ATV

Author: ATVLive

  • ​BE: Duam që Serbia të na bashkohet në Union

    ​BE: Duam që Serbia të na bashkohet në Union

    Dita e Evropës është shënuar edhe në Serbi me një aktivitetet kur përmes luleve është formuar flamuri i Bashkimi Evropian dhe atij serb. Me këtë rast, ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret deklaroi se e duan shtetin serb në BE.

    Ai tha se Ditën e Evropës këtë vit e shënojnë pa shumë aktivitete meqënse në fqinjin verior janë ditë zie për shkak të dy vrasjeve masive që ndodhën në shkollë dhe fshatra ku humbën jetë dhjetëra serbë, transmeton kp.

    “Në këto ditë pikëllimi dua të them sërish se ne duam që Serbia të anëtarësohet në Union, institucionet dhe shtetet anëtare janë unanime për të mbështetur anëtarësimin e Serbisë, ne duam që kjo qasje, ky proces të vazhdojë, në mënyrë që Serbia të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, anëtare e plotë e familjes së BE-së. Kjo është ajo që ne duam që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit tonë demokratik, të jetë pjesë e një bashkimi që kujdeset për qytetarët e saj, kujdeset për qëndrueshmërinë e ekonomisë së saj, kujdeset për brezat e ardhshëm”, deklaroi Giaufret.

    Kujtojmë që në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ka një kapitull të veçantë vetëm për Kosovën ku theksohet normalizimi i raporteve me Republikën e Kosovës.

  • ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit Kosova ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.

    Kurti ka përmendur dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian, nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave, si dhe kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    “Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës. Urime 9 Maji – Dita e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Në Ditën e Evropës, Kurti ka thënë se BE është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore.

  • Kryetarja e Graçanicës deklaron pasuri të majme dhe tri paga, dy të ardhura nga Serbia

    Kryetarja e Graçanicës deklaron pasuri të majme dhe tri paga, dy të ardhura nga Serbia

    Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq ka deklaruar pasurinë e majme të saj për vitin 2022 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Kryetarja Shubariq ka deklaruar pasuri tri banesa, dy shtëpi, dy troje dhe dy toka, të gjitha në vlerë prej 355 mijë euro.

    Në regjistrin për deklarim në APK, Shubariq ka dekalruar edhe për të ardhurat e saj vjetore. Përveç pagës si kryetare e komunës në Graçanicë në vlerë prej 15 mijë e 312 euro në vit që merr nga buxheti i Kosovës, ajo ka deklaruar edhe dy rroga të tjera të ardhura nga Serbia.

    Sipas deklarimit të saj në APK, ajo merr pagë 16 mijë e 503 nga Serbia përmes listës së pagave nga Fakulteti i Mjekësisë në Mitrovicë, si dhe pagën e dytë nga Serbia në vlerë prej 12 mijë e 750 euro përmes listës së pagave, Qendra klinike spitalore në Graçanicë.

    Po ashtu Shubariq ka deklaruar 2 mijë e 39 euro mëditje nga komuna e Graçanicës për udhëtime pune jashtë vendi.

    Krahas të hyrave në familjen e saj, ajo ka deklaruar edhe paga e tjera nga Serbia që marrin bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

    Bashkëshorti i saj përmes listës së pagave në Shtëpinë e shëndetit në Gushtericë, paguhet nga Serbia 13 mijë e 140 euro, sikur edhe fëmijët e saj paga neto përmes listë së pagave, QKS-Mitrovicë e veriut, nga Serbia 6 mijë e 100 euro dhe prindërit pensionet bazë përmes Serbisë 4 mijë 100 euro.

    Kryetarja e Graçanicës ka treguar edhe për pasurinë e luajtshme, e cila ka dy vetura të përbashkëta, njëra në vlerë 5 mijë e 800 euro dhe tjetra 11 mijë e 500 euro.

  • Skuadra e Istogut në handboll në konkurrencën e fermave synon titullin e tretë

    Skuadra e Istogut në handboll në konkurrencën e fermave synon titullin e tretë

    Skuadra e Handbollit Istogu në kategorinë e femrave, është një ndër skuadrat me të mirë që garon ne Superligën e Kosovës.

    Ky klub kë 2 tituj Kampionë dhe 7 Kupa të Kosovës, ku të fundit arritën të fitojnë të dielën që lamë pas.

    Hendebollistet nga Istogu tani po garojnë për titullin Kampionë, pasi që sezonin e rregullt arritën ta mbyllin si lidere të Superligës me 36 pikë, të ndjekur nga KH Ferizaj me 29 pikë.

    Trajneri i skuadrës për ATV ka folur për pritshmeritë qw ka dhe pwr cilësinë e ekipeve tjera.

    “Sigurisht që synimet tona janë të shpallemi Kampionë, mirëpo na kanë mbetur edhe disa punë për të bërë, sepse është e vërtetë që ne e kemi përfunduar vitin në kreun e tabelës me të gjitha ndeshjet fitore, por megjithatë kjo është faza finale do të thotë faza e PLAY-OFF, dhe ne duhet të japim maksimumin, që këtë ecuri të mirë të kampionatit që kemi pasur, ta mbyllim me mënyrën më të mirë duke u shpallur prapë Kampionë të Kosovës. Ne tani më jemi të fokusuar në ndeshjen që e kemi me KH Kastriotin, sepse ne gjithmonë ndeshjeve ju shkojmë ndeshje pas ndeshjes, dhe fokusi ynë është të kalojmë gjysmëfinalen dhe të jemi në finale. Normalisht që finalja është më e fortë dhe presim ndeshje më të fortë, mirëpo ne nuk kemi ndonjë preferencë pasi që faza përfundimtare është sa kanë mundur skuadrat të mobilizohen dhe s’mund të themi që ky kundërshtar është më I lehtë apo më I vështirë, por ne do të përgatitemi maksimalisht dhe ta përfundojmë punën tonë për të arritur ta shpallemi Kampionë”, tha trajneri Faruk Shala.

    Po ashtu handbollistja Pranvera Ferataj u shpreh optimiste për garën e Play Off-it.

    “Ka qenë një sezon mjaftë i mirë, kemi fituar të gjitha ndeshjet që i kemi pasur në Supërligën e Kosovës. Shpresojmë që do ta marrim jemi përgatitur mjaftë mirë, i dimë cilësitë e kundërshtarit, dhe kemi besim te secila lojtare që kemi në ekip”, tha handbollistja Pranvera Ferataj.

    Sa i përket punës së përforcimeve të kësaj skuadre, lojtarja nga Brazili, Tainara Luna, tha se ishte e suprizuar me organizimin aq të mirë të Federatës së Handbollit në Kosovë, si dhe për bashklojtaret e saja të cilat e kishin pritur aq mirë.

    “Kam qenë e suprizuar nga Federata e Kosovës sepse është shumë e organizuar, e në veçanti mënyrën se si e kanë organizuar Kupën e Kosovës, pra kam qenë e suprizuar deri me tani me të gjitha këto organizime. Vajzat e skuadrës time më kanë mirëpritur shumë mirë, ato kanë qenë shumë të sjellshme me mua, më kanë ndihmuar në gjithçka që kam pasur nevojë”, tha handbollistja Tainara Luna.

    Kujtojmë që KH Istogu do përballe me KH Kastirotin në gjysmëfinale, derisa KH Ferizaj me KH Vushtrrinë. /N. Tahiri

  • A duhet të jetë pushim për ditën e Evropës?

    A duhet të jetë pushim për ditën e Evropës?

    Më datën 9 Maj të çdo viti, shënohet dita e Evropës, ditë ceremoniale në njohje të paqes dhe unitetit brenda kontinentit të vjetër.

    Ndonëse Kosova nuk është vend i Bashkimit Evropian, 9 Maji konsiderohet si festë zyrtare dhe ditë pushimi edhe në vendin tonë.

    Qytetarët e Kosovës mendojnë se nuk ka asgjë të keqe që kjo festë të festohet në vendin tonë, përkundër që në BE nuk festohet. Por, ka edhe të atillë që thonë se festimi i kësaj ditë, për vendin tonë është e panevojshme.

    “Po, deri sa është festë zyrtare dhe është ditë pushimi, atëherë mendoj që duhet të jetë, pse të mos jetë. Ne ende nuk kemi hyrë në Evropë, si të hyjmë, as ne nuk e festojmë. Deri sa Qeveria e jonë po mendon se duhet të jetë festë zyrtare, pse mos të jetë”, thotë një qytetare në një prononcim për ATV-në.

    “E kanë tepruar me pushime. Veç qysh me i marrë rrogat, qysh me vazhdu, qysh me e plaçkitë këtë popull të shkretë”, thotë një tjetër qytetar. /atvlive.tv

  • ​Parada e Moskës, Putin mbetet pa tanke dhe pa avionë

    ​Parada e Moskës, Putin mbetet pa tanke dhe pa avionë

    Moska u blindua për të festuar fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste, por parada në “Sheshin e kuq” ishte në prani të rëndë ushtarake dhe pa tanke.

    Një tank përkujtimor i Luftës së Dytë Botërore o llojit T-34 ishte i vetmi tank në paradë ndërkohë që festimet në disa qytete të tjera u anuluan.

    Rusia ka humbur 10,000 automjete ushtarake dhe 2,000 tanke që kur Putini nisi luftën në Ukrainë. Në paradë u panë vetë, 50 automjete në krahasim me më shumë se 200 mjete që u përdorën vitin e kaluar.

    Megjithatë, rusët i kujtuan botës aftësinë e tyre të madhe bërthamore. Armët më të frikshme në paradë ishin lëshuesit e lëvizshëm të raketave bërthamore, Topol-Ms me 16 rrota, raportoi Top News.

    Parada e mijëra ushtarëve nisi në Moskë nën syrin vigjilent të Putinit dhe anëtarëve të tjerë të elitës politike ruse.

    Vetë presidenti Vladimir Putin eci nga Kremlini në Sheshin e Kuq, për të parë paradën mes personelit ushtarak që mbanin flamuj të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik.

  • Mijëra njerëz protestojnë kundër dhunës në Serbi, kërkojnë dorëheqjen edhe të Vulinit

    Mijëra njerëz protestojnë kundër dhunës në Serbi, kërkojnë dorëheqjen edhe të Vulinit

    Mijëra njerëz protestuan të hënën në Beograd të Serbisë, pas vrasjeve masive që ndodhën në këtë vend. Ata bën thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe për kufizim të përmbajtjeve të dhunshme në media.

    Në protestën e cila u mbajt para parlamentit të Serbisë dhe para zyrave të qeverisë serbe, morën pjesë edhe anëtarë nga partitë e përçara politike të vendit.

    Serbët protestuan me moton “Serbia kundër dhunës” pas vrasjeve masive të javës së kaluar, ku mbetën të vrarë 17 vetë e u plagosën disa të tjerë.

    Ata kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandar Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave.

    “Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirë publike, si dhe përgjegjësi për reagim joadekuat që një kohë të gjatë nga autoritetet kompetente”, thuhet në një deklaratë të partisë së krahut të majtë, Le të Mos e Lëmë Beogradin të Mbytet.

    Turma parakaloi solemnisht nëpër qendrën e qytetit me një pankartë të shpalosur në rreshtin e parë të saj, ku shkruhej: “Serbia kundër dhunës”.

  • BE-ja propozon sanksione ndaj kanalit të Russia Today që transmetohet nga Serbia

    BE-ja propozon sanksione ndaj kanalit të Russia Today që transmetohet nga Serbia

    Bashkimi Evropian është duke e diskutuar pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të fokusohet më së shumti në përpjekjet për ta parandaluar anashkalimin e sanksioneve për Rusinë përmes vendeve të treta.

    Por, sipas propozimit të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së, për të cilin po diskutojnë vendet anëtare, në këtë pako do të shtohen edhe emra të rinj të personave dhe kompanive në listën e sanksioneve, shkruan REL, transmeton Paparaci.

    Në këtë pako, në të cilën ka pasur qasje Rel, është përfshirë edhe mediumin “RT Balkan”, i cili transmetohet nga Serbia, ku edhe është i regjistruar.

    Kanali RT (Russia Today), që është nën kontrollin e plotë të qeverisë ruse, ka qenë nën sanksione të perëndimit edhe më herët.

    Por, “RT Balkan” është paraqitur sikur të jetë një “entitet në vete” i regjistruar në territorin e Serbisë. Tani, BE-ja dëshiron që formalisht në listën e sanksioneve ta përfshijë “RT Balkan” për të mos lënë asnjë dyshim mbi atë se ky medium konsiderohet si vegël e Rusisë për përhapje të propagandës në rajonin e Balkanit Perëndimor.

    Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian kishte shprehur shqetësim se Serbia po përdoret si hapësirë për përhapjen e propagandës së Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim të dëmtimit të demokracisë dhe të interesave të Bashkimit Evropian.

    Serbia, përveç kësaj, është kritikuar vazhdimisht për refuzim të mbështetjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

  • Sobotka: Marrëveshja e Ohrit, të zbatohet pa kushtëzime e vonesa

    Sobotka: Marrëveshja e Ohrit, të zbatohet pa kushtëzime e vonesa

    Në ditën që u mbajt për herë të parë konferenca “Vienna Economic Talks”, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dje në vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar të Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

    Ai tha se ishte një ditë e veçantë për të meqë në mëngjes mirëpriti Forumin Ekonomik të Vjenës, kurse orët zyrtare të punës, po i përmbyll me takimin me Kryetarin e Kuvendit austriak, Sobotka.

    Në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen në çdo fazë të historisë së re të vendit dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë të hershme dhe për të cilat angazhohemi që t’i forcojmë çdo ditë.

    Gjatë bisedës, kryetari Sobotka, u njoh më hollësisht me përparimin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në dy vitet e fundit dhe me zhvillimet aktuale në vend.

    Kryeministri Kurti e njoftoi me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë, dhe me rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kryetari Sobotka dha vlerësimin e tij pozitiv për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit.

    Sipas qeverisë, ata diskutuan edhe për fushat në të cilat, krahas vullnetit, ekziston edhe potenciali për bashkëpunim edhe më të thellë si ajo e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, mjedisit dhe projekteve infrastrukturore.

    ‘Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, z. Sobotka konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Austrisë ndaj Kosovës në Këshillin e Evropës deri në anëtarësimin e plotë të saj. Ndër të tjerash, kryeministri Kurti dhe kryetari Sobotka folën edhe për procesin e dialogut dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus te takimi i javës së kaluar në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike dhe Plani i Zbatimit sipas dakordimeve në Bruksel dhe Ohër”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi kontributin dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës në të gjitha takimet dhe përgjatë gjithë procesit, si dhe rëndësinë që Marrëveshja Bazë, që derivon nga propozimi evropian, me përfshirje të drejtpërdrejt të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të zbatohet i plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.

    “Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni, këshilltarja politike, Zojë Surroi dhe asistentja ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj”.

  • Zeka: Kosova po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja

    Zeka: Kosova po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja

    Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se vendi i tij prej vitesh po dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve dhe jo vetëm nga korporatat serioze. Shkak sipas tij është mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

    Zoti Zeka thotë se megjithëse vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje, paratë po hidhen kryesish në sektorë që nuk krijojnë vendeve të qëndrueshme pune sikurse ai i pasurive të patundshme. Zoti Zeka thotë se Oda Amerikane e Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e marrëdhënieve.

    Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Zeka flet dhe mbi planet e qeverisë e Kosovës për themelimin e atij që do njihet si Fondi Sovran, nëpërmjet të cilit synohet që të merren në pronësi, pasuri strategjike të vendit, sikurse kompleksi metalurgjik i Trepçës, telekomi dhe korporata energjitike e Kosovës.

    Por zoti Zeka thotë se kjo nuk është forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse. Sipas tij zgjidhja do të ishte privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike, si forma e vetme për rivitalizimit e tyre. Me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, bisedoi gazetarja e Zërit të Amerikës Menada Zaimi.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, zhvillimet politike në Kosovë që lidhen me çështjet e pazgjidhura me Serbinë kanë lënë në hije çështje të tjera. Sipas vlerësimeve të Odës që ju drejtoni, si po reflektohet kjo tek ekonomia, tek investimet e huaja, dhe më konkretisht ato amerikane?

    Arian Zeka: Në aspektin e perceptimit apo në aspektin se si e shohin investitorët e huaj, në radhë të parë ata amerikanë, apo edhe investitorë të tjerë të huaj, në kushtet e mungesës të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, besoj se nuk ka nevojë të komentohet shumë. Për vite me radhë realisht Kosova dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi, dhe atyre amerikane. Thjesht duket sikur nuk jemi fare në hartë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve. Për hir të së vërtetës, vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje. Por nëse analizohet struktura se ku ndodhin këto investime, shohim se janë në sektorin e pasurive të patundshme dhe në ndërtimtari.

    Atëherë fare lehtë mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për investime të pjestarëve të diasporës në sektorin e pasurive të patundshme. Rrjedhimisht nuk flasim për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Megjithatë, Kosova ka nevojë që të tërheqë investime në sektorët të cilët krijojnë vende pune afatgjata dhe ndikojnë në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik. Rrjedhimisht, në mungesë të një politike që çon përpara bashkëpunimin ekonomik rajonal, krijimin e një hapësire tregtare të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në këtë aspekt problemet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që bëjnë të pamundur funksionimin e plotë të një ekonomie rajonale, ose të një bashkëpunimi ekonomik rajonal. Oda Amerikane vazhdimisht i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e raporteve.

    Zëri i Amerikës: Kosova është përballur me ndikime nga faktorë të jashtëm siç është lufta në Ukrainë, çfarë ka rezultuar në një shkallë të lartë të inflacionit, e për rrjedhojë në rritje të koston e jetesës së qytetarëve. Kur mund të presë Kosova një fillim stabilizimi të çmimeve dhe si mund të arrihej një gjë e tillë?

    Arian Zeka: Ajo që ndodh në rrafshin global është se ka një rënie të lehtë të shkallës së inflacionit, po flas në nivel botëror, si Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Edhe ne në mënyrë të pashmangshme prekemi nga zhvillime të tilla. Ajo që ndodh është se stabilizimi i inflacionit deri diku ndodh edhe për shkak të rënies të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në aspektën e brendshëm, në tregun e Kosovës, kemi patur rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë. Kur flasim për energjinë, në Kosovë i referohemi tërësisht energjisë elektrike sepse është burimi pothuajse i vetëm i energjisë në vend. Rritja e kostos së energjisë elektrike, do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e kostos së operimit të bizneseve, bizneseve prodhuese e të tjerë. Kjo pastaj do të përçohet tek çmimet e konsumit, dhe standarti i jetesës në përgjithësi.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, qeveria e Kosovës ka paralajmëruar së fundmi themelimin e atij që do njihet si fondi sovran, i cili synon që të marrë nën pronësi pasuri strategjike të vendit, përmend këtu kompleksin metalurgjik të Trepçës, telekomin e Kosovës, korporatën energjitike të Kosovës. Dhe fondi do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre. A është kjo forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse?

    Arian Zeka: Pyetje jashtëzakonisht e drejtë….përgjigjja do të ishte fare thjesht “jo”. Dmth është një ndërhyrje e shtetit në sektorin financiar. Funksionimi i industrisë financiare në vend përgjatë viteve ndoshta ka qenë historia më e mirë me të cilin jemi mburrur brenda dhe jashtë vendit. Kemi një sektor financiar të shëndoshë dhe rrjedhimisht krijimi i një konkurence nga ana e shtetit, që ka natyrisht për burim taksat e qytetarëve dhe paratë e tatimpaguesve, natyrisht që nuk i bën mirë, as sektorit financiar, si të tillë, por paradoksialisht bie në kundërshtim me atë që drejtuesit aktualë të qeverisë, në të kaluarën, kur nuk kanë qenë pjesë e qeverisë, e kanë promovuar.

    Dmth, meqenëse juve përmendet disa prej ndërmarrjeve publike, nëse në të kaluarën është thënë që këto ndërmarrje nuk janë në pozitë të mirë financiare për shkak të keqmenaxhimit, atëherë i bie që rezultatet sot do të duhej të ishin pozitive pikërisht për shkak të mirëmenaxhimit, nëse mund të them kështu, dhe jo për shkak të krijimit të mekanizmave të veçantë të mbështetjes financiare për to. Në të njëjtën kohë, kjo i cënon edhe parimet e konkurencës së lirë në Kosovë dhe po flasim për një dispozitë kushtetuese meqenëse në një mënyrë, trajtimi i ndërmarrjeve publike bëhet në mënyrë të ndryshme nga ndërmarrjeve private dhe i vë këto ndërmarrje publike në një pozitë shumë më të favorshme, sidomos kur bëhet fjalë për qasjen në financa.

    Zëri i Amerikës: Fakt është që ato nuk janë fitimprurëse. Ju thoni që formula e shtetëzimit të tyre nuk do të funksiononte. Çfarë duhet të ndodhë? Të privatëzohen?

    Arian Zeka: Ato janë të shtetëzuara momentalisht, por ajo që po synohet të jepet përmes fondit sovran është edhe qasje e privilegjuar në financa, domosdoshmërisht me kushte më të favorshme besoj se sa kushtet në të cilat ofrohen institucionet financiare private në vend. Çfarë duhet të ndodhë me to natyrisht është privatizimi. Oda Amerikane ka vite që kërkon edhe promovon me të madhe idenë e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Kjo është forma e vetme e rivitalizimit të tyre, sjelljes së jo vetëm mundësive të reja financiare, por në të njëjtën kohë edhe të përmirësimit të praktikave të menaxhimit, edhe të sjelljes së njohurive të reja nga ana e investitorëve privatë.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, sipas një raporti të Odës që ju drejtoni, të muajit mars, një pjesë e bizneseve e shohin korrupsionin në vend një problem tejet kritik. Nëse do të bënit një krahasim me vitet e shkuara, a ka pësuar ndonjë ndryshim për sa i përket perceptimit të korrupsionit?

    Arian Zeka: Për shembull, në vitin 2021, në aspektin e perceptimit, pati një rënie të perceptimit të korrupsionit në institucionet qeveritare. Duket që raporti i vitit 2022 megjithatë tregon që ka sërish një rritje të ndjeshme të perceptimit të korrupsionit në institucionet qeveritare. Meqenëse po flasim për një studim, ne në Odën Amerikane jemi munduar që të japim edhe argumentet hipotetike sepse ndodh kjo. Megjithatë periudha 2020-2021 ka ndikuar që të ketë zhvendosje të prioriteteve, edhe të investimeve, edhe të shpenzimit të parave të tatimpaguesve.

    Duket që viti 2022 megjithatë ka sjellë një rikthim tek investimet kapitale, megjithëse jo në masën e plotë, së paku jo nëse flasim për nivelin qendror. Edhe në këtë aspekt, komunat edhe qeveria e vendit, kanë shënuar një ngritje për sa i përket renditjes së tyre për prani të korrupsionit në sytë e bizneseve në vend. Ka një lidhje direkte ndërmjet perceptimit për korrupsion dhe aktiviteteve të prokurimeve publike dhe kjo është diçka që e karakterizon vendin tash sa vite.