ukrainën, duke bërë homazhe për të gjithë të rënët.

  • Bie çmimi i naftës nëpër tregje ndërkombëtare

    Bie çmimi i naftës nëpër tregje ndërkombëtare

    Çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët në tre javët e fundit, nëpër tregjet ndërkombëtare.

    Nafta e papërpunuar Brent ka rënë për 1.12 dollarë, a po 1.4 për qind, apo në çmim total prej 82 dollarë për barrel. Ndërsa nafta e papërpunuar e “West Texas” pësoi rënie prej 1.02 dollarë, apo 1.3 për qind, që me çmim total i bie të jetë 78.14 dollarë për barrel, raporton Reuters.

    Nga të dyja, rënia e regjistruar të mërkurën është 2 përqind, në pikën më të ulët që nga fundi i marsit.

    Pas kësaj lëvizjeje, indeksi i dollarit amerikan ka shënuar rritje prej 0.3 pëqind gjatë kësaj jave, që është ngritja më e fortë që prej fundit të shkurtit.

  • Ministri i Jashtëm i Suedisë në Kosovë, pritet nga Gërvalla

    Ministri i Jashtëm i Suedisë në Kosovë, pritet nga Gërvalla

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, raporton EO.

    Takimi është duke u zhvilluar në ndërtesën e MPJD-së. Të dy homologët pas takimit do të mbajnë konferencën e përbashkët për media.

    Billstrom do të pritet në takime të ndara edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

  • ​Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave

    ​Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave

    Komisioni Evropian ka përshëndetur nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u bë të mërkurën nga Parlamenti Evropian. Në një komunikatë për media, thuhet se udhëtimi pa viza do të sjell përfitime për qytetarët nga të dy anët si dhe do të forcojë më tutje raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën.

    Sipas Komisionit Evropian, Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet duke dëshmuar përkushtim në këtë drejtim.

    “Udhëtimi pa viza sjell përfitime për qytetarët nga të dyja anët, duke forcuar më tej marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka treguar përkushtimin e saj”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, bëhet e qartë se lëvizja e lirë për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024.

    “Udhëtimi pa viza për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024. Pas pajtimit në mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit, në bazë të propozimit të Komisionit Evropian, bartësit e pasaportave të Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në Bashkim Evropian pa viza për një qëndrim maksimal deri në 90 ditë, në periudhën prej 180 ditësh” thuhet tutje në komunikatë.

    Në këtë komunikatë, Komisioni thotë se në vitin 2016 i kishte propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit, mundësinë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza.

    Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, Komisioni kishte vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar të mërkurën.

    Për të hyrë në fuqi, ai pritet të botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.