ATV

Author: ATVLive

  • Veç një familje jeton në malet e fshatit Prapashticë, pa rrymë, netët i ndriçojnë vetëm me llampë

    Veç një familje jeton në malet e fshatit Prapashticë, pa rrymë, netët i ndriçojnë vetëm me llampë

    Pa rrymë, netët i ndriçojnë vetëm me llampë. Çdo ditë që e kalojnë në fshatin Prapashticë, për ta është e vështirë, derisa shpresat për ditë më të mira janë të pakta.

    Zenel Fejza, banor i fshatit Prapashticë, në një bisedë për ATV-në, tregon se pse e morën vendimin për t’u kthyer në fshat, pasi disa vite kishin jetuar në Prishtinë.

    “Unë kam lind këtu, kam jetu disa kohë në Prishtinë, pastaj që 8-9 vjet jam kthy këtu. Kam ndërtua shtëpinë e re sepse na kanë djegë shtëpitë, dihet Serbia, këtu e kemi kufirin afër, edhe po jetoj kështu. Këtu vijnë një ushtri e tanë sa që e sheh dikush që vjen. Kur s’kanë qenë rrugët e mira, këtu janë endë. Gjyshja e jeme i kish thanë babës ‘mos i lë djemtë këtu’ se ajo nuk ka mëndu që ka me ardh një kohë që kanë me u largu rrugët. Amanet ia kish lanë, mos i lë fëmijët kështu, se janë rrezik prej serbëve”, tha Fejza.

    Ani pse jetojnë një jetë plotë sfida, dashuria e madhe për këtë tokë i shtyu që të kthehen në fshat.

    “Është vështirë me ia kthy shpinën gjithë këtij vendi. Tani, jeta është më e mirë, shëndeti është më i mirë këtu se në vend tëndin je. Kanë thënë se iriqin ço ku të duash, ai prapë në therra e ka më së miri, sepse rehatia është, shpirti pushon këtu”, thotë Fejza. /atvlive.tv

  • Donna Dafi e publikon këngën e re në gjermanisht dhe shqip; “Wo bist du?”/ “Ku je?”

    Donna Dafi e publikon këngën e re në gjermanisht dhe shqip; “Wo bist du?”/ “Ku je?”

    Këngëtarja Donna Dafi, në këngën më të re “Wo bist du?, “Ku je?”, nëpërmjet melodisë̈ magjepsëse dhe emocionuese, rrëfen historinë e dy personave që ranë në dashuri me njëri-tjetrin.

    Kënga fillon me udhëtimin dhe humbjen e kësaj dashurie, pastaj gatishmërinë e tyre të qëndrueshme përballë fatkeqësive, duke e kërkuar njëri-tjetrin.

    “Wo bist du?” nuk është vetëm një këngë për thyerjen e zemrës, por më shumë është një thirrje për të mos hequr dorë kurrë nga dashuria dhe na kujton se është e mundur të gjejmë një rrugë kthimi te njëri-tjetri.

    Donna Dafi, në “Wo bist du?”, e shfaq talentin e kantautores dhe interpretueses.

  • SHBA i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë protestuesit

    SHBA i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë protestuesit

    Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë tre persona që ishin përfshirë në protestat mbarëkombëtare, teksa organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën se autoritetet do t’i ekzekutojnë.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, duke cituar deklaratën e lëshuar nga Amnesty International më herët gjatë javës, shprehu shqetësimin se Irani shumë shpejt do të ekzekutojë Majid Kazemi, Saleh Mirhashemi dhe Saeed Yaghoubi, të cilët u arrestuan nëntorin e kaluar për shkak të protestave në qytetin iranian të Isfahanit.

    “Ne i bashkohemi popullit të Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar në thirrjet ndaj Iranit që të mos kryejë këto ekzekutime”, tha Patel për gazetarët.

    “Ekzekutimet e këtyre personave, pasi gjykimet ndaj tyre janë cilësuar si të rreme, do të ishin një ofendim për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit bazik në Iran dhe gjetkë. Kjo situatë e bën të qartë se regjimi iranian nuk ka mësuar asgjë nga protestat që nisën nga një vdekje tjetër, vdekja e Mahsa Aminit”, shtoi ai.

    Irani është përballur me protesta që nga shtatori i vitit 2022, kur Amini, 22 vjeçe, vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

    Irani ka rritur numrin e ekzekutimeve, përfshirë edhe ekzekutimin e katër protestuesve vitin e kaluar, duke nxitur dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

    Rasti i Kazemit ka nxitur shqetësim në Australi, ku jeton një pjesë e familjes së tij, me kushëririn e tij që ka thënë se ai ishte përfshirë “në protesta paqësore” përmes së cilave kërkohej ndryshimi në Iran./REL

  • Peja, kampione e Kosovës, Trepça mposhtet në “Minatori”

    Peja, kampione e Kosovës, Trepça mposhtet në “Minatori”

    Peja është shpallur Kampion i Kosovës pasi ka mposhtur skuadrën e Trepçës me rezultat 91:93.

    U desh të zhvillohen pesë ndeshje, kurse ndeshja e fundit shkoi edhe në vazhdime derisa u përcaktua fituesi i këtij takimi.

    Koha e rregullt e takimit përfundoi me rezultat 84:84, ndërsa Peja shënoi fitore në fund fal koshit të Waldow.

    Ky është titulli i parë për Pejën pas 10 viteve.

  • Raportuan Chollet e Escobar: Çfarë u diskutua për Kosovën në Senatin Amerikan

    Raportuan Chollet e Escobar: Çfarë u diskutua për Kosovën në Senatin Amerikan

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha të enjten në Senatin amerikan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e Presidentit Joe Biden.

    Zoti Chollet foli përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, i cili mbajti të enjten një seancë dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan.

    “Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Evropë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës”.

    Zoti Chollet, ashtu si edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dëshmuan para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me sfidat dhe mundësitë e rajonit. Anëtarët e Komisionit dhe zyrtarët e lartë, ishin të një mendjeje se një nga sfidat më të ngutshme janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Chollet.

    Por ai shtoi se aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

    Për zotin Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.

    Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Sipas zotit Chollet marrëveshja paraqet një përparim të rëndësishëm në tejkalimin e ciklit të krizave që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve për një kohë të gjatë.duke shtuar se SHBA do të vazhdojmë të punojmë me të dyja palët në mënyrë që ato të përmbushin angazhimet e tyre reciproke.

    Duke iu referuar Serbisë, zoti Chollet tha se SHBA është e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Serbinë, por e bën këtë duke i kushtuar një vëmendje të madhe asaj që mund të ndodhë. Serbia tha ai ka sfida të rëndësishme përpara duke filluar nga korrupsioni deri te ndikimi i dëmshëm rus, përfshirë dezinformimin.

    “Historia jonë ka qenë e vështirë dhe marrëdhënia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Megjithatë është në interesin tonë që të ndihmojë Serbinë të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të afrohet më shumë me komunitetin euroatlantik.Për të qenë të qartë, progresi duhet fituar”.

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Serbia duhet të përmbushë angazhimet për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët e saj dhe demokraci të fortë dhe të qëndrueshme në vend për të arritur këtë vizion.

    Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, theksoi se thelbi i stabilitetit në Ballkan është zgjidhja përfundimtare e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi, që siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.

    “Pasi Serbia dhe Kosova u pajtuan mbi marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për normalizimin midis tyre, kemi pasur rezultate të përziera. Duke filluar me refuzimin e Presidentit Vuçiç për ta nënshkruar marrëveshjen, kundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe inkurajimin i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Unë dua ta shoh Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara drejt normalizimit. Por si mund të presim nga vendet që të zbatojnë marrëveshjen në mirëbesim, nëse Vuçiçi refuzon ta nënshkruajë atë?”, pyeti ai gjatë seancës.

    Përgjigjes së zotit Chollet se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme dhe se presidenti Vuçiç dhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë, senatori Menendez tha se mungesa e hapave të domosdoshme për zbatimin, është njëlloj si ta mohojë atë.

    “Për fat të keq, nëse më lejohet zoti kryetar, nuk po shohim shumë zbatim të marrëveshjes nga asnjëra palë. Kjo është një pikë ku kolegu im, zoti Escobar, është shumë i përqëndruar. Unë kisha rastin të bisedoja për këtë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Borell, gjatë fundjavës. BE-ja është shumë e përqëndruar tek kjo çështje, prandaj jemi të angazhuar në një diplomaci intensive që të nxisim të dyja vendet të përmbushin marrëveshjen”, u përgjigj zoti Chollet.

    Gjatë fjalës së tij i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Ecobar tha se dështimi për të bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi i ka dhënë mundësi Rusisë, të luajë një rol dëmtues, në Ballkanin Perëndimor.

    Ai tha se si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre drejt Evropës.

    Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj “Republika Serbska” në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë.

  • Seanca në Senatin Amerikan ku raportuan Chollet e Escobar: U hodh dritë mbi zhvillimet kryesore

    Seanca në Senatin Amerikan ku raportuan Chollet e Escobar: U hodh dritë mbi zhvillimet kryesore

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në Twitter pas seancës së djeshme në Senatin Amerikan ku përpara Këshillit për Punë të Jashtme kanë raportuar këshilltari i lartë i presidentit amerikan Joe Biden, Derek Chollet dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Menendez në fjalën e tij në këtë seancë ka bërë publike përshtypjen e tij se ka një presion të një anshëm ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Menendez gjithashtu ka shtruar pyetje me rëndësi sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

    “Një falenderim nga zemra për Senatorin Menendez për lidershipin e tij, angazhimin e palodhur dhe angazhimin e palëkundur ndaj demokracisë në Ballkanin Perëndimor.Mirënjohës për iniciativën e tij për seancën e të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, e cila hodhi një dritë vendimtare mbi zhvillimet në rajon”, ka shkruar Osmani.

  • QUINT: Të mos nxiten tensione, s’është kusht betimi i kryetarëve në zyrat komunale

    QUINT: Të mos nxiten tensione, s’është kusht betimi i kryetarëve në zyrat komunale

    Pesë shtetet e QUINT-it – Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për mosnxitje të tensioneve në veri të vendit, duke përfshirë këtu edhe betimin e kryetarëve të sapozgjedhur të katër komunave veriore në objektet komunale.

    Sipas një reagimi, të publikuar në uebfaqen e Qeverisë britanike të enjten në mbrëmje, “nuk është kusht që betimi i kryetarëve të bëhet në zyrat komunale”.

    Në prill të këtij viti janë zgjedhur katër kryetarë, ndonëse pjesëmarrja në ato zgjedhje lokale ka qenë solide.

    Lista Serbe, parti që haptas është e afërt e Beogradit i ka bojkotuar ato zgjedhje.

  • 104 mjekë lëshuan Kosovën për katër muaj,

    104 mjekë lëshuan Kosovën për katër muaj,

    Ikja e qytetarëve në vendet evropiane është shumë shqetësuese, sepse pjesa më e madhe e personave që po largohen nga Kosova janë profesionistë. Kështu ka thënë Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Ai tha se duhet të merret parasysh se sa shumë mund dhe investim duhet, që të prodhohet një kuadër i tillë. “Ndërsa po ua ofrojmë të gatshëm shteteve të zhvilluara”, tha ai.

    Kurse Pleurat Sejdiu tha se shifrat e fundit flasin se janë 104 mjekë të cilët kanë marrë dokumentacionin për të lidhur kontratë në shtetet e Bashkimit Evropian.

    Ai tha se kjo shifër e tejkalon shifrën e vitit të kaluar.

    “Në vitin e kaluar kemi pasur 212 për 11 muaj, kurse këtë vit për katër muaj e gjysmë janë 104 dhe është për t’u shqetësuar”, tha Sejdiu.

    Ai shtoi se kriza do të ndjehet dhe do të thellohet pas tri viteve në sektorin e shëndetësisë.

    Ndërsa Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se biznesi është duke u përballë me mungesën e fuqisë punëtore si rezultat i migrimit.

    Por ai tha se kjo po ndodhë edhe si rrjedhojë e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.

    “Ne kemi bërë thirrje prej ditës së parë që të shpejtohet reforma në arsim, që të lidhen kualifikimet me kërkesat e tregut të punës”, tha Rafuna.

    E Jusuf Azemi nga sindikata e sektorit privat tha se për 7-8 vite jashtë vendit ka ikur një e pesta e popullsisë.

    Azemi shtoi se injorimi më i madh i punëtorëve të sektorit privat të Kosovës është bërë n’kohën e pandemisë dhe pas pandemisë, sepse doli qeveria e Kosovës me luftimin e inflacionit duke i stimuluar të gjithë punëtorët e sektorit publikë kurse sektorit privat iu tha “dil qiteni dorën dhe lypeni pronarëve të kompanisë, nëse iu jep ai ju jap edhe unë”, u shpreh Azemi.

    Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve, tha se janë para një situate mjaftë shqetësuese sepse sipas statistikave kemi 1323 biznese më pak dhe 22332 punëtorë më shumë dhe nuk është projeksion real.

    “Në aspektin pozitiv ka rritje të formalitetit, por nuk do të thotë që kjo reflektohet me rritje të punësimit, sepse ne po shohim se bizneset dita ditës po përballen me sfida të tilla që po edhe e transformojnë ndoshta edhe shërbimin ë tyre, në mënyrë që të jetojnë dhe të mund të koabitojnë në këtë ekosistemin e ri i cili është krijuar duke u kthyer edhe nga aspekti i shërbimit në vetëshërbim”, tha Vranica. /rtk

  • Bislimi bisedon me ambasadorin hungarez për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve

    Bislimi bisedon me ambasadorin hungarez për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze.

    Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përkushtim dhe qëllim i përbashkët.

    Bencze theksoi se Hungaria është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me Kosovën.

    Ndërsa, Bislimi tha se qeveria ka vullnet që të gjejë mënyra drejt avancimit të marrëdhënieve dypalëshe.

    Gjatë takimit dhe bashkëbisedimit miqësor, palët ndanë dhe eksperiencat e shteteve të tyre në fusha të ndryshme si arti, kultura dhe arsimi. ​

  • Zogaj: Masakra në Dubrave zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

    Zogaj: Masakra në Dubrave zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

    Ish i burgosuri Bislim Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, si i dëshmitarë i mbijetuar i ngjarjes, ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar në masakrën e Dubravës.

    Ai ka tretuar se masakra ka zgjatur për pesë ditë rresht, dhe ajo çfarë ka ndodhur brenda asaj kohe, mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë.

    “Në Kosovë kemi mbi 200 masakra, por masakra e Dubravës dallon prej masakrave të tjera për dy arsye kryesore. E para, masakra e Dubravës është se kemi qenë brenda burgut, në asnjë formë nuk kemi qenë në rrezik për dikën, derisa për masakrat e tjera munden me u arsyetu ushtria serbe se kanë mundur me qenë të rrezikum. Gardianët dhe ushtria serbe apsolutisht nuk ka pasur mundësi me qenë të rrezikuar nga ne, sepse kemi qenë të paarmatosur, as lidhëse të këpucëve nuk kemi pasur. Dhe e dyta që është e rëndësishme është se ka qenë masakër që ka zgjatë pesë ditë, nga 19-24. Çdo masakër ka mundur me zgjat 2-3 orë ose brenda ditës, por kjo ka zgjatë pesë ditë. Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë atë çfarë ka ndodh”, tha Zogaj.

    Ai tha se ka dëshmitarë të mjaftueshëm të kësaj masakre.

    “Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mundet me e konceptu që qysh për katër ditë, me gjakftohtësi maksimale hyjnë gardianët, ushtarët serbë dhe vrasin njerëz dhe dalin, sikur të mbysnin ndonjë pulë e jo njëri”, tregon Zogaj.

    Ai thotë se i ka ndodhur që t’i mbesin trutë e një viktime në duar, në kohën kur kishte shkuar për t’i dhënë ndihmën.

    “Ka pasur raste kur kanë hyrë brenda kur e kanë ekzekutuar vëllain para vëllait tjetër që ka qenë i fshehur dhe nuk ka guxuar të ofshajë, por është dashur të rrijë pa frymë e të paktën ai të shpëtojë. E mos të flasim për të tjerat kur kanë gju granata për shakta, kur unë e kam pasur rastin kur më kanë mbetur trutë e njeriut në dorë, kur kam shku me ia dhënë ndihmën, kur kam pa organet që i kanë dalë nga shpina jashtë”, rrëfen Zogaj. /atvlive.tv