ATV

Author: ATVLive

  • Urdhri për transferimin e lëndës nga Kosova në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje

    Urdhri për transferimin e lëndës nga Kosova në Hagë, Gjykata Speciale jep detaje

    Nga vitit 2020 deri në vitin 2022, Gjykata Speciale me seli në Hagë pati një zhvillim të rëndësishëm për të cilin publiku në Kosovë nuk ishte në dijeni. Fillimisht Prokuroria kishte kërkuar që një lëndë të transferohet nga gjykatat e Kosovës në Dhomat e Specializuara të Hagës.

    Një dëshmitar i mbrojtur i Speciales në një rast që mbeti sekret, kishte qenë i akuzuar nga një gjykatë e Kosovës. Madje, gjyqtari i rastit kishte caktuar seancën ku i njëjti do të duhej të dilte publikisht.

    Gjithë situata nxiti reagimin e Prokurorisë së Specializuar, e cila kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake në Hagë që ta kërkojë transferimin e lëndës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se më 15 shtator 2022 Prokuroria kishte kërkuar pushimin e hetimeve.

    “Më 20 janar 2020, një gjyqtar i vetëm pranoi një kërkesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që procedurat para një gjykate të Kosovës t’i transferoheshin Dhomave të Specializuara të Hagës. Megjithatë, më 15 shtator 2022, Prokuroria e njoftoi gjyqtarin e vetëm për vendimin e saj për pushimin e kësaj procedure dhe për të mos dorëzuar aktakuzë për konfirmim”, thuhet në përgjigje.

    Specialja ka thënë se procedurat mbesin konfidenciale.

    “Para se aktakuza të konfirmohet dhe të bëhet publike nga një gjyqtar i procedurës paraprake, procedurat para Dhomave të Specializuara janë konfidenciale. Tani që procedurat janë mbyllur, procesverbalet gjyqësore janë bërë publike. Megjithatë, gjyqtari i vetëm mund të redaktojë informacione të caktuara për arsye të privatësisë së personit në fjalë ose për të mbrojtur viktimat ose dëshmitarët ose familjet e tyre”, thuhet në përgjigje.

    Por, a ka të drejtë Specialja të marrë lëndë nga Kosova? Specialja ka thënë se kjo lejohet bazuar në disa nene të Rregullores për Procedura dhe Prova.

    “Nenet 10(1) dhe 54(1) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikojnë që Dhomat e Specializuara do të kenë përparësi ndaj të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë në lidhje me rastet brenda juridiksionit të saj. Në përputhje me nenet 10(2) dhe 54(3), (9) të Ligjit dhe rregullin 203(3)-(4) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, urdhri për shtyrje mund të përfshijë një kërkesë që çdo rast të i transmetohet Gjykatës Speciale apo Prokurorisë sipas rastit. Çdo gjykatë ose prokuror që merr një urdhër të tillë duhet ta zbatojë atë pa vonesë”, përfundon përgjigja e Speciales për Nacionalen.

    Por, çfarë ndodhi?

    Sipas këtij dokumenti bëhej fjalë për një dëshmitar të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar të Hagës, që ishte i akuzuar në një tjetër procedurë në Kosovë.

    Në gjithë këtë mjegull që u krijua si rezultat i mbajtjes sekret të shumë dokumenteve nga Specialja, po del se e gjithë lënda tashmë është mbyllur. Prokuroria e Specializuar e Hagës nuk ka vendosur të dorëzojë ndonjë aktakuzë tjetër për konfirmim.

    Nacionale sjell komplet përkthimin e kësaj lënde ashtu siç e ka paraqitur Prokuroria në kërkesën për mbylljen e lëndës:

    REDAKTUAR është një dëshmitar i mbrojtur në Prokurorinë e Specializuar. Dëshmia e tij e parashikuar REDAKTUAR ka të bëjë, ndër të tjera, me krimet në REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Në [REDAKTUAR], dëshmitari ishte nën masa mbrojtëse, duke përfshirë moszbulimin e identitetit të tij për publikun. Po kështu, para Dhomës së Specializuar (‘DHP’), dëshmitarit iu dhanë masa mbrojtëse [REDAKTUAR], duke përfshirë moszbulimin e identitetin e tij për publikun.

    Më[REDAKTUAR], Kryeprokurori i EULEX kërkoi që Prokuroria Speciale eKosovës të merrte përsipër shtyrjen e procedurës kundër REDAKTUAR, REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Më REDAKTUAR në kontekstin e Procedurave të Shtyra.Nuk ka asnjë tregues në dosjen e çështjes së Procedurës së Shtyrë se janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm hetimor. Gjithashtu nuk ka asnjë provë për ndonjë suspendim apo zgjatje gjyqësore. Pa një pezullim apo zgjatje, hetimi do të duhej të kishte përfunduar pas dy vjetësh, në pajtim me nenin 159(1) të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

    Më REDAKTUAR dhe REDAKTUAR Prokurroia e Specializuar intervistoi REDAKTUAR, REDAKTUAR, REDAKTUAR dhe REDAKTUAR.

    Veçanërisht, më pak se dy javë pas intervistës së Prokurorisë dhe përkundër faktit se hetimi duhej të përfundonte në REDAKTUAR, një prokuror i shtetit të Kosovës ishte caktuar për Procedurat e Shtyra më [REDAKTUAR].

    Më[REDAKTUAR], pothuajse nëntë muaj pasi u caktua, prokurori i ri paraqiti një njoftim për ‘fillimin’ e hetimeve në Procedurën e Shtyrë. Ndërsa prokurori i ri tregoi në njoftim se hapa të mëtejshëm hetimor ishin të nevojshëm, duke përfshirë marrjen në pyetje të [REDAKTUAR], nuk ka asnjë tregues se ndonjë hap i tillë ishte ndërmarrë ndonjëherë.

    Në vend të kësaj, më [REDAKTUAR], prokurori lëshoi aktakuzën duke e akuzuar [REDAKTUAR] me [REDAKTUAR], në kundërshtim me [REDAKTUAR] të Kodit Penal të Kosovës. Përkundër statusit të mbrojtur [I REDAKTUAR], prokurori propozoi një seancë dëgjimore gojore, publike në lidhje me këtë aktakuzë. Kodi Penal i Kosovës nuk përfshin ndonjë procedurë të konfirmimit të aktakuzës, të ngjashme me atë në GJD.

    Më [REDAKTUAR] 2021, Prokuroria e Specializuar pasi u njoftua se [REDAKTUAR] ishte thirrur për t’u paraqitur në një seancë publike para [REDAKTUAR] në lidhje me aktakuzën, kërkoi shtyrjen e rastit.

    Më [REDAKTUAR] 2021, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi shtyrjen e kërkuar. Ai konsideroi, ndër të tjera, se shtyrja ishte e përshtatshme ‘për të siguruar që provat e [REDAKTUAR] do të ruhen me qëllim që të paraqiten [REDAKTUAR]. 37 Gjyqtari i vetëm konfirmoi se çdo hap i mëtejshëm në procedurën e shtyrë i nënshtrohej nenit 35 dhe kornizës së aplikueshme të Gjykatës Speciale.

    Më REDAKTUAR, seanca fillestare e planifikuar përpara [REDACTED] u shty për një kohë të pacaktuar.

    Më REDAKTUAR dhe REDAKTUAR ia transferoi dosjen e lëndës për procedurën e shtyrë Prokurorinë e Specializuar të Hagës.

    Më 29 korrik 2022, Gjyqtari refuzoi një kërkesë [REDAKTUAR] për përjashtimin e Prokurorit të Specializuar dhe stafit të Prokurroisë dhe për caktimin e një amicus curiae për të ndjekur penalisht [REDAKTUAR].

    Duke pasur parasysh mandatin dhe detyrimet e saj sipas Ligjit 42 dhe Rregullave 43 dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha rrethanave dhe informacioneve relevante, Prokuroria e Specializuar ka vendosur të ndërpresë procedurën e shtyrë dhe të mos dorëzojë aktakuzë për konfirmim.

  • Nënkryetarja serbe e Parlamentit të KE: Hungaria na gëzoi, Greqia na dëshpëroi

    Nënkryetarja serbe e Parlamentit të KE: Hungaria na gëzoi, Greqia na dëshpëroi

    Nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësuesja serbe Elvira Kovaç ka deklaruar se Hungaria, e cila votoi kundër, ishte befasia më e madhe në votim për pranimin e kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pranoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo është faza e parë e pranimit e anëtarësimit në këtë organizatë. Pason deklarata e Asamblesë Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.

    “Edhe pse lista e vendeve duhet të jetë sekrete, 33 vende anëtare votuan për, kurse bashkë me Serbinë shtatë vota ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa një vend nuk mori pjesë në votim. Befasia më e madhe “e këndshme” ishte Hungaria, e cila votoi kundër. Vendet e tjera (që ishin kundër) janë miq tradicionalë të Serbisë dhe kjo pritej prej tyre”, thotë Kovaç.

    Sipas saj, Greqia, Ukraina, Sllovakia dhe Bosnja dhe Hercegovina abstenuan.

    Ajo tha se procedura e mëtejshme kërkon votim në Këshillin e Evropës, i cili parashikohet se do të zhvillohet, për shkak të procedurave, nga disa muaj deri në dy vjet.

    Ajo tha se delegacioni serb do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    “Si dikush që kam marrë pjesë në punën e këtij organi për 16 vjet, sinqerisht shpresoj se nuk do të marrim udhëzime për ta braktisur atë. Ambasadorja serbe u largua nga ky takim. Ne kemi vënë re në mesin e politikanëve se qëndrimet e Greqisë janë zbutur dhe kanë ndryshuar, dhe se miqtë tanë më të sinqertë, përveç Hungarisë, janë Spanja, Qiproja dhe Azerbajxhani”, përfundon Kovaç.

  • Nis shitja e armës inteligjente që shkrep vetëm në duart e pronarit, këto janë çmimet

    Nis shitja e armës inteligjente që shkrep vetëm në duart e pronarit, këto janë çmimet

    Pronësia e armëve ka qenë dhe vazhdon të jetë një temë debati në Shtet e Bashkuara të Amerikës nga grupe të ndryshme. Një pjesë mendon se kjo ka të bëjë me lirinë personale, e një pjesë tjetër besojnë se numri i rasteve tragjike mund të bie nëse reduktohet përdorimi i tyre, raporton Reuters.

    Në startupin amerikan Biofire, besojnë se një armë mund të përdoret vetëm nga pronarët e saj dhe nëse bie një revole në duart e dikujt tjetër s’mudn të përdoret për sulme apo vrasje.

    Biofire Smart Gun ka dalë me këtë opsion, duke e përdorur të njëjtin të njëjtën si për telefona. Pra, arma mund të përdoret vetëm nga pronari i saj, deri në pesë persona (duke i përfshirë anëtarë të familjes) të cilët mund të regjistrohen për të përdorur biometrikën.

    Një armë e tillë është shfaqur në tregun amerikan javën që po lëmë pas dhe siç thuhet nga kompania, një model është i shitur dhe dërgesat do të fillojnë në fund të këtij viti.

    Çmimi i modelit bazë është 1500 dollarë dhe janë dy versione më të shtrenjta dhe kushtojnë 1900 apo edhe 2500 dollarë.

    Secili prej këtyre modeleve lejon personalizim, siç është zgjedhja e ngjyrës apo konfigurimi i armës për majtakë.

  • Çfarë na tregon ritmi i shpejtë i rrahjeve të zemrës?

    Çfarë na tregon ritmi i shpejtë i rrahjeve të zemrës?

    Kur zemra e juaj rrah më shpejt se zakonisht, quhet ritëm i shpejtë i zemrës ose takikardi. Kjo mund të ndodhë për shkaqe të shumta, siç është gjatë kohës së aktivitetit fizik, stresit ose përjetimit të emocioneve.

    Në disa raste, ritmi i shpejtë i zemrës gjithashtu mund të jetë një shenjë e një sëmundjeje themelore, si anemia, hipertirodizmi ose ritmi abnormal të zemrës. Nëse përjetoni ritme të shpejta të zemrës shpesh ose ato ndodhin papritur dhe shoqërohen me simptoma të tjera si dhimbje në gjoks, vështirësi të frymëmarrjes, është e rëndësishme të flisni me mjekun për të përcaktuar shkakun.

    Në përgjithësi, është e rëndësishme të mbani një stil jetese të shëndetshme, duke ngrënë një dietë të balancuar, duke fjetur mjaftueshëm dhe duke bërë ushtrime rregullisht për të ndihmuar në parandalimin e problemeve me zemrën. Përveç kësaj, duhet evituar stimulues si kafeina, nikotina dhe disa ilaçe, në mënyrë që të ndihmojmë rregullimin e ritmit të zemrës tuaj. /atvlive.tv

  • Presidenca ia numëron Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit

    Presidenca ia numëron Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit

    Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani sot ia ka numëruar kryenegociatorit serb, Petar Petkoviqit shkeljet që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të Brukselit.

    Vela ka shkruar se Serbia dje ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

    “Petre, mos leh! Dje Serbia ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Vota juaj kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të penalizohet!”, ka shkruar Vela në twitter.

    Ai është shprehur se kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëparshme të Brukselit, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur mbrëmë dy shkeljet e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit që Serbia i ka bërë gjatë 24 orëve të fundit. Në një shkrim në rrjetin social twitter, ajo ka theksuar se Serbia ka mbetur ajo e njëjta, duke shtuar se ajo ka shkelur nenin 2 dhe nenin 4 të marrëveshjeve.

    E lidhur me këto deklarata, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq ka reaguar duke shkruar “kur Vjosa Osmani përmend shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, ajo me siguri i referohet Asciacionit të komunave serbe”.

    Ndryshe, Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare dje ka vendosur në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022./KP

  • Kosova ia heq vizat Arabisë, Dedaj ironizon me Gërvallen: Sukses historik

    Kosova ia heq vizat Arabisë, Dedaj ironizon me Gërvallen: Sukses historik

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj ka gjetur pak kohë të tallet me kryediplomaten Donika Gërvalla, pasi dje u raportua se Kosova ia ka hequr vizat Arabisë Saudite.

    Në një postim në Facebook, ajo Gërvallen e ka quajtur “mjerim të diplomacisë kosovare”.

    “Ani gojëkqinjtë po thonë se kjo nuk din as nuk punon asgjë”, shkroi ai.

    Postimi i plotë:

    Mjerimi i diplomacisë kosovare

    Çfarë “suksesi” historik i MPJD së Donika Gërvalles!

    Ani gojëkqinjtë po thonë se kjo nuk din as nuk punon asgjë…!!!

  • Ish-ambasadori Delawie: Vuçiq të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi

    Ish-ambasadori Delawie: Vuçiq të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi

    “Është zhgënjyese që autoritetet serbe kanë ndikuar që serbët e Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

    Diplomati amerikan në pension ka analizuar rezultatet preliminare të votimit, ku morën pjesë 3.5 për qind e votuesve të regjistruar, ose 1567 qytetarë në veri të Kosovës.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera i cilësoi “pushtim” zgjedhjet e mbajtura pa Listën Srpska.

    Me një qëndrim të tillë, megjithatë, nuk pajtohet ambasadori Delawie.

    “Mënyra më e mirë që komuniteti serb i Kosovës të përmirësojë pozitën e tij është të zgjedhë përfaqësuesit e tij – të cilët janë përfaqësues të vërtetë të votuesve. Dhe që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të punojnë me deputetë të tjerë në projekte për të përmirësuar komunitetet e tyre dhe vendin në tërësi”, tha ish-përfaqësuesi diplomatik amerikan në Kosovë.

    Delawie paralajmëron se një retorikë e tillë e presidentit të Serbisë mund të forcojë tensionet në Kosovë dhe Serbi.

    “Nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët e atyre vendeve. Serbia gjatë pesë viteve të fundit ka pësuar një kthesë të dukshme në rendin demokratik sipas kritereve të organizatës Freedom House, si dhe në sferën e korrupsionit – sipas raporteve të Transparency International. Në vend që të krijojë probleme me Kosovën, Vuçiq duhet të përqendrohet në përmirësimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin e tij në mënyrë që të përmbushë dëshirën e qytetarëve të tij për t’u integruar më shumë me pjesën tjetër të Evropës”, ​​thotë ambasadori Delawie.

  • Euro drejt barazimit me lekun, ja kursi i këmbimit valutor

    Euro drejt barazimit me lekun, ja kursi i këmbimit valutor

    Sot, dollari amerikan blihet me 100.6 lekë dhe shitet me 101.8 lekë. Ndërsa, euro blihet me 111 lekë dhe shitet 111.8 lekë.

    Paundi britanik të martën blihet me 124.6 lekë dhe shitet me 126.2 lekë. Franga zvicerane këmbehet sot në blerje me 112.6 lekë, ndërsa në shitje me 113.6 lekë, shkruan Ora neës.

    Dollari kanadez sot në blerje këmbehet me 73.7 lekë dhe në shitje me 76.5 lekë.

    Për më tepër shihni tabelën e mëposhtme:

  • Humanisti Agon Zhinipotoku thotë se në ditët e sotme, njerëzit janë më solidarë se sa ishin më parë

    Humanisti Agon Zhinipotoku thotë se në ditët e sotme, njerëzit janë më solidarë se sa ishin më parë

    Agon Zhinipotoku nga Ferizaj, i njohur për aksionet e tij humanitare prej shumë vitesh, në një intervistë dhënë për emisionin ALARM në ATV, duke folur për krahasimet se sa janë solidarë njerëzit në vendin ton sot dhe sa ishin më parë, ai tha se sot njerëzit japin për ndihma më shumë.

    “Po e marrim shembull vitin 2004. Në atë kohë kemi mundur t’i bëjmë deri në 100 euro brenda ditës, ndërsa sot mund t’i bëjmë deri 200 mijë euro brenda ditës. Ka shumë momente ku kemi arritur për shumë fëmijë të sëmurë, t’i grumbullojmë paratë brenda 24 ore”, tha Zhinipotoku. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë:

  • ​Gjashtë persona kërkuan trajtim mjekësor pas përleshjes në ndeshjen Trepça-Vushtrria

    ​Gjashtë persona kërkuan trajtim mjekësor pas përleshjes në ndeshjen Trepça-Vushtrria

    Gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor, pas incidentit që ndodhi gjatës së shtunës në ndeshjen e hendbollit mes Trepçës dhe Vushtrrisë.

    Kështu ka bërë të ditur sot Policia e Kosovës, sipas së cilës përleshja ka ndodhur ndërmjet disa personave.

    Raportohet se gjatë një ndeshje sportive ka ardhur deri te përleshja në mes të disa personave, përveq kësaj disa persona të tjerë kanë hedhur gjësende në drejtim të tyre. Si pasojë, gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme.”, thuhet në njoftimin e policisë.