Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se policia ka diskriminuar aktivisten Luljeta Aliu në bazë të gjinisë dhe i anuloi vendimet e Policisë që e shfajësuan zyrtarin policor si të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese.
Kur ajo kishte shkuar të raportonte në polici që ish-bashkëshorti i saj ka shkelur urdhrin mbrojtës, togeri e kishte detyruar atë të largohet nga stacioni policor duke mos ia regjistruar fare raportimin.
Pas ankesës së Luljetës, togeri ishte arsyetuar duke thënë se ajo kishte veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe një maicë me rripa”.
Dy ditë pas, ajo ishte e ftuar në emisionin STUDIO A në ATV, ku rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur kur kishte shkuar në polici për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës që përjetoi nga ish-bashkëshorti i saj.
“Aq pak e kanë marrë seriozisht çështjen e raportimit të dhunës deri tani që edhe gënjeshtrat kur i kanë bërë, i kanë bërë të paarsyeshme. Shpresoj që ky rast ka me qenë një mësim, një leksion i mirë për institucionet, sepse për atë arsye edhe e kam filluar”, thotë Aliu. /atvlive.tv
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Një ditë më pas, në Strasburg u bë edhe ceremonia e nënshkrimit të aktit ligjor të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Qytetarët e Kosovës iu gëzuan liberalizimit të vizave pa drojën se ky proces mund të dështojë. Por, jo të gjithë iu gëzuan këtij vendimi, pasi disa qytetarë janë të shqetësuar se mund të zbrazet Kosova nga largimi i të rinjve nga vendi.
Ekipi i ATV-së, gjatë ditës së sotme mori opinionin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.
Në prag të festës së Fitër Bajramit, mbi 300 familje në nevojë janë ndihmuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim me pako ushqimore dhe higjienike.
Një pjesë e tyre u dorëzuan personalisht nga zëvendësministri Mevlud Sinani.
“Arsyeja përse kemi filluar me këto 50 pako është se nuk kemi mundur që fizikisht t’i përgatisim të gjitha, mirëpo të gjithë aplikuesit për pako ushqimore do të jenë përfitues. Janë afër 360 përfitues dhe të gjithë do të jenë përfitues, mirëpo në ditët në vazhdim do të bëhet shpërndarja e pakove tjera”, tha zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.
Gjatë shpërndarjes së pakove, ai ka dhënë një lajm të mirë për 19 familje.
“Çka është më e rëndësishme se sot, do të fillojmë me ndërtimin e 19 shtëpive në tërë territorin e Kosovës”, tha Sinani.
Edhe vitin e kaluar, ky dikaster ka shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike për pjesëtarët e komunitetit joshumicë. /atvlive.tv
Tani po merren me detajet e fundit të ëmbëlsirave për festën e Fitër Bajramit.
Ndonëse janë të privuara nga liria, atmosfera festive nuk mungon as për gratë e vajzat në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.
“Nuk na lejohet të qëndrojmë shumë bashkë, por na kanë lejuar që shoqen që e kemi dashtë na, me sjellë në dhomë, kemi festuar deri vonë, kemi pasë kantinë dhe gjërat e tjera të nevojshme. Mungesën për festë, për gjithçka, e kemi pasë në rregull, për Vitin e Ri kemi përgatitë tortë, për Bajram do të përgatisim edhe tambëloriz, për të gjithë të burgosurit. Është me të vërtetë vështirë, por jemi duke u munduar që edhe të tjerët të mos e ndiejnë mungesën e shtëpisë, pra sadopak të vijë era bakllavë”, thotw njw e burgosur.
Mungesa e familjes ua zbeh gëzimin e kësaj feste.
“Shumë e vështirë, larg familjes, larg gjirit familjar, e çka është e vështirë për mua, këtë vit është hera e parë që jam këtu dhe e kam vështirë, por jam munduar me punë ta largoj stresin. Na mundësojnë me folë në Skype, që të kemi vizitë, unë e kam në Shkup, pak larg, nuk kemi ndalesë për asgjë”, thotw njw e burgosur tjetwr.
Drejtori i kësaj qendre tregon se brenda rregullave të caktuara krijojnë mundësi për të burgosurat që të përgatisin ushqime të ndryshme me rastin e festave.
“Pra ne gjatë ditëve me festa përpiqemi që t’ua lehtësojmë këto ditë për shkak se këto janë më të ndjeshme dhe kryesisht ushqimi është më i veçantë dhe menyja, pra të burgosurat që janë të punësuara në kuzhinë dhe në furrë, ua mundësojmë të përgatisim ëmbëlsira”, tha drejtori i Qendrës Korrektuese për Gra në Lipjan, Dritan Bajramaj.
Aktualisht, në këtë Qendër janë të burgosura 34 gra. Krahas punës në kuzhinë, ato gjatë kohës sa vuajnë dënimin angazhohen edhe në zanate të tjera. /atvlive.tv
Në ditën e fundit të Ramazanit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u është drejtuar besimtarëve.
Në fjalimin e tij tradicional në prag të festës së Bajramit, ka uruar për paqe e harmoni.
“Në këtë natë të madhe, në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Agjërim, lutje ibadete të pranuara. Me fat festa e Fitër Bajramit!”, tha Tërnava.
Me këtë rast, ai ka komentuar edhe rreth sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, duke thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë islame.
“Bashkësia Islame e Kosovës është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloj dhune, qoftë asaj fizike që është e shprehur, ndaj kujtdo qoftë ajo. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi, do të përkrahë, do të jetë kujdestare e fjalës e lirë. Bashkësia Islame e Kosovës respekton dhe nderon mendimin ndryshe”, theksoi Tërnava.
Ndërkaq, për simbolet kombëtare dhe flamurin, Tërnava ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.
“Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tonë të shenjtë Kuranin. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”, tha Tërnava.
Ai është lutur që solidariteti e veprat e mira të dëshmua gjatë këtij muaji të vazhdojnë edhe në ditët e muajt e tjerë. /atvlive.tv
Procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian ishte kryetemë në takimin e ministres për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, me homologun e saj suedez, Tobias Billstrom.
Ministrja Gërvalla e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Billstromit në Prishtinë, në cilësinë e përfaqësuesit të Presidencës Suedeze të Këshillit Evropian, një ditë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët, nga 1 Janari 2024.
“Natyrisht gjatë ditëve të ardhshme, javëve dhe muajve të ardhshëm, deri në atë kohë do të kemi një kampanjë të gjerë informuese, e cila do të tregojë se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave. Por në ndërkohë kemi të pranishëm ministrin Billstrom, si përfaqësues të Presidencës”, tha Gërvalla.
Duke shmangur afatet, diplomati suedez tha se vendi i tij mbështet ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ne mbështesim procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe përpjekjet për reforma lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ne po konsultohemi me të gjitha vendet anëtare të BE-së për rrugën përpara, si procedurë e rregullt”, tha ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom.
Pasi tha se presidenca suedeze do ta mbajë Ballkanin Perëndimor lart në agjendë, Billstrom foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Kam qenë i qartë edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, nëse zotoheni për një marrëveshje, ju duhet ta përmbushni atë. Kjo nënkupton që Serbia duhet të ndalen së penguari Kosovën, në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo është e qartë. Këshilli i Evropës është një shembull. Në anën tjetër, është mirë të shohim Kosovën t’i përmbushë zotimet e saj, duke formuar Asociacionin e komunave”, tha Billstrom.
Krahas procesit integrues në BE, temë në takim ishte edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka ministrja Gërvalla tha se shpreson të ketë lëvizje pozitive.
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, takoi edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv
Këta zyrtarë policorë patën një detyrë të veçantë gjatë ditës – mbikëqyrjen e vendosjes së kontejnerëve, që do përdoren si qendra të votimit.
Në fakt, kjo është vetëm një nga pesë qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut. Tek Trerrokaqiejt do jetë një tjetër e improvizuar. ndërsa tri të tjera do mbahen në Shkollën në Kodrën e Minatorëve, në atë të Suhadollit dhe në komunën në Lagjen e Boshnjakëve.
Njëkohësisht, një tjetër kamion, shpërndante kontejnerët në Zveçan.
Këta (kontejnerët) u vendosën në qendër të qytetit, fare pranë stacionit policor. Ndërsa kjo në hyrje të fshatit Jashanicë.
Skaj rrugës u vendosën edhe dy nga qendrat e votimit në Zveçan. Njëra në hyrje të fshatit Zhazhë, e tjetra në Banjskë.
Pas vendosjes, nëpër secilën qendër të improvizuar qëndron nga një patrullë e policisë.
Të njëjtit pritet të kenë angazhim edhe të dielën, meqë parashikohet situatë e tensionuar.
“Sigurisht besoj se do jetë situate e tensionuar, POR, BESoj se policia do t’I marrë masat”, tha kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut, Nedzat Ugljanin.
“Serbët nuk besoj se do marrin pjesë në zgjedhje fare. Dhe kjo nuk ndodh për shkak se nuk garon Lista Serbe. Por, këtu ndikojnë edhe proceset tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit – siç kanë qenë vendosja e policëve special e të tjera”, tha drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Milicevic.
Në 4 komunat ku do zhvillohet procesi, janë gjithsej 19 qendra të votimit. /atvlive.tv
Me të filluar seanca e së enjtes, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi plotësim-ndryshim të rendit të ditës.
Kjo parti me anë të një mocioni kërkoi që pikë e parë e seancës të jetë raportimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbi arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Mocioni i PDK-së mori 45 vota kundër, ndërsa 32 për, përfshirë edhe njërin nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Me të përfunduar deklarimet jashtë rendit të ditës, PDK-ja lëshoi sallën.
Ndërkaq, çështje tjetër bëri që sallën ta lëshojnë edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.
“Sjellja e papërgjegjshme e ministrit të Financave duke tentuar me çdo kusht ta marrë buxhetin e komunave, na pamundëson që ne të jemi konstruktivë në seancat e Kuvendit”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Kuvendi i Kosovës është i bllokuar ose nëse ka një qasje strategjike politike për ta bllokuar, ose për shkak të mosdijes, moskonsultimit, mostrajtimit nga ministri i Financave”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Ndërkohë, për dallim nga tri seancat e tjera që dështuan në mungesë të kuorumit, pozita, si parti në pushtet, e vetme arriti t’i votojë disa nga pikat e rendit të ditës.
Por disa, jo.
Kundërshtime nga vetë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pati për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Unë s’muj me çu dorën për një ligj që s’kemi asnjë analizë për asnjë ndërtesë”, tha deputeti i LV-së, Dimal Basha. /atvlive.tv
Gjuhë të ashpër ka përdorur kryeministri Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili nga Këshilli Prokurorial është përzgjedhur kryeprokuror i shtetit.
Kurti e ka akuzuar Prokurorinë dhe ka sulmuar Isufajn, duke ia bërë të ditur se atë nuk e dëshiron në pozitën e kryeprokurorit.
Një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, kryeministri e ka akuzuar Prokurorinë se nuk i ka hetuar keqpërdorimet, që, sipas tij, janë bërë në të kaluarën në KEK.
Prokurorinë e sulmuan edhe ministrja Artane Rizvanolli e deputetët e partisë në pushtet që udhëhiqet nga Kurti, Halil Thaçi, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi e Adnan Rrustemi, duke thënë se arrestimi i Krasniqit është hakmarrje e Blerim Isufajt që nuk po dekretohet si kryeprokuror.
Por, sipas shoqërisë civile, sulmet e tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe presion në punën dhe pavarësinë e prokurorisë.
Duke kritikuar ekzekutivin për standarde të dyfishta, monitorues të sistemit të drejtësisë, theksojnë se i vetmi reagim i Qeverisë, do të duhej të ishte shkarkimi i Krasniqit.
“Qeveria është dashur të reagojë dhe reagimi të jetë shkarkimi i Krasniqit, për faktin që sa ka qenë në opozitë. LV-ja e ka ngritë parimin se me hajna nuk ka shtet dhe se të dyshuarit për korrupsion nuk duhet marrë pozita, andaj për këtë shkak ai duhet të shkarkohet”, tha analisti Arton Demhasaj.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me sisteme të ndara, sistemi duhet të veprojë në mënyrë të pavarur. Deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin, por duhet të kërkohet luftimi i kësaj vepre”, tha ERANDA ZEKAJ nga IKD.
Ndaj deklaratave të kryeministrit e zyrtarëve të Vetëvendosjes ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial, duke thënë se ka konstatuar se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial.
“Sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që z. Blerim Isufaj ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate. KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët, por kinse nuk janë trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le të deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial i Kosovës.
Kurti e deputetët e tij akuzuan Isufajn, i cili është prokuror i rastit rreth hetimeve për keqpërdorime në KEK, ku nën dyshimin për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare, u arrestua kryeshefi ekzekutiv Nagip Krasniqi.
Krasniqi i cili u emërua në këtë pozitë në Qeverisjen Kurti 2, në tetor të vitit 2021, ishte më parë drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. /atvlive.tv
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten, ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të u vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku që ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj tyre mund të pengojnë ecurinë e procesit.
“Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme”, ka thënë Doyle.
Ndërsa, lidhur me ecurinë e çështjes gjatë kësaj jave ai tha se ka përfunduar dëshmia e dy dëshmitarëve të parë, ndërkaq dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon në seancë të mbyllur.
“Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokuroria në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit i përfunduan dëshmitë e tyre. Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private dhe që të dyve iu bënë pyetje nga ekipet e Mbrojtjes, dhe njërit prej tyre edhe nga mbrojtësi i viktimave. Dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon dhe po kryhet në seancë të mbyllur”, tha Doyle.
Ai tutje tha se në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, më 13 prill, trupi gjykues autorizoi dhënien e dëshmisë nga tre dëshmitarë përmes video-lidhjes.
Trupi Gjykues konstatoi se teknologjia ekzistuese mundëson që dëshmitarët të pyeten me të njëjtat kushte si në sallën e gjyqit dhe do t’u mundësojë këtyre dëshmitarëve që të dëshmojnë pa ankth, çka do të përmirësojë cilësinë e dëshmisë së tyre dhe do të jetë në të mirë të mirëqenies së tyre fizike dhe psikologjike”, ka thënë si.
Sipas tij, trupi gjykues urdhëroi Zyrën Administrative të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar respektimin e masave mbrojtëse për dëshmitarët, ai shtoi se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 14 prill, ZPS-ja dorëzoi versionin publik të redaktuar të dosjes paraprake të saj, në zbatim të urdhrit të trupit gjykues.
Ndryshe, seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore është caktuar të fillojë të hënën, më 1 maj, në orën 9:30.
Seancat e gjykimit në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, nga 1 deri më 5 maj.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi.