ATV

Author: ATVLive

  • Çfarë efekte kanë aktakuzat në mungesë për krime lufte?

    Çfarë efekte kanë aktakuzat në mungesë për krime lufte?

    Ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë ka rëndësi si për dokumentimin e krimeve, ashtu edhe për rehabilitimin e familjarëve të viktimave, thonë njohës të çështjeve të drejtësisë.

    Javën që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. – të dyshuar për krime lufte në Kosovë, më 1999 – dhe paralajmëroi se do të ngrejë edhe të tjera.

    Prokuroria tha se ka kërkuar nga gjykatësit që gjykimi i dy serbëve të dyshuar të zhvillohet në mungesë, pasi “janë shterur mundësitë” për gjetjen e tyre.

    Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e Departamentit për krime lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi është marrë duke u bazuar edhe në Kodin e ri të Procedurës Penale, të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi në korrik të vitit të kaluar.

    “Gjykimi në mungesë, edhe pse në mungesë të të pandehurit, paraqet një satisfaksion të rëndësishëm për viktimat e krimit, për familjarët e tyre. E ka rëndësinë edhe të dokumentimit të krimit. Përmes aktakuzës në mungesë, vërtetohet, provohet që krimi ka ndodhur”, thotë Hajdari.

    Ajo kujton se këto janë dy aktakuzat e para në mungesë për krime lufte në Kosovë, pasi deri vonë Kodi i Procedurës Penale nuk i ka lejuar të tillat.

    “Deri më tani, kemi ngritur aktakuza vetëm në ato raste ku kemi arritur ta gjejmë dhe arrestojmë kryesin e veprës penale”, thotë Hajdari.

    Çfarë thotë Kodi i Procedurës Penale?
    Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

    Aty thuhet, po ashtu, se në marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili merret me monitorimin e sistemit të drejtësisë, thotë se e ka përkrahur idenë e gjykimit në mungesë kryesisht te rastet e krimeve të luftës, sepse, sipas tij, janë qindra të dyshuar për këto krime që sot gjejnë strehim dhe mbrojtje në Serbi.

    Ai nuk pret që Serbia ta lejojë ekstradimin e të dyshuarve në Kosovë dhe thotë se ekzekutimi i dënimeve në praktikë do të jetë i vështirë.

    Megjithatë, shton Miftaraj, gjykimet në mungesë janë të rëndësishme për familjarët e viktimave, “që të zbardhen krimet dhe e vërteta”.

    “Ata mund ta shfrytëzojnë pastaj të drejtën e kompensimit nga Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas ligjit dhe procedurës së paraparë”, thotë ai.

    Sipas profesorit të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, gjykimet e tilla do të jenë të dobishme në disa drejtime.

    “Mirë që është bërë një gjë e tillë dhe tash duhet të punohet në këtë drejtim. Efektet do të jenë të mëdha, për shkak se mund të bëhen hetime, mund të grumbullohen të gjitha të dhënat dhe provat, të bëhet edhe gjykimi dhe të nxirret aktgjykim dënues, si dhe të lëshohet fletarrestim ndërkombëtar”, thotë Salihu.

    “Është një lloj rehabilitimi edhe për viktimat kur dënohet një kriminel serb… Pas dënimit, ai person – sa të jetë gjallë – ose do të kapet për ta vuajtur dënimin, ose do të fshihet në Serbi”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

    Prokuroria e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime lufte në Kosovë kundër të të dyshuarve të nacionalitetit serb, por edhe shqiptar. Disa kanë marrë epilog, të tjerat janë në proces.

    Vetëm prej shtatorit të vitit 2021 janë ngritur aktakuza për krime lufte kundër pesë serbëve dhe një shqiptari.

    Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe.

    Mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë. /REL

  • ​Distria ndalet në gjysmëfinale, lufton për të bronztën

    ​Distria ndalet në gjysmëfinale, lufton për të bronztën

    Distria Krasniq nuk ka arritur që të kalojë në finalen e madhe të Kampionatit Botëror të Xhudos.

    Ajo u mposht në gjysmëfinale në kategorinë 52 kilogramë nga njëra prej xhudisteve më të mira në botë, japonezja Uta Abe, përcjellë KosovaPress.

    Kjo është hera etretë që Krasniqi mposhtet nga japonezja në garat ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    Tani, xhdusitja kosovare do të luftojë për medaljen e bronztë.

  • ​Hapet konkursi për shkollimin specialistik

    ​Hapet konkursi për shkollimin specialistik

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është hapur konkursi i ri për Shkollim Specialistik, sipas kritereve të parapara me udhëzimin e ri për shkollim specialistik.

    Sipas MSh-së, numri i specializimeve, siç jeni të njoftuar, mbështetet në tri kriteret bazë kuadrin deficitar, kapacitetet mentoriale, kapacitetet infrastrukturore.

    “Konkursi për shkollimin specialistik është në përputhje me standardet bashkëkohore si dhe në harmoni me nevojat e institucioneve shëndetësore të vendit. Përmes këtij konkursi, ndahen 359 specializime për lëmi klinike, Mjekësi familjare dhe për nevoja të institucioneve shëndetësore private. Specializantët që do të pranohen në kuadër të Institucioneve Publike Shëndetësore, do të financohen nga Institucionet përkatëse, sipas kërkesave të tyre drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për nevoja të stafit profesional. Informacionet shtesë lidhur me konkursin e hapur dhe përmbajtjen e UA të vitit 2023 mund t’i gjeni në web portalin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

    Vegëzat ndërlidhëse:

    Linku i konkursit të hapur: https://msh.rks-gov.net/Documents/Index/274

    Linku i UA 01/2023: https://msh.rks-gov.net/Documents/Index/270

    Kandidatët, përveç aplikimit “online”, duhet ta sjellin edhe kopjen fizike të dokumentacionit të kërkuar në Ministrinë e Shëndetësisë, Adresa:

    Për çdo informacion, mund të kontaktoni në nr e tel: 03820024031

    Si dhe, e-mail adresën: [email protected]

  • ​Zjarrfikësit intervenojnë në shtëpinë e Evropës në Kosovë

    ​Zjarrfikësit intervenojnë në shtëpinë e Evropës në Kosovë

    Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë ka intervenduar në kulmin e objektit Europe House Kosovo, ku kanë filluar të bijnë copa të mëdha të betonit e fasadës.

    Lajmin e bëri të ditur Komuna e Prishtinës, ku tha se kanë marrë menjëherë masa të nevojshme.

    “Pas reshjeve të mëdha ditëve të fundit, nga kulmi i objektit Europe House Kosovo kanë filluar të bijnë copa të mëdha të betonit e fasadës. Kjo shkakton rrezikshmëri të lartë për vizitorët dhe njëkohësisht për kalimtaret e rastit. Morëm menjëherë masa të nevojshme për të zgjidhur këtë situatë sa më shpejtë. Policia e Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve-Prishtinë janë të pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar që kalimtarët të jetë e sigurt. Siguria e qytetarëve është prioritet”, tha ai.

  • ​Rafuna: Për Kosovën është i rëndësishë partneriteti me Maqedoninë e Veriut

    ​Rafuna: Për Kosovën është i rëndësishë partneriteti me Maqedoninë e Veriut

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologu i tij maqedonas, Branko Azesi kanë diskutuar të hënën në Prishtinë për iniciativat e reja të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.

    Kryetari Rafuna deklaroi se patën mundësinë që të shkëmbejnë idetë dhe sfidat qe po përballen bizneset.

    Në një konferencë për media, Rafuna theksoi se partneriteti me Maqedoninë e Veriut është me rëndësi për shtetin e Kosovës.

    “Patëm mundësinë që të shkëmbejmë mendimet, idetë me sfidat që po përballen bizneset që kanë të bëjnë me inflacionin, me bashkëpunimin regjional, dhe gjitha këto tema jo vetëm që i përkasin bizneseve të Maqedonisë dhe Kosovës, por të gjitha bizneseve. Për Kosovën është shumë me rendësi partneriteti me Maqedoninë e Veriut”, tha Rafuna.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski u shpreh se në vitet e ardhshme prioritet duhet të jetë biznesi dhe jo politika.

    “Lëvizja e bashkëpunimit kufitar zhvillohet, ashtu që ne mendojmë se gjatë mandatit tonë ata kufij do të zhduken. Biznesi do t’i rrëzojë ato kufij dhe ne do të punojmë të përkushtuar për atë proces. Në 10 vitet e ardhshme biznesi të jetë prioritet e jo politika. Biznesi të zgjedh problemet e komunikimit tonë, të veprimtarisë tonë të përbashkët e Ballkanit perëndimor dhe biznesi të jetë domionues”, tha Azeski.

  • ​Begaj: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

    ​Begaj: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga presidenti i këtij Këshilli, ambasadori, Timothy A. Chorba. Kjo përfaqësi e ish-diplomatëve të lartë amerikanë, po viziton Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal faktmbledhës për tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

    Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shprehu mirënjohjen për atë çka ato kanë bërë për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, presidenti Begaj i njohu ish-diplomatët amerikanë me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor.

    Presidenca shqiptare bëri të ditur se në mënyrë të veçantë presidenti Begaj u ndal në kontributin e Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mire në rajon, duke nënvizuar edhe mbështetjen që Shqipëria i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja alternative për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.

    Ndërsa, lidhur me procesin e integrimit evropian, Begaj, nënvizoi se pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet prioriteti strategjik më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    “Duke iu referuar kushteve të reja gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, presidenti Begaj, nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, u tha në komunikatën e lëshuar nga Presidenca.

    Një vëmendje e veçantë u tha se iu kushtua edhe zhvillimeve në Ukrainë, si dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në dënimin e agresionit rus dhe në mbrojtje të parimeve të Kartës së OKB-së dhe rendit botëror.

    Presidenti Begaj përshëndeti gjithashtu edhe bashkëpunimin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë me partneren e saj në Shqipëri, Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, të drejtuar nga presidenti i këtij këshilli, Besnik Mustafaj.

  • U fsheh pas divanit, si i shpëtoi 5-vjeçari babait që i vrau motrën e plagosi nënën

    U fsheh pas divanit, si i shpëtoi 5-vjeçari babait që i vrau motrën e plagosi nënën

    Opinioni publik në Itali dhe Shqipëri u trondit nga ngjarja e rëndë e ndodhur 1 ditë më parë, ku 45-vjeçari shqiptar vrau me thikë vajzën, një shtetas italian dhe plagosi gruan e tij.

    Në një video që vetë vrasësi hodhi në rrjetet sociale duke treguar trupat e masakruar prej tij, dëgjohet teksa me gjakftohtësi kërkon të birin 5-vjeçar: “I thera vetë, do t’i ther të gjithë, ku është djali”, dëgjohet të thotë vrasësi.

    Mediat italiane shkruajë se i mituri u fsheh pas divanit në dhomën e ndenjes, ndërsa babai i tij goditi për vdekje motrën e tij Xhesikën, e cila ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj. Kështu djali 5-vjeçar arriti t’i shpëtonte masakrës së Torremaggiore: babai Taulant Malaj , një bukëpjekës 45-vjeçar shqiptar vrau Massimo De Santis , i cili besonte se ishte i dashuri i supozuar i gruas së tij dhe vajzën e vet 16-vjeçare.

    Kur karabinierët hynë në shtëpi, e gjetën fëmijën ende të fshehur, teksa dridhej i tmerruar. Ata e qetësuan dhe më pas ia besuan xhaxhallarëve të tij.

    Karabinierët shprehen të bindur se në momentin e arrestimit babai ishte në kërkim të djalit të tij, detaj që del edhe videoja e tmerrshme që vrasësi ka xhiruar pas vrasjes së dyfishtë.

  • Distria Krasniqi kalon në gjysmëfinale, mposht kundërshtaren për 20 sekonda

    Distria Krasniqi kalon në gjysmëfinale, mposht kundërshtaren për 20 sekonda

    Distria Krasniqi ka shkëlqyer në çerekfinale të Kampionatit Botëror.

    Për më pak se 20 sekonda e mposhti jugkoreanen Seyun Jang.

    Ndaj saj realizoi hedhje mjeshtërore.

    Me këtë fitore ajo kaloi në gjysmëfinale, ku do ta ketë përballë xhudisten nga Japonia, Uta Abe.

  • Serbia në panik, 90 raste të kërcënimeve brenda pak ditësh

    Serbia në panik, 90 raste të kërcënimeve brenda pak ditësh

    Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zheljko Bërkiq njoftoi sot se ditëve të fundit janë regjistruar 90 raste të rrezikimit të sigurisë në Serbi.

    Bërkiq tha se 24 prej tyre vijnë nga rrjetet sociale, ndërkohë shtoi se tetë të mitur janë ndaluar.

    Zyrtari i MPB’së i ka thënë RTS’së se vetëm në zonën e Beogradit janë regjistruar 43 raste të rrezikimit të sigurisë dhe shkaktimit të panikut, pesë persona janë ndaluar dhe janë ngritur katër kallëzime penale.

    “Unë iu bëjë thirrje mësuesve dhe prindërve që të bisedojnë me fëmijët dhe t’iu shpjegojnë atyre se çdo postim që mund të duket humoristik ose do të tërheqë ndjekës mund të çojë në pasoja të rënda”, deklaroi Bërkiq.

    Sot policia serbe e ka arrestuar një student 19-vjeçar në Serbi, nën dyshimin për shkaktim të panikut dhe çrregullimit psikik.

    Ai dyshohet se në një grup të klasës së tij përmes një aplikacioni në celular ka postuar një vizatim të një klase me trupa të gjakosura të shtrira pranë tavolinave, ndërsa njëri mbante një objekt si armë, raportojnë mediat serbe.

    Atij i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe pritet t’i ngrihet kallëzim penal.

  • Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Botërorit të xhudos

    Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Botërorit të xhudos

    Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Botëror të xhudos.

    Kampionia olimpike e ka kaluar edhe rrethin e tretë të kompeticionit që po mbahet në Doha të Katarit pasi e eliminoj prej aty belgen Amber Ryheul.

    Në çerekfinale, Krasniqi do të ketë punë me koreanen Seyun Jang”.